Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zyba Hysa: Kur një vepër shpalos idenë e autorit...

| E hene, 26.03.2018, 07:26 PM |


KUR NJE VEPER SHPALOS IDENË E AUTORIT, AJO MBAN BRENDA VETES SHPIRTIN E TIJ…

(Refleksione nga poema “MYNEVERI” e autorit ISUF LUZAJ)

NGA ZYBA HYSEN HYSA

Që të dallojë një vepër nëse i përket letërsisë shqipe, s'mjafton vetëm të shkruhet në gjuhën shqipe, por ajo që e dallon është tematika e marrë nga jeta shqiptare duke e veshur me figurat stilistike gjetur nga thesari i kulturës së popullit ndër shekuj, ndërthurur e pasuruar edhe me esencën e kulturës së autorit, duke pasur si far, idenë që kërkon të përcojë me këtë vepër.

Po t'i marrësh veç e veç këto elementë, do të shikojmë rëndësisnë e secilës, për të ndihmuar në plotësimin e njëra - tjetrës, se, nëse njëra nga këto të mos jetë në akord me tjerat, libri s'mund të quhet vepër e pse mund të ketë qindra faqe.

Shkrimtari, poeti, gjithë krijuesit janë vëzhguesit e përhershëm të ecurisë së zhvillimit të shoqërisë njerzore, kjo, jo se e kanë marrë si detyrë, por se vetë natyra i ka përzgjedhur ata duke u falur talent e përmes aftësisë së tyre krijuese, janë përherë të gatshëm për të mjekuar plagët e shoqërisë përmes letërsisë dhe arteve si i vetmi ilaç kurativ për shpirtin e një populli.

Disa mendojnë që vlera e një vepre, varet nga tema që trajtohet, por mendoj, se më e rëndësishme është se cili është ai autor që trajton këtë temë.

Të marrësh një temë për ta trajtuar, në radhë të parë autori duhet të ketë njohuri të shumta rreth saj, e nëse s'ka, duhet të hulumtojë e më pas ta shndërrojë në vepër arti me të gjitha elementet e saj.

Asnjëherë njeriu s'e mendon se do të bëhet shkrimtar, poet, piktor, muzikant… çdo gjë vjen kaq natyrshëm, saqë një ditë kur veprat e tij pëlqehen e kërkohen, nuk i besohet që është ai autori.

Krijuesi i mirëfilltë kurrë nuk shqetësohet të bëhet dikushi, por të bëjë atë që vjen nga shkëndija intuitive dërguar nga Universi. Ai nuk zë vend derisa ta arrijë atë. Për një krijues ka rëndësi të gjejë mundësi për të realizuar idenë në vepër, se çdo vepër lind si ide dhe çdo gjë tjetër i shërben asaj e jo të zgjedhim tematikën për të sajuar ide. Kurrë s'më kishte shkuar në mend se një ditë do të shkruaja një libër për Skënderbeun, por ardhja e idesë më nxiti të shkruaj, ide që ngacmohet nga nyja e kohës për të bërë një përpjekje për ta zgjidhur.

Çdo vepër arti, siç e thashë edhe më lart, vjen më parë si Ide përmes intuitës, e kur vjen, krijuesi s'gjen prehje gjer ta realizojë në vepër për të shpalosur atë para lexuesit, shikuesin, apo dëgjuesin. Intuita s'është gjë tjetër, përveç se sinjal i Zotit, apo të thënë në gjuhën e shkencës, sinjal i misterit, ajo të pickon trurin dhe të ndez shpirtin, të merr gjumin dhe të fut në kërkim të përhershëm për të realizuar atë në vepër.

Një krijues i mirfilltë këtë gjë e ka të qartë, mjerë ata që pretendojnë se janë krijues kur marrin punë me porosi të dikujt, apo të shtetit dhe ajo që e degradon krijuesin, është shabllonizmi, pa art, thjesht t'i përshtatet porositësit. Krijuesit që punojnë me "Porosi" quhen punëmarrës, jo më krijues.

Duke menduar kështu, kam arritur në përfundim, se Letërsia e Realizmit Socialist i shndërroi krijuesit në punëmarrës dhe letërsinë dhe artet në shërbim të propagandës e jo në shërbim të popullit. Unë as e ngre, as e zhduk këtë lloj "letërsie" por thjesht s'besoj se është letërsi, se ajo s'ka individualitetin e krijuesit. Mendoj që ne nuk përfaqësohemi në thesarin e madh të letërsisë botërore, se s'ka letërsi të virgjër, ajo është e përckunduar nga politika.

Lind pyetja: Si ka mundësi që një popull të mos ketë letërsi? Kaq përbindësh qënka?

