| E hene, 26.03.2018, 08:41 PM |
Boritë e Apokalipsit
Nga Gani Mehmetaj
Kur shpirtrat nuk të lënë të qetë
“Të harrosh të vdekurit është njësoj sikur t’i vrasësh për së dyti”. Eli Vizel
Në fëmijërinë time kam vuajtur disa vjet nga ankthi. Shihja ëndërr sikur kridhesha në ujë në ndjekje të peshqve, doja t'i kapja me duar, zhysja kokën në zgorin e lisit, ndërsa peshqit më rrëshqisnin. Kur fusja gishtat nën rrënjë, uji turbullohej. Brenda rrymave të ujit krijohej një tension, që nuk e kapja nga vinte, më mbërthente boshllëku, gati më mbyste, nisnin të më rrihnin tëmthat, më mbylleshin veshët, fryma më zihej, mushkëritë sa s'më pëlcisnin nga mungesa e ajrit. Në shurdhërinë e ujit kërkoja ndihmë, por as arrija të hapja gojën, as të lëshoja zë. Brofja nga shtrati i trembur e i djersitur, duke u përpjekur njëkohësisht të shkëputesha nga rrënjët e lisit, ku më ngatërroheshin këmbët.
Herën tjetër makthi më gjente në fund të lumit, duke ronitur, ndërsa peshqit më silleshin vërdallë. Nga ajo kënaqësi e fërkimit të luspave të peshkut në lëkurën time të butë më trondiste turbullimi i bëftë i ujit dhe ikja e papritur e peshqve. Befas gjarpri i gjatë më kalonte skaj trupit. Një zë brenda meje më thoshte se gjarpri në ujë nuk është helmues, s'ke pse frikësohesh. Kjo nuk më ngushëllonte - më mbërthente angështi e tillë, saqë nisja të kapërdija ujë pa kontroll, më zihej fryma, një peshë e madhe ma rëndonte dërrasën e gjoksit. Zgjohesha i bërë ujë në djersë. Nuk ngopesha ajër as pas disa minutash. Edhe një kohë më duhej sa të qetësohesha. Shpirtrat e mbytur në lumë kërkonin vëmendje, më qetësonte nëna. Sigurisht donin të bartnin ndonjë mesazh, por unë nuk e kapja, nuk e kapnin as të tjerët.
Makthet më braktisën me kalimin e pubertetit. Muajve të fundit m’u kthyen. Makthe pata edhe gjatë luftës, makthe frike nga skenat e luftës.
Uji e rrënjët e lisit në Drinin e fëmijërisë nuk më shqetësonin më, më shqetësonte pamja e një gruaje engjëllore, që më fliste e nuk e kuptoja çka më thoshte, më grishte e nuk e dija ku duhej të shkoja. Dikur fytyra e gruas së përvuajtur më afrohej në përmasa të panatyrshme, me zbehtësi asketeje. Mua më ushtonin veshët, asnjë fjalë nuk ia kapja edhe atëherë kur ajo e hapte gojën të më tregonte diçka. Gruaja përgjakej në fytyrë, ballin ia mbërthente një kurorë teli gjembor, teli ia priste lëkurën e hollë si mazë qepe. Ajo një herë më përgjëronte, pastaj sikur më akuzonte, një herë më tregonte me mjekër një kodërvarri prapa meje. Donte të më sqaronte diçka, por nuk e kapja kuptimin e asaj shenje. Duart e brishta i kishte të lidhura me tel të hollë, që i futej në kyçin e dorës. Sa herë bënte përpjekje të shkëputej nga shtylla elektrike, teli i hollë i futej më thellë në kyçet e duarve. Dy pika loti i rrëshqisnin faqeve të zbehta e të bardha, duke shkëlqyer vezullueshëm në dritën e hënës . Dy kalamajtë- engjëj i silleshin vërdallë në përpjekje ta hiqnin nga shtylla elektrike, ku e kishin mbërthyer. Një herë m’u bë që i fluturonin mbi kokë. Unë shikoja i paralizuar pa pasur mundësi ta bëja asnjë lëvizje.
Me klithma, që i shqetësoja edhe fqinjët, shkëputesha nga pafuqia e pamjet e lemerishme, i bërë ujë nga djersët që e kishin qullur nënkresën, jorganin dhe mbulesën e shtratit.
