Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: 'Eh, more biri im...'

| E diele, 04.02.2018, 11:12 AM |


Sejdi BERISHA:

SI RETROSPEKTIVË E KUJTIMIT TË BABAIT TIM NË SHËNIMIN E 70-VJETORIT TË LINDJES SIME...!

“...More biri im,... edhe Ty të paska kaluar një grimë jetë. Të mbaj mend si fëmijë. Edhe atëherë me shpirt rebel je rritur, por ke qenë shumë i ndjeshëm e me mall të madh për familjen dhe popullin.

Po e shoh edhe në këta tituj që po ma kujtojnë rrugëtimin tonë. Ah, sa i keq që je more djali im. A të kam pas thënë se duhet të jesh më i fortë, e,... këto vepra i paske shkruar me zemrën e zemrës që edhe tash më përmallojnë.

Njëherë, të kam pas thënë se kafshatën e bukës do ta heq nga goja vetëm e vetëm që ti të bëhesh njeri i vetvetes, njeri i kësaj toke. E paske tepruar. Paske dalë edhe përtej amanetit tim, që tash më bën krenar dhe sërish më ke kthyer në jetë.

Të gjitha i paske kombinuar, o biri im, edhe tronditjen, edhe çmendinë, edhe feniksin, edhe pritjet, edhe gabimet e stinëve që në cep e sjellin kohën. Paske shkruar edhe për vrasësin e gjumit, për heraldikën dhe lumturinë e dhembjes. Plagët i paske hedhur në vargje si në pikturë, kurse, fjalën e gjakut e paske ngritur në lartësi për ta luftuar shpërputhjen e kohës edhe pse nganjëherë të shoqëron vetmia.

...Eh, more biri im, po shumë qenke plakur duke shkruar e kënduar këngë për jetën, po shumë paske rrugëtuar.

Ani. Se,... të tillë të kam menduar, ashtu të kam mësuar. Mos u lig biri im, ke edhe do kohë për të kënduar këngë të reja.

...Eh, more biri im,... sa i kënaqur dhe krenar që jam...”!