| E merkure, 31.01.2018, 06:42 PM |
TAHIR BEZHANI
RRUGËT E VDEKJES...
Besniku akoma i ka të freskëta ditët e vështira të luftës së fundit që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës për lirinë e trojeve tona nga robëria serbosllave. Sa herë që e merr për bisedë atë kohë,posaçërisht ditët e fundit të prillit 1999,sytë i mbështillen me lot,fytyra i zverdhet,lëkura i rrëqethet,qimet e flokëve i ngjiten lartë si të ishin gjëmba të iriqit. Bile,nuk dëshiron të hapë atë temë lufte,për arsye se i tëri ndryshon në pamjen e tij...
Shikimi tretet dika pa cak,qëndrimi fizik i plogështohet, vetëm lëviz me duar,kërkon çakmakun dhe duhanin, që sa më parë të ndezë një cigare, për të ikur nga kujtimi i hidhur i ditëve të përjetuara të luftës. Nuk ishte i vetmi Besniku që kishte përjetuar gjëra të tmerrshme,ato ishin pjesë e secilit shqiptar të Kosovës,por dallimi ishte në specifikat e përjetuara,sakrificat mes jetës e vdekjes nga minuta në minutë. Kush ishte ai që kishte shpëtuar pa përjetuar gjërat më të papara në jetë?!...
Mere me mend se çfarë do thotë të kesh punë me një barbar siç është serbi!...
Ai të shkatërron jetën në liri,e le më në luftë,thoshte Besniku,dhe me këtë dëshironte të tregonte që mos të bënin asnjë bisedë rreth luftës....
Pas shumë vitesh në kurbet,Ylberi,kishte takuar mikun e tij te luftës,Besnikun,me te cilin kishin marrë pjesë në disa aksione lufte ku e donte nevoja. Por, si qendër kishin shtabin në fshatin Qëndresë të Malësisë. Sa qenë në luftë, jeta i pati sprovuar në shumë rreziqe, por kishin shpëtuar. Në biseda mes tyre, shpesh i thoshin njëri tjetrit “ a të kujtohet kur kaluam kufirin me armë, a e mban mend kur shkëmbyem zjarr me forcat serbe poshtë kufirit dhe shpëtuam vet e armatimin që banim?...”
Mes tyre ishin ndezur emocionet e një kohe të kaluar tash e afër njëzet vite më parë, por mënyra e bisedës të bënte kureshtar sikur ngjarja kishte ndodhur dje. Nuk e kishin mbarimin evokimet e një kohe plot sakrifica, por edhe krenari, që lufta bëhej për liri. Të dytë ndalën bisedën. Vetëm shikoheshin mes veti, disi përmallshëm. Shikimet mes njëri tjetrit, bashkë me mendimet e tretura, flisnin më shumë se një lexim romani....
Mes veti u ndanë atëbotë, kur u kërkua arsyeja e shpëtimit të familjeve nga agresori serb,i cili nuk ishte i gatshëm në përballje lufte, por dëshironte të kryente gjenocid, të vriste pleq,fëmijë, gra plaka, të dhunonte, e të digjte çdo gjë para vetës.
Bënin roje në një cep të fshatit Qëndresë, kur morën urdhër që të shkojnë në shpëtim të familjeve të tyre. Që atëherë nuk u takuan më, gjer në verën qe sapo iki. Ylberi kishte dëgjuar për mikun se kishte shpëtuar nga lufta, por mënyrën se si kishte shpëtuar e kishte dëgjuar gojë pas goje. Andaj, nguli këmbë dhe kërkoi t’i tregoi rastin më gjerësisht, miku i luftës, shoku i ngushtë i tij, Besniku. Bile, edhe Shkëlzeni e Majlindi, dëshironin ta dëgjonin rrëfimin e Besnikut. Kishin dëgjuar peripeci shumë interesante të asaj kohe!..
Pas disa shtrëngimeve e përftesave, Besniku mori guximin dhe nisi rrëfimin fill e për pe, se si qe rasti i fund prillit 1999, kur iku me familje për në Shqipëri.
- E more Ylber miku, ku nuk të fut edhe ti me kërkesat e tuaja kaq këmbëngulëse!...
