E shtune, 05.10.2024, 01:31 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Jorgo Nanidhi shkruan letër anonime

E hene, 30.04.2018, 08:07 PM


Jorgo Nanidhi shkruan letër anonime

Fragment nga novela* “Jorgo Nanidhi”

Nga Timo Mërkuri

Atë mbasdite  qershori, Jorgo Nanidhi ngjiti me nxitim shkallët  drejt katit të dytë dhe duke fërshëllyer lehtazi një melodi, hyri plot gëzim në zyrën e tij. Ardhja e zotit Jorgo në zyrat e bashkisë jashtë orarit  të punës, në mbasdite, ishte një gjë e zakonëshme për punonjësit e firmës private që kryente shërbimin e rojes së objektit të bashkisë. Madje edhe pamja e tij e qeshur që shoqëronte ngjitjen me nxitim të shkallëve, gati si me vrap, ishte një pamje gati rutinore, e njohur. Hapja e portës së zyrës i ngjante hapjes së gojës së njeriut në një qeshje të shfrenuar.Ulja në karigen rrotulluese përpara kompjuterit i ngjante uljes së papës së porsazgjedhur në fronin papnor dhe hapja e kompjuterit i ngjante hapjes së portave të parajsës.

Me një frymëzim të grumbulluar në tre ditë vrojtime, hulumtime e konkludime z Jorgo Nanidhi filloi të shkruajë…

…Të nderuar zotrinj të KLSH!

Pas letrës sime të dhjetë që ju dërgova para tre ditëve, ku ju flisja për drejtoreshën e financës, atë që me një të qeshur gremiste  shtatë taborë me jeniçerë dhe me një të zgjatur të dorës mbërthente  shtatë shejtanë dhe i fuste në shtatë shishe, sot do ju tregoj se drejtori i taksave, z Simo është shejtani i tetë që ka hyrë e ka dalë  nga tetëmbëdhjetë shishe dhe sot livadhis në bashkinë tonë si shejtani në pyllin me gështënja.. Ky Simua , sos që lemerisi dynjanë me ato urdhër bllokimet e llogarive bankare që u bën  firmave të reklamave, atyre firmave që unë i kam xhan dhe me zor i shpëtoj, vetkuptohet kundrejt ndonjë kostumi firmato, por z Simo bën dhe marifete në matjen e sipërfaqes së dhomave të hoteleve, duke i dokumentuar më pak se sa janë në realitet.

Një marifet të tillë mora vesh që e kishte bërë dhe me hotelin “Gaforja  e artë”, hotel që ndodhet në rrugën “eksi-male”( gjashtë malet) , pranë liqenit  të bukur ku shtrihet qyteti ynë. Por duke qënë se unë nuk jam njeri i llafeve por i verifikimeve në vend të problemeve vendosa që ta verifikoj në vend këtë shkelje ligjore të bërë nga drejtor Simua. Kështu që dje mora me vete dhe punonjësen e bashkisë, znj X  dhe u  shkuam drejt objektit. Meqënëse hoteli qe i hapur dhe sportelisti rezultoi një  miku im, pasi i shpjegova  qëllimin zyrtar të   vizitës sonë,  hymë në hotel, drejt e në dhomën nr 309.

Kjo dhomë hoteli është e kompletuar, me pamje nga liqeni dhe nga dritarja e të cilës soditet liqeni dhe brigjet e tij pranverore. Të frymëzon kjo dhomë, të frymëzon. Por mqse ne kishim shkuar për punë, nisëm menjëherë të bëjmë matjen e sipërfaqes së dhomës. Për fatin tonë të keq  kishim haruar të mirnim metër me vete, por me gjithë këtë mungesë nuk u dorzuam. Përdorëm metoda alternative për matjen, metoda të cilat menjëherë na nxorën në konkluzione të sakta, që vërtetojnë  matematikisht se z Simo ka ulur sipërfaqen e dhomave të hoteleve. Kjo ulje është bërë me qëllim që z Simo të përfitojë favore materiale nga pronarët e hoteleve.

Dhe konkretisht nga matjet tona  na konkludoi që sipërfaqia e dhomës nr 309, në kartelën e taksave është llogaritur sikur është 20 m2, në fakt nga matjet tona na rezultoi 36 b.th katror. Vërtet që në pozicionin tjetër na rezultoi 40 b.th katror, por kjo vjen se unë jam pak më i dobët në vithe dhe domosdo që do dilte më e madhe sipërfaqia. Vlen të bëj prezente pranë jush faktin që Znj X u bë copa që të vërtetonte diferencën spekullative të drejtor Simos.

Pikërisht në këto monete unë pashë që kishte veshur tanga me motive të flamurit. Më lejoni një sqarim të vogël. Unë rrjedh nga një familje patriotike dhe jam rritur me ndjenjë të lartë patriotizmi dhe sidomos të një adhurimi për flamurin tonë me shqiponjë. Kjo është arsyeja që porsa pashë flamurin, vetvetiu nisa të këndoj hymnin e flamurit, por vetëm dy vargje këndova, pasi nga entusiazmi rrashë në gjunjë dhe fillova të puth flamurin.

Fillimisht fillova të puth thekët e flamurit dhe pastaj palët e  famurit rreth shqiponjës dhe më pas plot zjarr u hodha mbi shqiponjën pendëzezë dhe nisa ta puth plot me passion patriotik. Shqiponja rrahu krahët dhe më mbështolli të tërin me pendët e saj. Dhe të vdisja në ato çaste, le të vdisja. Për shqiponjën e mbi shqiponjën unë jam gati të vdes njëqint herë.

Nga vrulli i puthjeve të mia patriotike pendët e shqiponjës filluan të nxeheshin e të ndizeshin zjarr, por këtu unë nuk u tregova në lartësinë e detyrës. Shkaku ishte se pompa e zjarfikses sime do kishte ndonjë difekt të fshehur, prandaj nuk punonte, ndonëse unë, duke parashikuar këtë situatë, kisha pirë dy kokra Viagra. Por fakti që dhe ato nuk dhanë efekt tregon se edhe këtu ka ndikuar z Simo duke bërë që  ilaçet që futen në vendin tonë nga firmat farmaceutike, të cilat me siguri monitorohen prej tij, janë të skaduara dhe vlen të kontrollohen nga ana e juaj. Eh unë i shkreti, më shkoi jeta ndiz e mos shuaj zjarre.

Për këtë arsye ju ftoj të kontrolloni Simon, shejtanin për të cilin s’gjëndet shishe.

Që ai ka fallsifikuar sipërfaqet e hoteleve dhe ka bërë dhe marifete të tjera, ju siguroj unë.

Ju betohem me dorën mbi flamur.

Këtë letër jua nis unë…një miku juaj, që ju ka shkruar edhe dhjetë letra të tjera dhe do ju shkruajë përsëri.

Sidomos për Simon.

*- Nga kapitulli “Duro ca moj jelekbardha, se dhe pak e të vjen rradha”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora