| E merkure, 17.01.2018, 08:45 PM |
Kulti
i atdhetarizmit dhe familjes në një libër me poezi
(Shënime për vëllimin poetik “Thashë, të bëhem edhe unë poet” të Viron Konës)
Nga Sejdo Harka
Shkrimtari Viron Kona, ka vite që bën emër me krijimtarinë e tij të gjerë e të larmishme. Ai ka botuar rreth 40 libra me tregime, novela e romane për fëmijë e të rritur. Është fitues i 7 çmimeve të ndryshme në gjininë e prozës. Me romanin “Eh, more Bubulino!” është nderuar me çmimin UNICEF-AMC, si libri më i mirë për fëmijë, 2006. Ky libër, për vlerat e tij shumëplanëshe , është përkthyer edhe në gjuhë të huaja, si në suedisht. Kohët e fundit Viron Kona shfaqet para lexuesve me sprovën poetike ”Thashë, të bëhem edhe unë poet”.
Vetë titulli i këtij libri është tepër
provokues e me dy nënkuptime. Nënkuptimi i parë shpreh modestinë e
autorit, nëpërmjet të cilit, duket sikur kërkon t’u thotë lexuesve: ”Kjo është sprova
ime e parë në fushën e poezisë. Jini ju ata, që me pëlqimin tuaj do të vulosni
“vizën” time për të hyrë në portën e
bukur të “Mbretërisë së poezisë.” Përmes nënkuptimit të dytë, autori kërkon të ironizojë ata
pseudopoetë, të cilët e konsiderojnë veten poet të rrallë, që, me bejtet e para.
Fatkeqësia e tyre qëndron tek fakti se ata vazhdojnë ta quajnë veten të tillë, edhe kur shohin se librat e
tyre kthehen në ambalazh për kaushë. Poezia, për Viron Konën është një
“Hyjneshë”. Por, që ajo ta mbajë lart këtë emër, duhet të burojë nga shpirti i
poetit, ashtu siç buron uji nga malet kur shkrin dëbora, dhe era nga grykat e
thella të maleve. Vargjet, po s’buruan nga thellësia e zemrës, nuk mund të
quhen vargje. Tematika e këtij libri me poezi
është sa e gjerë aq edhe e larmishme. Objekt frymëzimi për autorin janë bërë liria dhe njeriu, dashuria
dhe lajkaxhiu, heroi dhe antiheroi, si dhe njerëz të shquar të kulturës dhe letërsisë,
të shkencës dhe filozofisë shqiptare dhe botërore si N. Frashëri, N. Gjetja e
S. Z. Daja, O. Khajami, S. Shirazi, Xh. Bruno... Por në këto shënime të
shkurtra, do të ndalemi tek disa nga poezitë më të bukura që i thurin himn
Atdheut, vendlindjes, familjes dhe njerëzve të saj më të afërt. Viron Kona ndalet
në këto dy dukuri të kohës , për të sfiduar zbehjen e atdhetarizmit dhe tendencën
negative të degradimit dhe kriminalizimit të familjes, për shkak të tranzicionit
të ashpër, që po kalon shoqëria jonë e sotme. Merita e veçantë e autorit, qëndron
në faktin se edhe pse ai hedh hapat e para në fushën e poezisë, ka ditur të
zbulojë ndikimin reciprok që kanë këto dy dukuri shoqërore tek njëra-tjetra. Përmes
këtyre poezive, ai përçon mesazhin se një familje e fortë, sjell dhe një shoqëri
të fortë dhe anasjelltas. Të duash atdheun dhe vendlindjen, do të thotë të
duash dhe gjënë më të shtrenjtë ,familjen e shoqërinë. Prandaj Viron Kona u drejtohet
lexuesve me vargje të tillë, sa të
drejtpërdrejtë, aq edhe metaforikë: ”Sikur të më ofronin të zgjidhja tjetër
atdhe,/ mijëra herë Shqipërinë do të zgjidhja/më të bukur mbi dhe!.” Në poezinë
“Shqipëria” , V. Kona argumenton poetikisht, se ç’është për të Shqipëria dhe
