| E shtune, 20.01.2018, 10:19 PM |
PRIFTI (POP) TODORI MBAJTI GJALLË GJUHËN SHQIPE NË REKË TË EPËRME
Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
Reka e Epërme si një krahinë autentike shqiptare gjatë historisë ka pasur shumë vuajtje si ato fizike ashtu edhe psikologjike. Por populli i kësaj ane asnjë herë nuk u gjunjëzua, përkundrazi ato vuajtje i jepnin fuqinë që me inteligjencën që ia kishte falur natyra e pastër, e sidomos ajo fryma ose siç ata e quajnë “era e bardhë” t’i përballojnë vështirësitë.
Të gjithë fshatrat e Reka e Epërme janë vendosur në anën e djathtë të lumit Radika, në ato vende ku do të mund të mbroheshin nga erërat dhe nga cubat që kjo krahinë ishte në shënjestër. Banorët në fillim të gjithë ishin shqiptarë të fesë ortodokse, por kushtet e këqija si dhe favoret për “tokë të pazot”, që ua jepte Perandoria një numër i madh banoresh u shpërngulën dhe u vendosën përreth malit Ujanë (Vodno) e deri në Çashkë. Të gjithë ndërruan fenë dhe u kthyen në shqiptarë të fesë myslimane. Ndxërkaq, pjesa që ngeli në trojet stërgjyshore në Rekë, gjatë gjithë jetës u përball me forma dhe metoda më brutale të gjenocidit që njihte njerëzimi. Ajo që u jepte shpresë ishte gjuha amtare që përcillej me qumështin e nënave, që ua përcillnin brez pas brezi.
Në Perandorinë Osmane komunitetet ortodokse të Ballkanit ishin të organizuara si “Rum milet” në kuadër të Patriarkanës së Stambollit, e cila dominohej nga përfaqësues (klerikë) me përkatësi etnike grek, në krahasim me numrin e paktë të përfaqësuesve të krishtere me përkatësi etnike; shqiptare bullgare, vllehe, rumune etj.
Në vitin 1870 sulltan Abdulazizi lëshoi fermanin, me të cilin kisha bullgare fitoi statusin e Egzarkisë Bullgare si përfaqësuese e popullit bullgar në Perandorinë Osmane. Edhe Egzarkia Bullgare, ashtu siç veproi dikur kisha greke, përdorën të njëjtën politikë ndaj nacionaliteteve të tjera ortodokse. Aty ku kishte të krishterë, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, hapin kisha e shkolla për t’i asimiluar. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme.
. Sipas disa të dhënave, deri në vitet e ’60-ta të shekullit XIX, Reka e Epërme fliste vetëm shqip dhe shumica e popullatës ishin të besimit ortodoks. Këtë na e përshkruajnë më së mirë udhëpërshkruesit bullgarë. Sipas profesorit universitar të Sofjes, Jordan Ivanov: “Popullsia shqiptare e krishterë e Gostivarit, është bullgarizuar në kontakt me bullgarët.”
Sipas gazetës „EHO“ të Sofjes në Bullgarisë mësojmë se qendra për të bullgarizuar ortodoksët shqiptarë të këtij rajoni ishte Manastiri i Shën Bigorit, që arrit jo vetëm të mbajë gjuhën dhe shërbimin religjioz bullgar në fshatrat e pastra “bullgare”, por dhe në shpirtin e tyre të ndjellë bullgarizmin ,”duke iu dërguar këtyre mësues shkollash, famullitarë, psaltë dhe ikonografë, por propaganda kishtare bullgare ia doli edhe të ushtrojë një influencë mbi popullsinë e pastër shqiptare të kësaj krahine, aq sa shqiptarët ortodoksë të krahinës së Rekës së Epërme të bëjnë shërbesën fetare, si në të kaluarën ashtu edhe sot, në gjuhën sllavo-bullgare, e madje që prej 40 ose 50 vitesh ata edhe ndërmjet tyre flasin bullgarisht.”
