| E premte, 30.03.2018, 11:27 AM |
ANDREA
DHE HELENA
Novelë nga Resmi Osmani
Prolog
Madhëria e tij Robert D’Anzhu, bir i Karlit II, u kurorëzua mbret i Napolit pas vdekjes së të vëllait Filip I, më 1309. Kurorën mbi kryet e tij, në një ceremoni madhështore, e vuri vetë Hirësia e tij Apostolike Papa. Ishte tridhjet e një vjeç. Që në moshën njëzet vjeçare, u martua me Jolandën e Aragonës, e cila i solli si pajë disa krahina. Ajo i lindi dy djem,Princët Karlo dhe Luixhi. Qe jetëshkurtër, martesa e saj zgjati pesë vjet dhe nuk arriti ta shihte të shoqin mbret. Dy vjet pas vdekjes së saj, Roberti u martua me princeshëmn Sança të Aragonës, bijë e mbretit Xhejms III të Majorkës, çifti nuk pati fëmijë nga kjo martesë.
Gjatë kohës së vejanisë, por edhe më pas, madhëria e tij, mbreti Robert,pati disa aventura dashurore dhe lidhje jashtëmartesore me oborrtare të vetat, gjë e zakonshme për ato kohë. Njëra prej tyre, markeza Maria D’Akuino, i lindi një vajzë që e quajtën Helena – Fiameta. Mbreti,e njohu për bijë Helenën dhe i dhuroi markezës D’Akuino një kështjellë në Gargano bashkë me feudin e saj, ku ajo u tërhoq për të rritur të bijën dhe për të ndarë dashurinë me mbretin. Kur Helena ishte dy vjeçe,e ëma e saj, markeza vdiq papritur. Pati fjalë që e helmoi i shoqi, markezi D’aquino, që se gëlltiti dot turpërimin e tij. Mbreti Robert, e tërhoqi në pallatin mbretëror. U rrit me gjithe hiret dhe nderimet e nje princeshe dhe thonë që mbreti e donte edhe me shume se dy djemtë, që i kishte nga e ndjera mbretëreshë Jolanda. Kur erdhi në moshë martese, dorën e princeshës Helenë ,e kerkuan shumë princër e fisnikë të shquar. Por mbreti nuk ngutej. Me bukurinë dhe hiret e saj mbretërore, ai e shihte Helenën si një mundësi për të lidhur një miqësi që do ta ndihmonte për të shtrirë ndikimin e tij në një rajon të ri, jashtë sundimit të tij. Ky rast erdhi kur kërkesën për fejesë e beri princi franko-gjerman Filip D’ Kurtenay,që kishte edhe titullin Perandori Latin i Kostantinopojës dhe qeveriste principatën e Moresë dhe ishujt e Egjeut. Kërkesa u pranua. Këtu zë fill edhe ajo që do të rrëfejmë.
1
Xhioto di Bondone, piktori i famshëm që ishte zgjedhur nga mbreti Robert si piktor i familjes dhe oborrit mbretëror,kur ishte duke pikturuar Krishtin e Vdekur, në kishën e Santa Kiarës, mori porosi ta ndërpriste punën dhe të bënte portretin e princeshës Helena që do të martohej së shpejti. Mbreti e donte portretin për ta vendosur në galerinë private që gjendej në pjesën lindore të pallatit mbretëror.
Piktori priste në studio. Kishte bërë gati gjithëçka dhe ishte duke përzier bojërat, kur në studio hyri princesha e re e shoqëruar nga dama e saj e nderit. Xhioto, u përkul me hijeshi para saj dhe i uroi mirëseardhjen. Lëvizi nga vendi poltronën, ku do të ulej për të pozuar princesha, e vendosi aty ku shkulmi i rrezeve të dritës hynte nga qelqet e dritares dhe ndriçonte bollshëm atë pjesë të studios.
