| E diele, 14.09.2008, 05:42 PM |
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''
At Zef Pllumi
DISA TJERE ANTARE PARTIE
Gjatë jetës sime në burg, nuk e kam aq të kjartë a për çudi të fatit të jetës apo për mrekullitë e politikës shtetnore t’asaj kohe, por më ka ra rasti me u njotë me nji numër shumë të madh komunistash, aq sa nji shok i emi, Parid Derani, më thoshte shpesh me tallje:
„Nuk e di si asht puna, por krijuesi i Partisë së Punës asht si ata demat spanjolë që ngacmohen ga shamija e kuqe. Ai nuk mundet me pa me sy, si klerin katolik aq edhe komunistat, por i kalbë të gjithë në burg, o i zhdukë“.
Që në vjetë e para të burgut të dytë më ra me lidhë miqësi me Spiro Gjokën; ishim të dy aty-aty në nji moshë. Kishte kalue shumë vjet ndër kampe t’internimit, sepse nuk i kishte ndigjue partisë me nda gruen e cila ishte e prekun, siç thuhej natë kohë, nga politika. Gjatë luftës, më tregonte, ishte kenë komandant i rojeve të misjonarëve anglezë që punojshin me Shtabin. Kështu, si shoqnues i tyne, i kishte ra me i njoftë pothuejse të gjithë anëtarët kryesor. Në Shtab aso kohe vetëm Miladini urdhnonte. Diçka ma tepër se të tjerët sikur pytej Dr.Ymer Dishnica, ndërsa për politikë paraqiteshin ma t’aftë se të gjithë Nako Spiro e Nexmije Xhuglini. Kjo ishte përshtypja ime, si edhe e englezëve, më thonte Spiroja. Edhe sot, kam mendimin, se këshillat, politikës shqiptare i vijnë nga ajo, mbasi kishte profesionin arsimtare, dhe arsimtarët konsiderojnë gjithë popullin sikur t’ishin fëmijë shkolle ose të nji klase ku fjalën e ka vetëm mësuesi dhe asgja prindët e tyne.
Ma vonë erdhën edhe Vaso Marku e Prof. Arif Gashi. Vasoja ishte nji ndër antarët e parë të grupit komunist të Shkodrës, themelue prej Zef Malës. Kur ra nga pozita Tuk Jakova edhe këtij I dhanë rrugët e internimit dhe të burgut. Ishte shok moshe e klase me At Aleks Baqlin për të cilin kishte simpati të madhe, prandaj kur i vijshin në takim na thirrte të dyve për darkë. Por kur prunë në burg Prof. Arif Gashin ata hajshin bashkë të shumtën e herës e nuk na ftonin ma sepse filozofia e Arifit ishte në kundërshtim të plotë me atë të klerit. Nji ditë prej ditësh ishim vu në radhë për me u la në banjë me ujë të ngrohtë. Rrugica para saj ishte e ngushtë, nji metër. Ndërsa pritshim aty orë e orë me ndrresat nën sqetull, Arifit se si i rrëshqiti kamba dhe ra poshtë tri metër. U përpoq të ndrihej por pjerrësia ishte e madhe e nuk mund ia delte. Kurrkush nuk i dha dorën, por mue m’u dhimbt se humbte radhën që kishte xanë, prandaj hodha hapin në pjerrësi, i shtrina dorën e ai e kapi e u ngjit. M’ fal nderës, ndërsa un tue u qeshë i thashë:
- A e din pse të ndihmova? Që të mos guxosh ma në jetën tande me thanë se “nuk i kam dhanë dorën kurr nji prifti katolik”.
Këto fjalë duket se ia kishte tregue Vasos i cili na thirri përsëri në nji darkë, mue dhe At Aleksin. Kje për ne të dy nji kënaqsi e madhe sepse arifi ishte me të vërtetë nji profesor filozofie që dinte t’i diskutonte çashtjet serioze dhe problemet e mdhaja që mendja e nierit, e etun për të dijtë gjithshka, i ka krijue njerzimit mbarë si edhe çdo personi të veçantë.