Pamjet e ndryshme të kësaj gruaje më përsëriteshin shpesh. Nuk gjeja shpëtim. Nuk e shqitja assesi nga mendtë.
Ishte gruaja që dikur e njoha fare pak, i fola apo më foli disa herë, më shumë më buzëqeshte kur takoheshim shkallëve të pallatit, një buzëqeshje e rrëshqitshme e rrëzëllitëse. Historia e saj ishte e dhimbshme, tronditëse, ishte historia që u përsërit shpesh gjatë asaj kohe në disa versione. Për mua ishte e veçantë, sepse isha dëshmitar i fatkeqësisë së saj. Prandaj rrëmova çdo gjë për të, i pyeta të gjithë ata që e njihnin, u interesova edhe te ata që kishin dëgjuar për të, apo që ishin në fqinjësi me të, mora deponimet e dëshmitarëve në policinë ushtarake angleze. Brodha gjysmën e Gadishullit tonë, konsultova lista të pafundme të të zhdukurve, duke shpresuar që do të shkarkohesha edhe nga makthi, ashtu sikurse do ta shkarkoja veten nga ndenja e fajësisë, doja të ndriçoja një histori ende të pandriçuar.
Nxitoja si në ethe, sepse ajo që më frikësonte ishte harresa. Njerëzit harrojnë, e hedhin prapa të kaluarën dhe nuk duan t'i kthehen me asnjë çmim. Por athua na ndihmon kjo harresë apo na bën me makthe të vazhdueshme, na sëmurë e s'na lë të qetë?
Një ditë para fillimit të bombardimeve
"Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë boritë u bënë gati t`u binin atyre".
(Zbulesa e Gjonit 8. 6.)
-Mami, pse nuk shkojmë te gjyshi? - e pyeti vogëlushi nënën.
-Sepse ai nuk është më, - ia ktheu përgjigjen ajo.
-A kthehet prapë? ndërhyri vogëlushi tjetër më i vogël, ndërsa nuk ia lëshonte dorën nënës.
Ajo nuk i ktheu përgjigje, ecte rrugës me hapa të shpejtë, nxitonte të blinte gjëra ushqimore para se të mbylleshin shitoret.
- A ma blen ariun e vogël, mami?
-Unë dua “Ferrarin!” - iu drejtua i madhi.
-Ku e gjetët kohën? - u fliste nëna duke ecur dhe duke e zbutur tonin. Ata u entuziazmuan, sepse e hetuan nga zëri që ajo nuk do t'ua refuzonte kërkesat.
Dy vogëlushët shihnin me kureshtje djathtas e majtas. Se si u dukeshin njerëzit ndryshe nga herët e tjera.
Agonit, të madhit, i erdhi të qeshte me ecjen çapaçule të një gruaje të majmur, e frenoi qeshjen nga droja se nëna do ta qortonte. Nuk donte ta nxiste zemërimin e saj, kohëve të fundit ajo zemërohej shpesh. Gruaja e majmur shkoi tutje pa e vërejtur çunin. Kalimtarët e shihnin me shpërfillje treshen, ashtu si shihnin me shpërfillje e të përhumbur çdo gjë para vetes.
Dikur treshja ngjitur me njëra- tjetrën u shkri në turmë.
Qyteti gumëzhinte. Shitoret punonin në ethe. Pasiguria të gërryente. Koha e ngrysët, fytyrat e ngrira e sytë e bebëzave të zmadhuara ta jepnin përshtypjen e njerëzve që shkonin në mort, aq të pashpresë dukeshin. Trotuarit ecnin me hapa të shpejtë, ndaleshin duke u hamendur, pastaj si të ishin në kolonë prapë vazhdonin. Paralelisht me ta rrugës së asfaltuar makinat vraponin në ethe. Ndonjëherë gomat që frenonin befas kërcisnin në asfalt. Qyteti ishte në ethe.
Një dritare gjysmë e hapur në katin e katërt të godinës shumëkatëshe me pamje nga udhëkryqi vijëzonte format e kokës së një të riu, që merrte e jepte në telefon.
