Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Përparim Hysi

| E enjte, 22.03.2018, 07:31 PM |


Përparim Hysi

 

1.Trëndafili

 

Në kujtesën time do mbetesh

Si një trëndafil i madh dhe i bukur

Dhe mbresa juaj gjithmonë e freskët

Ndaj, dhe tash që shkruaj, jam turbull.

 

Se vjen trëndafili e çel i plotë

Dhe vjen portreti e më rri  përballë

Nga kujtesa ime kurrë s'zhdukeni dot

Dhe do rroni në vizionin tim si e gjallë.

 

Kështu ndodh për shumë e shumë arsye

Se bashkë kaq kohë qemë në sinkron

Jo nuk të haroj, o moj e mira mike

Kimetin burimit  ia di, kur të mungon.

 

2. Ç'është kjo zonjë?

 

Ç'është kjo zonjë kaq elegante

Që më ka veç sharmit dhe nur

Impozante është. Impozante

E pashë dhe rashë "sëmurë".

 

Më zë sëmundja e dashurisë

Dhe fare nuk  kam imunitet

Ndodh që më zë dhe në vërsë të pleqërisë

Se kot nuk jam poet.

 

Poetët bien në dashuri

(Ata dashurojnë tërë jetën)

Kjo zonjë elegante që më "hëngri" me sy

Ma zbukuroi jetën.

 

3.Ka një çast

 

Ka një çast i parëndësishëm

Që të bëhet me shumë vlerë

Një takim i rastësishëm

Zë e zgjatet si përherë.

 

Zakonisht, ndodh me të tërë

( Një takim dhe dikë njohe)

Pastaj bashkë një jetë të tërë

Dhe uron çastin ku ndodhe.

 

Me mua ndodhi, s'jam i vetëm

U takuam fare rastësisht

Bashkë kemi  tërë jetën

Nga një çast si"mbarësihst"

 

4. Para  pasqyrës

 

Hedh vështrimin mbi pasqyrë

(vetja të duket krejt magjiplote)

Bën tualet, makiazh mbi fytyrë

Tash e gjithë bota është e jote.

 

Bën të ikësh, po kthehesh prapë

(Pa dale, ky fustan më shkon a s'më shkon?)

Vete e vjen dhe, mandej, fap

Edhe modelin e flokëve e  ndërron.

 

E di pse ndodh? Ke rënë në dashuri

Dhe do që të dukesh sa më bukur

Merr poza të ndryshme si për fotografi

Asnjëherë nuk je e kthjellët, po turbull.

 

5. Vegimi i syve

 

Vegimi i syve  tuaj të çiltër

Është ende i gjallë në kujtesën time

Ai vegim sysh: behar që përzë çdo dimër

Është rrënjosur thellë mu në zemrën time.

 

Dhe për asnjë çast ky vegim s'ka humbur

Diç më dhëmb kur " vegimin" kujtoj

Kam veç një dëshirë, kur do jetë e mundur

Që atë vegim sysh prapë ta shijoj?

 

6. Gënjejnë të gjithë klerikët?

 

Klerikët që të gjithë gënjejnë,

Kur thonë që vetëm ZOTI shikon thellë në zemër!

Po mua pse nuk ma "fërshëllejnë?"

Pse unë nuk shikoj se  si është jotja zemër?

 

Unë shikoj dhe vërej se si rreh përbrenda

Pra, veç ZOTIT, qenkam dhe unë.

Ajo zemër rreh për mua, ta pret mendja

Tani gjykoni vet: kam apo s'kam të drejtë unë?

 

7. Çdo gruaje

 

Çdo gruaje i pëlqen lavdia

Ashtu siç i pëlqejn parfumet

Lavdia për çdo grua, është dobësia

Ta dini: i pëlqen sa nuk thuhet.

 

Veç lavdisë i pëlqejnë dhuratat

(Sidomos, ca dhurata me vlerë)

Për  dhuratat lë dhe lëvdatat

Nga dhuratat mendja i bëhet erë.

 

Dy "tundime" që një grua mund të dorëzohet

Dhuratat dhe lavdia

Kjo poezi i dedikohet

Çdo gruaje që nuk tundohet nga të dyja.

 

8. "Vizatim"

 

Rrëshkiti rripi i fustanit

Dhe feksi supi i nxirë nga dielli

Syrin ma ngul prej mallit

Buzën lëpin... dhe, mua, më zë vreri.

 

Cullufet e flokëve të shprishura

Që vazhdimisht me gishta i kreh

Vijnë çastet pak si të"kripura"

Të vizatuara me laps, me nge.

 

9. Të kërkosh rrezikun

 

"Të kërkosh  rrezikun

Qenka njësoj si të mëkatosh kundër Perëndisë"*

Këtë thënie unë nuk e kam shpikur

Por e paska thënë një nobelist.

 

Zë e gjykoj veprimet e mia

(Sa herë kokën e kam vënë në rrezik!)

Kam rrezikuar, të më fal PERËNDIA

Për dashurinë, se jam ashik.

 

Të rrezikosh për dashurinë

Unë mendoj se nuk bën mëkat

Jo se dua të sfidoj Perëndinë

Por "rrezikoj" dhe vetes s'i them mjaft.

* në thonjëza, fjalët e ANATOL FRANC (nobelist)

 

10. Dhe duhet

 

Dhe duhet ta gëzosh këtë jetë të shkretë

Kur dhe minutat t'i zhdrrosh në flori

Se sa "vaj ka kandili?", është e fshehtë

Është mirë që në çdo kohë miq të kesh përbri.

 

Kur them  miq (kuptohet dhe mikesha)

Pa femrat jeta   nuk do kishte kuptim

Duhet gëzuar, të buçasë jeta

Dhe ca më bukur: me dashurinë.

 

Dashuria për jetën është qershia mbi tortë

Jeta pa dashuri është si gjysëm vdekje

Dasshuria të jepë forcë sa përmbys një botë

Ode për dashurinë përmjet kësaj vjershe.

 

Tiranë, 21 mars 2018