-Lartësia juaj, kini mirësinë të uleni në poltronë. Rrini e shpenguar, veç ju lutem me vështrim drejt meje. Kur ta ndjeni veten të lodhur, më thoni dhe e ndërpresim punën për një seancë tjetër.
Helena u ul. Qëndroi lirshëm, me duar mbi pëqi dhe shikimin nga piktori. Xhoto, mori brushën, iu afrua paletës dhe nisi të kundronte modelin. Ishte bukuri befasuese:flokët të arta, të plota, të dendura e të rënda, të derdhura mbi supe e në anën e majtë të gjoksit, zbukuruar me diademën ku ndrinin diamantet e vegjël. Fytyra nazike me oval të përsosur, vetullat të harkuara, sytë të mëdhenj si të drenushës me ninëzat gështenjë e çelur që rrezatonin dritë. Mes tyre ndën ballë, hunda nazike e drejtë, e përsosur, me flegra të vogla. Buzët të plota, të mishta, të trandafilta. Cipa e lëkurës me bardhësi qumshti, me reflekse sedefi me një pah purpuri të mezidukshëm.Qafa e gjatë si e mjellmës ngrihej mbi supat e pjerrët. Posht dekoltesë së fustanit të mëndafshtë ngjyrë trandafili, vija ndarëse e gjokseve të vegjël e të ngjeshur. Veshët e vegjël ia zbukuronin vathët me gur rubini, ndërsa mbi gjoks gjerdani me perla. Xhoto e xhveshi me imagjinatë dhe ajo u transformua në nimfë, me atë buzëqeshjen e qashtër të pafajshme e gati fëminore. O zot, si mund të ishte kaq e bukur si e perëndishme një toksore e vdekshme! Të kishte qënë kaq e bukur dhe mahnitëse edhe Helena e Trojës? Vijëzoi linjat me penelatat e para, por u ndje në zor, nuk ishte vetëm bukuria që ai duhet të hidhte në pëlhurë, portreti duhet të fliste, të rrezatonte mirësi,paqe të brendshme, ato mendime të fshehura e të pashfaqura, misterin e martesës dhe jetës ndryshe që e priste. Syrit të tij nuk i shpëtoi ajo hije e lehte trishtimi që i endej mbi hijeshinë e fytyrës dhe një mërzie të mezidukshme, që ai nuk mund t’ia gjente shkakun. Ndoshta nga ai ndryshim i pritshëm e i panjohur i jetës së saj. Kush ishte ai fatlumi që po merrte këtë thesar bukurie e mirësie e që do t’u gëzohej hireve të princeshës. Po ai, të ishte i denji, i duhuri? Pyeti veten,por s’pati përgjigje.Këtë s’kishte si t’ a dinte.
Helena, mbështetur pas shpinores së poltronës, me kryet paksa të ngritur e të kthyer pak djathtas, mori një qëndrim të ngurtësuar si një shtatore bukurie krenare. Ne vështrimin drejtuar nga mjeshtri,teksa ai punonte, pati kohë ta sodiste me nge. Trupmadh, në krye një berretë ngjyrë alle, balli i lartë ku i shquhej një rrudhë e thellë, fytyra e gjerë, si e derdhur në bronz , me mollza e nofulla të spikatura, vetulla të plota, të drejta, sytë zhbirues të futur thellë, disi në hije, hunda krrute, goja e vogël e me buzë të holla e cepat paksa të varura bënte kontrast me fytyrën e gjerë, ndën të mjekra e rrumbullt dhe qafa e shkurtër dhe e fuqishme. Ajo kishte menduar se piktorët duhet të jenë ca krijesa delikate, dhe jo burra të tillë të fuqishëm dhe energjikë. Në oborrin e të atit, ajo kishte patur rastin të shihte edhe burra të tjerë fiorentinë, Bokaçion dhe poetin Petrarka. Çuditërisht, këta të tre nga pamja ishin të ngjashëm, mendimtarë, fjalëpakët. Nga ata burra që u pëlqejnë grave, jo nga pamja por nga energjia dhe burrëria, ndryshe nga napolitanët mburravecë fjalëshumë. Po ai, burri me të cilin po e martonin, si ishte vallë. Po ai, po ai? As parë as njohur. Princ e mbret, emra të mëdhenj, po njeriu? Si ishte vallë, koka që mbante këto kurora, ai që do të ishte burri dhe zoti i jetës së saj, mbajtësi i këtyre titujve? A do të mundëte ai t’i dhuronte dashuri e ta bënte të lumtur? A do të arrinte ajo ta donte? Pyeste veten, për të disatën herë këto kohë, pa pritur përgjigje.Nga shpirti i doli vetiu një psherëtimë.