-Alo, alo! - i fliste kufjes së telefonit, sepse dy herë i bënë veshët sikur dëgjoi zërin e së dashurës. Zërat përziheshin, ndërhyrjet ishin të shumta, dikur zërat u shuan, mbetej vetëm fishkëllima e telave të telefonit, sikur e përçonin erën në vend të zërave. Djaloshi humbi shpresat se do të dëgjonte zërin gurgullues.
Shikimin e përhumbi tej në horizont pa parë asgjë konkrete, ndërsa sytë e gështenjtë përkëdhelnin paanësinë. Ai përpiqej të kapte murmurimën e botës, ndërsa mërmërimat i rrëshqisnin.
Ndihej i mpirë nga lajmet e mëngjesit: lufta do të përshkallëzohej. Pasiguria e tensioni e elektrizonin ajrin e ftohtë të fundmarsit. Tërë pasditen u përpoq të merrte në telefon të dashurën, por linjat e ngarkuara i ushtonin në veshë. Ndërhyrjet e zërave, fishkëllima e telave si të qe futur erë e thatë veriu nëpër ta, përzier me një Babiloni gjuhësh, ia bënin kokën rrëmujë; bisedat i ngatërroheshin me frymëmarrjen e dikujt që herë i bëhej sikur përgjonte, herë sikur vuante nga kureshtja për të kapur rrëfimet intime; dënesat nga larg vinin si grahmat e fundit të një qenieje njerëzore; gjëmat e përmbyllnin rrëmujën planetare. Bota e telave, shtrirë nëpër barkun e tokës, ngërthehej me telat nëpër lagjet e qytetit sipër çative.
Derisa Rron Gjini me kokën në dritaren e katit të katërt qëndronte në këmbë me kufjen e telefonit në dorë, pati marramendje. Natën e kaloi duke pritur lajmet e fundit me transistorin në duar. Ndërkaq, sot, me gjithë këmbënguljen e pritjen e gjatë me kufjen në vesh, nuk arriti të kapte ndonjë zë të njohur. Prapa çdo bisede i bëhej se rrinte në përgjim një frymëmarrje e mushkërive të rënduara nga nikotina apo nga astma. Ato ditë bota e rrëmujshme u bë përgjimore e paskajshme: veshët gjigantë shtriheshin gjithandej mbi lagje, mbi qytet dhe mbi tërë botën, ndërsa sytë zmadhoheshin e zmadhoheshin derisa e pushtonin hapësirën. Rroni prapë nuk i shqitej aparatit të telefonit, përpiqej të bisedonte me të dashurën, sepse në qytetin e saj nuk shkonte dot, ta ftonte në kryeqytet s’mund t’i garantonte siguri, rrugët gëlonin nga policë e ushtarë armiq. Kontrolle e bastisje kudo. Jetonte kaçakçe. Shtëpinë e familjes e braktisi në fillim të dimrit. Policët e kërkonin gjithandej. Prindërit e lodhur nuk i kishte më larg se dy kilometra në vijë ajrore, por nuk mund t'i vizitonte. Me Vjosën, të dashurën, njihej prej dy vjetësh. Ajo studionte në Fakultetin Ekonomik, ai punoi në një gazetë që ia mbyllën para disa javësh.
“Gjërat nuk po ecnin”, ia përsëriste vetes, “sillem si miu në çark”.
Marsi mbufatej me paqartësi. Para drekës pritej të çmbështillej lëmshi, të davaritej mjegulla, t’i jepej fund konfliktit, ose të niste lufta e re, e ndryshme nga luftërat e deritashme. Përtej kufirit u tha se asgjë nuk u qartësua. “Do të ketë luftë”, lajmëruan të gjitha mediet. Ata nuk lëshonin pe me gjithë presionin ndërkombëtar. Situata e re e brengoste Rron Gjinin, gazetarin e ri, që mbeti pa punë. Ditë më parë ia bastisën redaksinë, i demoluan mobiliet, ai ia mbathi para se ta kapnin.
Lufta e pashpallur vazhdonte nga viti i kaluar herë me intensitet të shtuar, herë binte zjarrmia e artilerisë. Ai raportoi për luftimet nga terreni. Dha lajme për disa radiostacione ndërkombëtare.