Është pikërisht origjinaliteti i letërsisë së një kombi që e bën atë pjesë të letërsisë Botërore, nëse letërsia s'mban aromën e kulturës së popullit të saj, ajo kurrë s'mund të bëhet pjesë e asaj universale.

Ne s'kemi letërsi të mirëfilltë, si pjesë e asaj botërore e pse shpesh themi se ky, apo ai autor u përkthye në kaq, apo aq gjuhë të botës, por deri më sot asnjë shkrimtar nuk është me nivelin e kësaj letërsie.

Po të lexosh librat e autorëve të letërsisë botrore, biles qysh të klasikëve, janë të lexueshëm, të pëlqyeshëm dhe magjikë dhe kjo ndodh, se janë origjinalë, mbështetur fuqimisht në kulturën dhe jetën e popullit.

Jeta e njeriut, dëshirat, pasionet, dashuria... çdo gjë jetësore, ka qënë, është e do të jetë në jetë të jetëve për njerinë, ndaj ai auror që futet në indet e kësaj jete, bën kryevepra e atëherë vepra e tij i kapërcen përmasat e kombit të tij e bëhet pjesë e thesarit të kulturës botërore.

Një letërsi me tematika të komanduara, shpalos ide te sajuara, s'mund të japë kurrë mesazhe largpamëse shoqërië, përkundrazi do e çorodisë, do e qorrollisë dhe dashje pa dashje ajo (shoqeria) kërkon dikë ta marrë për krahu e duke mos e gjetur këtë mbështetje tek letërsia dhe arti, tek njerzit e kulturës, zgjat dorën tek shteti, por shteti u jep një dorë e me tjetrën u merr edhe krahët... shkurt; i skallavëron.

Përveç përdorimit të gjuhës dhe tematikës shqiptare, që të marrë fytyrën e letërsisë autoktone, kërkohet një figuracion i pasur dhe ky figuracion që të jetë i kuptueshëm dhe i depërtueshëm tek lexuesi shqiptar, duhet të gjendet në tabanin e popullit, se populli ynë është një ndër popujt me një gurrë të pashtershme popullore e trashëguar brez pas brezi, i kushtëzuar nga rrethanat e ndryshme historike. Si mund të jetë i kuptueshëm një autor, që merr për figuracion artistik vetëm nga historia, apo letërsia botrore, që lexuesi as që e ka dëgjuar ndonjëherë e jo më të kuptojë autorin se çfarë ka dashur të tregojë me të.

E bëra këtë parantezë, për të thënë se letërsia jonë është mbarsur me tematika të komanduara, shpesh me figuracione të pakuptimta për lexuesin dhe si e tillë, ajo nuk është e lakmueshme dhe më vjen keq ta them, por ajo krijimtari që nuk lexohet, s'quhet letërsi e për fatin e keq tonin, ne akoma nuk kemi një letërsi të mirfilltë.

Letërsia e Realizmit Socialist, thjesht merrte tematika të ditës, por nuk trajtonte, thjesht konstatonte dhe e lyente me bojra, thjesht për të kënaqur syrin pa e futur mendjen dhe shpirtin në punë fare, ndërsa letërsia e para 1944 u ndalua, pikërisht se kishte tematika origjinale shqiptare dhe ajo që duhet thënë, se në atë letërsi kishte mendim të lirë, kishte trajtim të mirfilltë të tematikave dhe figuracioni ishte kryesisht shqiptar, pa lënë mënjanë dhe nga ajo botrore. Kjo bënte që në rininë time, për një libër të ndaluar prisnim në radhë për ta lexuar...

Shpesh më kundërshtojnë për mendimet që jap për letërsinë dhe thonë: "Më mirë Letërsinë e Realizmit Socialist se pa letërsi" dhe unë po u them: ne s'jemi pa letërsi, por ajo qëndron e varrosur në dorëshkrime, apo botohen dhe zhduken, siç ka ndodhur me një pjesë të veprës së Isuf Luzaj, ku janë botuar dhe tregut asnjë libër nuk qarkulloi e pse thuhet se tirazhi ka qënë i madh.

Porosia është, ashtu siç u dënuan autorët, tani të burgoset krijimtaria e tyre, se po të ishte vërtet dëshira e mirë, tregu i librit nuk do ishte rënduar nga librat e politikanëve dhe biografive të tradhëtarëve të kombit.

Letërsia shqipe s'është ajo letërsi që shkruhet vetëm në gjuhën shqipe, ajo mund të shkruhet në të gjitha gjuhët e botës, por kushdo që e lexon duhet të kuptojë menjëherë që është letërsi shqipe, se trajton tematika shqiptare, figuracionet merren nga gurra popullore e kombit, emrat, mbiemrat, toponimet e përdorur në vepër, etj.