Ti e di Ylber- filloi rrëfimin Besniku, se familjen time i kisha tërheqë nga Qëndresa me kohë dhe i kisha vendosur te miku i shtëpisë,në fshatin Luginë, duke menduar se atje është një situatë më e qetë. Kur morëm urdhërin nga Shtabi që të shpëtojmë familjet, kush i ka në rrezik, unë dorëzova armën deri në rikthim dhe vesha rrobat civile, e u drejtova kah fshati Luginë, ku e kisha shoqen me tre fëmijë dhe axhën e moshuar e sakat. Pasi eca katër orë këmbë, iu afrova Luginës , por nuk guxoja të hyja te miku nga frika se mos ka ndonjë pusi të forcave serbe, ose ndonjë përgjim me dylbi a forma tjera....
Shtëpisë iu ofrova për nja 300 metra larg, por nuk lëvizja vendit ,qëndrova buzë mali deri në terr të natës. Nga vendi ku isha, vëreja mirë pozitën e shtëpisë, shikoja rrugët dhe lëvizjet e njerëzve. Nuk vërejta asnjë lëvizje të dyshimtë. Lëviznin vetëm familjarët dhe fqinjët, të cilët hynin e dilnin shpesh te njëri tjetri, duke u organizuar për ikje. Me bashkëshorten time isha akorduar që të mbante mend shenjën e thirrjes sime, për të hapur derën e jashtme dhe të brendshmen, që të futem brenda pa asnjë zë, thirrje apo klithje tjetër. Bile,ishim dëgjuar që as fëmijët mos të dinë deri të dalim nga shtëpia për ikje. Por nuk qe e nevojshme këtë herë përdorimi i sinjaleve tona....
E dija se fëmijët i ka marrë malli, ashtu si mua, por kisha frikë që nga gëzimi të flasin me të madhe, e rruga nuk ishte fort larg. Sapo hyra brenda, pyeta për xhaxhanë, ishte i vjetër e sakat në këmbën e djathtë dhe nuk e kisha parë disa javë. Sa u gëzua! Përpiqej të ngrihej e të më përqafonte....thoshte,”jam frikuar se po vritesh në luftë”,e qante!...
U ula pranë tij, e përqafova dhe me gisht ia bëra shshshttt, duhet të ikim për Shqipëri. Ai vetëm më shikoi e heshti. Shoqës i thashë bëje gati axhën, pastaj fëmijët. Tregoi mikut në dhomë lart se jam këtu, por mos t’i thotë askujt tjetër derisa të dalim nga shtëpia. Pas mesnate u zgjuam në heshtje . U takuam me ata që nuk ishim takuar, u përshëndetëm dhe në qetësi, secili me mjetet e veta dilnim me radhe jashtë shtëpisë, drejt qytetit të Gjakovës. Fëmija të përgjumur, kur më panë, u gëzuan e më përqafën gjatë. Babi kur ke ardhë, me pyetën? Para një ore u them dhe i përqafoj fort! Më kishte marrë malli!
Pas përqafimeve, u tregova se nuk duhet të bëni asnjë shamatë, rrini të qetë.
Kisha një traktor të një miku, e kishte lënë aty për nevoja përdorimi. Unë u vesha me do rroba shumë të vjetra, të arnuara, i ngjaja një punëtori stallash. Kështu më thoshin. Tjerat i kisha në një valixhe. Fytyrën e kisha bërë të pluhurosur, flokët e pa krehura si dëllinjë mali. Gjithsesi, edhe shoqja ime, Burbuqja, kishte ndryshuar fytyrën, dukej si një plakë mbi të 60-ta,kishte vënë edhe një shami e veshur kule, me lloj-lloj ngjyrash si jevge. Nuk më dukej bashkëshortja ime. Xhaxhi ashtu e kështu, ishte shumë i vjetër, i sëmurë, këmba iu kishte enjtur fort dhe kishte filluar t’i kullojë qelb.