Qysh në vitin 1888 Egzarkia Bullgare kishte caktuar që në krye të Eparhive të Manastirit dhe të Dibrës të emrohet Mitropoliti Kozmo Preçistanski, një intelektual kishtar që kishte luftuar shumë kohë kundër dominimit të kishës greke mbi popujt jogrekë. Ky prift më vonë, përkatësisht më vitin 1897, do të zgjidhet Mitropolit për Dibër ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme dhe ky qëndroi deri bë fund të vitit 1912, pëekatësisht deri sa nuk e larguan serbët dhe e zëvendësuan me priftin më famëkeq Varnava.
Mitropoliti Kozmo ishte i lindur në fshatin Orllancë afër Kërçovës, ku rreth e përqark ky fshat kufizohej me fshatra shqiptarë dhe si duket duhej ta ketë njohur gjuhën shqipe apo të paktën ta ketë kuptuar. Ai ishte ithtar që të gjithë të krishterët ortodoksë të nacionaliteteve të ndryshme të kenë kishën në gjuhën e tyre. Mirëpo, ky mendim nuk vlente për shqiptarët ortodoksë kudo që jetonin. Por, me punën e tij le të kuptohet se ky kishte një simpati ndaj shqiptarëve.
Si Mitropolit në Eparhinë e Dibrës udhëheqjen dhe organizimin e bënte nga Manastiri i “Shën Bigorit”. Në kompleksin e manastirit ai riorganizoi edhe shkollën për shërbyes kishash e gjakonësh. Formoi edhe një bibliotekë ku kishte edhe libra kishtare shqipe, aty ishin edhe përkthimet e Konstadin Kristoforidhit, sidomos “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” , “Psallmet” , “Dhijata e Re” etj. Po ashtu, ai sillte këtu nxënës nga të gjitha viset për të mësuar. Një ndër nxënësit e tij më të dashur ishte edhe Todor Tanashi e më vonë Jovani, vëllai i Josif Bagerit.
Todor Jovani si dhe e gjithë familja e tij e mbanin mbiemrin e gjyshit Jovan. Mbiemrin Bageri e mbante vetëm Josifi. Mirëpo një nga pasardhësit e Josif Bagerit, xhaxhai Branko Manajlovski jep një shpjegim me drurin (pemën) gjenealogjik të familje së tij, ku thotë: “me secilën familje ortodokse shqiptare të Krahinës sonë, pra edhe me pasardhësit e Josif Bagerit, katragjyshi im, Manojli, i cili jetoi në vitin 1830 - 1903, kishte emigruar në Stamboll, siç ishte i emigruar edhe vëllai i Josifit, Mihali dhe shumë shqiptarë të tjerë të këtyre anëve. Manojli dhe vëllai i tij, Lazari në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan "Arnaut an", një emërtim që tregon për përkatësinë kombëtare dhe patriotizmin e tyre. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri që jetoi gjatë viteve 1865-1932, e kishte mbiemrin Tanashi. Pas pushtimit serb, Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, kurse familjes se katër vëllezërve të Josif Bagerit, - Simonit, Todorit, Mihailit dhe Manailit, - që jetonin po në këto hapësira, iu imponua mbiemri Jovanoviq, meqë babai i Josifit dhe i vëllezërve të tij quhej Jovan, i biri i Nikollës. Mbiemrin Tanasheviq u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983.”
Todor Jovani është djali i tretë i pesë djemve të Nikollës dhe mban mbiemrin e gjyshit të tij Jovanit. Ka kryer arsimin bazë në një shkollë bullgare që vepronte në fshat. Nga miqësia që kishin familja e gjyshit Jovan dhe babait Nikolla me mitropolitin e Dibrës Kozmon, atë e regjistrojnë në shkollën kishtare të “Shën Bigorit”, që vepronte në këtë vend. Pasi e kryen këtë shkollë, ai punësohet si prift në kishën ”Shën Shptimtari”, në fshatin e lindjes në Nistrovë.
Todori ishte 6 vjet më i ri se i vëllai Josifi. Edhe pse ishte edukuar në një frymë krejtësisht tjetër si prift, asnjëherë nuk nguroi që ta mohojë vëllain e tij Josifin, që kishte hyrë në lëvizjet patriotike që vepronin në Bullgari e gjetiu.