Lufta nga ajri, që kërcënonte, ishte ndryshe nga luftërat e mëparshme. Imagjinata nuk ia kapte se si do të bëhej kjo luftë, ndonjëherë në trurin e tij i bënte skemat e luftës sipas videolojërave, por nuk mendonte të ishte aq e thjeshtë. Kumti tjetër për hakmarrje, i ardhur nga shteti mujshar, e la pa frymë botën e qytetëruar, ndërkaq, në vend që t’i mobilizonte, i paralizoi vendësit. Secili pyeste në mënyrë të heshtur: "Si të vepronte? Ku të fuste kokën? Të rrinin apo t’ia mbathnin?" Përgjigjet nuk u vinin nga askund.
Pas lajmit paralizues për fillimin e luftës, që do të shpallej sonte pas darkës, 24 marsi i vitit 1999 u mbars me lëvizje të ethshme të njerëzve e të automjeteve, me kolona të gjata të makinave të portokallta të ndërkombëtarëve që ndiqnin njëra-tjetrën drejt kufirit. Shikimet e mpira të banorëve thoshin shumë, ndërsa situata nuk u sqaronte asgjë.
Koha qe ndalur. Nuk e kapje dot ishte mesditë apo periudha e vdekur e pasdrekes, kur njerëzit duan të pushojnë e shpirtin e kanë të paqetë, përpiqen të shmangin parashikimet ogurzeza, ndërkaq, imazhe të trishta u dalin para syve të mbyllur. Zymtësia ua zinte frymën.
Me të ikur vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët për disa muaj u bënë dëshmitarë të krimeve që i raportonin në qendrat e tyre, njerëzit nisën të pyesnin me frikë: “Po halli ynë?” Ndiqnin të hutuar kolonat e bashkëvendësve, të cilët ia mbathnin pas vëzhguesve, pa e ditur ku shkonin, as kush do t'i priste, donin t'ia mbathnin një orë e më parë përtej kufirit.
Ankthi i pritjes
Më të shqetësuar ishin ata që do të ngryseshin në shtëpitë e tyre. Shumicës nuk ua merrte mendja të lëviznin, sepse nuk e dinin çka i priste. Frika nga e panjohura i alarmonte t'ia mbathnin nga sytë këmbët, por gravitacioni i vendit i mbërthente. Dikur kalimtarët u rralluan, shitoret u mbyllën. Ende pa perënduar dielli nisën të lëshoheshin perdet. Qyteti mbështillej me zhguallin e vet të padukshëm. Befasisht pllakosi një shurdhëri e pazakonshme.
Në vendbanimin e dy rrokaqiejve, pas vajtje-ardhjeve të dendura të paradites, rrallëkush lëvizte nëpër trotuare. Rruga kryesore e gjerë, që ditë më parë mezi i kapërdinte kolonat e veturave, të hante me zbrazësinë e vet.
- Do t’ju vrasim të gjithëve. Fëmijët do t’jua therim, gratë do t’jua çnjerëzojmë, - çirrej një i dehur skaj trotuarit, duke u kalamendur.
Askush nuk e kuptoi nga mbiu i dehuri në trotuar me paralajmërimin ogurzi.
Kalimtarëve ua ngjethte shtatin çirrja e burrit të bëshëm, rreth të pesëdhjetave me mjekër të zezë, të pistë, e leshrat e lëshuar mbi supe. Uniforma e ushtarakut serb pa grada i rrinte ngjeshur në trupin e majmur, kapela me zhgjyrç ia mbulonte tepën e kresë. Jargët i mbeteshin nëpër mjekrën e zezë, të dendur. Ecte me këmbët zvarrë, duke u përpjekur të mbante drejtpeshimin, por gjithnjë anohej sa gati rrëzohej. Kalimtarët e vonuar me t'iu afruar, i shmangeshin, disa dilnin në anën tjetër të trotuarit.
Ai përpiqej t’i kapte njerëzit në supe, zgjaste dorën t’i mbërthente, u shkonte prapa, por ata shpejtonin hapin, apo e shikonin me pështirosje duke vazhduar tutje.
