Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Selam Selmani, inspektor i taksave

| E diele, 11.03.2018, 06:44 PM |


Selam Selmani, inspektor i taksave…

Fragment nga novela* “Jorgo Nanidhi”

Nga Timo Mërkuri

Selam Selmani, inspektori i taksave në bashki kishte një admirim të madh për Jorgo Nanidhin. Burrë si ky nuk gjen në tërë kasabanë - thoshte me vete. I gjatë po, i kollarisur po, i partisë po e po, tërë mënd duhet të jetë se ndryshe nuk e vinte njeri nënkryetar bashkie. Apo nuk rri tërë ditën në zyrë.Me siguri që shkruan vër e vër. Ky more xhan, po të dojë më ngre rrogën dhe rytbenë . Nxitonte ti dilte përpara që ta përshëndeste kur hynte në godinën e bashkisë, gjithnjë me mendimin se do ti fiksohej në kujtesë shokut Jorgo devotshmëria dhe respekti i tij për atë.….

Atë mëngjes Jorgo Nanidhi ecte tërë gaz rrugës për në punë. Me siguri rastësia e kishte takuar në rrugë me inspektore “kunatën”dhe po vinin bashkë duke qeshur. Kur kaloi pranë Selamit, ai dëgjoi Jorgon që shqiptoi fjalët …”Klubi Pulëbardhat”…dhe pasi ja ktheu përshëndetjen Selamit, nxitoi hapin bashkë me “kunatën” e hynë të qeshur në godinën e bashkisë.

Selamit ju tipos në mëndje “Klubi Pulëbardhat” që dëgjoi. Që ky ishte një klub nate me drita të kuqe këtë e dinte Selami, por nuk po i binte në të se pse e përmëndi shoku Jorgo Nanidhi. Befas i shkrepi mendimi se…domosdo që për punë flisnin dhe me atë lokal, vetëm punë taksash mund të kishte bashkia. Me siguri që ai subjekt nuk ka paguar taksat dhe shoku Jorgo Nanidhi e ka zbuluar këtë fakt dhe do ngrejë ndonjë grup pune. Po pse mos ta bëj unë këtë punë e shtyu më tejë mendimin. E realizoj unë si objektiv, ja raportoj direkt shokut Jorgo dhe…mar lëvdatat e përgëzimet . Domosdo dhe vlerësimet për inisiativën dhe mprehtësinë e zgjidhjes së situatave që i kanë shpëtuar nga duart drejtor Simos. Të mos e zgjatim me mendime, por të veprojmë i dha kurajë vetes …

…Selami shtyu portën me xham të ngjyrosur dhe u gjënd në një natë  klubit. Nja dy tri llamba me ngjyra nuk ja ndriçuan qartë  figurën e një femre që  ju afrua. Vetëm kur i erdhi pranë  e pa që nuk ishte faji i dritës elektrike të dobët, por e robaqepëses, që ja kishte ujdisur fustanin si për kukullën Barbi. Se vërtet që vendi është në krizë, por kriza nuk ka aritur gjer në ato nivele të larta. Mund të kishte aritur vala e krizës një pëllëmbë mbi gjunjë por jo një pëllëmbë poshtë belit. Apo nuk qe edhe dy metra femër kjo. Lere , lere. O zot  ç’më prure.

-Urdhëroni ju drejtua zonjusha Selamit duke e matur me sy nga koka në këmbë, si shumë herët ke ardhur sot more djalosh…

-Unë jam inspektori i taksave të bashkisë –nxitoi të prezantohej Selami- dhe kam ardhur të sqarohemi pse nuk i paguani taksat ju…

-Ej djalosh-ja ktheu me të qeshur ajo e gjata fustan shkurtër- ngadalë pak, ngadalë. Në

këtë vend paguajnë taksa ata që vijnë dhe jo të paguajmë ne. Ja përshëmbull zotrote që ke ardhur, sa mendon se do paguash për atë zeshkanen që po e ha me sy, ë, sa?

-Unë zbatoj detyrat që më jep nënkryetari i bashkisë, shoku Jorgo, i shpëtoi fjala  Selamit. Tani, a i shpëtoi fjala a e tha me qëllim që ti ngrinte pazarin e muhabetit dhe prezencës së tij, hajde gjeje …

-Dale, dale pak. Shoku Jorgo the. Dhe papritmas u kthye drejt asaj zeshkanes që ishte tek tubi dhe i foli sikur do ta rihte me fjalë…Moj Gugushe, shoku Jorgo a nuk ishte ai që erdhi pardje te ty? A nuk të thashë moj, që ta bëje vëndin tym e zjarr sa  mos të shihte nga të dilte? Si e ke bërë punën ti, moj shushkë….