Todori ndërroi bindjen e mendjen krejtësisht dhe u vu në shërbim të kombit. Pas humbjes së nipit të tij, gjegjësisht djalit të madh të Josifit, Kristo Bageritn, i cili luftonte me një çetë shqiptare në rrethinat e Manastirit dhe u vra nga barbarët në moshën 16–vjeçare, ai (Todori) pas një viti mbajti edhe një panohidë për nipin dhe aty lexoi në gjuhën shqipe elegjinë të cilën ia kishte kushtuar Josifi djalit: “Kristo, o birë, zemra ime qoftë bekue. /Vorrin si trim ti e kie gjete… /n ‘Manastirë të kan mbulue ku luftove. /Zoti të bekoftë. Amin!”
Todori meshën e fillonte në gjuhën kishtare sllave dhe më pas në gjuhën shqipe. Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe, e lidhte me jetën e shenjtërve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh”. (marrë nga një fletore lutjesh të protrogjerit Çirko nga Reka, 1995).
Todori ishte prift shumë human, ai dinte për gjithsecilin për gjendjen sociale, apo mungesën e meshkujve në shtëpi. Për t’u dalë në ndihmë ai pranë kishës çdo të diele organizonte siç i thonin rekalitë “panaire” ku shiteshin qirinj, temjan, ikona e mjete, që kishin të bëjnë me kishën, për të mos shkuar në qytet. Paratë që i fitonte i përdorte për nevojën e kishës.
Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Todori këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.
Me të madhe filloi një luftë midis Egzarhisë Bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serb. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqimatin Osman se këto vise janë vende serbe. Ndaj dhe përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.
Pas shpalljes së Kushtetutës turke më 23 korrik 1908, Lëvizja Kombëtare shqiptare e shtroi si detyrë parësore që të gjithë shqiptarët të mësojnë gjuhën shqipe. Prandaj, menjëherë pas Kongresit të Manastirit klubet shqiptare filluan të organizoheshin më mirë. Atyre u ra hisja për të përhapur shkrimin dhe leximin shqip dhe zhvillimin kulturor në përgjithësi të shqiptarëve.
Mitropoliti Kozmo kur bindet se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkon që në Rekën e Epërme kisha dhe shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut jep lejen për hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe. Ai e autorizon një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor që të lus vëllain e tij Josifin për të hapur një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë me një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë atëherë ai do t’i drejtohet Zotëri Zotëri Kozmos që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe”.
Në bashkëveprim të propagandsë serbo-ruse me Patrikanën e Stambollit në vitin 1910 prifti serb Varnava do të zgjidhet episkop (peshkop) i eparhisë (peshkopatës) Dibër –Veles e më vonë do të udhëheq edhe me eparhinë Manastir -Ohër dhe një pjesë të Strumicës.
Me ardhjen e tij në këtë post, do të ndërmerr masa shumë të rrepta ndaj Kozmos, sidomos ndaj një igumeni të manastirit të Shën Bigorit” i quajtur H. B. Partenije, sepse ky nuk kishte lejuar që në kishën e Manastirit të përmendej emri i Varnavës. Mirëpo, prej vitit 1913 kur instalohet pushteti serb në këto vise, ushtria, bashkë me xhandarët serbë do të ndërmarrin një ekspeditë për t’i likuiduar të gjithë ato që nuk pranonin pushtetin serb, si she ata që nuk e përkrahnin këtë pushtet. Së pari, ndërrojnë kryepleqtë (këmetët( e fshatrave e pastaj edhe priftërinjtë, sidomos ata të cilët nuk iu bindeshin urdhrave të episkop Varnavës.
Igumeni Partenij vritet në mënyre barbare dhe hidhet në Lumin Radikë. Po ashtu edhe prifti Ivan Avramov u pre në copa dhe u hodh në lumin Vardar. Si duket, edhe jeta e priftit Todor duhet të ketë përfunduar kështu. Sipas gazetës “Politika” 13. 07. 1908, kuptojmë se ky prift vëzhgohet nga agjentët serbë, ashtu siç u përcoll edhe aktiviteti i Josif Bagerit.Todorin do ta likuidojnë pasi e helmojnë Josif Bagerin në Prishtinë.