| E enjte, 05.04.2018, 07:06 PM |
Fikrije Bylykbashi
NËNTORI NË NJË TJETËR BOTË
Një thirrje e sëmurë për të vërteten
të vërtetën e muajit minus në kalendar
ku jam unë, ku qëndroj
atje ku terri nuk ndahet nga drita
atje ku s`ka asnjë kufi
një forcë e madhe, ajo që ndan shpirtin nga trupi
më perplase në universin e vetmisë.
Në universine e vetmisë dhe dhimbjes së pashëruar
atje ku çdo gjë është mjegull.
Eh, sikur të kisha një meteor
për ta strehuar në qenjen time të boshatisur
sikur yjet të marrin flakën e dhimbjes sime
do t’i shtonin jetë dritës së tyre!
Ju atje nuk dëgjoni qetësinë e boshatisjes?
Në një tjetër botë jeni ju!
Unë dëgjoj thirrjen e qetësise nga një botë
Më të thellë se kjo!
(Nëntor, 2015)
NË LUFTË ME DHIMBJEN
Më kaplove t’u dhash e tëra
Më pushtove u fute thell
Në territorrin tim
Si një ushtri e pamëshirshme
Shumë e papregatitur isha
Për këtë sfidë
Ecjet ishin të rënda
Në mugëtirë
Ma zhurrite shpirtin
Eh ky përjetim
Në vjershën time!
JETA NUK ËSHTË VETËM
VALLËZIM MBI TRËNDAFILA
Kur
fillimit i vie fundi!
në fillim ngjitesh si mishi pas thoit
tërhiqesh si bleta pas nektarit
pastaj hidhërohesh, largohesh sa maja e malit.
Jeta
nuk është vetëm vallëzim mbi trëndafila
komplekse fenomenesh përzihen shpesh herë
kur ne fundin e fundit, shpirti luan melodine e startit
kjo është më tepër se vlerë!
SA TË DOJA ATDHE
Të isha sot
Sirenë
bashkë me valët e drinit
brigjeve të bunës
të hidhesha e përdridhesha
në gjirine Jonit
mu aty të ndizesha
flakë, kuq e zi
do të doja që sot Atdhe
dhe unë të isha atje
te kendoja këngen
që sot për ty këndohet
në cdo pemë e gur
atje ku për ty festohet
me më të bukurin flamur.
Sa do të doja që sot Atdhe
rrugës së kombit të hidhja
valle
rrugës së gjatë
që kufirin askush s`ja di.
veç i pari i zbritur vet perëndi.
Por unë Atdheu im
një gjë fort mirë e di
Se dashnija i shtrenjti im
kurrë për ty nuk po venitet
për ditë e vitë veç po rritet!
E BARDHË ËSHTË NATA SONTE
Vezullon
kjo natë nordike
e veshur drite e bardhë nur
natë e bardhë e acart,
akrepat e orës ngrinë në mur.
E
bardhë është dhe hëna sonte
yjet me dritë ajo mbanë
me të bardhë të tërin
qiellin veshur kanë.
Simfoni
e qiellit flakë e bardhë
e mallit tim
me këtë melodi..
engjëjt hedhin vallen e yjeve!
(7 Shkurt 2017)
DASHNI PËRTEJ HANËS!
Shumë
herë përtej bjeshkëve kalova
doja të të shihja vetëm dhe një herë
shumë herë përtej reve fluturova
s`të pash jo kurr as edhe një herë.
Kjo
dashni e zjarrtë që dhe bjeshkën shpon
çdo ditë në shpirtë dhe vetëm rritet
mall nga toka në qiell përtej hënës shkon
ah mall i pashuar vetëm përsëritet...
UNË T’I DUA BARDHËSITË
Kur dimëron gjatë në veri
Edhe rrugët tua t’i dua
Edhe fshehtësitë.
Dy
dekada rrugëve tua
Unë dhe ajo, mot për mot,
Shpeshherë qeshnim nga gëzimi
Por bashkë derdhëm edhe lot!
Kur
dhjetori dhe janari
Mua dhe hapat m’i ngrinte
E mendoja shpirtin e saj
Dhe shpejtë zemra ime shkrinte.
Unë
t’i dua bardhësitë
O ti vend në vëri
Se ti ruan shumë kujtime
Dhe shumë e shumë përjetime
N’shtëpinë e bardhë mbi shkëmb.
Në
Rollvsëjn, shtëpinë mbi kodër
Dua unë të besoj
Që jeton përjetësisht
Ime motër..!!!