I dehuri vazhdonte të çirrej telallçe: - Foshnjat do t’i shkojmë në thikë. Nuk e dini çka ju pret,- ia dha edhe një batutë kërcënimi para se ta nxirrte nga xhepi shishen e rakisë që e vuri në buzë, ku mezi shquhej kufiri në mes të mustaqeve e mjekrës.
Ndonjëri nga kalimtarët e kthente edhe një herë kokën prapa sikur donte ta fiksonte në kujtesë pijanecin. Ushtaraku pa grada e kapte shikimin e kalimtarit derisa rrëkëllente rakinë:
-Ç’i ke hapur sytë si viç? - i hakërrohej.
-Ia mbathën miqtë tuaj ndërkombëtarë me makinat e portokallta, ë? U lanë vetëm? Në fyt do t’ju therim, një nga një, - dhe bënte shenjen e prerjes në fyt, duke lëshuar pasthirrma të grahmave të fundit.
Gruaja e re, rreth të tridhjetave, me flokë të zbërdhulur, në ngjyrë mjalti të çelur, me dy kalamajtë për dore, njëri gjashtë vjeç e tjetri katër, kthehej nga qendra tregtare, duke nxituar trotuarit si ta ndiqnin djajtë. Dy qese me zarzavate ia rëndonin duart. Fëmijët e shihnin me interesim të dehurin që qelbej raki kumbulle e qepë, pa e kuptuar gjuhën e tij. I vogli e shtrëngonte ariun e sapo blerë sikur donte ta mbronte nga pijaneci. I madh e futi në xhep “Ferrarin” e kromuar që sapo ia bleu e ëma.
–Mami, mami, çka thotë ky xhaxhi i pistë? - përpiqej të kapte kuptimin e fjalëve të të dehurit, i madhi. Nëna nuk i kthente përgjigjen. Vogëlushi ia përsëriti pyetjen, por prapë nuk mori përgjigje.
Gruaja e shqetësuar nisi të ecte më shpejt, gati sa nuk vraponte. Fëmijët i tërhiqte zvarrë, duke i detyruar ta ndiqnin hapin e saj.
- Kalamajtë tuaj do t’i therim si qengjat! - iu drejtua gruas. Ajo për një çast shtangu, ndërsa ua shtrëngonte duart të dashurve të vet.
Pijaneci e kapi hutimin e gruas, prandaj u përpoq ta zinte për dore. Krahu i mbeti pezull, në ajër, sepse ajo iku e llahtarisur me fëmijët për dore, duke u futur në hyrjen e banesave si pa kokë.
Gruas së re refreni kërcënues nuk i shqitej nga mendja as më vonë. E kujtoi edhe kur e mbylli derën e apartamentit dy herë me çelës, duke e përforcuar me zinxhir e me ngujoren e hekurt prapa. Mjekja Dritë, sikurse e njihnin të gjithë banorët e godinës, jetonte me dy fëmijë në një apartament. Klinikën private që e hapi me një koleg, pasi e dëbuan nga puna, e mbylli dje me dry. Sot nuk vajti fare në punë, ashtu u morën vesh me kolegun. Burri i mbeti në qytetin e lindjes, ku e varrosi para disa ditësh babanë. Mezi u morën vesh me telefon. Ai s’vinte dot, rrugët u mbyllën. Askush s'mund të dilte as të hynte në asnjë qytet të vendit. Shqetësimi i saj rritej.
"Ku e gjeti plaku kohën të vdiste?", ia përshkoi kokën një pyetje pezull, megjithëse zemërimi në burrin që nuk u kthye i mbeti në cepat e trurit.
Mjekja e pa nga dritarja të dehurin në të njëjtën pozitë në trotuar: kalamendej e nuk binte. “Sigurisht e përsëriste refrenin ogurzi”, i tha vetes, ndërsa hiqte pardesynë. Rregulloi vazon e lules në dritare, duke hedhur edhe një herë shikimin përtej. Donte të hapte dritaren që të hynte ajri i freskët, por druante nga shikimi i të dehurit, me krismat e kanatave të dritares do t'ia tërhiqte vëmendjen. Prandaj hoqi dorë nga hapja e dritareve. Muzgu po e mbyllte horizontin.
