Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Andrea dhe Helena (4)

| E hene, 14.05.2018, 07:42 PM |


Resmi Osmani

Novelë

ANDREA  DHE  HELENA

Vazhdimi

11

Vend i panjohur,  të tjerë njerëz, të tjera zakone, tjetër jetë. Kjo ishte Arbëria,  ku e hodhi dora e fatit. E ndante  një rrip det nga vendi  i saj, por që për të s’kish dëgjuar të flitej asnjëherë. Si do që e donin,Zamfina dhe vashat e rrethonin me kujdes e dhimbsuri, që i admironin bukurinë dhe hijeshinë, pa Andrean, ndjehej fillikate dhe e huaj.

-Lulja ime, nusja ime e vogël,- i tha Andrea-pregatitu për udhëtim të gjatë. Do  t’i biem vendit afër e ngjat, të njohësh  principatën, të kqyrësh me sytë e tu  Arbërinë, zonjë e së cilës ti do të jesh!

Dhe ata morën udhët, fushave, luginave, shtigjeve, maleve me borë, me një tokicë trima përcjellës, si dy të rinj të panjohur. Panë fushat e gjera pjellore që zverdhnin nga ari i grynjërave dhe të lashtave të arrira, të qëndisura nga e kuqja e paparunave, që prisnin drapërin, luadhet e gjera me gjelbërim harlisës mbushur nga tufat e bagëtisë,luginat e lumenjve të harbuar e ujëkulluar të zhytur në tymtajën e mjegullës mëngjezore, admiruan ujvarat e potershme e të përshkënditura  nga ari diellor, u flladitën në burimet e kulluara si loti,çanë shtigjeve të thepisur dhe pyjeve të dendur, u ngjitën majave të frikshme ku fluturonte shqiponja, soditën purpurin që paralajmëronte  lindjen e diellit mbi majëmalet dhe kuqëlimin e perëndimit, muzgun e ëndërrt,qiellin e netëve  yjestolisur.Bujtën në stanet alpine nën kupën e qiellit, në kullat e gurta,me vasha si zana e djem azgana, të pritur me bujari. Thjesht, pa oborrësi e shtirje hipokrite: bukë, kripë e zemër! Se shtëpia është e zotit dhe e mikut. Shijuan begatitë e tokës  arbërore: mishin e qingjit në fërlek, mjaltin nga hojet e zgjojeve, djathin e njomë të staneve, pemët e sapo këputura nga degët. Dhe ngado buiste dashuria e tyre, si flladi, si drita e diellit,hënës dhe yjeve. Ajo ishte në këngën e zogjve, në ngjyrën dhe aromën e luleve, në buzëqeshjen dashamirëse të njerëzve, si një bekim nga Zoti.

Dashuria e kishte emërin Andrea dhe Helena.

Helena u bind: Arbëria ishte e bukur, Arbëria ishte e begatë dhe ajo për të do të ishte atdheu i ri.

Viti i parë pas martese rrodhi si një ëndërr. Helena jetonte or e çast në dashurinë e saj, që ishte një ndijesi drithëruese që i mbushte zemër e shpirt, i dukej si një pezulli endjeje në një mjegullim të trëndafiltë, tingëllimi i saj kishte muzikalitetin e zërit të  Andreas, drita e saj buronte nga sytë e Andreas, ishte dora e tij që e tërhiqte lëndinave parajsore të ëndrrave gjatë neteve që ajo prehej në krahët e tij. Ajo buzëqeshja ngazëllyese e një ndjesie dëshiruese e tërhiqte me një forcë të vetvetishme.Fjalët e tij kishin tingëllimin e argjendit, shikimi i tij butësinë e syve të pëllumbit, prekja e gishtave të tij ishte drithëruese,me freski flladi, shtrëngimi në gjoksin e gjerë një bashkim zemrash nga i cili nuk do të donte të shkëputej kurrë. ”Andrea, Andrea, Andrea…” mërmëriste ajo. Burri i saj, fatlumi i saj, dashuria e saj, që i erdhi si dhuratë qiellore. Ajo e donte, e donte deri në përgjërim, dashuria për të veç sa vinte shtohej, ishte frymëmarrja, rrahje e zemrës, balsam lumturues, pjesë e gëzimeve të përditshme, bukuri e jetës.

Kur u kthyen  në Krujë nga rrugëtimi,të rrahur nga flladi e të përshkënditur nga dielli, fytyrat i kishin të bronzuara, në sy e pamje rrezatonte gëzimi për jetën dhe dashuria. Dom Dominiku, i përshpirtshëm si shenjtor, i mençur e këshilltar urtak, fjalëmbël, i dashur si at, i tha të vëllait,Tanushit, se sëra e nuses, nga gjaku mbretëror frëng dhe nderi i të birit, trashëgimtar i principatës së Arbrit, e donin një dhuratë gëzimi. Martesa rebele, me rrëmbimin e nuses, nuk duhej të bëhej pengesë, ngaqë ndër arbrorët s’ishte e pangjarë por zakon kreshnikësh. Tanushi s’ia bëri fjalën dy. Zgjodhi si dhuratë për të birin dhe nusen e fisme, njerën nga kalatë e afërta, atë të Petrelës, ku ata do të jetonin të qetë e të sigurtë.Thirri noterin dhe bashkë me Niketën, nënshkruan akt-dhurimin. Në një hapësirë trekëndore,Kruja rrëzë mali, Preza dhe Petrela si të vëna me dorë, si tri lule mbi kodra, kishin nën sy udhët, luginat dhe hyrje-daljet e fushës, bregdetit dhe fillimin e ngjitjeve për shtigjet malore. Ato kuvendonin dhe jepnin e merrnin me gjuhën e flakëve të zjarreve sogjetarë.

