Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qamil Alushi: Jeta e transfiguruar në bukuri poetike

| E merkure, 16.05.2018, 07:00 PM |


JETA E TRANSFIGURUAR NË BUKURI POETIKE

Për vëllimin “Krahë përmallimi” të Qazim D. Shehut

Nga Qamil Alushi, studiues

Është vëllimi i 13 me poezi i poetit  Qazim D. Shehu. Lexuesi ka tani në dorë një libër me 158 krijime të reja poetike, motivet e të cilave autori i ka qëmtuar  me një punë këmbëngulëse plot pasion e në një mjedis njerëzor, siç bën bleta me nektarin e luleve. Poezia është bukuria e fjalës. Poeti këtë aktkrijim nuk e mban për vete,  po di ta thurë në mënyrë të tjillë që ta përçojë edhe tek të tjerët, t`u ngrohë atyre zemrën,  edhe pse,  herë here,  njerëzit jetojnë në një mjedis të pashpirt. Të shkruash poezi nuk është e lehtë. Lënda poetike vjen pas një përjetimi të gjatë dhe kërkon format e duhura të shprehjes në mënyrë që kostumi t`i rrijë mirë dhe me elegancë. Kësaj kërkese poeti ia ka arritur t`ia dalë duke na sjellë përmes fjalës së tij aromën dhe meditacionin për jetën. Gjinia e poezisë shpreh forcën e fantazisë dhe të ndjenjave që përcjellin motivin e veshur me jetë.

Mendimi artistik i këtij poeti është i shëndetshëm, ai ngrihet kundër dhunës në një mjedis social, bën përgjithësim përmes konkretes:”rrugëve shëtit papritur vdekja/gjarpër pa folenë e tij/kronikë e zezë si alfabet qorr/ troket në ekrane/I pafajshëm u shpall një horr/që dhunoi këtë mbrëmje/”. Zemërimi i poetit është i drejtë, ai nuk mbyllet në vetvete, kërkon që zëri i protestës të dëgjohet. Pasqyrimi është therës, poetik,  dramatik. Ky mendim e çon larg në kohë,  kur shprehet:”Frëngji e kullës sa një sy/pulitet në diell, hapet nën re/tani pushka s`shkrep aty/tërhequr nga dy pendë qe/vrasja kryhet në tortuar/në  disko lokale nate/I vrari përherë shënon/një shifër komunikate/frëngji e kullës plot ironi/mbyll syrin e vërejtet/e fyer për paburrërinë/kur i kujtojnë mesjetën/”. Shumë motive antidhunë, anti shkreti sociale bëhen zhiva lëvizëse që ngrenë temperaturën e ndjenjës dhe të kundërshtisë. Dhe pse?Sepse ka humbur dashuria, ka humbur ngadalë ajo që quhet ndjeshmëri për ta parë dashurinë si referencën më të lartë, si tabelën më të dallueshme, busullën më të pagabueshme. :”Dashuria sot/rend drejt humbjes së saj/gjysmën e gotës mbush me lot/gjysmën me reflekse në faj/ ;dhe më tej:”Hoje mjalti të hidhur/thurur kodesh tinguj thinjur, biem në grackë të parasë…/do thoja dashurisë, por…më falni/dashuria po i afrohet Saharasë/me ëndrra lëndinash të largëta/”. Duke e vendosur heronë lirik në këtë mjedis asocial dhune, poetin shpesh e kap malli për vetërheqje, për një shpëtim përmes arratisë që t`i largohet këtij mjedisi konfrontues edhe kur në dukje ngjan si i qetë. ”Më thotë mendja të shkoj/në një ishull me dallgë/Robinson modern, jetën të ndërtoj/prej kornizave të dal/…;por përsëri e ndërron mendjen sepse:”Edhe ishujt i kanë blerë turistët/kolonizatorët e rinj të lekut/”. Dhe gjithë kjo pse, sepse poeti i gjen aktorët e së keqe që luajnë vallen makabre delirante të gënjimit të jetës, ata janë politikanët. Në një antitezë me poetët ja si e karakterizon figurën e tyre:”Kur më lind ndonjë motiv/më duket se zbulova një thesar/ngrihem jerm nëpër shtëpi/fërkoj duart si politikan i marrë/I cili lidhi paktin e radhës/për tenderin dhe miliona/o ç`i pakrahasueshmi fat/i zbulimeve tona…”. Dhe gjithësesi ai e sheh këtë në mungesë të drejtësisë, të cilën kurrë nuk e jep kjo racë mediokre e inkriminuar,  por zoti dhe poeti:”Gjykatës të nderuar/e dini ç`do të thotë drejtësi?/atë që zoti në qiell e ka krijuar, /po  s`mundet ta zbresë  në tokë kurrësesi…”.

