| E merkure, 31.01.2018, 07:36 PM |
Bashkim Saliasi
Dobrusha ime
Atje në Skrapar, në prehër të malit,
Si princeshë e bukur Dobrusha më rri.
Gëzon zemra e plakut dhe e djalit,
Para saj përulemi me mall e dashuri.
Në verë zilet, zogjtë orkestrojnë këngë,
Lulet e bëjnë nuse, e vishen me stoli.
Pemët si ushtarë i qëndrojnë më këmbë,
Tomorri i lartë me fllad ere i bën freski.
Dikur, te qendra e fshatit mblidheshin burrat,
Kuvendonin për hallet e punët e jetës.
Nga zërat e fëmijeve gumezhin rrugët,
Rinia e qeshur vallëzonte te shtëpia e kulturës.
Sot, kudo heshtja e shkatërrimi mbretëron,
Shtëpitë e braktisura janë shëmbur përtokë.
Vendlindja e braktisur klith e loton,
Si Nënë hyjnore: - Kthehuni! - na thotë!?
Tomorri dhe unë
Mbi shpinë të Tomorrit kalova fëmininë,
Duke rendur pyjeve, majave, lëndinave.
Herë duke mbledhur salep, çaj, trëndelinë,
Herë duke shetitur e ruajtur bagëtinë.
Mali më përkëdheli si babagjysh i mirë,
Më mësoi t’a dua jetën e Nënën natyrë,
Të mos e braktis, kur këmba të më bjerë në qytet,
Vendlindja s'blihet, as shitet, është e shtrenjtë.
Prindërit e mi
Atje në Dobrushë njoha Nënë e Babë,
Hapa portat e mia të jetës nga lartësitë.
Mësova të qesh, të këndoj dhe si të qaj,
Prindërit e mi-mësues që rrezatonin dritë.
Me punë, me mund e djersë rritën fëmijtë,
Dhe jo pak, por një tufë të mirë-tetë.
Dera e shtëpisë mbeti hapur për miqtë,
Dhe kurrë s'u ankuan, jetuan me dinjitet.