Sa kishte hyrë vjeshta e parë. Andrea,kaluar mbi atin e kuqërremtë dhe Helena mbi kalin e bardhë, ishin vendosur në qendër të çetës së  kalorësve të gardës,që po i përcillte për në Petrelë, la fushën dhe hyri në udhën e ngushtë të luginës që ecte buzë lumit. Vjeshta  i kishte begatuar dhe darovitur bashtinat në të dy anët e kodrave: me rrushin që nxinte në pjergullat, mollët që kuqëlonin në degë, dardhat dhe ftonjtë me të verdhën e artë, arrat dhe gështenjat.Në luadhet dhe çeltirat kullosnin tufat e bagëtive. Ca mbi to grumbujt e vegjël të shtëpive të fshatrave, çatitë e të cilave kuqëlonin nga tjegullat. Më lart në të dy krahët, lisnajat dhe dushkajat, në gjethet e të cilave hukama e vjeshtës sapo kish nisur të linte gjurmën e zbehtësisë së saj. Lugina ishte e zhytur në pahun e dritës, si në një pluhurizë të artë. Qielli me kthjiellsi të qelqtë, pa një re, kaltëronte i bruzët si një buzëqeshje fëmije.Lugina merrte përpjetë për në lindje dhe në horizont shfaqeshin majëmalet. Helena s’nginjej së sodituri bukurinë e pamjeve që hapeshin para saj. Andrea shihte dritë në sytë e saj, gëzim në pamje dhe  mahnitje për çka ajo vegonte në këtë udhëtim drejt së panjohurës, që po e shpinte në shtëpinë e saj të re.

Në të djathtë të rrugës, u shfaq si befasi për sytë kodra me qytezën e bardhë të Petrelës që gjelbëronte nga ullinjtë. Kalaja në perëndim, si e kapur me kthetra buzë shkëmbenjve, përngjasonte me një shpend të bardhë që ishte ndalur në turr të fluturimit në zgrip të humnerës .Çeta e kalorësve mori djathtas dhe  ngau në rrugën e kithët të shtruar me kalldrëm që i çonte në kala. Aty i prisnin. Pregatitjet kishin përfunduar. Kujdestarët dhe shërbenjësit u kishin dhënë dorën e fundit punëve,çdo gjë me rregull e në vëndin e vet,ndrinte nga pastërtia . Qyteza kishte hapur portat dhe zemrat e banorëve, që me tufa lulesh në duar ishin sëritur në të qy krahët e udhës së kalldrëmtë. Më së shumti gra të parisë, vasha  të reja veshur me ngjyra të ndezura dhe fëmijë çamarokë, por edhe pjestarë të pleqësisë,që mbaheshin rëndë dhe se jepnin veten nga kërshëria kur u gjendën para  bukurisë rrëzëllenjëse të princeshës së huaj, nuses së Andreas,  që tani do të ishte zonjë e tyre. Turma e priti me brohori, i hodhën para këmbëve lule, grurë dhe elb, e stërpikën udhën me ujë burimi. Kambanat e kishës kumbuan si për festë dhe jehona e tyre e gëzuar u përhap luginës. U mbetën sytë te gjithëçka e saj: ishte si të kishte zbritur nga retë një yll, si të kishte dalë nga burimet një shtojzavalle, si të kishte mbirë e çelur befas një trëndafil i bardhë. Lum e lum për këtë nuse! Por ama edhe djali ynë! Si një lis i ri i bleruar. Ajo kishte ditur se çfarë kishte zgjedhur.Kush do të ishte ajo vashë që nuk do të kishte dashur ta kishte të vetin? Andrea dhe Helena, u zbritën kuajve dhe  të zënë për dore, të buzëqeshur bënë përpara duke përshëndetur me krye dhe dorë majtas e djathtas, dhe kthyer urimet e shumta për lumturi, shëndet e mbarësi që nuk rreshtnin nga gjithë anët.

Vila e sapo ndërtuar  për ta rrëzë murit të kalasë, me pamje nga jugu dhe Jug-perëndimi ishte e bukur.Në kat të parë ishin dhomat e shërbimit, e ngrenies, ndenjies dhe pritjes së miqve. Veranda e bollshme me kollonata mermeri e qemerë linte të shihej lugina me fshatrat e vegjël dhe në të majtë shpatet e malit mbushur me pyje lisi. Rruga që përshkonte gryka dhe qafa malesh, të shpinte deri në Skampinin buzë lumit. Në perëndim shpalohej hapësira deri larg në horizont, atje ku qielli puthej me detin. Një shkallë e brendshme , me bazamakë e parmakë dru-gështenje të ngjiste në kat të dytë në odat e gjumit e në tarracë. Prej andej dukej vargu i maleve të thepisur që arrinin deri në Ohër në kufijtë e Muzakajve dhe Gropajve. Vila ermironte rrëshirë pishe dhe gëlqere. Në ormisjen e saj s’ishte kursyer asgjë, gjithçka e sjellë nga Venediku, që ajo të ishte e denjë për një çift princor.

-Lulja ime,të pëlqeu dhurata e tim eti dhe shtëpia e re?

-Shokun e mirë dhe në majë të gurit!-I përmendi ajo të thënën e tij dhe i hodhi krahët në qafë.-Ky guri ynë veç e ka emrin “Guri i bardhë”.

Helenës i pëlqeu dhurata e të vjehrrit.Tashmë ata kishin feudin e tyre që do t’ u siguronte gjith ç’u duhej.

Darkën ja u shërbyen në verandë.Nata ishte e bukur, e qetë, e mbushur me këngën e zogjve,të Gjonit dhe Qyqes. Andrea ia rrëfeu Helenës legjendën.Asaj I erdhi keq për Qyqen dhe Gjonin.  Qielli mbi krye, ishte i stolisur nga hëna e plotë që shëtiste midis yjeve dhe rigonte pluhurizën e artë që zbuste muzgun mbrëmësor. Frynte fllad i lehtë. Andrea e mori Helenën në gjunjë. Ajo ju var në qafë.