2
Po mbushej viti nga fejesa. Filip de Kurtenay, i zënë me punët e shumta të mbretërimit dhe konfliktin meperandorin e Nikeas që mbante të pushtuar Kostantinopolin, nuk do të vinte për të bërë martesën në Napoli. Helenën do ta përcillnin me një shpurë mbretërore dhe dasma do të bëhej në kështjellën Kastelrosso të ishullit të Eubesë. Lidhjen dhe kurorëzimin e martesës do ta bënte legati i papës kardinali D’Ambrozio. Nisja Për në Brindisi ishte lënë për të dielën e javës së tretë të qershorit. Në puntoritë që ishin në shërbim të pallatit mbretëror, punonin si në ethe për gatitjen e pajës që princesha do ta merret me vete. Kur pothuajse gjithëçka ishte e përfunduar, Helenën e ftuan që t’i hidhte një sy. I bënë provë fustanin e bardhë të nusërisë. I qepur nga mëndafsh venecian, dhe dantella hollandeze, ishte si një re e mjegullt, e pezullt, e tymtë, zbukuruar me gurë safiri dhe perla. Modelistja e buzëqeshur , po kundronte punën e saj dhe bukurinë e princeshës. Nuk ju ndejt pa vrejtur :
-Thonë që veshja e zbukuron njeriun, por në rastin tuaj princeshë, është bukuria juaj që hijeshon veshjen!
Helene po qëndronte para pasqyrës. E mbuluar me atë re mëndafshi iu duk se po të frynte një erë do ta ngrinte pezull në ajër. Fustanet nga pëlhura të endura në avlëmenët e Lionit, pelerinat në ngjyrë allë dhe vjollcë me kapuçët e kapllaisur me atllas të kuq, me stofra të leshtë të sjellë nga Kostantinopoja. Nuk ishte harruar asgjë, që nga veshjet intime e deri te dorashkat dhe çorapet e mëndafshta. Të gjitha u palosën me kujdes dhe u vendosën në sepetet dhe baulet, që edhe ata ,për këtë rast ishin punuar e stolisur me shumë art, nga dru cedri, me motive floreale dhe stema mbretërore me zambak argjendi dhe kryq të ngallmuar në dru. Kur hapi peshtafin, nga brendia e tij u reflektua drita e butë e diamanteve, rubinit ,safirit, topazit dhe shkëlqimi i arit. Kishte aty një diademë të artë me gurë diamanti rrëzëllitës, të punuar nga argendarët e Firences. E provoi mbi krye. I rrinte mrekullisht mirë. Vathë me rubinë si lule shege, gjerdanë të artë me kryq, byzylykë të punuar mjeshtërisht dhe unaza thuajse për gjithë gishtat e dorës. Gjithëçka e denjë për një princeshë. U tha se i pëlqenin dhe i përgëzoi për gjthëçka kishin nxjerrë nga duart. Porositi mbikëqyrsin e pallatit që të mos e kursente shpërblimin.
Në këto e sipër, u paraqit kapiteni i rojës së kabinetit mbretëror dhe e lajmëroi se Madhëria e tij Sovrane, mbreti Robert, e priste për një bisedë në kabinetin e punës. Në Kabinet hyhej nga koridori i gjatë, majtas e djathtas të cilit ishin të ndarat për rojat,shkruesit dhe sekretarët. Para derës së rëndë qëndronin dy rojet me alabarda të kryqzëuara.