Agoni, çuni gjashtëvjeçar, sikur ta ndiente frikën e nënës, e cila në një situatë fërgëlloi nga ajri i freskët i dhomës apo nga nata që po vinte, e pyeti:
- Kur do të kthehet babi?
-Nesër, zemër, nesër.
- Nuk dua nesër! Pse nuk erdhi sot? - ndërhyri përvajshëm i vogli, Asdreni. Nëna nuk i ktheu përgjigje.
Asaj nuk i shqitej nga mendja kërcënimi i rezervistit me leshra të pistë. I druante pabesisë së natës, po aq sa i druante policit tjetër rezervist që banonte një hyrje më tutje. Se si iu kujtua pas kërcënimit të të dehurit. Me të rrallë, kur ndesheshin në trotuar, ai e shikonte me pafytyrësi e urrejtje, ajo i shmangej gjithnjë. Burrit ia tha disa herë: “Seç më ngjall krupën ky burrë me uniformë”.
Në kuzhinën e vogël ngjitur më dhomën e ditës nisi të përgatiste darkën. Televizioni jepte emisione të zakonshme. Priteshin lajmet qendrore, sidomos ajo priste një deklaratë të rëndësishme që do ta njoftonte opinionin për fillimin e bombardimeve. Fëmijët, të shtrirë në dysheme, nisën t'u kushtoheshin lodrave, pavarësisht nga njëri-tjetri. Agoni luante luftash me ushtarët e plastikës, makinën e kromuar “Ferrari” e mbante ngjitur me ushtarët, Asdreni shtrëngonte ariun e vogël, duke ia përkëdhelur pushin e qimeve. Nëna nxitonte të bënte darkën. Ajo u druhej dhe i priste me padurim fluturimet e aeroplanëve të NATO-s mbi qytet, por më parë donte që të vegjlit t'i vinte në gjumë. Ata mund të trembeshin nga shpërthimet. Drita e zbehtë e televizorit reflektonte në një kornizë me portretin e dy kalamajve, nënës e babit, në vitrinën e sallonit. Në fotografinë familjare rrezatonin lumturi, babai dukej disi i zymtë, ose drita e aparatit të fotografit e kishte detyruar të rrudhte vetulla e të picërronte sytë.
Ajo u përpoq edhe një herë ta merrte në telefon burrin, por nuk pati sukses. Linjat nuk punonin fare. Nga zemërimi donte ta përplaste kufjen, por i druante reagimit të fëmijëve që do të frikësoheshin. Mbylli dritën e ballkonit dhe shikoi nga dritarja në errësirë. Psherëtiu thellë, pastaj iu kthye përgatitjes së tryezës për darkë.
Gjuetia në njerëz
Sipër dritares së ngushtë të bodrumit Besmir Drini me gruan e dy kalamajtë e dëgjonin refrenin e pijanecit me uniformë. Me ta strehoheshin e motra me dy adoleshentë e me burrin, nënën e të atin nga katundi, pasi ua dogjën shtëpinë. Gjyshja uloke rrinte gjysmë e shtrirë në një kënd pa komunikuar me të tjerët. Kotej e gërhiste.
Nga dritarja e ngushtë e bodrumit rezervistit të dehur, me ecjen e kalamendur, ia shihnin vetëm gjymtyrët, këmbët e këpucët ushtarake me pjesën e fundit të pantallonave. Varësisht nga lëvizjet ua zinte tërësisht pamjen, ose ua lëshonte pak dritë të mektë të pasdites së vërejtur. Fëmijët nuk e kuptonin gjuhën e tij, askush nuk ua përkthente, nga toni e kuptonin se ai diçka shante. Qeshnin me një të qeshur të frenuar, kur i dehuri kalamendej gati sa s'rrëzohej e nuk binte. Ata shikonin anash se mos u thoshte nëna a babai "pssstttt!"