-Lulja ime e bukur- i mërmëriti ai,dhe e puthi lehtë ëmbël në gushë, në faqe, në sy e pastaj në buzë. Ajo fërgëlloi si thëllëzë dhe me një barrë naze e pyeti  siç e pyeste shumë shpesh:

-Trimi im, a më dashuron?

-Ti duhet ta dish, moj lulja ime e bukur, moj nusja ime e vogël!

-Dua të ma thuash me gojë tënde, nuk lodhem asnjëherë së dëgjuari!

-Shumë, shumë, shumë!

-Sa shumë? Sa qielli, sa toka, sa yjet, sa dielli,sa lulet e lëndinave…Thuama, apo të dukem ndopak budallaçkë?

Ai ia vulosi gojën me një të puthur të gjatë dhe i tha:

-Sa të gjitha ato bashkë dhe të tjera që ti s’i the!

Ajo ia mori dorën dhe ia vuri mbi barkun e saj. Ishte shtatzënë.Shtatzënia e kishte ndryshuar: I kishte rënë në fytyrë një dritë lumturie,kishte nisur paksa të rëndohej e të mbushej në bel, e kishte kapur një plogështi e rëndesë që ia bënte të matura lëvizjet. Tashmë ajo e ndjente që ishte nënë, rriste në bark foshnjen, dukej pak si e mënjanuar dhe sikur përkujdesej vetëm për atë që po rritej brenda barkut të saj. Andrea vinte re se ishte pak larg kujdesit të saj, i dukej vetja si i zhvendosur nga ai mister jete që e kishin ngjizur të dy. I gëzohej, por ishte Helena, gruaja, nëna që po e rrit dhe që do ta lindë foshnjën, trashëgimtarin e tyre, ndaj ajo duhej rrethuar me shumë kujdes e dashuri. Dom Dominiku, kur ju bë e ditur dhe u gjend pranë të dyve, me një gëzim që nuk e fshehte, u tha:

-  Bijtë e mi, gëzohuni e lumturohuni, faljuni dhe lutjuni tënzoti, se shtatzënia është dhuratë nga zoti, një shënjtëri, zoti zgjodhi një grua për të sjellë në jetë shpëtimtarin tonë. Shën Maria është mishërim i gjallë i kësaj shënjtërie, simbol i  amësisë që përtërin jetën.….

-E dëgjon frytin e dashurisë sonë ngjizur brenda meje? Po troket. U rrit dhe na lajmëron se po vjen.

-Vogëlushja do na lindë një vogëlushe, po aq të bukur sa është edhe vetë, që kur të rritet të çakërdisë trimat e Arbërisë!

-Jo i dashur. Ai është djalë. Do të vijë i pashëm dhe trim si i ati, që të trashëgojë e sundojë principatën e Arbërisë.

Fjalët e saj ishin profetike.

12

Niketa Topia, pas martesës së Andreas, dhe dhurimit atij nga i ati i feudit të Petrelës e ndjeu veten si të braktisur, të lënë pasdore.Tata Tanushi,mixha dom Dominiku, motra Zamfina dhe të tjerët i kishin sytë,vëmendjen dhe kujdesin te Andrea dhe Helena. Ata zinin kryen e vendit dhe të bisedave. Po Niketa? Aha, Niketa! Për të prêt koha.  Ja kishte zili të vëllait gruan e bukur dhe në shpirt iu ngjall nakari që nisi ta brejë  si  krimbi drurin. Babai po plakej dhe jeta e tij ishte me sot me nesër. Zakoni i parabirërisë, e bënte Andrean trashëgimtar të principatës. Trashëgimit të tij i jepte krahë edhe të qënit dhëndërr i mbretit Robert të Napolit. Ai do të mbetej si guna e vjetër.Një shërbëtor i atij që e kishte vëlla nga babai. Jeta iu kthye në makth. Rrugët e veta i shihte  të mbyllura, në terr. Gjithandej Andrea, kanakar i babait, krah tij më e bukura ndër gratë,  Helena . Për të edhe pse i kishte ardhur mosha, nuk kujtoheshin që ta martonin, gjoja ngase ishte radha e Zamfinës. Për të mbytur dëshpërimin, ushtrohej me shpatë me oficerët e gardës, sa kapitej dhe lahej në djersë. Merrte shenjë me hark, mundej trup me trup. Kalëronte si i ndërkryer,  sa doriut i dilte shkuma. Gjithë këto s’ia shqitnin mërzinë, që i ishte ngjitur në shpirt si pisllëk, ndaj zgjodhi kupën e verës.  Vera, që në avujt e saj i pështjellonte shpirtin dhe i trubullonte mendjen, u bë shoqe dhe ngushëllim i tij. Për të provuar fatin nisi të hedhë zaret, aq sa përveç pijes, kjo ju bë ves, lozte me shuma të mëdha dhe në të shumtat e rasteve humbiste. Aq të mëdhaja ishin humbjet, sa arkëtari i thesarit vuri më dijeni Tanushin dhe ia kufizoi dhënien e shumave që i kërkonte. Nisi të merrte borxhe nga tregtarët dhe fajdexhinjtë. Si të mos i mjaftonte Kruja, shalonte gjokun, ngjeshte shpatën dhe shkonte në Durrës. Zderhallej nëpër pijetoret sa bëhej dërrasë, hidhte zaret sa mbetej trokë dhe nuk mungonin as rastet e zënkave dhe sherreve që ai s’u thoshte tutje. Gjithësa atij i ndodhte, ia shpinin taze në vesh mëkëmbësit të mbretit Çezare di Falkone. Nuhatja e tij e hollë i thoshte se në familjen e Topiajve diçka po ndodhte. Ishte rasti ta mësonte nga njeriu brenda shtëpisë, ndaj  porositi që Niketën, ta sillnin si të  ftuar të tij në “Vilën e sinjorisë”.