Pasi u rregulluam me ulje në traktor,mbi do dërrasa prapa, kisha ofruar një valixhe me gjësende për rrugë, bashkëshorten, ndërsa prapa, në rimorkio të vogël, axhën me tre fëmijë. Axhës i thashë se kushdo që të flasë me ty, ti mos fol, do u them se je memec . Me ndjellje të fatit të mbarë ,u nisa drejt qytetit të Gjakovës. Sapo dola në rrugën e asfaltuar, në orët e hershme të mëngjesit, u futëm në kolonë e cila nuk e kishte askund mbarimin. Ecnim në atë kolonë duke mos ditur se as ku jemi duke shkuar, në çfarë drejtimesh....
Sipas thash e thënave, mendoja se do shkojmë për Qafë Prush e në Shqipëri, Letaj-Kukës e pastaj.....Kur mbërrimë në Gjakovë, pamë qytetin flakë në katër anë,flakë digjej i tëri. Sa tmerr ishte të shohësh vendin tënd në flakë!... Në fund të qytetit hasem në punkt të policisë,të cilët, të armatosur deri në dhëmbë,na dhanë shenjë të ecim rrugës drejtë Prizrenit. Nuk na ndaluan për fat. Deri në Xërzë e përballova disi rrugëtimin. Nga aty e tutje, shiheshin njerëz të vrarë anash rrugëve. U liga, më lëshoi fuqia e trupit. Nuk më mbeti fije gjaku në fytyrë. Nuk di se si e grahsha traktorin, atë makinë të vdekur si unë. Çdo punkt policie ishte tmerri im. Mendoja se po më identifikojnë se jam nga fshati Qëndresë, aty ku ishte Shtabi i UÇK-së, dhe nuk pritja asnjë fjalë tjetër pos plumbave në trup. Qëndroja si robot mbi makinë . I thashë bashkëshortes se tani e tutje, kur të takojmë policë serb, me picko trupin me sa fuqi që ke, mos më le mishin e trupit rahat, zgjomë nga “agonia” e frikës. Nga kolonat e gjata, ecja ishte e ngadalshme. Kur arritëm në Krushë, Piranë, anash rrugëve shikova disa njerëz të vrarë. I kishin vra e lënë me qëllim që të fusin tmerr në popull.....
Besniku ishte zbehë në fytyrë. Goja iu kishte tharë duke rrëfyer ngjarjen e tmerrshme. Shkëlzeni e Majlindi e vërejtën dhe i folën Ylberit të vogël te veshi; ndërpreje pakës, të pushojë!...Ylberi, tani i stepur nga rrëfimi i tij, vërtetë u çudit kur pa sa ishte zverdhur në fytyrë...
-Prit, prit pakës!.... pije pak uji dhe na trego diç tjetër, e pastaj prapë vazhdon!...i foli Ylberi. Besniku ,i befasuar, ndërpreu rrëfimin e ngjarjes, duke mos e hetuar zverdhjen në fytyrën e tij dhe iu drejtua Ylberit:- e çka do tjetër Ylber?... Eeeee!...tani na trego se a të kishte pas marrë malli për grua, pas aq kohe në luftë, a mund e skajove kund?.... Plasën të qeshurat mes shokëve. Sa interesant që je o Ylli! Nuk i harron as ato punë ti!...
Disponimi iu rikthye në fytyrë Besnikut. Malli që kishte për shokët, e ndarja disavjeçare, e bënte të vetën. Ndezi një cigare, piu ujë dhe filluan shakatë. –Fol,fol,a e skajove qosheve gruan,fol!.... -Hahahahaaaa!- U dëgjua larg e qeshura e katër shokëve të luftës. Ti je si ato dy mizat që ta presin hundën kur teken,Ylber-foli Besniku. Nuk të ikën qafe pa të treguar diçka.. dhe filloi t’u flasë me zë të vogël...
Paj, po ore burrë, edhe atë punë e bëra!.... Luftë ma... nuk i dihet momentit!.. Në front plumbi fishkëllen rreth kokës çdo minutë... Atë që e ke afër, shfrytëzoje, timen e kisha... Hëëë! A u bëtë çirak që u tregova?....Lufta ka edhe dashuri. Ju nuk keni qenë në Kukës, aty ku ishte vendtubimi i kosovarëve, vend parkimi i traktorëve mbuluar me plastmase, plafa e sixhade. Të gjithë traktorët e parkuar,pas mesnate luhateshin nga vendi,thuajse po i shtyn një erë e fortë.... Por, paraprakisht, secili u vinte pengesa nën goma, nuk shkonin larg traktorët,luhateshin në vend....