Kabineti hapej pas paradhomës së oficerit të shërbimit.
-Princeshë!- Ai u perkul me oborrësi-Madhëria po ju prêt,-tha dhe i priu.
Kabineti ishte i madh, i ndriçuar nga shandanë të shumtë argjendi ku digjeshin qindra qirinj. Mbreti ishte ulur në fronin e tij në ballë të tryezës vezake me mermer të trandafilte, mbushur me letra dhe kallamarë e penda. Në mur, pas shpatullave të madhërisë, ishte stema mbretërore me zambakët e bardhë dhe kryqin e stilizuar. Në të majtë portreti i të ndjerit mbret Karl D’ Anzhu II dhe në të djathtë ai i mbretit Robert. Në mure ishin flamurë trofe të fituar ndër beteja dhe mburoja, helmeta dhe shpata. Nuk mungonin as kokat e balsamosura të drerëve bridegëzuar, dhive të egra, fazanëve dhe halli të sjella ng orienti me skena gjahu.
Helena u përkul me hijeshi:
-Madhëri! Më kishit kërkuar?
-Eja bija ime-dhe i shtriu dorën e mbushur me unaza.
Helena i puthi dorën dhe priti më këmbë. Me një lëvizje të dorës, mbreti e ftoi të ulej. I bëri me shenjë oficerit dhe ai doli e i la vetëm. Mbreti e kundroi i buzëqeshur, gjë që e bënte rrall.
-Eja bijë. Sa shpejt ikin vitet, sa shpejt hodhe shtat dhe u rrite dhe ja tani, do të fluturosh dhe do të largohesh nga çerdhja prindërore për të ngritur folezën tënde. – Dukej i mallëngjyer. Heshti një valë herë, pastaj vijoi: - Ti je fryt i dashurisë time, me të adhuruarën fatkeqe nënën tënde markezen D’Akuino. Edhe pse e lindur jashtë martese, ti ke patur dashurinë dhe kujdesin tim, njësoj, në mos më shumë se djemtë, sivëllezërit e tu, të lindur nga martesa ime me mbretëreshën jetëshkurtër, të paharruarën Jolanda. Ndërsa dashuria është e shenjtë, martesa është kontratë, për të lindur trashëgimtarë,nga gjaku yt, në të cilën dashuria edhe mund të mungojë, prandaj ti je e veçantë. Sido që fëmijët duhen njësoj në të dy rastet. Të thirra që të ndahemi. Ndarjet janë të dhimbshme, por janë pjesë e jetës. Nesër do të nisem për në Romë, për ti vënë mbi krye kurorën e dafinave Petrarkës ,poetit më të mirë të Italisë, ndërsa ti, të dielën do të nisesh në fatin tënd, për t’u martuar.Perandori Latin i Kostantinopojës, Filip D’Kurtenai, është i denji për ty, nga gjaku, titujt dhe domenet që sundon dhe për miqësinë tonë si një aleat i besuar.