Kjo ndodhi në të hyrë të pranverës. Ishte e para herë që shiheshin. Mëkëmbësi i mbretit, intrigant e hileqar,që ishte mësuar të hidhte gurin e të fshihte dorën e të mos thoshte edhe kur duhej atë që mendonte e që helmin e mendimit e vishte me fjalë të sheqerosura, kundroi me vëmendje djaloshin, për të ditur deri ku mund të shkonin shpresat e politikës së  tij të hollë romane “Përça e sundo”. Pa që Niketa ishte djalë trupmadh , i fuqishëm e hijshëm si gjithë Topiajt, por syrit të tij të mprehtë nuk i shpëtoi pa vënë re, se në pamjen e tij ende fëmijërore se ç’kishte një brengosje e pasiguri që e bënte të dukej i ndrojtur e i pasigurtë. Në fytyrën e tij mungonte buzëqeshja. I gostitën me verë të kuqe e fruta të thata. Çezare, i veshur me sqimë, me sjellje të fisme prej oborrtari, por me shikim tinzar, e pyeti për shëndetin e të atit, princit të respektuar Tanush Topia.

-Babai po plaket,e ka rënduar cërma dhe e ka ca të zorshme qeverisjen e principatës, ca më shumë tani që ndjehet më shumë kërcënimi i serbëve të Stefan Dushanit. Sherre e  gërr-mërre, që shpesh përfundojnë edhe me gjakderdhje, kemi  edhe me muzakajt dhe balshajt për sinoret e principatës.

-Për të ardhur keq. Me pleqërinë, avitet edhe vdekja. Ati juaj jetoftë edhe njëqind vjet, se fjala nuk sjell të keqe, por mund të vdesë edhe nesër! Larg qoftë, nëse ndodh, sipas të drejtës suaj zakonore, kush e trashëgon principatën e Arbrit?

-Parëbirërinë e ka vëllai, Andrea, atij i takon të jetë trashëgimtari.

-Në s’gaboj e keni fratellastro . Andrea, rrëmbenjësi i Helenës, që guxoi e bëri të pabërën, turpërimin e mbretit Robert. Të dy, edhe pse bëjnë hije mbi dhe, mbreti nuk i ka falur, as e ka njohur martesën e tyre. Dënimi me vdekje sillet mbi kryet e tyre si ora e së keqes. Për çdo çast ata të dy janë sa të gjallë edhe të vdekur.Trashëgimi i principatës nga Andrea, do të ishte prishje e aleancës dhe një akt lufte ndaj mbretërisë sonë. Bën mirë ta dish këtë të fshehtë: në arkën time të hekurt,ruhen njëmijë monedha ari, që presin të bien në dorën eatij  që do të shuajë jetët e tyre! Meqënse erdhi fjala, namëta,ç’bëhet çifti i lumtur?

- Babai u ka dhuruar kalanë e Petrelës me rrethinat. Është një feud që u siguron gjithë të mirat. Atje jetojnë. Helena prêt një fëmijë. Andrea shkëputet vetëm kur e thërret tata për ndonjë këshillë. Vjen edhe të stërvisë e komandojë qindshet e ushtarëve të gardës që ka nën komandë.Gatitemi për luftë.

Çezare shtiu verë në kupat e argjendëta, e cyti të pinte, i tha se ishte verë e vjetër dhe zhbiroi me shikim Niketën, që dukej i tronditur dhe piu me etje nga kupa e verës. Dukej që helmi i fjalëve të tij, dhe shkëlqimi i arit, djaloshit lakmiqar i kishte ardhur i papritur, i kishte pështjelluar qënien dhe gjykimin. I kishte hapur ca shtigje ku dredhia ,pabesia, ligësia dhe lakmia e shpinin në krye të asaj rruge që e bënte të parë dhe sundimtar të principatës. Pasi e la të gëlltiste gjithë sa i tha, Çezare, vijoi ti fliste me zë të zvargur, pa e parë në sy, si t’i fliste ajrit:

-Teksa lindjet kanë radhë, vdekja nuk njeh as radhë as moshë. Ajo s’dihet as nga vjen as kur vjen. Çuditërisht, shpesh ajo vë rend në vendosjen e gjërave.Duhet ajo që të ndodhin disa gjëra të domosdoshme pas saj. Po të vdesë i parëlinduri, i dyti bëhet i parë! Ndodh edhe kështu. Rruga  drejt trashëgimit asnjëherë s’duhet parë e mbyllur, por duhet  pastruar nga ferrat!

Edhe pse e thënë në mënyrë pavetore, Niketa e mori kumtin, si një porosi që i jepej atij. Dhe kjo jo nga askushi, por nga mëkëmbësi i mbretit, vassal të të cilit ishin!

- Hajd, gëzuar, shëndeti yt! Je i martuar?

-Ende jo.

-Mos u ngut. Martesa është politikë. Të bën me aleatë. Mos shih bukurinë, veri synë ndonjë trashëgimtareje të pasur nga derë e madhe princore që të bësh miq të fuqishëm dhe të të sjellë pajë ndonjë qytet apo krahinë.

Pasi qetësisht dhe gjoja pafajësisht, kishte mbjellë në shpirtin e djaloshit farën e së keqes , i bindur se ajo do të jepte fryte të hidhur, Çezare u ngrit:

-Fal me shëndet atit tënd fisnik. I thuaj se mbreti Robert, e çmon shumë dhe pritet që me porosi të hirësisë së tij, papës,ta finikërojë me titullin”Kont i Matit dhe Arbërisë”.