TE FONTANA
Frynte
erë rinie
erë dehëse
endorfin, adrenalin
te student fontana në Prishtinë
Erë
helmete, orë policore
e gjaku vlonte në damarët
jetë gjallëri rinore
fluturonim merrnim malet
Dehje
nga tingujt e kitarës
që luanin djelmoshat flokëgjatë
shkriheshin vashat dhe ndiqnin pas
më këngë mbrëmjeve katë më katë
Erë
helmete orë policore
erë hekuri të vinte pas
energji e zjarrt e bukur prore
erë lufte vinte megjithatë!!!
KUJTIMET
Mendimet valviten ngaherë
me shpëjtësinë e dritës rrokullisen
të bukura ishin vjeshtat do herë
Me shpejtësinë e tokës rrokullisen mendimet,
s’më kujtohet si ikën ditët, vitet me rend
si hapë e mbyll këtë portë të zezë,
s’më kujtohet as së si u gjenda unë në këtë vend.
Mendimët rrokullisen në pranëverë më çojnë
shoh këtë gjeth në formë e gjallëri
s’më kujtohet se si, sa hapë e mbyllë sytë
Iku dhe jeta e tij...
PARDJE PASHË PARAJSËN!
Me
sy e pashë, e bëra dhe pikturë
sa e bukur, sa paqësore
pash dhe engjujt e mi aty
bashkë me shpirtat e mirë
të gjithë në harmoni.
Ata festonin atë ditë, prisnin
ardhjen e një shpirti të mirë,
që la këtë jetë mashtruese
e cila e futi në lojën e saj,
në dallgët e saj, duke e përplasur
sa
andej e sa këndej...
Këtë botë lakmitare që të tërheq
si nektari bletën, për punë dhe vetëm punë.
Një lajkatare,
e ndërtuar nga substancat e hidhura e të ëmbla.
Kjo botë që të shpie në labirintet e saj të iluzionuara,
duke qenë gjithmonë në kërkim të perfeksionimit,
sakrifikimit, dhe në fund fare të ndërpren
ekzistencën aty kur ti vërtetë do shijosh pak
atë të ëmblën, për të cilën ishe në luftë
gjithë kohën.
Në fakt qëllimin e ardhjes sonë në jetë
Vështirë ta kuptosh!?!
Eh, në Parajsë, shpirtat prisni!
KONTAKT ME NATYRËN
Liri
në hapësirë
Kur jep dhe merr dashuri
Lorena jep bukën shpezëve
Merr kënaqësi
Lumturohet
Ajo ec me hapin e saj
Të një fëmije që shpërndan
Jo vetëm bukë për shpezët
Por gjithë çiltërsinë e brëndshme
Me energjinë e saj pulëbardhat
Marrin qiellin
Hapin krahët e bardhë
Të bardhë si zemër fëmije
Të bukur si fytyrë vajze
Përmes pulëbardhave
Ajo imagjinon liri për vajzat
Paprekshmëri
Të egërsohen t’i qesin kthetrat
Kur u bëhen padrejtësi
Ashtu si pulëbardhat kur
Ua marrin grabitqarët bukën!
SOT NË PREKAZ
Jam
unë një miniatur e lisit tim të jetës,
e lisit tim të brendshëm.
Jam aty duke prezentuar një fizik emocional,
intelektual, spiritizëm,
bazuar në harmoni me lisin tim të brendshëm,
lidhur fort, fort me rrënjën aty!
Një miniaturë që unë shoh me sy
ndrin në formë formulare
dhe errëson ato barbare.
Me lule te koka me ngjajnë
simbole në formë të një formule trashëguese,
dhe fare në ballë, një emërshenjtë,
i gdhendur bukur në një gur,
mbuluar me kurora
më ngjanë në engjëllin Gabriel,
si një prezantues i forcës së Zotit.
Engjëlli
i Zjarrit,
Engjëlli i Luftës!
(5 Mars 2016)
Fikrije Bylykbashi u lind në Bicë të Lipjanit. Studioi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Prishtinë dhe Pedagogjinë gjithëkulturore dhe speciale në Norvegji. Studion Psikologjinë në Oslo. Jeton dhe punon në Norvegji. Prej vitit 1998 ka punuar si mësuese e gjuhës norvegjeze për të huajt, ndërsa nga viti 1999 si mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë. Gjithashtu ka punuar si Moderatore (drejtuese) në Radion ”Mërgimtari”. Shkruan poezi dhe prozë për të rritur dhe fëmijë. Ka të botuara 3 libra, nga të cilat një përmbledhje me poezi për fëmijë: “Princi me Lule”, Zef Serembe Prishtinë, 2006, një libër me poezi dhe prozë (“Thirrje pa Zë`”, Toena, Tiranë 2010), dhe një tjetër me tregime për fëmijë (“Në rrugën e Drerëve”`, Prishtinë 2012), etj.