Letërsi quhet çdo vepër që së pari ka lindur tek autori si ide, pra s'është ide e komanduar, siç ndodhi në kohën e diktaturës komuniste, apo siç po vazhdohet tradita e pos komunizmit, duke shpallur "Viti i Skënderbeut", “100 vjetori i Pavarësisë", "Viti i Kadaresë"... dhe dynden autorët për të kanalizuar krijimtarinë në këto tematika.

Po bëhet gati një vit që kam nisur një roman për Skënderbeun, por sinqerisht e them, më janë prerë krahët qysh kur u shpall "Viti i Skënderbeut", se do mendojnë lexuesit që e kam shkruar thjesht për të përfituar nga eventi i 550 vjetorit të vdekjes, por kjo s'do të thotë që unë nuk do e vazhdoj, por s'dihet në do e përfundoj, Skënderbeu s'ka nevojë për vit, as për mit, ai duhet të frymëzojë shqiptarët në çdo moment të jetës së tyre.

Gjithsesi, në këtë gamë të madhe krijuesish, të kanalizuar në hullinë e diktatit, orientimit dhe thirrjes, se për çfarë duhet të shkruajmë, është thjesht për krijuesit e ushqyer nga politika, të cilët, boll të mbushin faqe, pa përçuar ide, thjesht të qarkullojnë miliona para e të lëvrohet i qetë korrupsioni, se sa për letërsi dhe art, as që mund të mendohet se bëhet.

Shkrimtari në radhë të parë duhet të njohë veten, që të njohë veten, duhet të njohë prejardhjen, historinë e kombit, ngjarjet, ndodhitë, jo me sekuenca, por në kronologji, të gjejë shkakun që të dalë e qartë pasoja, shkrimtarët duhet të njohin librat e shenjtë, filozofinë, letërsinë, sigurisht edhe gjuhën të dinë ta përdorin ashtu me thjeshtësinë e saj për të dhënë mesazhe për të gjithë, pra të jetë e kuptueshme për lexues të niveleve të ndryshme.

Isuf Luzajt u bë shkrimtar jo me dëshirë, jo për të fituar pasuri, por si domazdoshmëri e kohës, për të shpalosur idetë e tij të ardhura intuitivisht, për të përcjellë mesazhin tek lexuesi të veshur me art, ashtu siç kanë bërë shumë filozofë, që për të depërtuar në masat e gjera, i veshën idetë e tyre filozofike me art, duke shkruar poezi, prozë, drama, bile edhe duke i vënë në skenë ato nën kujdesin e tyre.

Këtë e them edhe nga krijimtaria ime, ku aqsa kam shkruar, librat e mi, përcjellin idetë e mia të lindura nga shkëndijë e intuitës komanduar nga misteri, si rezultat i djegjes së shqetësimeve të problemeve të popullit, ku bëj pjesë, por edhe më gjerë.

Tematikat s'mund t'i diktojë as shteti, as mbreti, ato i dikton vetëm koha, ashtu mistershëm, ku as vetë autori nuk mund ta dijë se si i lindi kjo ide. Kështu edhe libri i Skënderbeut, lindi si shqetësim real dhe misterioz njëkohësisht që kam pasur ndër vite përsa i përket idesë së bashkimit kombëtar e në funksion të kësaj ideje, bëra gati një vit e ca studime, por ishte e pamundur të bëhej studim shkencor - historik, ndaj po e shkruaj roman, ku kam mundësi të shkruaj refleksione dhe mendime të lira në bazë të këtyre studimeve e pse jo për të lënë hapur një shteg, ku në të ardhmen, tjerët të shkojnë më tutje...

"Isuf luzaj thotë: "Unë nuk mund të shkruaj për t'u pëlqyer as viganëvet të mendimit, as lexonjësit t'im. Unë shkruaj për të thënë një fjalë të sigurtë në madhërinë e saj Diturinë, sepse mendoj që secili nga ne frymorët, duhet të vëmë një cickërr ranë - gëlqere e çimento për te kështjella që do të mbarojnë të tjerët..." ("KUJDESET E BLETES" VELLIMI I, DORESHKRIM)

Kam disa vite që po studioj për kënaqësinë time dhe për ndriçimin e mendjes një pjesë të veprës së Prof. Dr. Isuf Luzaj dhe ato që thashë më sipër i kam gjetur të shkrira në krijimtarinë e këtij gjigandi që shkruan thjeshtë e jep mendime të mëdha, të kuptueshme për të gjithë.

Tematikat e tij në letërsi janë krejtësisht shqiptare. Kështu në tragjedinë "Princesha Rugina" e cila është botuar, trajton luftën heroike të Gjergj Aranitit dhe nxjerr shkakun e humbjes së tij nga ndërhyrjet e venecianëve, duke i vënë përballë me njëri - tjetrin princat shqiptarë, deri dhe brenda familjes, gjë që asnjë shkrimtarë nuk i jep aq vërtetësisht, kjo se nuk e njohin historinë dhe se ata që e njohin, e manipulojnë atë që të gjejnë mbështetjen e politikës.

