| E shtune, 10.02.2018, 06:11 PM |
Në Austri shënohen gjithanshëm datat
historike kombëtare
10 vjet pavarësi e Kosovës, Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu të ndërlidhura me Vitin e Kulturës Shqipëro-Austri
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Fillim aktivitet
Ky vit është shpallur Viti i kulturës Austri-Shqipëri. Ambasada Shqiptare në Vjenë dhe Departamenti i Kulturës së Ministrisë Federale për Evropën Integrimin dhe Punë të Jashtme të Austrisë e fillojnë shënimin me koncert të muzikës klasike shqiptare, nga Kuarteti i Harqeve i Orkestrës së Radio Televizionit. Theks i veçantë do jetë bashkëpunimi kulturo-shkencor mes dy kombeve, i kontakteve të dy kulturave dhe një rinjohje e re me moton: ”Rizbulimi i të përbashkëtave”. Në këtë rast do të promovohen vepra ati, nga kultura, shkenca, me përparësi krijuesve të rinj. Në Palais Echenbach u mbajte koncerti i klasikes në hapje të të cilit mori pjesë dhe Roland Bimo, Ambasadori i Shqipërisë në Austri. Ishin të ftuar dhe shumë diplomat, miq e veprimtarë nga radhët e vendeve mike. Instrumentistet Albana Kola-Axha, Aristidh Prosi, Gëzim Bulçari e Blerta Ristani- Jakova, luajtën me sukses pjesë nga Prekë Jakova, Valton Beqiri dhe Dmitri Dmitrievich Shostakovich, duke entuziazmuar publikun e cili e shpërbleu me duartrokitje të gjata.
Vit Kulturë dhe ...
I gjithë aktiviteti do jetë gjithashtu i lidhur me 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe 10 vjet pavarësi e Kosovë të cilat do shënohen me shumë aktivitete në Austri të organizuara nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovë në koordinim me vendorët dhe shoqatat shqiptare. Të dy ambasadorët z.Roland Bimo dhe z.Sami Ukelli, me rrethet e tyre përcaktuan strukturë e programit duke bashkërenduar veprimet me institucionet vendore. Këto dy data historike dhe Viti i Kulturës Shqipëri Austri, jenë momente të mirëseardhura në rikujtimin e rivlerësimin e gjithë atyre veprimtarëve e miqve tanë që dhanë ndihmë për lirinë dhe bërjen e shtetit shqiptar.
Vjena ishte kryeqytet kulture në mes të Evropës ku linden
dhe vepruan figura madhore në historinë shqiptare nga të cilët duhet veçuar
themeluesin e studimeve albanologjike, Norbert Jockli, i lindur nga prindërit
hebrenj, për çka dhe depërtohet në kampet fashiste duke humbë çdo gjurmë rreth
tij. Ai ishte albanologu meritor në
hapat fillestar të afirmimit të gjuhës shqipe dhe hulumtimeve albanologjike.
Nëse dikush meriton dekoratë nga kombi ynë tani në këto data rikujtimi, është
pikërisht ai. Pastaj, Franz Nopesa i njohur me fototekën e tij etnografike
shqiptare dhe mik i madh.
...
gjenitë
Një lidhje e fuqishme respektuese mes dy kombeve janë gjithashtu dy gjeni me origjinë shqiptar Karl Rither Gega dhe Aleksandër Moisiu, kurse katër shekuj më parë kryekomandanti i Ushtrisë Habsburge dhe Guvenatori i Vjenës, Gjergj Basta. Ai la emër jo vetëm si komandant në luftë, por edhe në artin ushtarak në veprat e shkruara.
...pak histori
Në historinë e kulturën shqiptare Vjena ishte dhe mbetet qendër e respektuar ku vepruan shumë figura të njohura historike nga të gjitha lëmitë. A mund të kalojmë pa përmendur këtu emrin e Norbert Joklit, Franz Baron-Nopsca. Leo Freundlich, Jakob Philipp Fallmaerayer, Johanenes Gerog von Hahn, Gustav Mayer, Jan Urban Jarnik, etj të cilët vunë themelet e njohjeve mbi gjuhësinë, kulturën, etnografinë e historinë e lashtë shqiptare. Ata ndihmuan në hapjen e shtigjeve drejt njohjeve të shqiptarëve nga popujt tjerë, të cilat u vazhduan të pasurohen edhe nga studiues shqiptarë në Universitetin e Vjenës, Gracit e Insbrukut. Nga këtu shndritën dhjetëra emra tani të njohur të kombit shqiptar: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Dr. Gjergj Pekmezi, Hil Mosi, etj.
