| E enjte, 22.02.2018, 09:00 PM |
LËRENI DRITËRONË TË PUSHOJË
NGA NDUE DEDAJ
Njëvjetori i shuarjes së Dritëro Agollit u parapri me suplemente kulturore për ditë të tëra, në disa media kryesore, kryesisht me të “pathënat” e viteve të fundit të shkrimtarit, poezi, kartolina familjare, gjer batuda me infermieret në spital etj., çka kulmoi me mbjelljen e njëzet pemëve dekorative në parkun e Tiranës në kujtim të tij. Thua me vete, përse e gjitha kjo? Dritëroi ka lënë pas veprën e tij letrare të shënuar në letrat shqipe, që nuk e tejkalon asnjë nderim publik e mediatik. Të kuptohemi, askush nuk është kundër përkujtimit të një figure të njohur të letërsisë dhe kulturës shqiptare, aq më tepër kur ai nuk është më, por se si tingëllon teprimi me gjestet mirëdashëse, kur bëhet fjalë për krijuesin e “Zylos”, që do të mjaftonte qoftë dhe vetëm ky personazh për ta mbajtur të gjallë autorin e tij.
Njëri nga lirikët më të spikatur të poezisë shqipe nuk fiton asgjë duke i treguar publikut shakatë e fundit jetësore të tij të para një a dy vitesh, kur ai do të dëshironte fort që lexuesi i sotëm të lexonte poemat e tij me aq vlagë poetike për tokën, baballarët, femrën, për të zbuluar aty dashurinë për këtë vend që kaq shumë po e braktisim në kërkim të “tokës së premtuar” të emigrimit. Nëse të gjithë do të mund të ndjeheshim, aq sa u ndje “devolli” gjithë jetën Dritëroi, Shqipërinë do ta kishim më të bukur e më të arrirë. Poetët këtë mund të bëjnë, të na lartësojnë shpirtërisht edhe në kohët kur nuk e kemi të lehtë ta gjejmë busullën. I tillë ishte Naimi, që jo vetëm shkroi poema të fuqishme rilindëse për Shqipërinë e bekuar, gjuhën shqipe, Skënderbeun, natyrën dhe dashurinë, por shërbeu dhe si vjershëtor didaktik për mësonjëtoret e brishta të shekullit të vet. I tillë qe Fishta, poeti i lahutës së malësisë dhe mrizit të zanave, Mjeda i soneteve të lirisë dhe andrrës së jetës. Agolli ishte në vazhdën e tyre dhe të Migjenit, Mekulit, Poradecit, bashkëkohës i Kadaresë, Camajt, Pipës, Arapit, Shkrelit, Podrimjes, Rreshpjes etj.
Një kopsht i blertë me drurë të sapombjellë në parkun e kryeqytetit është tek e fundit vullneti i kryebashkiakut Veliaj, ashtu siç kryebashkiaku para tij, Basha, pati vendosur bustin e një shkrimtari tjetër, Sabri Godës, fill pas shuarjes së tij. Dikush tjetër në vend të tyre mund të kishte zgjedhur për të nderuar të tjera figura të letërsisë dhe kulturës kombëtare, por ndoshta jo kaq të “freskëta”. Pse jo, dikund në kryeqytet, andej nga liqeni artificial, mund të ishte improvizuar “liqeri” i Lasgushit, nga rrëza e Dajtit një copë “bjeshkë” e Camajt, diku tjetër selia e “Albanies” së Konicës etj. Është e njohur mjellja e pemëve, në kushtim të njerëzve të shquar, siç bëhet për aktorët në oborrin e Teatrit Kombëtar etj., por para se të mbillen ato për artistët e sapoikur, e mira do të kishte qenë që të mbahej “gjallë” vepra e tyre. (Personalisht, në rastin e Dritëroit, do t’i kisha nxitur nxënësit dhe studentët, por dhe gazetarët e kulturës, të lexonin një nga veprat “periferike” të tij, për të cilin pak kush flet, romanin “Trëndafili në gotë”, qysh në titull një libër modern, le pastaj për nga shtjellimi artistik, që nuk ka asgjë të përbashkët me kanunin letrar të realizmit socialist.)