Nuk kemi tragjedian shqiptar dhe me dëshirën e mirë për ta vënë në skenë teatrot tona, trokas në teatrin e Vlorës, por më largoheshin sikur të shihnin kolerën e ajo që më habiti më shumë, kur i dhashë një aktori skenarin e dokumentarit të nisur për jetën dhe veprën e Isufit, ju drodh letra në dorë dhe e ktheu rrëmbimthi e tha: "Ky ka qënë Ballist!" Po kështu m'u dha rasti të takoj një aktor të Prishtinës dhe u luta ta vinin në skenë, por ai më tha: "Zonjë, teatri ka mbaruar... Na thotë drejtori: "Shkoni bëni ndonjë punë tek shtëpia, rrogën do t'a merrni..." e si të them se kjo realizohet, kur teatri egziston formalisht...?" Së fundmi takoj një të teatrit kombëtar (Luftar Paja) dhe gjëja e parë që më tha ishte: "Sa peronazhe ka tragjedia?" “Mund të ketë rreth 15”, -  i them me shpresë se meqë më pyeti për personazhet do kishte ndonjë mundësi, por ai nënqeshi dhe tha: "Ti e shikon që në skena vihen monodrama, se projekti bëhet për dramë e hahen paratë, jo të ketë kaq personazhe e të pretendosh se do vihet në skenë..." Mbeta e befasuar dhe pësova goditjen e radhës duke m'u shtuar edhe një plagë tjetër brenda plagës së madhe të coptimit të kombit, ishte ajo e shuarjes sonë përmes fikjes së kulturës dhe ndezjes së epsheve të korrupsionit.

Tani kam në dorë poemën e gjatë "Myneveri" e cila ndryshe nga tragjedia "Princesha Rugina", që është shkruar me stil Shekspirian, do të thosha se shkon më shumë me stilin Dantesk, apo Fanolian, me një gjuhë të pastër shqipe, ku gërshetohen ëmbël dy dialektet e gjuhës sonë, që për fat të keq në 1972 të ashtuquajturit akademikë shqiptarë dhe kosovarë, ia prenë njërin krah, gegërishten, duke e lënë përjetësisht invalide. Rrallë, shumë rrallë ndeshem në ndonjë fjalë të huaj, të cilën e përkthen mrekullisht në fund të tekstit, por që është domozdoshmëri për t'i përdorur për efekt të personazheve.

Shkrimtarit, që në fillim të një libri, intuita i ndez llampën e idesë së veprës që do të lindë, ndaj me mendjen e tij ai përcakton pikat ku do kalojë për të mbërritur atje ku ai dëshiron të shkojë, ndaj një shkrimtar që s'udhëhiqet nga intuita ndriçuese, por nga porositë, apo tregu, ecën pa orjentim, pa stacione, thjesht hyn në shina e të dalë ku të dalë...

Këtu më vijnë në mendje fjalët e kryeredaktores së revistës "Saras" Alda Bardhyli, e cila u shpreh: "Më vjen inatë kur unë prezantoj lloj - lloj librash e vetë nuk kam shkruar një libër, thjesht të bëhet libër, por tregun e siguroj vetë... " Letërsia s'është thjesht dëshirë, as biznes,  ajo është  përgjegjësi, kush luan me penën, ka luajtur me shpirtin e një populli, pa llogaritur shpirtin e tij që e ka shkelur, apo shitur vetë.

Krijimtaria e Isuf Luzaj (aqsa kam lexuar) është thesar i letërsisë dhe jo vetëm, edhe e filozofisë, historisë, politikës, e mbarë kulturës shqiptare, ndaj është absurde të botohen veprat e zgjedhura të një shkrimtari, pa u botuar dhe u bërë publike krejt vepra e tij, siç kërkojnë të bëjnë edhe veprën e Isuf Luzaj, vepër e të cilit përbën rrezik për tu publikuar e përhapur nëpër shkollat dhe universitetet tona, se çjerr maskën e letërsisë false, të historisë foshnjore dhe të filozofisë pa filozofi që bëhet nëpër universitetet tona, por do të shkruaj një herë tjetër për këtë problem, ndaj po kthehem tek poema "Myneveri" të cilën e kam duke e korrektuar për ta bërë gati për botim, për të konkretizuar ato çka thashë më lart.