- Mendoji ato që të thashë. Sido që të jetë, sa herë të kesh nevojë për një këshillë apo për një mendim, derën time e ke të hapur.

Nga ti pres veç lajme të mira!

13

Kaluan vite.

Andrea dhe Helena jetonin në kalanë e Petrelës. Një jetë e mbushur me dashuri, si në ditën e parë që ishin njohur. Dukej se ata jetonin veç për njeri-tjetrin. Kur Andrea largohej për të komanduar gardën, në rastet e sherrnajës me principatat e tjera, Helena kalonte dit e net të ankthshme, në zemër e shpirt kishte një angështi që s’i shqitej. E ku si shkonte mendja dhe parafytyrimi, ligështohej e jetonte gjakngrirë.Ajo jetonte veç për Andrean, nuk e mendonte veten pa të. Ai ishte jeta, gëzimi, shpresa, e tashmja dhe e ardhmja.Kthimi i tij ishte si një ringjallje, si ai shiu që bie mbi tokën e përvëluar nga dielli, ajo lulëzonte e zbukurohej veç për të.

Nuk vonuan të vinin dhe fëmijët. I pari, në pranverë të vitit 1301 lindi djali, që e quajtën Karlo, në nderim të gjyshit të Helenës, mbretit zulmëmadh Karl d’Anzhu. Me këtë pagëzim deshën të zbusnin zemërimin e mbretit Robert. I shkruan letër. I jipnin lajmin që ishte bërë gjysh, që kishte një nip në Arbëri. Për të disatën herë, i thoshin se tërmonë e kishin nderuar dhe respektuar,i kërkuan të falur për atë veprim të ngutur të viteve të mëparshëm dhe i luteshin mëshirës së tij mbretërore që t’i falte. Le ta zbuste zemrën e gjyshit dhe ti pajtonte nipi Karlo, në venat e të cilit rridhte gjaku Anzhuin. Përgjigje nuk pati. Heshtje e plotë. Për mbretin Robert, ishte  si ata të mos ekzistonin.

Pas dy vjetësh lindi djali i dytë. E quajtën Gjergj, në nderim të Shëngjergj luftëtarit.Tanush Tpia u ngazëllye. Dera e Topiajve kishte edhe dy trashëgimtarë të rinj. Ditën e pagëzimit të djalit, në kishën e vogëu të petrelës, liturgjinë e shenjtë e mbajti Axha Dominik. Në gostinë e shtruar me atë rast, Helenën e mbushën me dhurata.

Përsëri i shkruan sërish një letër mbretit Robert. Asnjë përgjigje. Shurdhëri e plotë. Zemërimi mbretëror që kishte ngurtësuar zemrën e tij, ishte i hekurt. Ishte dëshpëruese.  S’kishte as falje as pajtim.

Helena po u afrohej të tridhjetave.E bukur si përherë, por tashmë një bukluri e arrirë me hijeshinë e gruas që është bërë nënë, ca më e mbushur në shtat. Mësoi të fliste shqip, sido që me theks pak të huaj, por që ia hijeshonte  ligjërimin. E dashur dhe e sjellshme me zonjat e parisë në Krujë e Petrelë,e drejtë në gjykim, bujare me të vegjëlisë, derëhapur për nevojtarë e hallexhinj. E donin dhe e nderonin. Gëzimeve të jetës së saj iu shtuan të dy djemtë. Dashuria kishte dhënë frytet e saj. Ishin su një bekim,ajo  hallkë e gjallë që e lidhte me Andrean, si rrënjë të ngulura në truallin e Arbërisë. Karlo i ngjante shumë të atit, por pak më zeshkan, ishte si t’a kishte nxjerrë nga hundët! Gjergji dukej si i nisur për vajzë: fytyrëbukur, sybruzët, flokë  verdhë, kaçurrela, me shtat të hajthëm. Ndryshe nga Kqrlo, i pëlqente ta llastonin dhe miklonin. I donte me përgjërim, lumturohej tek i shihte si rriteshin, drithërohej kur ata sëmureshin, u rrinte mbi krye si të ishte ëngjëll mbrojtës duke iu lutur Shënmërisë dhe shënjtorëve, ndizte qirinj në qelë dhe  blatonte dhurata. Gdhinte netët, shpesh duke derdhur edhe lote dëshpërimi. Por kur gjithçka kalonte,ajo çelej e hapej si qielli pas shtrëmgatës.

Sido që zonjë dhe nënë e lumtur, e kishte një peng: mëria e zgjatur e mbretit Robert. Edhe pse se shfaqte dhe se jipte veten, e mirrte malli për Napolin, për viset ku ishte rritur dhe kaluar vitet e femijërisë dhe rinisë.Sillte ndërmend oborrin mbretëror, jetën mondane,koketërinë e oborrtareve, pritjet, ballot, thashethemet, qytetin e madh të Napolit, portin cit me anije,  kaltërsinë e detit, kthielltësinë e qiellit,Vezuvin, ndriçimin e shkëlqyer të diellit, serenadat dhe tingëllimin e kitarave në netët verore… e këtushmja ishte ndryshe, e të tjera përmasave, pa atë shkëlqimin e rrem e hipokrit, disi më e ashpër, më burrërore,  por më e ndershme dhe e sinqertë. Kjo  ishte jeta që e kishte zgjedhur vetë, si një e drejtë e saj.