Poezia dhe lirizmi bëhet urëkalimi për të shkuar nga pamjet e trishta drejt atyre më të qeta e më të thella, ku poeti përmes meditimeve i drejtohet herë herë qenies së vet e asaj të njeriut. Ai ende beson se dashuria nuk ka humbur, rikthimi tek ajo është e vetmja rrugë edhe pse shpesh duket se poeti e asgjëson në një trishtim të pafund konceptin e saj. ”Porta e dashurisë është një portë floriri/ndërsa leje për të hyrë të jep dielli/portë floriri dashuria s`ka/diamantin e saj në thellësi mba/. ”Dhe poeti e mban të ndezur tonalitetin e shpresë:”Nga sot nuk do kryhen më vrasje /njerëz të bukur do të dalin nëpër pragje/Ilaçi që s`është shpikur do të shpiket në çast/për zemrat e vuajtura në maraz/sot do të ndodhë patjetër/do të ndodhë s`ka ku shkohet/se mua më besohet…”Edhe pse duke qëndruar në udhëkërkimin e dashurisë si largim dhe afrim, poeti kërkon kurorëzimin e saj përmes lumturisë:”Lumturia/ende e besoj atë/Ekziston/vjen kur e kërkon/një korigjim i thjeshtë dhe…/lumturinë shpëton/”.

Shehu shfaqet si poet që zemrën e vë në ritëm të shqetësimit për bashkëkombësit e bashkëkrahinarët e vet. I lidhur me njerëz që ndoshta mendojnë a nuk mendojnë si ai,  kjo s`ka rëndësi, po gjithësesi duke dashur njeriun,  shpëton nga ndjenja e braktisjes dhe gjen një arsye për ta dashur më shumë jetën. Motivi i ikjes, braktisjes,  është ngjethës:”Ikën të gjithë dhe s`mbet asnjë fishkëllimë në muzgun e vonë/zajet e bardhë lodrojnë nën një diell me shkumë/sikur prej tyre të lindë një Afërditë e re/”. Por poeti brenda njerëzve  sheh si merr krahë dhe horizonte dashuria e cila është kënduar nga sa e sa poetë:”Nga njëri poet tek tjetri poet/motivet shkojnë në ngjashmëri/si mali përballë malit me mijëra vjet, /rri/, s`shkon e ngutet për dashuri/…Po janë thënë të gjitha/ndonëse dridhjet e zemrës s`janë llogaritur/ndaj kjo botë bëhet përherë më e re/duke u përsëritur/”.

Larmia tematike është e gjerë. Ai bën një përshkrim poetik qyteteve me themele në histori, si Korça:”ky qytet me themele në histori/që, veç me serenata dashuri e poezi/afrohet drejt nesh”; dhe flaka e ndjenjës ndizet edhe për Strugën ku:”fjala shqipe me fjalën e huaj/bën duel shekullor /në Strugën/qytet të poezisë, /qytet të dashurisë /me pikëllim malesh të lodhur/diellin liqenor të zhvoshkur…”. Edhe Gjakova,  qyteti”nuse që shpin sgjymtyrët/i sapomartuar me lirinë…

