| E marte, 13.03.2018, 12:25 PM |
MIGJENI
I PENTAGRAMIT SHQIPTAR
Nga Albert HABAZAJ
baladë për Kompozitorin
30 vjeçarit të përjetshëm Kastriot Gjini
(14.07.1949-02.03.1979)
Migjeni i pentagramit shqiptar,
profili i buzëqeshjes Kastriot Gjini-
bukurosh nëpër fletë e gjethe lulesh,
çeli stinën e këngës së gëzimit:
U nxorri lot malli shelgjeve në breg,
lulëzim’ i shpirtit në drit’ të hënës varur,
fejesa e Otit me Anën- rini e dehur,
për Anën martesa- e qeshura e plasur.
Të enjten erdhi dhe iku të premten...
Ah, Dy Mars ‘shtatëdhjetë e nëntë!
Dhe sot kur kujtoj atë ditë fatale vrehem,
nga dhembja,
për një çast
më merren mendtë...
Iku në apogje Kompozitori,
(vërtet që nuk ndodhi apokalips),
një këngë tej vitrinash-apel rinor,
universi muzikor u ndie ligsht.
U trishtuan fijet e barit, u ulën,
ditët ecën të heshtura nëpër llohë.
Në tërë kohët janë këngët e tij,
kurse vdekja e tij në asnjë kohë.
Nderim gjer në paharrim!
Albert Habazaj
Ujë i Ftohtë, Vlorë, e premte, 2 Mars 2018