Helena, sido që u rrek, nuk arriti të bëhej amvisë e mirë që të qeveriste shtëpinë dhetë kujdesej për të shoqin. Andrea qeshte me të dhe bënte hoka kur e shihte që ajo ndërhynte në gatim apo në ormisjen e dhomave të shumta të shtëpisë.Pas lindjes së djemve pajtuan mëndesha vendëse që u kujdesën për rritjen e djemve, Gjellëbërsja, Diella nga Petrela, ishte mjeshtre e vërtetë, shërbenjëset vinin rregull dhe pastërti në gjithë vilën. Ekonomi,Gjoni, blinte dhe sillte gjithë ç’ duheshin. Shtëpia gëlonte nga shërbenjëset.  Helena u rrinte mbi krye.

Kur Karli mbushi gjashtë vjeç dhe hodhi shtat, Andrea i tha Helenës se duhej te pajtonin një tajë që do t’i mësonte djalit të fliste dhe të shkruante latinisht dhe rregullat e mira të sjelljes në shoqëri. Kërkesën ja bënë dom Dominikut.Ai u kujdes dhe kërkoi mendimin e mëkëmbësit të mbretit. Duhej një mësuese-tajë për Karlin, bir i Andreas dhe Helenës,trashëgimtar i mundshëm i principatës së Arbërisë, nip’ i mbretit Robert D’Anzhu. Ky nuk vonoi dhe i rekomandoi sinjora Rozën, një zonjë veneciane , mësuese e ditur, që kishte shërbyer në disa shtëpi aristokrate e të kamura të Durrësit. Dom Dominiku e takoi vetë sinjora Rozën. Ishte meso grua, thatime e shkathët,me shikim zhbirues, e veshur me shije, mbahej rëndë dhe kishte  sjellje të hijshme. Pasi u bind në aftësitë e saj, i foli për atë që do të ishte i kujdesuri dhe nxënësi  i saj dhe  për kushtet e punës. Vend qëndrimi i, sipas stinëve dhe rasteve do të ishte Petrela dhe Kruja. Ajo do të ishte pjesë e familjes.Sinjora Roza pyeti gjer e gjatë. Më shumë u hëngrën për pagesën, por më në fund ranë në ujdi. Sinjora Roza kërkoi dy javë kohë që të përgatitej. Lanë datën dhe ditën kur do të vinte karroca që do t’a merrte sinjorën për t’a përcjellë në Petrelë.

14

Vilës iu shtua edhe një banore e re. Sinjora Rozës i caktuan një dhomë të bollshme e plot dritë, ajo do të shërbente edhe si klasë për mësimet e Karlos. Helena e priti mirë e me ngrohtësi tajën, e pranoi që të hante në tryezën e familjes , pa e trajtuar si shërbenjëset e tjera .Sinjora Roza, që ishte me përvojë, me sjellje të dashur, qëndrim të afërt me buzagaz e vështrim mëmësor, e afroi dhe e bëri për vete djalin, por kur duhej, ajo merrte pamjen e rreptë të mësueses, që fjala e saj të zinte vend e të mos kishte kundërshtim. Helenës, që e thërriste princeshë dhe e respektonte si të tillë,  iu afrua me kujdes, duke vrejtur përditë e nga pak zakonet, sjelljen dhe shprehitë, me fjalë të ëmbla e mikluese, me biseda të këndshme, i  bënte shoqëri në kohën që i mbetej e lirë, shëtisnin bashkë, i lexonte rrëfenjat e Bokaçios dhe poezi nga “Libri i këngëve” të Petrarkës. I mësonte modele të punëdoreve që bëheshin me grep dhe për të kremtet gatuante ëmbëlsira me receta veneciane.Kishte zë të bukur, këndonte dhe luante në kitarë. Donte t’u krijonte bindjen se ajo ishte jo vetëm taja e djalit por edhe një shoqe e princeshës.Kjo ishte dukja, por thellë në shpirt, ajo nuk ia miratonte atë mendjelehtësi me të cilën kishte braktisur martesën e saj mbretërore, që kishte mbuluar me turp mbretin Robert dhe kishte zgjedhur një gjoja princ arbër, që principata e tij ishte sa një shami xhepi dhe që për t’i shpëtuar mërisë së të atit, kishte ardhur të jetonte në këtë majë guri!. Por fatit dhe të thënës nuk u shpëton dot! Për sinjora Rozën, dashuria me shikim të parë ishte cilësi e bukurosheve mendjelehta, për të cilën më pas ato pendoheshin por atëhere ishte von.  Andrean ajo e quante “Imzot”, i sillej me respekt dhe kur ishte rasti e vinte në dijeni të përparimeve të nxënësit të saj.I tha se ai kishte mendje pjellore dhe në të fara e diturisë do të rritej dhe do të jepte fryte.Me shërbenjësit e shumtë të shtëpisë, sillej si zonjë, me qibër e fodullëk, u rrinte larg, jo nga që ato flisnin vetëm shqip, por s’kishte ç’priste prej tyre, ato ishin bija fshatarësh e malësorësh të pagdhendur arbërorë, që s’dinin gjë tjetër veç të bindeshin e t’u shërbenin zotërinjve të tyre.

Kishte hyrë vjeshta e dytë.Ishte pjekur rrushi në pjergulla,në ullinjtë degëvarur nga ngarkesa, kokrrat e ndritura kishin nisur të laroseshin, kuqëlonin mollët dhe verdhonin ftonjtë në degë.Netët u freskuan,por ditët ishin ende të ngrohta dhe qielli i kthiellët. Djemtë po rriteshin.Sinjora Roza nisi t’i jepte mësimet e para edhe Gjergjit. Helena vuri re se taja, ditët e fundit, pasi ishte kthyer nga Durrësi, dukej e menduar, e paqetë, në sy i dukej një ndruajtje e stepje, ajo që zakonisht ishte fjalëshumë u bë e heshtur dhe nervozohej nga hiçmosgjë. Helena e pyeti se mos ishte e sëmurë dhe nga se i vinte ai shqetësim, por ajo i tha se ishte mirë dhe se kështu i ndodhte në vjeshtë,kjo stinë i sillte trishtim.