Ma vonë prunë aty te na Shemsi Totozanin. Ishte nji ftyrë autoritare dhe e veçantë. Kini kishte të njoftun me te, ndërsa un jo. Më tha se kishte kenë ky i pari që shtini ndër shkolla diktaturën e proletariatit. Zakonisht ai rrinte në vetmi, por nji ditë të lirë Kin Dushi më tha:
- Eja të shkojmë bashkë për nji vizitë se më duket shumë i shqetsuem. Të mësojmë shka e ka gjetë.
Mbasi e pytëm për shëndet, familje e burg, Kini po i thotë se qarkullonte mbi emnin e tij nji ndodhi qesharake dhe donte të dinte të vërtetën. Ndodhija ishte kjo: Në fillimin e Pushtetit Popullor me nji vrull luftarak u hapën shkollat për gjith vend, por kishte mungesë mësuesash, prandaj ministri i mobilizoi të gjithë sikur t’ishin ushtarë. Kështu në malsi të Tepelenës dërgojnë nji mësues nga Shkodra. Ai në vend që të jepte mësim, përditë luente n’oborr me fëmijët nja dy orë dhe i shpërndante. Ditë përditë paraqiste në dy kopje kërkesën për transferim, nji në lokalitet e nji tjetër në ministri. Thonë se mbas disa muejsh ndërsa, ti ishe si i dërguem i Partisë n’atë malsi të Tepelenës ndigjove ankimet e prindërve se fëmijet e tyne po mbeteshin pa shkollë mbasi ai shkodrani nuk jepte mësim, por luente. Si zv.ministër i arsimit i çove fjalë për inspektim.
- Po, po, - tha Shemsiu tue qeshë, - më kujtohet mirë ai kryederr. Çfar derri kishte qenë ore! S’i tundej veshi aspak. Kur i futi nxënësit në klasë, të asaj shkolle të improvizuar, se ashtu ishin atëherë shkollat, u ula në katedër e ai në këmbë filloi t’u flasë tekstualisht kështu: “Zogjt kur bëjnë vezët në çerdhe, i ngrohin shumë ditë dhe kur ata dalin nga veza mëma i ushqen me sqep duke i thirrur ciu, ciu, ciu! Dhe ata i përgjigjen mëmës “ciu, ciu, ciu!” Nxënës të dashur – vazhdonte ai t’u drejtohej nxënësve, - e përsërisim të gjithë sëbashku si i thërret nëna zogjtë?” “Ciu, ciu, ciu!”, - u përgjigjën fëmijët. “Dhe si i përgjigjen të vegjlit?” “Ciu, ciu, ciu!”. Kështu vazhdoi ai kokëderri shkodran derisa nuk e durova më. Atëherë I zemruar I thashë, lëri nxënësit të lirë. Kur u gjendëm vetëm iu drejtova “Pse kështu mëson ti?... Këto mësime u jep ti fëmijëve tanë? “Shoku ministër, - më tha, - jam nga Shkodra, i martuar, me dy fëmijë që kërkojnë për të ngrënë, por rroga që marr më shkon e gjitha për vete dhe jo për ata. Përditë shkruaj nga dy kërkesa për transferim; një ministrisë dhe tjetrën lokalitetit. Nuk marr përgjigje. Çfar të bëj këtu?” Mirë, - i thashë – këtë gjë e dimë atje në ministri se ditë përditë na vjen një letër nga ti, por duhet të jesh i bindur nga urdhërave të Partisë dhe të Pushtetit Popullor dhe të bësh ato sakrifica që të kërkohen. Prandaj të jesh i bindur, se kurr nuk ke për të patur transferim, jo vetëm kaq, por në vazhdofsh kështu të pret dënimi! Kupton? Ç’janë ato ciu, ciu, ciu? “Shoku ministër, ato ciu, ciu, ciu, janë thirrjet e fëmijëve të mi në Shkodër që duan të jetojnë; dhe unë i kam ndër veshë gjithnjë zërat e tyre! E kupton këtë? Dhe deri sa të jem mësonjës në këtë vend, fëmijët tuaj nuk do të mësojnë tjetër veç kërkesave të fëmijëve të mi: Ciu, ciu, ciu!