Në këtë poemë trajtohet fati i një foshnjeje, sipas një legjende Kaninjote, por që si personazh ka egzistuar e bëhet fjalë për vitin 1830, në operacionin e Jilldrem Pashë Konjalliut kundra Labërisë dhe konkretisht në shkretimin e Kaninës, ku në gërmadhat e pallatit të Dudul Dardanit, pasi kishte marrë flakë, u dëgjua një zë foshnje dhe dikush futet dhe e shpëton dhe ia dorëzon Pashait.

Mënyra se si e përshkruan terrorin osman, Isuf Luzaj e bën lexuesin të mos dëgjojë analistët tanë që kohën e Perandorisë Osmane shpesh nuk e quajnë pushtim, ai jo vetëm të bind të ishte pushtim, por ca më shumë, shkatërrim. "Jalldrëm Pasha Konjalliu/ Më i zi se ç'është i ziu/ Më i egërt si Pantheri/ M'i fëlliqur se ç'është miu/ Më i ndyrë se ç'është derri/ Pasi preu, dogji e griu/ Gjatë e gjerë Labërinë/ Erth e qëndroi në Kaninë... Dogji pallatin e Dardanit/ Më i lartë se i Sulltnit/ Që sundon Pashalimanin/ Ngjitur shkëmbit rrëzë malit/ Pallati i Komnen Golemit/ Që u qëndroi ordhive të Serbit/ N'ato kohë që vrau lija/ Para se të vin Turqia..." Pak vargje shumë mësime, të cilat i merr çdo lexues, Isuf luzaj është si Dantja, i cili shkruante me gjuhën e popullit për ta kuptuar populli. Cili nuk vihet në mendime me kaq pak rrështa? Kushdo që e lexon mendon tmerrin turk por edhe atë sebë, mendon edhe fuqinë dhe zhvillimin e shqiptarëve nëpër shekuj, por për fat të keq, sa herë ngriheshin ekonomikisht, vinin barbarët vidhnin thesaret dhe digjnin ato që s'mund t'i mirrnin. Më kujtohet një biznesmen kosovar, i cili më priti në lokalin e tij me tërë të mirat dhe në bisedë e sipër më tha: "Këtu kanë qënë gjithë politikanët shqiptarë, kanë ngrënë e kanë pirë falas... Paske bërë bamirësi, i thashë, se janë të varfër, por dëgjomë një porosi nga unë... Ai qëndroi e po mbante vesh. Mos e zgjero më biznesin, boll e ke, mbulon shpenzimet e familjes dhe diçka tepron, se po u bëre i fuqishëm, do të marrin jetën dhe biznesi kalon tek barbarët... E di ti që gjatë viteve të demokracisë janë vrarë mbi dyzet biznesmenë të fuqishëm shqiptarë, po sa e sa tjerë përmes gjobave të ndryshme kanë falimentuar dhe e di pse, vetëm se janë shqiptarë. Jemi të pushtuar, o djalë, lerë ti se tundim flamunj e themi se jemi të pavarur. Ky vend kështu ka shkuar, sapo marrim veten, dynden barbarët dhe na vjedhin e shkatërrojnë... Ai ra në mendime... Shpresoj të mos më ketë keqkuptuar.

Në veprën madhore "Myneveri" del qartazi se si rritej një fëmijë i rrëmbyer nga vendet e pushtuara. Po të vështrojmë me kujdes, këta fëmijë kishin fatin e mirë të rriteshin nën kujdesin e dikujt dhe më pas kishin fatin e keq, ku vajzat përfundonin në haremin e Sulltanit dhe djemtë mbushnin radhët e ushtrisë jenicere.

Shpesh e kam ngritur zërin për të njohur jetën e Skënderbeut në oborrin e Sulltanit, periudhë jo fort e shkurtër (gati 30vjet), para se të kthehej për të bërë luftën e madhe, por historiografia shqiptare hesht, se shkopi i dirigjentit që shkon sipas melodisë së shkruar nga armiqtë tanë, u bie në kokë nëse "devijojnë" melodinë e tyre, por le të vazhdojmë me fatin "e mirë" të kësaj vashe kaninjote, e cila u rrit me gjithë të mirat brenda pallatit e përpos kësaj asnjëherë ata që e rritën nuk ia mohuan origjinën, aq sa ajo sa më shumë hidhte shtat, merrte bukurinë e vendit të saj dhe digjej brenda vetes për të, ku autori shkruan. "Mbyllur vasha në kuvli/ Rritej vasha si hardhi... Në një pallat të Stambollit... Vështron vasha me dylbi/ Malet e Sevastopollit/ Kërkon nëpër hapësi/ Ndonjë mal në Largësi/ Të kish emrin Shqipëri/ Lotë në qerpik, terr në sy/ Dhembjes mallit që e lodhi..."