Mbrëmje. Ishin vetëm. Andrea kishte shkuar në kep të Rodonit për të kqyrur punimet që kishin nisur për fortifikimet. Petrelën e mbuloi muzgu ngjyrë vjollcë.Nata ishte pa hënë. Nga pjesa lindore vinin tingëllimat e këmborëve dhe zileve të bagëtive që ktheheshin nga kullota, kënga e këndezëve dhe të lehurat e qenve. Qyteza gatitej të binte në gjumë.  Në vilë u ndezën llambadhat dhe qirinjtë, dukej si një ishull drite në errësirën mbrënësore. Gjellëbërsja  Diella, gatiti darkën: çorbë bollguri me të brendshme qëngji të përvëluar me gjalpë, zogj të fërguar, fërgesë me mëlçi, barishte të egra me vaj ulliri dhe uthull, djathë të njomë, kos dele në qypa të vegjël balte, rrush që i zverdhnin kokrrat si qelibar dhe shegë. Buka e grynjtë e pjekur me çerep i dha aromë gjithë shtëpisë.  Diella i zbrazi mëlmesat në tasa.Për katër veta mjaftonin e tepronin. Para se të shtronte tryezën në dhomën e ngrënies, shkoi të lante duart në sqollin që ishte jashtë në fund të verandës.Kur u kthye, në dalje të magjerisë, ndeshi sinjora  Rozën. Vuri re që ajo u trondit  u zbeh dhe se ç’futi me shpejtësi në gji. Diella arriti të shihte shkarazi, por pa qenë e sigurtë, një shishkë me pluhur të bardhë.

-Deshët gjë sinjora Roza?

-Djemve po u vjen gjumë.Thashë të mos flenë pa ngrënë. Desha t’u marr nga një tas çorbë.

-Më thoshje mua t’i gatisja.Qëndro t’i marrësh, po t’i vë në tabaka.

-Prit se u ftohet. Po shkoj tu vesh teshat e gjumit dhe pastaj po zbres ti marr. Tha dhe ngjiti me ngut shkallët.

Diella, përpara se të shtronte tryezën, ndërroi përparsen dhe skufen e bardhë, Helena e kishte merak pastërtinë.  Kur po merrte mëlmesat që ti vinte në sini, vuri re se në bango, anash tasit të çorbës ishte derdhur pak  pluhur i bardhë, ishte i imët si miell. Ç’ne ky miell? E mori me majë të gishtit dhe e provoi në gjuhë. Nuk kishte as erë as shije, por  ia mpiu majën e gjuhës.Ndolli macen.Larushja iu fërkua pas këmbëve duke përqallur në pritje të ushqimit. Diella mori nga tasi dy lugë çorbë dhe me to një kafshatë bukë dhe ia hodhi në enë. Pastaj shtroi tryezën .Helena hyri në dhomën e ngrënies. Aroma e gjalpit i hapi oreksin.

-Ç’gjëra të mira e të shijshme na ke gatitur moj Diella?-pyeti dhe iu afrua tryezës.-Po Roza pse s’po vjen?

-Po kujdeset për djemtë që ti verë në gjumë.

-Mbase vonohet, nuk po e pres se ftohen mëlmesat-tha dhe nisi të hante-Shumë e shijshme çorba, pa dale fërgesa, edhe kjo ta mbash në gojë.Shqiti një kofshë nga zogu i fërguar, edhe mishi shkrinte në gojë.

Diella shkoi në magjeri që të merrte qelqin me verë, kur, o zot, ç’i panë sytë: macja ishte shtrirë, nga goja i kishte dalë shkumë  e bardhë dhe ishte në grahmat e fundit. Diella u lebetit dhe duke bërtitur u turr në dhomën e ngrënies. Erdhën dhe shërbenjëset e shtëpisë, pa ditur ç’kishte ngjarë që kishte shkaktuar të bërtiturat e Diellës.

-Princeshë, mos, mos hani, ushqimi është i helmuar!

Por ishte vonë. Helena kishte marrë aq ushqim të helmuar sa t’i rrezikonte jetën.  Në fillim ajo se besoj. Kush do t’a bënte dhe pse do t’a bënte?.Nuk ndjente shqetësim. U bind kur pa macen. U ul në divanin e dhomës së ndenjies. Në lukth nisën dhimbjet, sefte të lehta, më pas si një grryerje nga kthetrat e një egërsire. Iu morën mendtë, trupi iu ftoh, u zbeh e u bë dyllë, zemra rrihte ngadalë, i vinte për të vjellë, mblodhi gjunjët, u kruspullos dhe u bë një grusht. Diella, Mara dhe të tjerat i rrinin mbi kokë, të drithëruara por pa ditur ç’të bënin.

-  Ç’më rrini si shushka! Marë, verë ujë për t’u vakur,dergoni Gjonin të sjellë shëronjësin, thërrisni sinjora Rozën se mbase di ndonjë gjë më shumë se ne! Nga garnizoni të nisin një kasnec për te imzot Andrea. Shpejt, shpejt. Princesh është në hjekë, në fill të perit midis jetës dhe vdekjes.

Helenës iu mjegullua shikimi, bota i vinte rrotull, shihte turbull, iu trash gjuha, nuk i shqiptonte dot fjalët, ndjente siklet dhe të përziera në lukth. Sollën legenin.E pafuqishme, duke rënkuar me zor volli vrer.Pastaj ra në jerm.

Sinjora Rozën e kërkuan gjithandej por nuk e gjetën në shtëpi.