Bija ime, Helena ime e bukur, dëgjomi këto pak fjalë ndaç si mbret, ndaç si at. Në dejet e tu rrjedh gjaku mbreëror i Anzhuinëve dhe dinastive më të fisme të Europës. Për këtë duhet të krenohesh, ta mbash kryet lart, të ushtrosh pushtetin që të takon si mbretëreshë, me bujari dhe drejtësi, të mos lejosh askënd që mund t’i shkojë ndër ment të intrigojë apo të nëpërkëmbë dinjitetin, autoritetin dhe të drejtat e tua sovrane. Të jesh një D‘Anzhu e vertetë me hiret dhe dinjitetin mbretëror të familjes që i përket.Sikurse ndryshon nga oborrtaret e tjera për fisnikëri shpirti,ashtu duhet të ndryshosh nga sjelljet e shquara. Mos u përziej në intrigat politike dhe mos bjerë në rrjetën e ngatërresave që janë të zakonshme në oborret e sundimtarëve. Qëndro në anën e asaj që ti do t’a gjykosh të drejtë, tregohu dorëhapur me të mirët dhe dorështrënguar me të këqinjtë. Respektoje, bindju, duaje dhe jepi këshilla të mençura burrin tënd. Kur e ndjen se po shket në ngasje, lutu, falu rrëfehu dhe agjëro. Zoti ka për të rrëfyer udhën e vërtetë. Ruhu nga lajkatarët, që të lajnë e të lyejnë, mba rreth vetes oborrtarë të ditur, të ndershëm e të vyrtytshëm. Dije se mendjelehtësia të zhyt nga lumturia në fatkeqësi, kurse squajtësia nga fatkeqësia në lumturi, nga errësira në dritë. Nderi apo turpi yt, janë edhe nderi apo turpi ynë. Me mirësinë, hiret, bujarinë dhe mençurinë, do të nderosh veten por edhe mua që jam mbreti dhe ati yt.
Mbreti tha këto dhe heshti duke pritur përgjigjen e së bijës.
-Madhëri, mbret dhe ati im, e pafundme është dashuria ime për personin tuaj august,të vyera porositë, që unë po i kyç në mendje dhe në zemër, për të mos i harruar kurrë, si udhërrëfyese të pa gabuara , si ylli I karvanit , në jetën e re e të panjohur që më pret.
Mbreti u ngrit nga poltrona dhe i zgajti dorën që ajo ja puthi, pastaj ai e tërhoqi pranë vetes, e përqafoi e puthi në ballë dhe e uroi:
-Qofsh e lumtur , udhëtim të mbarë, dhe zoti ynë të pastë në kujdesin dhe mëshirën e tij të pafundme.
Kjo qe ndarja. Qe nga ajo ditë ata s’u panë më.
3
Nisja u bë të dielën, e tretë të qershorit 1330, pas faljes së meshës në bazilikën e shën Kiarës. Karvani princor, i përbërë nga disa karroca, ku shquhej ajo e princeshës Helena, e zbukuruar me stemën mbretërore e që tëërhiqej nga tre çifte kuajsh të azdisur, shoqërohej nga dy skuadra kalorësish, njëra e gardës mbretërore dhe tjetra me mercenarë provansalë. Ruga që do të bënin ishte e gjatë, duhet të përshkonin mespërmes siujdhesën italike nga brigjet perndimore të detit Tirren për në brigjet lindore të Adriatikut në portin e Brindisit, ku priste anija nbretërore dhe i dërguari, nuni i Flip d’Kurtenayt, fisniku Gynter fon Shvarc. Rruga zgjati ditë të tëra.Pasi lanë prapa gjirin e Napolit, arritën në Pompei dhe pastaj në Salerno. Mbrëmja i zuri në Potenca. Gjithë rrugës i pritën dhe i përcollën aristokracia dhe fisnikët vendës vasalë të mbretit Robert. Rruga ishte e lodhshme. Helenës i bënin shoqëri mëndesha Çeçilia dhe tri zonjusha shoqërimi. Mërzia si shqitej. Kot thonë “Kush u martua dhe s’u gëzua”. Në veten e saj, asnjë gëzim, veç trishtim dhe një frikë e brendshme nga e panjohura për ku e kishin nisur, nga ajo jetë tjetërsoj që e priste. Martesa për të ishte një mister. Sido që mundohej të mos e shfaqte, shoqërueseve të saj u binte në sy dhe mundoheshin ta zbavisnin me biseda dhe rrëfenja gazmore.