Një shekull më parë studentët shqiptarë themeluan shoqëri
të fuqishme, gjurmët e veprimtarisë së të cilave mbetën të ndritura në
historinë e formësimit kombëtar. Shoqatat: “Liria” e cila më vonë u quajt
“Dija”, “Djalëria Shqiptare” e cila më vonë u quajt “Albania” të cilat botuan
revista e gazeta nga të cilat më të njohura ishin revista “Djalëria” dhe
gazetat “Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva” ,,Albanische Corespondenze”,
“Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”, etj. Aty botuan shkrimet e tyre
figura me peshë në historinë tonë kombëtare si: Hil Mosi, Dervish Hima, Dr.
Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Vasil
Laboviti, Lasgush Poradeci, Sokrat Dodbiba, Irakli Buda, Nush Bushati, Gjevalin
Gjadri, Kolë Mirdita (Helenau), Rrok Gera, Rrok Maliki, Rrok Kolaj, Filip
Papajani, Dr. Omer Hamiti, Sokol Sopoti, Rrok Stani, Terik Bekteshi, Hasan
Ceka, K. Hobdari, Gjon Temali, Krist Maloki, Kristo A. Dako, Ndoc Naraçi, Kolë
Kodheli, Krist Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec
Çurçia, Ndoc Krajni e të tjerë.
Përkrahja e organeve austriake në
shkollimin e studentëve shqiptarë, kulturës e gjuhësisë shqiptare vazhdoi pa
ndërprerë deri në ditët tona. Kjo u duk në veçanti gjatë viteve të luftës në
Kosovë, ku shteti austriak ndau bursa për të gjithë studentët nga Kosova.
Pa dyshim vendi mik në ballë të tribunës së nderit për ne
shqiptarët është Austria, i cili në momentet vendimtare e mbështeti kauzën
shqiptare. Nga këtu me bekimin e shtetit të Austro-Hungarisë u nis Ismail Qemali
drejtë Durrësit e Vlorës për të shpallë mëvetësinë e Shqipërisë në ato pak
territore të cilat akoma nuk ishin pushtuar nga forcat grabitqare të shteteve
fqinjë. Nga Vjena bisedimet shqiptaro-serbe rreth së ardhmes së Kosovës, doli
përfundimi logjik, se Kosova duhet marr rrugën e vet përmes Planit të
Ahtisarit, Ky bashkëpunim u vazhdua në hartimin e planit për pavarësinë e
Kosovës, ku diplomati austriak Albert Rohan u dallua me qëndrimin e tij
konsekuentë, i cili Plan, Kosovës i dha bazën fillestare të shtetit të pavarur.
Politika austriake e shprehur përmes emrave Alois Mock, Vicktor Klima, pastaj
Ulrike Lunack dhe publicistëve analitik të njohur mes të cilëve dallohej Christne
Von Kohl korrespondente e “Die Presse” në Beograd, përbejnë themelet e
respektit tonë, edhe për nesër.
... programi
Aktivitetet programore do prezantohen paralelisht në të
dy vendet, nga të cilat për mërgimtarët tanë në Austri, prej atyre në vazhdim do
veçonim, diskutimin prezantues “Lider” nga Ministria Federale, “Letërsi, lexim
letrar” në Kunst Galeri; “Film për familjet austriake në Shqipëri”, “Vepra nga Kujtim Çashku”, “Mbrëmje, film
dokumentar shqiptar” TV-Shën Tereza- ikonë e shekullit”, Teatër- “ Nëntori
Shqiptar”; Ekspozitë e Kolë Idromenos; Alte Schmiede, “Lexim me Ismail
Kadarenë”; “Ekspozitë e veprave artistike shqiptare” dhe në përfundim do bëhet
vendosja e bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Vjenë.
Kurse nga Ambasada e Republikë së Kosovës
janë paraparë takime me diplomatë dhe media, Ekspozitë rreth raporteve lidhëse
historike e kulturore mes Kosovës dhe Austrisë. Nga shoqatat shqiptare në
gjithë Austrinë do shfaqen programe artistike e sportive në shënim të 10
vjetorit të pavarësisë.
Albana Kola-Axha, Aristidh Prosi, Gëzim Bulçari e Blerta Ristani- Jakova