Nuk është kjo mënyra për të krijuar panteonin e letërsisë shqipe. Nuk mund ta bëjnë kryebashkiakët atë. Lypet një vullnet më i epërm, vetëm sovrani e ka të drejtën të vendosë për gurët e memorialë të historisë.
Familjarët e cilitdo, person i thjeshtë apo personalitet kulturor, janë në të drejtën e tyre, në nderimin edhe me “tepri” që i bëjnë të vetit, kurse shoqëria ka metrin e saj institucional. Mediat serioze dhe institucionet publike maten shtatë herë para se të presin njëherë, siç thotë fjala e urtë e popullit, as të mos mungojnë në vlerësimin e dikujt, as të mos e teprojnë me nderimin e dikujt tjetër. Ata nuk nisën nga ndjeshmëria e të afërmve, por nga çfarë dhe si gjykojnë për këtë apo atë figurë katedrat universitare, institutet dhe akademitë e vendit. Jo rastësisht në njëvjetorin e Dritëroit nuk dimë të ketë patur ndonjë vëmendje nga shtypi i Kosovës, jo se shkrimtari nuk është i vlerësuar dhe atje, por thjeshtë se në Prishtinë nuk ka patur ndonjë spunto për këtë përkujtim.
Sa i përket përkujtimit të përvitshëm të figurave të letërsisë dhe kulturës kombëtare, na duket një stil i kapërcyer monist, kur ishte bërë modë të përkujtoheshin çdo vit dëshmorët, heronjtë, brigadat partizane, betejat dhe festa e çlirimit të rrethit etj. Një shkrimtar, një artist nuk është një hero! Atij nuk i vlejnë dekoratat dhe medaljet “partizane”, aq më tepër ato të bashkëkohësve. Realizmi socialist kishte një presidium shkrimtarësh, ndër të cilët dhe të dekoruar me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, por që sot nuk janë nëpër antologji dhe thuajse nuk përmendën, si të mos kishin ekzistuar. Ndërsa letërsia e së ashtuquajturës “Periudhë e Pavarësisë” nuk kishte një presidium zyrtar, përkundrazi ishte e larmishme sa u përket rrymave letrare, ndaj sot figurat e saj nuk paguajnë ndonjë çmim të shkollës së tyre krijuese, apo të qenurit afër apo larg me regjimin. Kurse në kohën e sotme ky është një “kriter”, që për disa zbatohet e për disa jo.
Këtu nuk është fjala për shkrimtarët e rendit të parë që e kanë kaluar “Rubikonin” në periudhën e pluralizmit me veprën e tyre letrare komplekse të pandërprerë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Petro Marko, Fatos Arapi, Dhimitër Xhuvani, Vath Koreshi, Skënder Drini, Xhevahir Spahiu, Ndoc Gjetja, Mimoza Ahmeti, Fatos Kongoli, Koço Kosta, Odhise Grillo etj. Ama ka të tjerë emra që presin vlerësimin e historisë së letërsisë për veprën e tyre të shkruar në atë periudhë. Ashtu si Agolli në forumet drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ishin dhe Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Kolë Jakova, Bedri Dedja, Luan Qafëzezi, Ali Abdihoxha etj., por askush nuk i zë në gojë. E jo vetëm këta, që ishin politikisht më pranë kupolës, po dhe për figura të tjera disi të menjanuara, si Nonda Bulka, Andrea Varfi, Sterjo Spase, Adelina Mamaqi, Vedat Kokona, Dhori Qiriazi, Gjergj Zheji, Filip Ndocaj etj., rrallë kush kujtohet. Ndërkohë që kanë mbetur sërish larg mediumeve letrare shkrimtarët e persekutuar në regjimin e kaluar, si Kasem Trebeshina, Zef Zorba, Mehmet Myftiu, Kin Dushi, Bilal Xhaferi, Pano Taçi etj.
Edhe në këtë kontekst, ta lëmë Dritëroin të prehet! Të merremi me veprën e tij letrare të zgjedhur.
Gazeta “MAPO”, 07. 02. 2018