Pas ditë të tëra udhëtimi të lodhshëm, karvani mbrriti në Brindisi. Për tu shplodhur dhe marrë veten u bënë vend në kështjellën Aragoneze. Qëndruan aty dy ditë. Princeshës i paraqiti nderimet e veta dhe të të zot fisniku i vjetër Gynter fon Shvarc. Atë e befasoi dhe e la pa fjalë pamja ,bukuria dhe hijeshia e princeshës së re. Filipi ishte fatmadh. Ajo kishte thuajse moshën e vajzave të veta, mund ta quaje ende një çupëlinë. Por fisniku i vjetër me sjelljet e veta të rafinuara të oborrësisë dinte t’i fshihte mirë ndjenjat , pa lënë të kuptoheshin ndjesitë që i ngjalli takimi me princeshën.
Karavela tridirekshe”San Xhorxhio” e flotës mbretëërore, që do të shpinte princeshën Helena në Greqi, ngriti çengelin dhe detarët zgjidhën pallamarët për ta shkëputur anijen nga porti.Të zhurmshëm e të shkathët, u kacavirën në litarët dhe hapën velat e bardha ku shquheshin stemat mbretërore. Gjithëçka ishte përfunduar dhe pasagjerja e shquar me shpurën e saj ishin imbarkuar. Era ishte e mbarë dhe frynte nga perëndimi për në lidje. Velat u gufuan dhe karavela doli nga porti dhe mori lundrimin për në detin e hapur. Helena qëndronte në kuvertë dhe shihte hullinë e shkumëzuar që linte prapa kalluma dhe tufën e pulëbardhave që e ndiqnin duke ciatur. Flladi sillte njelmësinë e detit dhe aromën e leshterikëve të bregut. Ajo i pa me mallëngjim brigjet amtare nga të cilët po ndahej , pa ditur se kur do t’i shihte sërish. Pasi bregu mbeti pas dhe horizonti puqej me detin, ajo zbriti në kabinen e pergatitur posaçërisht për të.
Lundrimi vazhdoi i qetë, por në orët e pasdites era ndrroi drejtimin per nga veriu dhe shtoi vrullin. Re të zeza errësuan qiellin dhe zunë diellin. Kishte nisur shtërgata, një gjë e pazakontë për këtë stinë në Adriatik. U errësua si të ishte natë. Era me shkulmet e shiut u përplas mbi velat dhe në kuvertë, tallaziti detin dhe gjapërinjtë e zjarrtë të vetëtimave çanin qiellin e nxirosur. Direkët përkuleshin dhe kërcisnin. Dallgët e furishme të trazuara, shkumëbardha lartësoheshin, vithiseshin në honet e thella me rrokopujë dhe me turravrap të frikshëm ndiqnin njëra-tjetrën. Karavela rrëzohej me vërtik në humnerën e ujit dhe si të ishte një kleçkë, ulej e ngrihej duke u anuar, pa drejtim, andej nga e shpinte dallga. Karavela kërciste frikshëm, lëkundej, hepohej, rrotullohej në vend si një kalë i verbër në lëmë. Nga tërbimi i erës, njëri nga direkët u thye, vela u shqye, litarët u këputën.Sa kohë era e godiste anijen në ije, ajo u mbajt, por kur era ndërroi kah dhe fryu ballas bashit, anija kishte rrezik të çahej më dysh. Detarët, dhe kapiteni të kamzhikuar nga vrundujt e shiut dhe erës, duke komanduar dhe urdhëruar me zë të lartë, jepnin e merrnin, arritën ta ndrronin drejtimin e anijes dhe e shpëtuan nga mbytja.