Ashtu si çdo jenicerë, edhe vasha u edukua dhe u arsimua në shumë drejtime dhe në shumë gjuhë, gjuhë të cilat ne i dimë që edhe Skënderbeu i përvetësonte shumë mirë, si turqishte, rusishten, persiane, arabishten, frëngjishten... Vetëm gjuha shqipe ishte e mallkuar nga Perandoria dhe ne ende themi (Ishte pushtim, apo qytetërim për shqiptarët?) një kujdes i veçante u jepej në atë kohë, të mësonin librat e shenjtë, filozofinë, mjekësinë, Historinë, drejtësinë...

"I mësuan me hollësi/ Rusishten q'e kish karshi/ Mirë e thellë gjuhën frëngjishte/ Që kish shumë dituri/ Përmblidhte enciklopedi/ Shumë herë mendon zonjusha/ Vasha që lindi Fatushja/ Rasati i Dudul Dardanit... Mbyllur panxhash të misterit/ Përgatitë vasha shqiptare/ Të ish trime e luftëtare/ Nëpër çerqe të qederit/ Të ngëthehej në Kaninë..."

Kur një vashë e marrë qysh foshnjë, ëndërronte kthimin në atdhe, mendo Skënderbeu që shkoi i rritur në oborrin e Sulltanit, se çfarë zjarri ka pasur në shpirt për t'u kthyer e për të mbrojtur dinjitetin e vendit të tij, të fesë së tij, se një komb pa fenë e tij, është pa shpirt e një komb pa shpirt, ka vdekur...

Ajo që të mahnit në këtë poemë janë përshkrimet që u bën personazheve, vendeve, fenomeneve, ku ndërthuren mrekullisht përmes një figuracioni të pasur e të pastër shqiptar duke na shpalosur para syshë si të gjallë para nesh e na duket sikur flasim me personazhet, sikur ecim nëpër vendet që përshkruan i madhi Isuf Luzaj.

Kur një vepër shkruhet pa diktat, pa pagesë, në atë vepër nuk shkruan vetëm dora, vetëm mendja, por edhe shpirti, kur dorën e lëviz mendja dhe shpirti dalin kryevepra, e pra si mund të ndodhte ndryshe në përshkrimin e bukurisë së vashës 15 vjeçare, moshë që do të dorzohej haremit të sulltanit për të shfryrë epshet shtazarke natën e Bajramit, pas 30 ditëve të Ramazanit. "Duk u hedhë në shtigje stinësh/ Porsi shqerrkëza manare/ Duk u ngjitur si selvija/ Pjergulla që lind hardhija/ Mbushur zoga gjeraqinash/ Duk u pjekë si kocimare/ Duke marrë trajta dhe ngjyra/ Si shega me thelpinj arre/ Vin duk i ndrit fytyra/ Si hëna kur del mbi male/ Duk u mbështjellë me magjira/ Si engjëllushkë Parajse/ Si shkrep e lëshon shkëndija/ Si dielli mbi shkumë vale/ Sa tmerron çdo zemër robi/ Kur vështron si shqetësuar/ Kur përpiq si krahë korbi/ Qerpikët mbi sytë e shkruar/ I bin për krahërori/ gushë e faqe, llërë e duar/ Bojë - Bojë si Ylyveri...” dhe më poshtë përmes figuracioni që vetëm ky autor gjen dhe përdor përshkruan magjishëm cilësitë e Myneverit. "Zëri i bukur i Myneverit/ Si një xinxërrimë stërline/ Kur bje mbi një pllakë mermeri/ Si tingull magjik violine/ kur në Bach - në e përkëdhelnin/ Gishtërinjtë e famshëm të nderit/ Stradivarit shpirtsheqerit/ Që ngre mendjen e të mjerit/ Përmbi harqe ylyveri/ Përtej portash të Misterit/ Aty afër Perëndije... Kur vështronte Myneveri/ Pashallarët e ardhivet/ Xheneralë grada dovleti/ kraharorë nishanë mbreti/ Në kolltukë të lartë shteti/ U binte sarah ileti/ Lloi - lloi alergjie/ Shkroi gazeta xhumhyrrjeti/ Këjo vashë perri xhehneti/ Ka magji lloi kudreti/ Ja është fuqi Profeti!... Sa q'Avdul Hamit zeheri/ Kur e pa duk ju afruar/ Në Marfil dritare xhami/ Duk ju ngjit atij divani/ Ju muarrë ment goxha Sulltani/ Frikës që kurrë s'kish provuar/ Një lloi frike e pa kuptuar/ Shpejt e shpejt rojat të aftë/ E pështetnë në fron të artë/ Duke bërë shenjë me dy duar/ Që një xhind jetën ja mori/ S'mbushej me frymë kraharori/ Në një ast zemra i mbeti/ Si një ditë Kiameti..." ky përshkrim magjik përfundon me vilaninë e sulltanit kur e pa për herë të parë, bukuri që kurrë sulltanin s'e kishte lënë pa frymë e për këtë do të shkruante poeti Syrja Hajdari "Netë parajse Bukurije/ Si Trëndafilishtë Persije/ Qe vështrimi i Myneverit/ Freskon si uji i Zemzenit/ Në vapë të fort të Matemit/ Në shkretirë Arabije"