Çdo lëvizje e koordinonin me reagimet e të rriturve. Asgjë nuk pyesnin, shihnin të përqendruar nga dritarja e ngushtë, derisa dikush nuk i largonte që të mos binin në sy nga jashtë. Vetëm një ditë kishin qëkur u vendosën në bodrumin e ndërtesës shumëkatëshe, ndërsa i mësuan ndalesat e jetës në ambient të mbyllur, ku s'duhej t'i pikaste askush. Nuk guxonin të flisnin me zë të lartë, nuk mund të dilnin jashtë, nuk duhej të merrte vesh askush se ata fshiheshin në bodrum. Apartamentin e braktisën nga frika se do t'i bastisnin apo do ta arrestonin inxhinier Besmirin. Dhëndri me gruan e dy kalamajtë erdhën ditën, kur u tha se do të mbyllej qyteti. Askush nuk do të mundë të dilte as të hynte, as zogjtë shtegtarë, pëshpëritej në mënyrë apokaliptike. Kalamajtë rrinin e përgjonin çdo fjalë të të rriturve, duke i hapur sytë tej mase. Shumë gjëra nuk i kuptonin. Sidoqoftë, e dinin që rreziku ishte real, prandaj silleshin në mënyrë të disiplinuar.
#
Rron Gjini vrojtonte nga dritarja e banesës së shokut. Nuk pati sukses me telefonatën, nuk mori vesh asgjë për të. Dritarja binte pingul mbi kokën e pijanecit. "Çfarë mesazhi sillte nga fundi i ferrit, ky lajmëtar i apokalipsit? Profecitë e kujt mëtonte t'i transmetonte?" Përsiaste i riu, duke shikuar nga dritarja gjysmë e hapur. Refreni ia cingëriste veshët. U besonte kërcënimeve të ushtarakut, ndërsa e ngushëllonte veten që do të kalonte shpejt kjo rrëmujë, një natë- dy, shteti mujshar do të hiqte dorë nga kryeneçësia, do të dorëzoheshin, sikur ia bënte qejfin vetes. Pastaj niste të dyshonte në parashikimet e veta. Sidoqoftë, ai synonte t’ia mbathte përtej kufirit një orë e më parë, sa të krijoheshin kushtet. Me t'i rënë euforia, e dinte se nuk mund ta kalonte kufirin, do ta ndalnin rrugës e do ta arrestonin. Bjeshkët ishin gati të pakalueshme në këtë kohë, sidomos për të që s'ishte i përgatitur fizikisht për rrugë malore. Kufiri ruhej me ushtarë e policë. Pamundësia e ikjes përtej e zemëronte, jeta në ilegalitet se si i dukej e shpërfytyruar, ai ishte gjahu, ata ishin gjahtarët, duhej të flinte me një sy hapur si lepuri. Sa herë e mati lartësinë nga dritarja në trotuar për t'u hedhur, nëse policia do të trokiste në derë, por asnjëherë nuk ia merrte mendja se do ta bënte një gjë të tillë, lartësia ishte vrastare, nuk do të shpëtonte, megjithatë nuk donte të binte në dorën e tyre. Kishte parë skena të shëmtuara të atyre që kaluan nëpër burgje. Torturat e tmerronin, "më keq se vdekja", i thoshte shpesh vetes. Më parë besonte se do të ngjitej një kat më lart e në tarracë, nga shpresonte të kalonte në godinën tjetër përmes qyngjeve. Pamjet e ndjekjeve i mendonte ashtu si i kishte shikuar nëpër filma.
Shoku i tij me duar nën kokë rrinte e vrojtonte tavanin gati tërë kohën, edhe atëherë kur bënin debate, rrallë kthehej në krah.
#
Dy kullat e banimit ishin Babiloni kombesh. Nada Nedelkoviq, fqinja e tyre nga hyrja tjetër e pallatit, fare afër tarracës së Rronit, merrej me pastrimin e dhomës. Fshirësja elektrike bënte zhurmë ulëritëse, kështu që nuk dëgjonte asgjë përreth. Seç fliste dikush në kanalin televiziv, ku ajo i ndiqte lajmet e filmat. Pamjet ndërroheshin, fytyrat po ashtu. Asaj nuk i bëhej vonë. Vazhdonte me zell punën, duke e zbrazur një zemëratë mbi tapetin e dhomës së ditës me thithësen elektrike që ngulfatej kur i zihej gryka. I piknin djerset sa nga mundimi, aq edhe nga zemërata. E papunë, pas një kohe të gjatë që e kaloi në infermieri. Lufta mbi qytet i kërcënonte.
