Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Matilda Micini, dua të bëhem mit, si Merlin Monro

| E premte, 29.06.2007, 08:03 PM |


Matilda Micini, dua të bëhem mit, si Merlin Monro
 
19 vjeçarja Matilda Micini dëshiron që të jetë shumë e suksesshme në fusha të ndryshme të artit, si modele, aktore etje. Ajo thotë se e kam një pikë referimi që ka arritur të jetë shumë e famshme, jo vetëm në të gjallë, por edhe e vdekur dhe kjo është Miti i pazëvendësueshëm deri më sot, Merlin Monro. Micini tregon për revistën “Spekter” se do të lëvizë të gjithë gurët e mundshëm për t’u bërë mit.  

-Ju dëshironi t’i ngjani  mitit bionde Merlin Monro?
-Duke parë pak pamjen time them se deri diku i ngjaj, por do të doja të kisha suksesin që ajo ka pasur në fusha të ndryshme të artit,  si modele , këngëtare, aktore. Mendoj se do t’ia arrij me vullnet, dëshirë dhe me punë.

-Çfarë do të sakrifikonit ju për t’u bërë mit dhe do të pozonit nudo, gjë që ajo e ka bërë?
-Për momentin nuk do të pozoj nudo, për vetë faktin që nuk e ndjej veten të gatshme për ta bërë një gjë të tillë.

-Në çfarë aspekti nuk e ndjeni veten gati, pasi po flasim për nudo artistike, gjë që ju thoni se artin e doni shumë?
-Mund të them se nuk jam gati moralisht. Paragjykimi në vendin tonë është për gjëra më të vogla dhe jo të pozosh nudo. Unë jam një person që pranoj të riskoj, por duhet të jem e bindur që ta hedh këtë hap, pastaj për një gjë që e bënë nuk ke pse të pendohesh.

-Meqë Merlini ka qenë shumë e dhënë pas pijes, ju pëlqejnë pijet alkoolike? 
-Më pëlqen alkooli në raste të veçanta. Jam dehur  një herë, ka qenë festa e Vitit të Ri, ku u deha me verë, gjë që nuk më kishte ndodhur ndonjëherë, që nga ajo ditë nuk kam pirë asnjë gotë verë. Më pëlqen shumë Jack Daniels. Në momentin, kur jam shumë e lodhur ose shumë e mërzitur më zgjohet dëshira që të pi. Jam vetvetja e pirë, shpalos gjithçka që kam brenda vetës, por pa kaluar në ekstrem.

-Ju pëlqen kinematografia dhe muzika, keni provuar në këto fusha të artit?
-Gjithmonë më kanë tërhequr muzika dhe kinematografia. Dhe kur bëheshin spektakle të vogla në shkollë, kam qenë e gatshme që të merrja pjesë. Por kjo dëshirë vazhdon edhe tani që jam në gjimnaz, në vitin e katërt. Kam provuar dhe më tej, pasi kam bërë dhe një kinoprovë për një film të ri shqiptar dhe shpresoj që ta fitoj, pasi kam dhënë maksimumin tim.

-Përsëri do t’i kthehesha Merlinit, deri tani keni shumë pasione të përbashkëta, por muzika ju pëlqen pasi ajo ka qenë dhe një këngëtare e shkëlqyer?
-Nuk është se këngën e kam shumë pasion, por thjesht kam dëshirë ta provoj,

-Merlin Monro krahas bukurisë ka qenë dhe një femër shumë e zgjuar, mos ky fakt ju ka bërë që ju ta keni idhull?
-Pikërisht kjo është një armë shumë e fuqishme për një femër të bukur. Pasi për mua nuk ka shumë rëndësi bukuria, por ajo çka mbart në vetvete, si vlera si personalitetit dhe si njeri.

-Merlini ka qenë një femër shumë e famshme, por me jetën e saj private ka pasur shumë probleme, pasi është martuar disa herë. Ju do ta bëni një gjë të tillë?
-Të them të drejten nuk do më pëlqenin të arrija në gjërat personale të dikujt tjetër, as të një miti. Do më pëlqente ta ndiqja nga karriera. Personalisht mendoj se çdo njeri ka mënyrën e vet, karakterin e vet dhe stilin e vet të jetuarit. Mund të jem shumë më mirë ose shumë më keq në jetën personale, kësaj nuk i dihet.

- Cilat janë gjërat më të rëndësishme për Matildën?  
- Për momentin është shkolla dhe sigurisht dhe modelingu. Aktualisht studioj në shkollën e mesme “Çajupi”. Më vonë mendoj të vazhdoj studimet në Fakultetin Ekonomik, dega Financë.

-Mos vallë keni dëshirë që të menaxhoni veten tuaj si modele?
-Pikërisht. Unë mendoj se Ekonomiku është menaxhim i vetvetes. Më pëlqen ideja që mos të varem nga një menaxher, dua ta bëj vetë.

-Çfarë kërkon Matilda te një djalë?
-Duke qenë një vajzë e bukur dhe e zgjuar, për mendimin tim nuk mund të zgjedh një person që të mos jetë inteligjent. Por një person brenda fushës së artit nuk do më pëlqente. Do të doja që ai të jetë në një fushë tjetër dhe  të kishte sukses. Te një djalë më pëlqen shumë zgjuarsia, respekti, besimi.

-Sa rëndësi i kushtoni pamjes tuaj të jashtme?
-Nuk kujdesem shumë për pamjen time çdo ditë. Jam tip sportive në jetën e përditshme. Në momentin që më duhet të pozoj apo kam një sfilat, atëherë jam shumë e vëmendshme ndaj çdo detaji.

-Moda për ju është…
-Gjithçka, është rruga që të tregon mënyrat e etikës, feminilitetit, bukurisë.

- Sa herë e keni imituar Merlinin në look?
-Në këtë moment jam një Merlin i vërtet. Më përpara e kam imituar stilin e flokëve dhe të kuqin e buzëve. Por shumë persona të fushës së arti dhe jo të tillë,ma kanë thënë që ke shumë ngjashmëri me Merlinin.

-Çfarë do të bëni për t’u bërë mit?
- Do të lëvizë të gjithë gurët e mundshëm.

Leontina Nika