| E diele, 28.01.2018, 07:31 PM |
PËRKTHIMI: Një ushtrim shkëputje emotive
Duke qenë vetë një përkthenjës/shqipërues, ky shkrim i publicistes së njohur argjentinase Marianne Costa Picazo, më befasoi për kthjelltësinë e mendimit mbi këtë profesionin tonë kaq pasionant, njëkohësisht kaq të paperceptueshëm për masën lëçitëse, armatën plot kërshëri e shtysa letrare që digjen vazhdimisht nga etja për ato libra që kalojnë pandalur nga stacioni i pashmangshëm në rrugëtimin Autor – Botim – Lexues, që doemos jemi pikërisht ne, përkthenjësit. Përshkrimi që publicistja argjentinase - bijë e një profesori e përkthyesi të njohur e të respektuar argjentinas - i bën vetë nocionit të përkthimit, gjurmës së tij thuajse të padukshme, sa edhe të paepur gjithësesi, në sytë dhe ndjesitë e lexuesve nga tërë bota, të kryeveprave të letërsisë botërore, është krejtësisht i përkryer.
Është thelbi, kuintesenca e punës tonë, një përshkrim ku do ta gjenin veten padyshim gjithë përkthenjësit e globit, ata që jetojnë me librin në gjuhë të huaj, që derdhin tërë energjitë e tyre krijuese, krejt njohuritë e tyre të larmishme të gjuhës mëmë dhe gjuhës së huaj, në shndërrimin e papërcaktueshëm të veprës së shkrimtarëve të huaj, në një letërsi që arrin të vijë krejt natyrshëm edhe në gjuhën amtare të lexuesve bashkëfolës të gjuhës së secilit përkthenjës. Prandaj kjo analizë ngërthen kaq rëndësi, e uroj të lexohet nga përkthyes e lëçitës të shumtë.
Nga Marianne Costa Picazo
Puna e heshtur e përkthenjësit ka disa rregulla të rrepta, që njëlloj si në rastin e vrasësiit, nuk lë pas asnjë gjurmë. Kështu, një punë e shkëlqyer dhe e patëmetë, gjithësesi vuan nga kompleksi i një paradoksi të pazgjidhshëm: ngaqë pikërisht për faktin se kemi të bëjmë me një punë të përkryer, kjo punë nuk bie në sy aspak sakaq. Lëçitësi e shijon melodiozitetin dhe shijen e fjalëve të një libri njëlloj sikur kjo vepër në gjuhë të huaj të ishte shkruar në gjuhën e vet amtare. Lexuesi arrin kështu të ndihet krejt natyrshëm sikur vërtet t’i zotërojë tërë gjuhët e botës, njëlloj si të vetën amtare. Lexuesit arrijnë të pluskojnë qetësisht mes shumësisë së fjalëve të mirëshprehura. Historia pra, përmbajtja e veprës, koha dhe hapësira, imazhi i poezisë dhe simbolikat bëhen të rrjedhshme, duke e prekur fort zemrën e lëçitësit dhe u shpërfaqur në gjithë dimensionet e më të imtës. E nuk jam duke folur thjesht për nocionin e të kuptuarit të gjuhës së autorit të një vepre, por bëhet fjalë për depërtimin në unversin e fshehtë të artistit-shkrimtar të pasqyruar në vorbullën e fjalëve të librit të tij.
Epo sidoqoftë, ndryshe nga rasti i vrasësit, përkthenjësi i mirëfilltë arrin të përçojë gjak e limfë jetësore në brendësinë e tekstit, në vend që t’ia marrë jetën atij, siç bën vrasësi rëndom. Padukshmëria e përkthimit të mirë shpërfaqet njëlloj si pasqyrimi i mungesës së dhimbjes në trupin e njeriut. Fjalët bëhen të rrjedhshme përmes ritmit të tyre burimor porsi një tërësi krejt organike, e jo thjesht si një shumë fragmentesh të ndara veç e veç. Por në përfytyrimin popullor mbetet e pranishme jehona e shprehjes italiane “Traduttore – Traditore”, porsi një gjurmë dhimbje të pashërueshme. Sepse përkthimi shpeshherë ndërlidhet me një ide gjymtimi, me një nocion humbje, me vetë mashtrimin, me njëfarë manipulimi, qoftë si pasojë mëkati apo fshehje faktesh të qëllimshme. Për të qenë më të saktë, kështu e keqja bie në sy porsi një njollë ligësie, ndërkohë që gjithçka e mirë thjesht shkrihet natyrshëm me shkrimin origjinal të autorit në gjuhën e tij amtare, njëlloj siç ndodh me dëlirësinë përherë.
Nëse vlerësimi për përkthenjësin ka të bëjë pikërisht me mungesën e vlerësimit për të, atëherë fort vështirësisht mund të bëhet i kuptueshëm pasioni me të cilin përkthenjësi i përvishet punës së tij. Një verë kur qemë në plazh, më kujtohet si pata pyetur tim atë se përse ndonëse ishim me pushime, ai prapëseprapë punonte? Në atë kohë ai po përkthente “Rrënjë” të Alex Hailey, historia e një afroamerikani që kërkon orgjinën e tij përmes shtatë brezave, që nga Afrika e gjer në plantacionet e Virxhinias. Në një çantë të stërmadhe nën hijen e ombrellës së plazhit, kish rrasur tërë librat për programin e letërsisë anglofone. Qe duke përkthyer fragmente nga këto libra për nxënësit e tij të universitetit Joaquin y Gonzales. Aty nga muzgu rrinte duke përgatitur kokteje me Martini dhe njëkohësisht shtypte versionin në spanjisht të librit “Rrënjë” në makinën e tij të shkrimit Olivetti Lettera nën freskun e pishave, e në vijim na lexonte përditë, kapitull për kapitull, jetën e Kunta Kinte. “Përkthimi më fal liri”, m’u përgjigj ai, duke më vënë në mendime.
Megjithatë, përkthimi, ky ushtrim shpirtëror shkëputje, ka edhe shpërblimet e veta të vockëla. Në vend që të priste në radhën e përjetshme të një banke sa për të thënë haptas se ishte akoma i gjallë, ashtu siç ishte nevoja kur çertifikata e jetësisë përbënte kushtin kryesor për të marrë pensionin, ai do të dëgjonte një zë që shqipton emrin e tij “Rolando Costa Picazo”. Profesori, siç e quanin të gjithë, i avitet sportelit me një gjest dorëzimi. Zëri i ëmbël e përsërit emrin e tij me disa pauza. “Jeni gjë juve ai përkthenjësi?” Punonjësja e bankës, me sytë shndritës, shton njëherësh: “I kam lexuar tërë përkthimet tuaja të Irvin Yalom, Dita që Niçja pati qarë, Xhelati i dashurisë... Çfarë jeni duke përkthyer tani? Jam shumë e lumtur që po njihem me ju, nuk e keni idenë sa shumë do të thotë kjo gjë për mua”. Koha sikur kish mbetur pezull në atë çast. Në atë vend krejt të pagjasë, porsa kish ndodhur një mrekulli.
Shqipëroi nga spanjishtja: ELVI SIDHERI