pse s’e ndërron atë kurrë. Te Shqipëria ai gjen “përkëdhelinë e nënës” ,
“afshin e tokës” dhe “muzën e dashurisë” më njerëzore. Ai nuk e ndërron kurrë
atdheun, sepse “Këtu zgjohet nga këngët e zogjve,/këtu ndihet i lirë si shqiponja/këtu ndihet i fortë si
Anteu”.(fq.62) Një poezi tjetër e bukur, me të cilën autori përçon ndjenja të
forta atdhetarie, është ajo me titullin tepër kuptimplotë ”Pisha Flamur”. Përmes
simbolikës personifikuese, autori kërkon të përçojë mesazhin filozofik, se këtë
truall të stërmunduar, nuk ka mundur ta gjunjëzojë e shfarosë as varfëria, as
pushtimi, as rrufeja metaforike e as dhunimi. Këtë rezistencë të pashembullt
shekullore, autori e shpalos plotësisht përmes paralelizmit figurative midis Shqipërisë
dhe Pishës flamur. Kjo simbolikë metaforike përçohet tek lexuesit përmes
vargjeve antonimikë: “Vetëtimat djegin pyje/copëtojnë shkëmbinj e gurë/godasin
maja malesh,/por jo Pishën Flamur.” Trungu i saj shpon lartësitë,/rrënjët nënë
shkëmbinj e gurë,/është Anteu i rilindur,/Kohërave u prin me flamur.”(fq.45) Në
vazhdimësinë e kësaj simbolike, që thellon dashurinë për Atdheun dhe vendlindjen,
është dhe poezia “Rrapi i Ujit të Ftohtë.” Ky vend, për Viron Konën është jo
vetëm një perlë e rrallë, por dhe një shembull malli dhe krenarie për vendlindjen
dhe njerëzit e këtyre anëve, të cilët i bashkon jo vetëm hija e rrapit madhështor
dhe uji i ftohtë si kristali, por dhe kënga e bukur labe. Autori i këtij vëllimi
poetik, për ta bërë sa më të prekshme dashurinë për vendlindjen dhe pasuritë e
saj të rralla shkruan: ”Rrapi u rrëzua qetësisht një natë vere,/rënia e tij
“magjike”, u komentua gjatë,/ditë e natë burimi i lëshoi “lotët” çurgë,/deti
nga thellësia dërgoi valë dhe dallgë”(fq.12) Përmes këtyre vargjeve, sa të
thjeshtë, aq dhe metaforikë, Viron Kona lëshon alarmin për ruajtjen e këtyre
monumenteve të natyrës, si gjënë më të shtrenjtë. Një vend të dukshëm në këtë vëllim
poetik zënë poezitë që i kushtohen familjes dhe njerëzve më të afërm të saj. Kjo
është një sfidë e bukur që autori kërkon t’u bëjë dukurive negative të shoqërisë
sonë të sotme, të cilat kohët e fundit tentojnë të zbehin harmoninë familjare. Familja
e sotme kërcënohet nga divorcet, grindjet dhe krimi brenda saj. Prandaj me
poezitë e tij autori kërkon të ndikojë sadopak në forcimin e familjes si bërthama
bazë e shoqërisë së ardhshme. Respektin dhe dashurinë për prindërit, fëmijët, mbesën
dhe bashkëshorten, poeti V. Kona e koncepton
poetikisht të lidhura ngushtë me dashurinë universale për Atdheun dhe
vendlindjen, për kulturën, traditat e vazhdimësinë. Prandaj dhe poezitë e tij
me tematikë familjare tingëllojnë si himne për dashurinë njerëzore dhe vazhdimësinë
e gjakut dhe të shoqërisë. Një nga poezitë më te bukura për nënën është ajo me
titullin domethënës ”Qypi i Finjës”.Brenda konceptimit metaforik të kësaj
poezie lexuesi gjen dhimbje e varfëri, përkushtim e përgjegjësi, trishtim e dashuri,
që burojnë nga shpirti i një nëne, që lufton për të rritur fëmijë të mirë e të