Avionët armiqësorë do të përpiqeshin t'i përkulnin, por ata nuk do të dorëzoheshin, ia përsëriste shpesh burri, Strahinja, polic rezervist. Ai ishte optimist se do të fitonin. Nada e shihte me indiferencë, sepse këto fjalë ia përsëriste shpesh. Donte ta besonte si shumë herë deri tash, por nisi ta humbte besimin sa më shumë që i afrohej lufta qytetit.
Strahinja dilte në mëngjes e kthehej në mbrëmje. Bota u kthye kundër tyre, mendonte ajo në heshtje, përderisa tërë mllefin e zbrazte mbi tapetin e butë me fshesën elektrike që vazhdonte të bënte zhurmë.
Në ambulancën ku punonte, nuk shkonte tash sa ditë. Do ta mbyllnin përkohësisht, i tha shefi kur ia kumtoi lajmin. Me të pushuar gjendja e jashtëzakonshme, ambulanca do të vazhdonte punën, sepse i treguan që lufta mund të përshkallëzohej. "Agresorët e NATO-s ka gjasa të bombardonin caqet ushtarake e civile, prandaj duhej të kishin kujdes", i tha si në fshehtësi oficeri rezervist, që merrej me sigurinë e objekteve shëndetësore.
Burri nga mëngjesi as u kthye, as u lajmërua. Ajo u mësua me mungesën e tij. Dikur nuk vinte me muaj. Dy djemtë binjakë i nisi te motra në Serbi një vit më parë. Ishin më të sigurt atje, nuk do t'i kishte brengë. Në mungesë të ndonjë angazhimi u kushtohej dy dhomave e kuzhinës, pastaj ndiqte televizorin, shihte filma dhe priste burrin. Shpesh fliste me të bijtë në telefon. Ata e pyesnin të shqetësuar për gjendjen në qytet, nga larg u dukej sikur këtu po bëhej hataja.
-E zmadhojnë gazetarët, gjendja nuk është aq e keqe sa e thonë, - përpiqej t'i qetësonte në telefon Nada binjakët, përderisa frenonte vajin.
-Mami, pse nuk vini këtu derisa të pushojë lufta? - i flisnin të dy binjakët njëherazi.
- Babi nuk mund të vijë, ndërsa unë duhet të kujdesëm për të, -ua kthente ajo.
Gruaja, zeshkane joshëse, në të dyzetat, nuk pati qetësi që nga dita kur burri i saj u vesh me rroba ushtarake. Qetësia u çrregullua shumë më parë, por luftë nuk kishte. Në heshtje e mallkoi ditën kur ai mori pushkën, karikatorët dhe u nis në kërkim të armiqve. Këtë shqetësim nuk ia tha asnjëherë. Brengat iu shtuan kur nisën luftimet. Burri i saj ndenji disa muaj në terren, por u kthye shëndosh e mirë. S'kishte asnjë plagë, u bë nevrik e agresiv. Shumë grave nuk iu kthyen burrat fare, ose u erdhën të gjymtuar. Shoqet e saj pjesën më të madhe të kohës e kalonin nëpër spitale, duke u kujdesur për ta, përpiqej ta ngushëllonte veten. E brengoste ndryshimi i sjelljes së burrit, që ia tjetërsoi lufta, ndërsa e kujtonte të kaluarën kur ishin më të varfër e më të qetë.
Vonë pasdite, kur e pastroi apartamentin, nxori kokën në dritare. Rrugët po qetësoheshin. Pijanecin me uniformë ushtarake nuk e pa në trotuar. E urrente atë endacak që kërcënonte e rrëfente gjëra të tmerrshme. Nuk e kuptonte pse e lejonin të sillej vërdallë në gjendjen e dehur dhe me uniformë ushtarake. Mbylli dritaret, lëshoi perdet e rënda. Sonte do të nisnin bombardimet, paralajmëronte televizori. Në takimin me banorët e hyrjes së tyre një rezervist u tregoi ku do të strehoheshin. U tha që të fiknin dritat me të dëgjuar sirenat e alarmit dhe të kishin kujdes nga nacionalistët. Ajo u druante sa avionëve, aq nacionalistëve, për të cilët flitej se futeshin befasisht nëpër apartamente, vrisnin dhe ia mbathnin.