Kur u ktheva në Tiranë i a dhashë shokëve emrin e tij. Doja ta arrestoja. Përgjigja m’u kthye: “Familje e nderuar nga Shkodra e njhur se ka nxjerrë artista komikë.“ Ç’të bëja? E transferova në rrethin e tij sepse kishte të drejtë jetese.
Mandej tue kalue vështrimin nga un iu drejtue Kinit:
- Kush është shoku yt?
- Asht nga Shkodra. Ky ma tregoi si nji barcoletë të qytetit të tij, ndigjue nga Ndoc Hilgega.
- Kin, kjo është ngjarje e vërtetë. Por ne nuk kishim tjetër mundësi veprimi për të zbatuar planet e Partisë. Arsimtarët e jugut tanimë ishin bërë të gjithë udhëheqësa shtetërorë ose ushtarakë. Ku t’i gjenim të tjerët për fshatrat tona. Shkodra aso kohe, përgatiste intelektualë sa e gjithë Shqipëria me ato shkollat klerikale, ama të mira, prandaj synuam atje dhe jo për ndëshkim e urrejtje, siç duan ta paraqesin.
Kur u ndamë Kini tue qeshë i tha: „Ciu, ciu“. Qeshi edhe ai. Ma vonë duke se kishte pyetë kush ishem un, dhe gjithnji më përshëndeste kur takoheshim n’oborrin e kampit.
Nji ditë, ndërsa po bajshim ecejake me Nikollë Dakën, Shemsiu përshëndeti, por Nikolla më tha: „Sa të paturpshëm që janë! Arshi Pipa dhe un ishim Profesora në Liceun e Tiranës, dhe kur ky, si zv.ministër pruni urdhnin që të hiqej Fishta nga letërsia shqip të dy bashkë e kundërshtuem. Atëherë ky jo vetëm që na transferoi, por ma vonë edhe në burg na futi. Dhe sot s’ka turp të më përshëndesë.
- Nikollë, - ia ktheva, - mos i kqyr punët aq hollë se atëherë do të vijmë vetëm tue mbytë shoqishojnë.
Zef Mala ishte nji ndër emnat ma të njoftun në Shqipninë e kohës së re sepse ishte i pari që kishte organizue në të gjithë vendin nji „parti komuniste“, aso here „sëmundje rinie“. Shkollën e mesme e bani në Kolegjin Saverjan të Jezuitëve në Shkodër, prej nga u përjashtue si „element anarko-komunist“. Ma vonë e shofim si student filozofie në universitetin e Vjenës, ndërkohë që gjatë pushimeve organizonte në të gjithë vendin grupe komuniste si ndër studenta ashtu ndër punëtorë, nga të cilët duelën elementa ashtu ndër punëtorë, nga të cilët duelën elementa shumë aktivë e të përkushtuem. Gjatë vjeteve të fundit të regjimit Zogist, ata u hodhën në burgje e u dënuen, por me ardhjen e okupacionit italian, në prill 1939, u liruen, përveç pak krenve që u internuen në Itali. Zefi kje çue në ishullin Ventottene ku i takoi me jetue bashkë me kryesorët e partisë komuniste italiane deri në ramjen e fashizmit. Me të kthyem në Shqipni shkoi në Pezë te Babë Myslimi të cilit i kërkoi që ta përcillte deri në shtab të përgjithshëm, por Myslimi e këshilloi: „A shikon, more djalë, se shokët ma të mirët e Shtabit po mbarojnë nji e nga nji. Ma mirë rri këtu në Pezë, se sa kohë që të jeshë me Babën nuk të gjenë kurrnji rrezik!...