shëndetshëm. Kjo nënë ”…s’pushon asnjëherë, rroba duke larë”. Ndërsa më poshtë
autori shkruan: ”Vinin miq dhe fqinjë,/buzagaz i priste,/ me gliko e kafe /nëna
i gostiste”. ”Lodhej e këputej gjithë ditën”, prandaj “vitet iknin tutje,/ ajo
tkurrej, zvogëlohej.”(fq.20) Edhe pse autori shkruan për nënën e vetë, përmes
simbolikës poetike, figura e saj merr vlera përgjithësuese. Karakteristika të
tilla përgjithësuese, shfaqen më të dukshme sidomos në poezinë “Baulja e nënës sime.” Kjo
poezi i këndon, jo vetëm dashurisë së pakufishme të nënës për fëmijën, por dhe
kujdesit për ruajtjen e çdo gjëje të mirë. Nëna i dorëzon të birit çdo gjë me
vlerë, që ka ruajtur me fanatizëm ndër vite. Si konvencion simbolik, ai ka gjetur ”baulen”, ku nëna ka ruajtur
flamurin e dasmës, sixhadenë e bardhë prej mëndafshi, degëzat e trëndelinës, unazën
e florinjtë , që t`ja dhuronte nuses së
re të shtëpisë, një kupë prej balte, një kuti prej sermi, ku është gdhendur një
shqiponjë…etj. Kuptimin e plotë kësaj
poezie ia japin vargjet e thjeshtë..”Siç e sheh, o bir, baulja nuk ka flori/as
argjend dhe kartëmonedha me vlera/veç këto vogëlima, që më ngjallin dashuri/trashëgim
nga koha jonë, për kohët e reja”, me të cilët autori, përmes unit poetik kërkon
të përçojë dashurinë për trashëgiminë kulturore. Në vazhdën e kësaj tematike është
dhe poezia “Rrobaqepësi”, kushtuar babait të tij Toli Kona, të cilin vlonjatët e viteve 70 e thërrisnin me emrin e bukur
“Usta Toli.” Tek babai i tij, Viron Kona gjen jo vetëm shembullin e njeriut më
të dashur, që nuk kurseu asgjë për familjen, por dhe atë të mjeshtrit të punës.
Ai s`ka për të harruar porosi e mësime të
tilla, që i ati i jepte shpesh: “Veshja e njeriut është art/Rrobaqepësi i vërtetë
nuk qep, por pikturon.” Një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi është ajo
me titull “Një çift mështeknash të bardha”, poshtë së cilës autori shkruan:”Ja
kushtoj bashkëshortes sime Liljanës…” Siç thekson dhe në krye të librit, bashkëshortja,
për të është jo vetëm bashkudhëtare e një rruge të vështirë,
por dhe një ndihmëse e frymëzuese, për të
ecur përpara edhe në fushën e krijimtarisë artistike. Kjo poezi tingëllon si një
himn bashkëshortor. Siç thekson dhe vetë autori, ata vërtet s`shkëmbyen xhevahire
për dashurinë, por u betuan sinqerisht për besnikërinë. Mendimet dhe dëshirat i
kanë lexuar në sytë e njëri-tjetrit. Është kjo arsyeja, që ai deklaron poetikisht me krenari: ”Pemën e jetës
e kemi mbajtur përherë të gjelbër”dhe”Zjarrin e vatrës kurrë s’e kemi shuar”. Përmes
këtyre vargjeve, sa të drejtpërdrejtë aq edhe metaforikë, Viron Kona, promovon
shembullin e intelektualit të emancipuar, që bashkëshorten e sheh jo thjeshtë
si nënën e fëmijëve, por si themelin e familjes. Së fundi, mund të themi, se Viron
Kona , me këtë vëllim poetik, shkel i sigurt në fushën e blertë të poezisë, duke
e kapërcyer me sukses sfidën e parë, jo vetëm
për tematikën e larmishme, por dhe për konceptimin poetik të dukurive, gjuhën,
ndjenjën, figuracionin e gjallë dhe sistemin e vjershërimit të larmishëm që përdor.