-Hahahahaaaaa! Ishin të qeshura të gjata, deri sa u dilnin edhe lotët nga ky insert i jetës nën plumba... Shqiptarin nuk ka forcë që e fshin nga faqja e dheut, ringjallet si feniksi....
-Mirë,mirë! Tani mos hezito, na rrëfe rrugëtimin e mundimshëm nga aty, ku e le më parë! Kërkuan të tre shokët njëzëri. – Eee!..po, ku e lash, më ndihmo Ylli, harrova! –Biseda qe te Krusha e Pirana!...Tamam aty! Nuk vonuam e hymë në Prizren. Edhe aty një punkt i policisë serbe, drejtonte kolonën kah Shqipëria. Frika kishte arritur kulmin,shumë u ligështova! Kisha fëmijë,2-4 vjeçar, axhën e sëmurë, ushqimet ishin në sosje, vetëm ofshamat e axhës nga dhimbja, kisha mjaft,le më të tjerat.
Kur kalonim afër policëve,tani më nuk më bënte punë pickimi i duarve të gruas, për të më larguar vëmendjen nga vrasja e çastit. I thash gruas hiqe gjilpërën nga shamia dhe kur të ofrohemi afër këtyre xhelatëve, ngule në trup, kofshëve të mia, mos e ke dert, vetëm ma heq vëmendjen nga tmerri. Ashtu edhe vepronte e ngrata. Ishte lodhë nga rruga, merzitë, sfilitë tej mase edhe ajo. Nuk i kishte mbetur një grimë forcë në duar. Prapa në rimorkio, fëmijët e lodhur filluan të qanin, axha me zor duronte dhimbjet.... Ecnim rrugëve të vdekjes...
Rruga drejt kufirit ishte drejtë. Përtej Prizrenit,anash rruge, vërejta një plak të lënë si një leckë,të lodhur skajshmërisht,sa mezi foli me gojë. Ndalova traktorin, e kapi para duarve dhe e ula afër axhës tim dhe fëmijëve. Pakës ujë aman,dëgjova kërkesën e tij. I ofrova shërbimin dhe filluam rrugën. Dy prilli na zuri në fshatin Zhur. Nuk e kishim edhe aq larg kufirin, por kolonat e gjata dhe lodhja, ishin bërë të pa durueshme. Sa kaluam Zhurin, më thonë fëmija nga rimorkio,”bab, plaki është shtrirë, diçka ka!....” Ndaloj anash rruge traktorin,e shikoj plakun e gjorë, kishte vdekur! Sikur m’u nda koka përgjysmë!.. Kah t’ia mbaj ,pyeta veten?!....
Fika traktorin, mora kufomën në shpinë dhe shkova buzë liqenit ,gjeta një vend dhe po groposi me një lopatë, për fat, të harruar në rimorkio, me gjysmë bishti. Nuk pata fuqi të gropoj më thellë se 50 cm. Isha i rraskapitur i tëri. E varrosa plakun e panjohur, buzë një gardhi e dy pemëve. Ia hodha edhe disa dru që gjeta afër, me qëllim që mos të shpurdhin egërsirat trupin e tij. Shikova pozicionin rreth e rreth, fiksova mirë vendin se ku e varrosa, duke menduar se dikush do e kërkonte dikur....
Kufiri ishte aq afër e aq larg meje e familjes sime,herë sa toka e qielli,herë sa mishi e thoni.. Lodhja kishte bërë të veten. Katër ditë rrugë me traktorë përmes hienave,ishin të rënda. Me tre prill, në orët e para të mëngjesit,u futëm në Kukës. Na u duk se lindëm për së dyti. Nga gëzimi filluam të qanim. Nuk besonim se kishim dalë të gjallë. U përqafuam gjatë, me lot në sy. Kjo tokë e shenjtë, ky popull i mrekulluar,Zoti i bekoftë!