Helena,mëndesha dhe tri zonjushat e shoqërimit, u mblodhën tok në kabinën e saj. Sido që mbaheshin si të mundeshin në shtretet dhe raftet, tallandisja e anijes i lëkundëte, i heponte i hidhte dhe i priste si të ishin gogla.Të trembura e të llahtarisura nga ky rrëmet, ato klithnin, bërtisnin,mbaheshin fort pas njëra tjetrës, por pa dobi. Helena ndjeu siklet në lukth, sikur dikush ta grryente nga brenda, pastaj një boshllëk, marrje të mendjes dhe turbullirë të padurueshme. Me pavetëdije i plasi te vjellët, iu duk sikur do të nxirte tërë rropullitë dhe tok me to edhe shpirtin. Edhe të tjerat i zuri deti. Kabina binte era thartirë dhe në gojë kishin shije të idhët. Kishin droje se mund edhe të mbyteshin dhe ndaheshin nga jeta të vidhisura në fund të detit,ushqim për peshqit. Atëhere ato filluan të luteshin: jetët e tyre ishin në dorë të tërëfuqishmit, të tënzot, shëlbyesit, mëshirëshumtit. Ati ynë që je në qiell, ardhtë mbretëria jote…..Nuk e dinin se sa zgjati ky mundim i llahtarshëm. Era s’kish të pushuar dhe deti s’kish të qetsuar. Detarët, nga frika e mbytjes së anijes, zbritën në ujë dy varkat e shpëtimit dhe u hodhën mbi to shtrëmguar e cit mbi cit dhe filluan të rremonin me tërbim për andej nga duhet të ishte bregu.I kapurnga paniku dhe frika e vdekjes, me ta shkoi edhe fisniku fon Gynter.Për ta nuk u mor vesh, u mbytën apo shpëtuan. Në anije mbeti kapiteni dhe pesë gratë. Karavela e mbetur pa drejtim, pa timon dhe pa vela,ishte plotësisht nën pushtetin e erës dhe të dallgëve të llahtarshme.Në errësirën e natës nuk dallohej asgjë veçse kur shkrepëtinin rrufetë shfaqej syprina dallgëshumë, me hone e gjeratore të shkumëzuara. Ndaj të gdhirë, shkulmi i erës dhe dallgët e fuqishme e flakën karavelën në bregun e sheshtë të detit dhe ajo ngeci në rërë. Nuk kaloi shumë dhe lëkundjet e anijes u pakësuan, vërshëllimat erës u prajtën, gjëmimi i detit u zbut si një psherëtimë. Shtrëngata siç kish ardhur papritur, ashtu edhe kishte pushuar, por anija ishte hedhur në rërn e bregut si peshk i ngordhur.
Në kabinë zbriti kapiteni. Gjeti një tufë gra të mbaruara, me fytyra të zbeta ku lexohej lemeria nga e keqja dhe frika për jetën.
-Princeshë dhe ju zonja, dilni në kuvertë. Shtrëngata kaloi, por na ka flakur në ranishte. Ajri i freskët do t’u bëjë mirë. Helenës i merreshin këmbët. Ai i dha dorën dhe i priu për të ngjitur shkallët e ngushta. Kur u ngjitën në kuvertë, panë që deti ishte ende i paqetë dhe ziente përbrëndëshmi, syprina me ngjyrë si në të gjelbër të shplarë ishte e shkumëzuar dhe dallgët ndiqnin njerjatërën drejt bregut. Më e madhja kishte kaluar. Jetët e tyre kishin shpëtuar.
. Karavela ishte shkatrruar si një qytet pas një tërmeti të rëndë. Pajori i kiçit dhe i qëndrës ishin thyer, velat çjerrë e shqyer, litarët këputur, timoni shkallmuar. Kishte mbetur vetëm vela dhe pajori i bashit.Tashmë ajo s’ishte veç një gërmadhë.
-Ku jemi, ku na ka hedhur dallga kapiten?
-Në brigjet e Arbërisë, në veri të Durrësit. Jemi në tokën e mbretërisë sonë, jo më larg se dy milje nga qyteti.
Kapiteni hodhi një shkallë nga kiçi në ranishte dhe Helena me shoqërueset zbritën në tokë. Të lagura, të mardhura të telekosura, me lukthin të zbrazur dhe mëndtë që u merreshin, ato su mbajtën dot por u shtrinë si të vdekura.