Gjoni rendi për te pyetur te porta e qytezës.Roja i tha se e huaja, me një boçallëk në dorë kishte dalë jashtë. Aty e prisnin dy kalorës, ata e morën dhe u bënë erë në errësirën e natës. Për Gjonin çdo gjë u bë e qartë. Shkoi me ngut te shtëpia e shëronjësit. I tha se princeshën Helena e kishin Helmuar. Pa humbur kohë shëronjësi  mori barërat , pajisjet dhe të dy nganë me ngut për nga vila.

Diella kishte dëgjuar se në kësi rastesh,ndihmonte shplarja e lukthit, duke pirë me të tepërt ujë të ngrohtë dhe duke e vjellë atë. Kjo duhej përsëritur deri sa i sëmuri të mos kishte ç’të nxirte më.I vuri nënkresa për t’I ngritur kokën, ia vuri nën krye dorën e majtë dhe me të djathtën I dha të pinte ujin e ngrohtë. I hapi gojën  e detyroi të pinte me pahir.Por Helena s’kishte fuqi të villte. Diella ifuti dy gishta dhe i shtypi rrëzën e gjuhës. Nga goja dhe hundët plasi uji përzier me vrer dhe mbeturina ushqimore. Era e tharturës përmbyti dhomën. Këtë veprim Diella e përsëriti disa herë deri sa nga lukthi uji doli i pastër.

Shëronjësin e trembi pamja prej meiti e fytyrës  së princeshës. I mori dorën. Rrahjet e zemrës ishin të dobëta,i ngriti kapakun esyrit, syri kishte dritë, i vuri dorën në ballë, ishte i ftohtë. Kishte rënë në gjumë letargjik. Dobarem ishte e gjallë. Pa që rreziku për jetë kishte kaluar. E helmuara ishte qetuar por dergjej pa fuqi.

- Me shplarjen e lukthit e shpëtove jetën e zonjës tënde moj bijë. Është jashtë rrezikut për jetën. Do ti duhet kohë të marrë veten. Tashti po i gatis barërat dhe shurupet që t’i forcohet zemra, ti ushqehet trupi dhe t’i kthehet fuqia-tha dhe nisi nga puna. Nxori barërat, lule basani,  rrënjë sanëze, e të tjera i shtypi në havan pastaj i hodhi në enën me mjaltë hojesh.

- Do ti jepni nga dy lugë për çdo dy orë. Besoj në mëngjes do të jetë më mirë. Qofshin të shkuara.

Andreas lajmi i kobshëm i erdhi i papritur, e goditi si rrufe.Ju mpi trupi, iu prenë gjunjët, iu errësua shikimi.

-  Më thuaj të drejtën, ka vdekur?

- Jo ,imzot, kur unë u nisa ishte e gjallë dhe nën kujdes.

Kalëronin nëpër natë. I shoqëruar nga shpura e tij, e ngau kalin si i shkalluar sa i nxori shkumën.Mendimet i silleshin rreth Helenës. E vegoi të pajetë të shtrirë në tabut.Ngashërimi dhe angështia brenda vetes ja ndrydhën zemrën, i mehën  frymën, në mendje buisnin mendime të dhembshura. I erdhi keq për veten, për djemtë që do të mbeteshin pa nënë, për Helenën që nuk po gëzonte të ritë dhe lumturinë. lshte kjo prapësi ndjellakeqe e fatit,apo dënimi I një krenarie të lënduar që nuk dinte të falte dhe s’njihte mëshirë dhe I ndiqte si një mallkim? Pse,pse? Qau me zemër të ligështuar, pa zë, lotët i  shkuan çurg. Pastaj në një cast kthjellimi nisi t’u lutej me devocion, gjithë shënjtorëve, Shën  Marisë, Zotit që dhuron dhe merr jetën. Rruga iu duk se s’kishte fund. Do të donte të kishte krahë e të fluturonte, ti gjëndej mbi krye të dashurës, nënës së fëmijëve të tij. “Mbahu helenë, bëhu e fortë, mos iu dorëzo të keqes, jeto për mua! Më prit,jam duke ardhur…” U gdhi. Mbërriti në Petrelë kur dielli kishte përflakur majëmalet.

Egjeti të shtrirë në shtrat,të zbehtë, fytrëhequr, nën sy ishin shfaqur rrathë mavi. Flinte, frymëmarrja e qetë ia ulte e ngrinte gjoksin ritmikisht. “Gjall, gjall,o Zot, të qofsha falë për këtë mrekulli. Diella i afroi stolin. Andrea u ul me kokë përkulur mbi Helenën. Lotët i rrodhën vetiu. Helena i ndjeu kur i ranë mbi fytyrë dhe hapi sytë.

-  I dashur,erdhe? Oh sa të kam pritur. Vdiqa dhe u ngjalla.Thashë se do të ikja pa të parë!-Zëri ishte i këputur, sytë të shuar, ajo buzëqeshja e zorshme që u ravijëzua mbi fytyrën e ngrirë rrëfente lëngatën, por ishte edhe shenjë e jetës që nisi të gjallonte në qënien e saj të drobitur.

-  Lulja ime e vogël !

Andrean e mbyti ngashërimi. Nuk mundi të thoshte fjalë tjetër.E donte çmendurisht, pafundësisht, përjetësisht! Ata do të jetonin gjatë për njëri-tjetrin, për dashurinë e tyre, për të dy djemtë dhe për Arbërinë që ta shihnin zonjë!

- Kush?-Pyetja iu drejtua Diellës.

- Sinjora Roza. E bëri dhe u bë fir  nëpër natë. Jashtë portës së  qytetit e prisnin dy kalorës me pelerina të zeza.

-Kemi mbajtur nepërkën në gji – tha, por e dinte se ajo ishte vetëm dora që kryente vullnetin e tjetërkujt, të nënmbretit dhe ai të porosisë që vinte nga Napoli.

Maj 2018.

Vijon.