Këtu e shikojmë qartazi atë që thashë me lart: dy poetë të mëdhenj; Isuf Luzaj dhe Syrja Hajdari në figuracionet e tyre, janë autoktonë, asnjëri nuk huazon e kështu lexuesi i tyre mrekullohet. Nëse s'kemi parasyshë lexuesin, poeti, shkrimtari, artisti... thjesht mbush kohën e tij, duke lënë boshllëk në popullin e tij, se para se të jetë universale e të bëjë pjesë në krijimtarinë globale, kjo krijimtari duhet të përfaqësojë bindshëm origjinalitetin e saj dhe mendoj se krijimtaria e Kadaresë e pse me paratë e popullit u botua,  u përkthye dhe u shpërnda nëpër botë, ajo nuk përfaqëson bindshëm origjinalitet, ndaj dhe kurrë s'ka për ta marrë çmimin "NOBEL". Nobelin autori e merr në radhë të parë në vendin e tij, ai mori notën dhjetë si bashkëpunëtor i diktaturës për të shtypur dhe shfrytëzuar popullin e tij (Nëse është populli i tij, se shumica e njerëzve që përfitojnë nga populli janë dobiçat e pushtuesve, ashtu siç thuhet edhe për Enver Hoxhën që ka qënë i biri i Bimbashit që vrau Çerciz Topulli, se një shqiptar i kulluar kurrë s'mund të bëjë kundër popullit të tij)

Leximi dhe studimi i veprave të Isuf Luzaj e bën zemrën të lëvizë nga vendi, e bën shpirtin të jetë në paqe me veten, se kuantet gjejnë shoqe - shoqen dhe vallëzojnë në Univers të lira dhe të lumtura, shpirti i autorit, shkrihet ëmbël në shpirtin e popullit të tij dhe ky autor kurrë nuk do vdesë, ai do të udhëtojë bres pas brezi me shpirtin e popullit duke i dhënë besim, energj, dritë... të cilën unë e vuaj se më duket që njerës të manipuluar, do të mund ta manipulojnë veprën e tij, por a mund të mbyllet drita? Mund ta mbyllim portën, ajo hyn nga dritarja, mund të mbyllim dritaren, por kurrë s'mund të fikim diellin, do vijë koha që portat dhe kanatet e turqënisë, apo të sllavisë, të cilat hapen e mbyllen nga gardianë shqiptarë, do të kalben dhe drita do hyjë e lirë...

Për të nxjerrë në pah, madhështinë e bukurisë dhe magjisë së vajzës shqiptare, në këtë vepër, autori thotë, se për herë të parë Sulltani marroset deri në sëmundje nga bukuria dhe hijeshia e Myneverit dhe nuk gjen ilaç për këtë, ndaj urdhëron që natën e parë të Bajramit, nën shoqërinë e gjithë vashave të haremit duke vallëzuar, ai të kishte në gjoksin e tij Myneverin. "Rreth e Qark atij divani/ Me lloma drita ylyveri/ Me rubi e xhevahirë/ Me inxhi e sofirë/ T'i rrin pështetë Myneveri/ Me gjithë vashat e Haremit/ Si sirenat e Homerit/ T'i këndojnë me zë bilbili/ Hymnin qiellor të poemit/ Të sulltan Fatih Halldrëmit/ Triumfin e xhezahirit"

Isuf luzaj përshkruan përpikmërisht paraqitjen e vashave të racave të botës, të cilat ishin pjesë e haremit të sulltanit, por bukuria dhe hijeshia e shqiptares nga Kanina, ishte mbi të gjitha e kjo s'është thjesht dëshirë e autorit për ta thënë këtë përmes një figuracioni të pasur artistik, të cilën e thashë edhe më lart, por është fakt që femra shqiptare dallon nga tjerat, se ka në shpirt fisnikërinë.