-Zonja përgjegjëse- ju përgjigj hazërxhevap zeshkania, avash, avash muhabetin. Ti më the që të bëhej vendi tym e zjarr, por që të bëhët tym e zjarr duhet që ai gjatoli të kishte dyfek e ta shkrepte. Po ai, jo dyfek që s’kishte  por as kobure s’kishte moj xhane. Dhashë e mora, e ula dhe e shtriva, e kontrollova mos kishte së paku ndonjë kalli misri, qoftë dhe hamullor që ta piqnim  kaçe, por ai vetëm një kokër misri të vogël kishte. Dhe atë gjysëm të krimbur. Po pse moj korbë, për një kokër misri do vija në punë unë dy mokrat e mullirit tim? Apo nuk është dhe goxha mulli. Sa për atë gjatolin, dhashë e mora, i fola sa u lodha,  por ai hiç. Jo vetëm kaqë, por në muhabet e sipër atë e zuri dhe  gjumi. Ç’të bëja unë, ti këndoja nina nana? Kështu që se kam fajin unë. Le që ai as që më pagoi fare. Pse për sadaka kam dalur unë?

Selami pa përgjegjësen që hante veten me dhëmbë dhe vriste mëndjen se ç’kishte ndodhur me shokun Jorgo, se për të kuptuar se çfarë tha ajo zeshkania, as që bëhet fjalë.

-Mirë moj Gugushe, mirë. Iku shoku Jorgo po në erdhi prapë, do merem vetë me ‘të. Tani mere dhe kullandrise pak këtë …ç’je ti- ju drejtua Selamit. A, po. Je inspektor i taksave.  Dhe pastaj duke ju kthyer  zeshkanes vazhdoi- Mere dhe kullandrise këtë delenxhi inspektor që të mos shkelë më këtu. Dhe s’dua shumë llafe.

-Aman moj përgjegjëse, po të gjithë pleqtë e rrjedhur e të pjerdhur unë do ti mba? S’ka  ndonjë djalë të ri  ky qytet për mua?. Pastaj sikur u mendua për diçka ju drejtua Selamit … O xhaxha, sa para ke me vete ti.

-Ç’para moj, ku kam unë para. Unë mar para nuk jap. More vesh ti, unë jam inspektor i taksave o kokë... Dhe pasi u mendua pak shtoi me zë të shtruar… Tani, që ta zgjidhim ndryshe këtë punë, dëgjomëni pak. Sa taksa kini pa paguar ju le ti ndajmë fifti fifti, gjysmat unë e gjysmat ju dhe ta mbyllim këtë muhabet.

Kjo metodë e fifti fiftit i kishte ecur  Selamit në disa raste, madje ai e kujtonte një metodë humane, ndihmuese për subjektet, ndaj u shahtis nga reagimi që i erdhi si rrufeja në të kthjellët.

-Ç’farë the ti- bërtiti në fytyrë “zonja përgjegjëse”. Dashke para zotrote. Dhe unë që thashë se mos doje…

Pastaj, duke zgjatur dorën papritur, i mori Selamit nga xhepi i këmishës telefonin celular. Duke qënë një telefon i thjeshtë, në të cilin Selami s’dinte të vendoste kode, me një të shkelur butoni, u hap lista emërore e  regjistrit.

-Tani more zoti inspektor- ju drejtua  përgjegjësia fustanshkurtër e trupgjatë Selamit duke u tundur gjithë naze,-pa më thuaj sa e ke numërin e gruas tënde, që ti them të vijë të marë telefonin këtu, ë, sa e ke? Apo do i thuash vetë që të vijë. E presim ne, e presim, këtu jemi.  Apo t’i themi dhe shokut Jorgo, ë, si thua ti?

Dhe duke marë një qëndrim tepër serioz, madje duke i tundur edhe gishtin para fytyrës , me një zë kërcënues ju drejtua Selamit:

-Dëgjo këtu ti zoti fifti fifti. Na konsumove 20 minuta nga koha jonë dhe këto 20 minuta neve na kushtojnë 3000 lekë. Shto dhe tarifën e shokut Jorgo që do ta paguash ti dhe ajo tarifë është 15.000 lekë, bëjnë gjithsej 18.000 lekë. Që të dalësh qetë qetë këtej, që të mos flasim gjëkundi për ty dhe që të të japim telefonin, pa i vënë në dijeni të gjithë personat e regjistruar në  telefon, dhe sidomos pa vënë në dijeni gruan tënde, paguaj tarifën e mësipërme dhe mbyllet muhabeti. Dakort jemi? Dakort. Vër paratë Selam!

*-Nga kapitulli “Kur shejtani fle, pse e zgjuan”