Kjo fjalë, - më tregonte Zefi, - më bani shumë përshtypje dhe që atë ditë fillova të marr shënime dhe t’analizoj gjithshka. Aso kohe, kur e prune në kamp të Ballshit, ai ishte gati qorr në të dy sytë; dritë shifte, por nuk mund dallonte njerëzit as objektet. Vaso Marku e disa të tjerë, me të cilët kishte formue grupet e para komuniste në Shqipni, i rrijshin gjithnji pranë e kujdeseshin për te. Nji ditë prej ditësh Foto Proko, nga Korça, po më thotë:
- Kam mbetë pa i bërë një vizitë Zef Malës. A po vjen e të shkojmë bashkë?
Kur shkuem, ai ishte rrethue prej shokëve të vjetër, aty para kapanonit, dhe po llafoseshin. Vaso Marko ndej gati e na paraqiti:
- Shoku Zef, - i tha, - po vijnë dy miq me të pa. Njëri është Foto Proko, gazetar, që ka studiuar në Bashkimin Sovjetik, e tjetri Zef Pllumi, që është një prej atyre të cilët na kanë përjashtuar prej shkollash mue dhe ty.
Tue u tallë i a ktheva:
- Ndigjo mor Vaso; ç’u paskemi ba na tue u përjashtue prej shkollash? Gabimi ynë asht që kemi hjekë dorë prej metodash klasike tash dyqind-treqind vjet, se ju paskeni meritue me u qitë para inkuizicionit e me u djegë për së gjalli në turrë të druve!...
Zefit iu dha nji gaz e qeshi të madhe e ndërsa shtërngojshim duert, ma tundëte tue më thanë:
- Fjalë e saktë! Do të kishit shpëtue ju, na vetë dhe shumë popuj!... Nji herë ndërsa ishem tue pritë në radhë me marrë bukën po vjen nji grue e më thotë: “A je ti Zef Mala a më duket? Meriton me të varë të parin, a shef ku na çove?” … Iu përgjigja se do ta meritojshem sikur t’ishem në tribunë, por jo tash që jam në radhë me ty!...
Shpesh herë kam shkue me e pa te krevati, sepse ishte njeri me kulturë. Nji ditë po më vjen Vasoja e më thotë:
- Zefi kërkon me të pa; më ka thënë se ti i pëlqen shumë se nuk e ke ndrruar aspak gjuhën, por flet me atë humorin e bukur shkodran.
Shkova me e pa. M’u ankue se nuk ishte mirë me shëndet dhe se e ngacmonte dishka në fyt.
- Nuk dij si merr kjo puna e eme, - tha. – Të kam thirrë si „Zef“, sepse sado mendime të ndryshme që mund të kemi njani me tjetrin, të dy puqemi, së paku, te emni „Zef“. Për së shpejti, më ka thanë doktori, do të më nisin për analiza të fytit në Tiranë. Nuk e ndjej vedin mirë e më kanë hi mjaft dyshime. Sa vjeç je? Po, je mjaft ma i ri se unë. Ndigjo, jam tue të ngarkue nji detyrë. Tash sa vjet shkruej “Historinë e komunizmit shqiptar“. Kam mbi tetëqind faqe. Po ta la barrë ty që të shkosh te grueja e eme në Himarë, merri ato dhe përpiqu me i ruejtë e dikur me i botue, n’ardhtë dita.
- Zef jam i denuem mjaft randë e nuk e mendoj se dal gjallë prej këndej. Duhet të ngarkosh ndonji djalë të ri e pa dënim të randë.
- Nuk i dihet jetës, gjithshka mund ndodhin. Në rast se e shef edin keq, mund zgjedhish ndonji djalë të ri besnik, se un nuk i njof. Gjithmonë kur të shkoni te grueja duhet t’i thoni se na e ka lanë Zefi amanet!
- Do të përpiqem me ta plotësue dishirin me çdo kusht!