Në librin e poetit dalin qartësisht idetë, përshkrimet, kontekstet dhe nëntekstet. Qartësia e fjalës dhe dridhja e kësaj qartësie nga ndjenja e hollë dhe e befta e detajit dhe e figurës dhe veçanësia e motivit,  mendoj se,  janë tiparet e stilit të Qazim Shehut. Autori nuk bie në kurthin për të  ndërlikuar gjëra të panevojshme për hir të modës poetike,  për t`iu dedikuar një fantazie që shpesh e errëson fjalën, vetëm e vërteta e thjeshtë , ajo që kalon nëpër një fantazi të natyrshme, vetëm ajo mund të besohet. Motivi i natyrës bëhet një tjetër  vijë demarkacioni midis së mirës dhe së keqes,  sepse:”Njeriu natyrën ka përzënë/sikterisur si armike/njeriun mendtë e kanë lënë/në jetën e tij nevrike”. Natyra, veçmas ajo urbane,  shprehet ndhe ndjehet në poezinë e Shehut përmes pamjeve të saj, ajo është natyra e sotme që e shohim të gjithë,  që ngjall trishtim e bëhet e përzishme me ngjyrat e saj akromatike.  I ndodhur në këtë ndjesi,  poeti mbyllet në dhomën e tij, jo në kullën e fildishtë për të lëngar e për të shtrydhur ndjenjat në lotë, por siç shprehet vetë në poezinë”Dhoma e poetit”:”Një këngë mund të thuret më tepër/një grimcë,  fjalë nëpër të/për ta vënë në skeptër/në këtë botë/që ik nga e bukura gjithnjë”. Fundja kjo është motoja e poetit, kështu ka qenë dhe do të jetë. Mision i së mundurës dhe së pamundurës,  i luftës së përhershme të tij kundër shëmtisë së jetës, kundër dhunës, gënjeshtrës, mashtrimit, natyrës së përdhosur nga stuhia e betonit dhe e tymit apokaliptik si një mllef që i turret qenies njerëzore. Forcën e përshkrimeve lirike autori e shpreh jo vetëm me gjendje të përjetuara po edhe me një varg të gdhendur të punuar me kujdes .

Poet i lirizmit estetik ai e kërkon të bukurën si kutesë(minipoema Braktisja) edhe  në rrafsh të hulumtimit të artit, poezisë, kur mediton për poezinë dhe poetin duke qenë i bashkëlidhur me poezinë(ky fat së toku ne na ra/të vuajmë botën e padrejtë/paçka se bota borxh na ka/ne borxhin s`ia duam asnjëherë); dhe poeti zbulon natyrën e së bukurës kur thotë:”Para bukurisë jam fëmijë/kur botën së pari pa/barot që s`do shkëndijë/ndizet pa vrarë”.

Për gjithçka që ikën e vjen, krijohet kështu oazi i mallit dhe poeti shprehet:”Sfungjer i reve thith/tinguj bari,  murmurimë ekstaze/në majë vështrimesh lodrojnë/kambana malli”. Dhe këto kambana që tunden në majë vështrimesh bien gjithnjë me gjuhën e mallit dhe përftojnë një gjendje të butë edhe kur poeti duhet të meditojë e të filozofojë nga pak për gruan, gruan e mirë apo atë grindavece kur shprehet prapë:”Të duash ty moj ujkonjë/Ç`fat na jep kjo jetë/a s`iku prej teje dhe Tolstoi/më një mijë e nëntëqind e dhjetë?”. Dhe nga gjithë këto rendje dhe imagjinime krijohet metafora e krahëve të përmallimit  ku poeti kërkon ta përfshijë botën me dashuri, me këndvështrime dhe të zbulojë dridhjet e zemrës ,  t`i japë ato me afeksionin e një lirizmi estetik të butë. Sepse dashuria është gjithnjë e butë. Pushkini ka shkruar:”Na pëlqen ta shohim poetin në  çdo gjendje,  në të gjitha ndryshimet e shpirtit të tij të gjallë dhe krijues, në gëzime, në entuziazëm,  në qetësi shpirtërore,  në hidhërim e zemërim…dhe kur mërzitet…”. Këto gjendje të autorit reflektohen në vargjet e thurura,  ku fisnikëria e ndjenja buron brenda një meditacioni poetik.