Nëse do shikojmë traditën shqiptare, asnjë mbret, apo princ shqiptar, sado i fuqishëm të ketë qenë, kurrë s'ka pasur harem, kështu edhe vashat tona mbroheshin me fanatizëm, deri dhe me jetën e vëllait, apo babait të saj. Për këto ka shumë balada në gjithë trevat shqiptare, si tek kënga për Hajrijen, ku vëllai i shkon binbashit dhe ia numuron në lule të ballit, se kërkonte motrën për në harem. Haremi është i pushtuesve, i cili mbushet plot me robina, shqiptarët kurrë s'kanë qënë pushtues barbarë, por ngado përhapnin kulturë. Nga ky fakt, kam dyshuar për disa pashallarë shqiptarë, qysh tek Ali Pasha e të tjerë që mbanin harem në pallatin e tyre të pashallëkut. Për karakterin e fortë të femrës shqiptare ka shumë rrëfime e ndodhi, të cilat për të shpëtuar thonjve të turqve, hidheshin me gjithë djepe nga shkëmbinjtë, ashtu edhe Myneveri, kur merr vesh vajtjen tek sulltani, u ligështua shumë, por edhe ata që e rritën u helmuan. Autori e përshkruan bukur këtë moment që do i ndryshonte jetën vajzës kaninjote për të mbetur në histori.

“- Kurrë o Babazoti, kurrë/ Nuk e ndyej nderin unë...

- Bijë zeza s'kam udhë tjetër/ Veç të dorzoj tek sulltani..." dhe shqetësimi e vashës e përshkruan mrekullisht: "Si një thëllëzë në male/ Kur këndon në agim të parë/ Q'i trembet kones gjahtare/ Për sheshi që hiqet zvarrë/ Vërvitet thëllënza në erë/ Sa të hapësh e të mbyllësh sytë... Ashtu fluturoi vasha/ Mbylli derë mbylli dritare/ Katër ditë e netë me radhë/ Pa ngrënë e pa pirë fare..."

Jeta të krijon situata nga më të ndryshmet, është njeriu që përfiton nga këto situata, apo lufton për të kapërcyer situatat, të cilat bien ndesh me të. Asnjëherë s'mbështes ata njerës fatalistë, të cilët bëjnë zgjedhjen e gabuar duke fajësuar kohën, sistemin, rrethanat, të cilat kanë qënë për të gjithë, por kanë përqafuar udhën e nderit, të së vërtetës dhe të së drejtës, duke u përleshur dhëmb për dhëmb për të shpëtuar kurthit të situatave që në dukje duken sikur të veshin me ar, por më pas ndjehesh i pa vlerë dhe i pushtuar nga dëshpërimi.

Autori, Isuf Luzaj, i shtjellon mrekullisht situatat, duke dhënë përfitimin po të bëhej pjesë e haremit, biles edhe fatkeqësinë që sjell krenaria shqiptare, por kjo është karakteristikë e fisnikërisë, ndaj zgjedh arratisjen e vajzës drejt shtetit të lirisë dhe të kulturës, Francës, ku do të prezantohej si një bijë prifti nga Amerika, me emrin Kristina.

Kur njeriu ka një ëndërr që i pushton gjithë qënëjen dhe të qënurit e tij, kurrë s'mund ta zëvendësojë atë me asnjë dëshirë, pasion, apo përfitim tjetër në jetë, ndaj Kristina (Myneveri) vendos që kurrë të mos dashurojë, të mos lidhet e të martohet kurrë, ashtu siç betohen murgeshat për t'i shërbyer Jezu Krishtit dhe njerzimit, ajo për t'i shërbyer kombit të saj, për liri e pavarësi, që të mos kishte më luftra, rrëmbime fëmijësh dhe shkatërrime barbarësh. Ëndrrat që bëhen motive jete, janë të shkruara në ADN dhe mistershëm të pushtojnë dhe njeriu frenohet nga pasionet dhe dëshirat çastore, çdo gjë i shërben asaj, ëndrrës madhorë e kjo s'ndodh tek të gjithë njerëzit, se njerëzit e ëndrrave të mëdha janë të përzgjedhurit e kohës për të lënë gjurmët e tyre në histori…

Vazhdimin e kësaj poeme do e lë surprizë për lexuesin, kur kjo vepër të bëhet pronë e tij, por dua të them se trajtimi i kësaj heroine me kaq pasion e dashuri, me kaq korrektesë të jashtëzakonëshme mbi jetën e saj në Francë, përpjekjet për tu lidhur me patriotët shqiptarë, kontributi i saj monetar për shpalljen e pavarësisë,  kthimi në atdhe dhe varrosja e saj me të gjitha nderet, nga i madhi Isuf Luzaj, mendoj se përmes kësaj vepre, ai ka bërë skanerin e ëndrrës së tij, për ta parë kombin shqiptar të bashkuar dhe të pavarur, ëndërr për të cilën luftoi me pushkë, me penë dhe me fjalë, qysh në rininë e tij e deri sa i shkoi Kaninës pranë për të mbetur aty përjetësisht si një far mbi kodrinë, nën kështjellë, pranë varrit të hapur të Ismail Qemalit.

NEW YORK - BRONX

26 MARS 2018