Në spital ndej rreth dy muej. Kthej i përmirësuem se i kishin ba kurime me rreze. Mbas nja gjashtë muejsh e dërguen përsëri dhe nuk vonoi e muerëm vesh lajmin se kishte vdekë nga nji tumor në fyt.
Mbasi u lirova nga burgu, filluen edhe liritë civile politike. Barra që më kishte ngarkue Zef Mala nuk më hiqej mendsh. Mbas pak vjetësh ia gjeta rasën e shkova në Himarë, kërkova gruen e tij besnike, që gjithnji mbante foton e tij të zmadhueme si nji altar. I tregova amanetin e Zef Malës.
- Po, - tha, - më ka pasë lanë shumë shkrime, dhe do të përpiqem me i gjetë.
Në krye të vjetit ktheva prap n’atë shtëpi të vjetë karakteristike himariote. Qyqarja nuk kishte gjetë tjetër nga dorëshkrimet e Zef Malës, vetëm nji adresë të Eduard Spiro Gjokës të cilit ia kishte dorëzue dorëshkrimet kur ishte arrestue Zef Mala. Adresa ishte në Francë.
- Larg paskan shkue këto shkrime?
- Kur i kam dorëzue e kishem afër, kojshi, sepse kemi kalue nji jetë t’internuem bashkë, por tash në demokraci e paska lanë Shqipninë.
Nëpërmjet Prof.Odile Daniel, drejtore e Institutit Oriantal të Parisit, u vuna në të përpjekun me z.Eduard Gjokën, i cili po nëpër atë dorë më kthei përgjigjen se kur agjentët e Sigurimit të Shtetit e kishin arrestue atë vetë e dërgue në kamp të Spaçit, familja e tij e friksueme I kishte djegë të gjitha ato dorëshkrime që mund i shkaktojshin shumë vuejtje në hetuesi. Këtë letër e ruej gjithnji, tue kja damin e madh të historiografisë së re shqiptare.
Për Kasëm Trebeshinën kam shkrue dishka në parathanien e librit të tij „Rruga e Golgotës”, pamvarësisht se nuk pasqyrohet aty as karakteri i tij aq i fortë dhe i vendosun e i ndershëm, as aftësitë e tij të theksueme.
Përveç tij, jam njoftë herë mbas here edhe me shumë të tjerë, të cilët, jo gjithmonë shkëlqyen për burrni e karakater. Të gjithë të burgosunit kishin historinë e vet të dhimbjeve, sepse nga jeta e qetë e e dashunisë familjare, nëpërmjet ndonji kurthe të zezë, të papame e të pakuptueme, ngrehun me tinzi nga Sigurimi, kishin humbë lirinë, jetën e dishiret. Këto fatkeqsi nuk kishin kursye asnji pllambë të tokës shqiptare, asnji kategori shoqnore, o intelektuale. Kështu përbamja e jonë cilsohej “grupi i klerit katolik reaksionar”, “grupet e UDB-së”, “grupet sovjetike”, “grupet greke”, kryesisht me minoritarë, “grupet çame”, “grupet polake”, “grupet e Gomulkës”, “grupi i Tarellve” nga Korça, “grupet socialdemokrate”, e sa të tjera, të gjitha, edhe ato “terroriste”, “sabotatore ekonomike” ose “sabotatore të naftës”. Të gjitha këto “grupe” pa përjashtim ishin pjellë e Sigurimit të Shtetit, ashtu si ma vonë ato të “puçit ushtarak”. Këto grupe përgjithësisht kishin në mes tyne spiujt e të poshtërit e vet, herojt e vet e ma të shumtit „naivët”. Zakonisht “spiujt” e këtyre grupeve aktivizoheshin edhe në burg për të dënue të tjerë përsëri, për me shtypë, me mbajtë disiplinë e me mbjellë terror. Nuk kishte pak prej këtyne, por disa ishin tepër aktivë si për shembull Zenel Tarelli