Ai ka një stil romantik në poezinë e tij?Ka një stil të tillë dhe kjo i ka dhënë origjinalitet ku zbulohen pasione njerëzore, me ndihmë,  të pashkëputura nga një shqetësim i natyrshëm i qenies poetike. Forca e poezisë së vërtetë është figura e gjetur dhe poeti e qëmton figurën. Forca emocionale e gjuhës është e ushqyer nga gjuha e popullit, e leximeve po edhe si vënie në lëvizje e fantazisë përmes përjetimit. Muza e poetit herë herë ndihet ngushtë,  plagoset nga realiteti i trishtë, ajo nis të shkundullojë në fuqinë e saj si një kambanë kushtrimi  vetëm për dashuri. Kjo është muzë e tij e cila i duhet larguar asaj që me të drejtë Nekrasovi e krahasonte me fatin e një vajze ruse të robëruar:”Shkova dje tek kullë e beut/pas mesdite ora tre/me kamxhik atje po rrihnin/një fshatarkë, vajzë të re/ajo heshte,  vetëm shufra/vërshëllente gjëmëplotë/edhe muzës unë i thashë/ja, moj muzë, motra jote”. (Nekrasov). Kuptohet,  muza e poetit Shehu nuk e duron atë që në realitet merret si normale në shtratin e anormalitetit dhe absurdit. Se, poezia e këtij poeti është jetësore, larg fluturimeve dhe terratisjeve  kur mungon kontakti me jetën, disponimi për ta njohur atë. Frymëzimi i pastër, sinqeriteti krijues, mospasja turp për ta thënë origjinën tënde,  siç porosit Don Kishoti, është veçori e poetit të vërtetë. Dhe poeti shprehet:”Jam fshatar/fshatin e dua/fshati më braktisi/…gatuar me të hidhurin sinqeritet/që s`më hyn në punë/në qytet”. Për një poet është e rëndësishme sinqeriteti, vetëm ai të çon tek mendimi që thyen normat dhe tabutë hipokrite, krijon origjinalitet dhe veçanësi, sepse fjala e poetit , si e tillë, e ruan sadopak kujtimin e virgjërisë së botës. Prandaj poeti i drejtohet Uitmanit, poetit të madh amerikan:”Sërish kur më gjuajnë me turp/moralistët hipokritë/të thërras Uitman i madh/në Amerikë/në tragetin e vargjeve të tua/më hip të çaj detin/të jem atje ku dua/të këndoj vetëm”. Duke iu drejtuar mjaft figurave të artit,  poeti  nuk do të ndjehet vetëm, duket se shpesh ka nevojë për ta, sepse:”Në vendet e vogla poetët i vrasin/I vret hapësira dhe çështja kombëtare”; ndaj,  ai u drejtohet sa e sa figurave tëmëdha të artit duke shprehur adhurim për artin e tyre të madh. ”Heminguej më trullos/ja plaku Santiago/brenda detit të madh/detin tërheq me spango/si të qe lodër dhe aq…”. Vemë re se në mjaft poezi shumë figura, mite, kujtesa faktesh nga kultura dhe art i vijnë rastësisht e natyrshëm në artin e fjalës poetike të Qazim Shehut,  që tregon se ai e lexon edhe poezinë e të tjerëve, gjë mjaft e dobishme për një poet.

Vëllimi “Krahë përmallimi” është një shpalosje poetike e botës së njeriut të sotëm, i qenies njerëzore në tërësi, me përjetime dhe zbulime të këndshme, me një atraksion lirik dhe reflektim meditativ që i këndon së bukurës në kontrast me shëmtinë, sepse:”Si kjo pemë që nuk e prekin/mbi greminë/ngrihet hijeshi e jetës/mbi shëmtinë/të ngrihesh gjer atje/gremina frikëson/shëmtia mpreh dhëmbët/hijeshinë tërbon”. Por poetët e vërtetë gjithnjë luftojnë me shëmtinë e çdo kohe dhe ia dalin. Bukuria e jetës u prin dhe ata i prijnë asaj…