Fushëtira e bregdetit ishte si e shkretë, as banesa as njerëz. Aty- këtu vetëm ca shkurre, zhuka dhe kulmak. Kapiteni kuturisi pranë bregut gjeti shkurre të thata, mbushi krahët dhe ndezi një zjarr, dobare të thanin teshat dhe të ngroheshin.Askush nuk fliste. E ç’të thoshin pas gjithë asaj mynxyre, si mund t’i jepnin zemër vetes, e ndodhura ishte pa ngushëllim.
Po gdhihej. Në lindje, matanë maleve u shfaq kuqëlimi i reve nga rrezet e diellit që po ngrihej. “O zot të qofshim falë, bekoje këtë ditë,lehtësoji dhimbjet tona dhe na jep të mirat e mirësisë sate. Amin” U lut mëndesha Çeçilja. Kur u bë ditë dhe ato panë mirë shoshoqen, u llahtarisën nga shfytyrimi që kishin pësuar. Ama, princesha Helena, mbetej gjithmonë e bukur!
Kur dielli ishte ngritur dhe koha u ngroh, kapiteni tha të mbanin një këshillim sesi do të vepronin. Në atë e sipër, nga veriu, veguan një çetë kalorësish që po afroheshin dëgjohej troku dhe hingëllimat e kuajve.Duket e kishin parë anijen dhe ishin drejtuar për aty.Ishin të armatosur lehtë, shpatat varur në shalat e kuajve, harqet dhe kukuret me shigjeta krahë-qafë.
-Dëgjoni,-mori e tha Helena,- edhe ti kapiten, këta që po vinë, nuk duhet ta mësojnë se kush jemi. Në pyetshin, më lini mua t’u jap përgjigjen. Kalorësve u printe një trim i ri. Helena me një vështrim të përciptë, pa që ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë, i fuqishëm, krelat e zeza të flokëve i binin mbi shpatulla, ca sy të bukur si sy femre, fytyra e me simetri të përsosur, e bronzuar nga dielli. Ai përshëndeti me një latinishte të përzier me italishten popullore dhe u tha se i vinte keq përsa u kishte ndodhur.
-Kush jeni ju dhe a mund të na thoni ku ndodhemi?
-Zonjë fisnike, dhe besoj që e tillë jeni, u takon juve të na thoni se kush jeni, nga vini e ku shkoni.
- Meqense, kështu e doni, dëgjoni pra: jam bija e kontit de Roza, të Kalabrisë, mëkëmbës i mbretit Robert në ishullin e Rodit, po shkoja të bashkohesha me familjen. Por s’qe e thënë.
Djaloshit i mbetën sytë te zonjusha de Roza, të tillë bukuri s’kish hasur asgjëkund. Dukej se deti kishte nxjerrë në breg një sirenë apo nimfë.
-Këtu gjendeni në bregdetin e Arbërisë, jo larg qytetit të Durrësit, por edhe të Krujës. Ne jemi një çetë e gardës në shërbim të zotrisë sonë Tanush Topisë, sundimtar i Arbërisë. Mos u tutni, as plaçkitës as piratë. Zonjë e bukur, mund të keni besim te ne. Do tu japim ç’do ndihmë që të kërkoni.Teksa fliste ai s’ja shqiste sytë dhe në fytyrë i lodronte një buzagaz sa dashamirës dhe këndellës, si një grishje më shumë se miqësore.
- Faleminderit o trim bujar, duket sikur u dërgoi vetë dora e Zotit.
Më pas në bisedë hyri kapiteni. I tha se në anije ishin paja e zonjushës dhe sende te tjera me vlerë, dhe i druhej ndonjë plaçkitjeje. Kalorësi, itha se do ti linte dy trima për siguri dhe do të dërgonte një karrocë për të mbartur plaçkat, por me kusht që edhe kapiteni të qëndronte me ta.
-Di të kalërojë zonjusha?-pyeti ai. Zonjusha dinte të kalëronte.
Në dy kuajt që mbetën të lirë, hipën Helena dhe mëndesha Çeçilia dhe bashkë me çetën e gardës kalëruan për në Durrës.
Për tre zonjushate nderit dhe kapitenin do të dërgonin karrocat.