Pasi pushuam nga gjithë ajo lodhje, dola të bëj hall për strehim me familje . Kur u ktheva, axhën e kishin marrë me helikopter ekipet bamirëse ndërkombëtare. E kishin dërguar në një Klinikë në Tiranë, duke menduar se është plagosur në luftën e fundit, por analizat kishin rezultuar realisht me infektim të thellë të plagës së vjetër. U deshën tre javë mjekim. Në Tiranë u vendosa me një banesë, duke pritur shërimin e plotë të axhës. Koha kaloi shpejt dhe pas tre muaj u kthyem në Kosovën e lirë. Nuk kaloi shumë kohë, axha vdiq. Tani jetojmë në lirinë e merituar, por me nga pak gabime e nguti politike, disi sikur i kemi harruar gjitha ato vuajtje për të gëzuar lirinë të gjithë barabartë....
Pas gjithë atij rrëfimi, kur e mbaroi, disi sikur u lirua nga një peshë mbi kurriz, ofshani thellë, kërkoi ujë dhe nxori një fitil duhani për ta ndezë. Duke shkrepur me çakmakun e tij, pëshpëriti si ndër hundë, duke iu drejtuar Ylberit e shokëve,ja kjo ishte e gjitha, me sa kam mbajtur mend ,miqtë e mi te dashur. Këto janë peripecitë tona rrugëve të vdekjes....
Një pushim në heshtje ,sikur e meritonte Besniku. Për ta lënë, bile të mbushej ajër në qetësi, pas rrëfimit maratonik e plot sakrifica jete. Të humbur në mendime dukeshin të gjithë. E shikonin Besnikun si një legjendë, si një njeri të lindur dy herë gjatë rrugëtimit rrugëve të vdekjes.....
-O Ylli, pasi të pushojë Besniku, pyete të lutem, si u bë me atë plakun që e kishte varrosur buzë Liqenit! –Auu! –harrova krejt! Po, tani do e pyes.
-Besnik, te lutëm na trego se si ngjau rasti i plakut të varrosur buzë liqenit! A u identifikua pastaj se kush kishte qenë?!...
Eeeee! –si po harroj o vëlla!- Po. Pas tre muajsh që u kthyem në shtëpia tona, erdhi një person te shtëpia dhe filloi të pyesë për gjithë rastin. Ai kishte mbledhur shënime si policia për mua. Kur i shtroi gjitha pyetjet, konstatova se faktikisht, duhet të jetë i afërt i atij plakut të varrosur dhe fillova t’ia tregoj ngjarjen edhe atij, fill e për pe....
Pak pa mbaruar bisedën, filloi të qajë, pastaj u shkreh në vaji me zë, dhe m’u hodh në gjoks duke më shtrënguar. Ai është babai im i ndjerë, me të cilin na ndau lufta. Unë me dy vëllezër ishim në front lufte në Drenicë, kur e kërkuam në shtëpi, nuk e gjetëm. Fqinjë na treguan drejtimin e tij, por deri me sot kot na shkuan të gjitha përpjekjet tona.....
Të nesërmen,së bashku, shkuam te vendvarrimi, ia tregova se si e kam varrosur. Pas tre ditëve djemtë e tij e rivarrosen në vendlindjen e tyre me nderime. Isha edhe në të pame, ku më falënderuan gjithë banorët e atij fshati. Miqësi e lidhur ngushtë na mbeti atë ditë sot..
Më këtë rrëfim mori fund edhe ndeja e asaj dite, sa këndshëm, aq dhimbshëm, plot evokime e përjetime , mbushur me sakrifica jete, të cilat nuk harrohen kurrë nga populli e as nga trimat e luftës, si këta katër miq të kalitur në vështirësi jete e lufte. Dëshiroj ta shtoj një fjalë pa më pyet ju,shokë e miq të dashur të luftës. Nuk guxojmë t’i harrojmë luftërat e baballarëve tanë, as këtë të fundit, sepse nuk i dihet se a mund të na përsëritet historia, kur e kemi” një dreq komshi!.... “
Duhet pa tjetër t’i kthehemi njëri tjetrit me shumë respekt e dashuri njerëzore!