| E shtune, 24.03.2018, 10:08 AM |
AJO
QË KËPUTET
QAZIM SHEHU
Këputet zjarr i hijshëm
Nga gravitim i ligjshëm,
Dhe shuhet në hapësirë,
Siç këputet një psherëtimë
Dhe shuhet në brendësi,
Gjëmon kujtesë
E këputjeve pa mbarim,
Këputet një vështrim
Në përvëlim,
Këputet një dorë
Një orë
Në përgjysmim,
Këputet gjysmë e zemrës
Në gjysmën që mbërdhin…
Dhe mendimi për këputjet
Nuk ka mbarim…
KRISTAL
Lot i një fëmije kristalin më të pastër mba,
Sa gjëra të dyshimta kristalit i marrin emrin
Dëshmohen e besohen me shfaqje të tij;
Lot tradhtish për shembull,
Lot qepësh me një cipë të hollë nderi,
Veç kristali reagon me gjak
Në mprehtësinë e ciflës dinake,
Vështrimi kur mugullon pak nga pak
Në llomin e ditëve ikanake…
GRACKË
Gracka të uritura
Gracka të nemitura,
Gracka të urta.
Gracka jo tinzare
Humnera
Në pazare.
Gracka
Laraska,
Përtacka.
Në qetësinë tuaj
Gropa
U kaloj hopa,
Po kur bie brenda jush,
Vetësinë me ju mbush…
FURI…
Vërtiten gjithë mendimet dhe shkojnë
Tek fjalët e dashurisë,
Drejt mineralit të pakët të tyre,
Që shfaq ngjyrën në sipërfaqe
Dhe vetë rri në thellësi.
Eci
Me një lodhje budallaqe
Në sondë të durimit
Drejt diamantit të zi.
SHKËMB
Kujtesa prej guri,
Hidhet shpesh,
Në mote më të bukura,
Të fëmijërisë
Që mbi shkëmb nuk pa rrudha
Po flutura…
Tani rrudha shoh
Fluturat kanë ikur,
Dhe është i njëjti shkëmb
Pa të njëjtat vite….
RËNDOMTËSI…
Ajër i hidhur i rëndomtësisë
Më i hidhur është ai, ajri i mendimit,
Që nuk fryn në dritaret e fjalës,
Ndoshta është ai që na e bie këtë pluhur të dimrit,
Këtë ngushtësi, rrëzë më rrëzë, mes pallateve…
TRUPI
Shpirti del prej tij si pëllumb i bardhë
Nga një shpellë, thelluar prej ijeve,
Njerëzit nuk qajnë atë,
Po trupin që u dorëzohet hijeve…