| E marte, 15.05.2018, 06:49 PM |
Viron Kona
Ujin e ka zënë kuçedra
Sapo doli në oborr,
vajza dëgjoi fishkëllimën,
mori shtambën të mbush ujë,
dhe te kroi e mbajti frymën.
Nënë sot mund t`kthehem vonë,
s`kam faj unë, që uji s`po vjen,
mbase e ka zënë “kuçedra”,
apo djali që fishkëllen?
Nënë të lutem më beso,
kam arsye të vonohem,
kroi ka shterur s`ka pikë ujë,
“për kokën tënde!” të betohem!
Ja dhe djali po ma prish mendjen,
te koria m`thotë të shkojmë,
të dëgjojmë këngët e zogjve,
një copë herë të kuvendojmë.
Ikë, i them se jam në hall,
se shikon që uji s`po vjen,
do më vësh n`sherr me nënën,
lërmë t`qetë se s`ta kam ngenë!
Djali qesh, më kap për dore,
me zë t`ëmbël më drithëron,
ç`po më deh aroma e pyllit,
një bilbil tej po këndon.
U magjepsa, atje ndenja,
sikur s`isha në këtë botë,
s`di si ta shpjegoj magjinë,
bëj të ikja, s`ikja dot.
Pastaj dihet ç`ndodhi m`pas,
si n`përrallë gjithçka kaloi,
trimi u ndesh me “kuçedrën”,
ujin e kroit e lëshoji.
Sot o nënë, bëra si bëra,
çdo bëj nesër, nuk e di,
se ajo e “llaftarisura”,
do zërë kroin përsëri.