të cilin e thirrshim “gjarpëri i verdhë”. Në jetën civile ishte kenë llogaritar e po ashtu vazhdonte në burg, kryesisht i emnuem o si “shef i zyrës teknike”, ose “kryenormist” etj. “Gjarpëri i verdhë” thirrej kështu sepse ishte i hollë, i gjatë, i zbehtë, kërkues në veprim, gjithmonë në lëvizje për mos me lanë me pushue tjerët. Mendjekeq që kërkonte me të ba të zezën. Kur ishim në punë ma shumë iu ruejshim atij se rojeve ushtarake. Ishte edhe çpifës. Nji ditë, ndërsa punojshim në Uzinën e Ballshit, brigadieri i lirë, muer nga skuadra jonë Isa Isufin nga Postriba dhe mue, për me pastrue nji ndërtesë të vogël që thirrej „kip“ ku specialistat kinezë e shqiptarë bashkë kishin vendosë pultin e komandimit elektrik të një sektori. Me dy fshesa, që i sajuem aty për aty, filluem pastrimin e vendit nga listelat, copat e plastikës o të gomës, telat e bakrit, grimcat e dërrasave e pluhni i sharrës që kishin mbulue podin. Këto mbeturina i hodhëm jashtë, përtej çimentos. N’atë ças po vjen “gjarpëri i verdhë“ i shoqnuem nga nji kapter, për me kontrollue frontet e punës. Na nuk e vumë re aspak deri që erdh në derë me nji biz shumë të gjatë çeliku në dorë dhe pyeti:
- Cili nga ju të dy e ka këtë?
- Duhet të jetë e specialistëve kinezë, sepse ata kanë punue këtu, iu përgjegj Isa Isufi.
- Specialistët kinezë janë larguar para ca javësh nga ky sektor, por tregoni cili nga ju e ka punue këtë dhe pse?
- Nuk e kemi punue na por e kemi gjetë në këto zhumile që gjinden këtu.
- Nuk kam kohë tani, por do kthej e ju duhet të tregoni të vërtetën sepse kjo asht nji armë shumë e rrezikshme, punue me shumë kujdes.
Kur shkoi, bashkë me kapterin, i thashë Isasë:
- Ndigjo se puna e atij bizi do të na sjellë shumë mërzi, se ti e din se këta nuk duen me dijtë të vërtetën, por vetëm duen me të damtue, a i ke provue në hetuesi? Prandej kur të vijë përsëri mos fol asnji fjalë se përgjigjem un.
Mbas nja nji ore u kthye përsëri dhe këtë herë shoqnohej jo vetëm nga kapteri, por edhe oficeri i punës. Nxori nga çanta atë bizin e gjatë prej çeliku me dorezë druni dhe na u suell ne:
- Cili nga ju e ka punue këtë armë?
Heshtje e plotë. Me fshesa në dorë banim sikur punojshim.
- Ore cili nga ju e punoi këtë? Përgjigjuni!
Asnjë fjalë, asnjë përgjigje.
Atëherë oficeri i punës ndërhyni me nji za të naltë:
- Lereni punën! Pse nuk përgjigjeni? Kush e ka punuar këtë armë?
- Zotni oficer kot na pyetni ne; pyet atë që ka në dorë, ia ktheva me gjakftoftësi. Vetëm ai e din se ku e ka marrë.
- Po unë këtu e mora, ja tek ju!
- Na nuk e kemi pa kurrkund tjetër, por vetëm në dorën tande. Ti bredh gjithadej mbrenda dhe jashtë kampit dhe kot e ke të thuesh se këtu e more se tashma gjithkush i njef shpifjet tua, por na len të qetë të punojmë.
Zeneli u tërbue, filloi me sha, por ai oficeri i tha me qetësi:
- Zenel, këtë herë ta hodhi! Ka usta e mbi usta, ka shkollë e mbi shkollë. Mend për një herë tjetër. Ejani të shkojmë.
U larguen ndërsa Zeneli vazhdonte me sha e me kërcënue.