| E merkure, 17.01.2018, 08:00 PM |
VEPËR PËR FËMIJË, ME MISION EDUKATIV DHE ATDHEDASHËS
Hekuran Halili: "Përrallat e Nazusë" - Tiranë, 2014
Nga Ryzhdi Baloku
Shkrimtari çam nga Saranda, është i njohur për lexuesit si një krijues i dëshmuar me disa vepra në prozë dhe poezi, në mesin e të cilave ka botuar edhe një libër me përralla me titull "Përrallat e Nazusë".
Në këtë libër autori i ka mbledhur dhe radhitur dhjetë përralla të përzgjedhura, përmbajtja e të cilave e ka vlerën e saj letrare si tërësi, dhe fuqinë e mesazhit jo vetëm për lexuesit e vegjël por edhe për lexuesit e të gjitha moshave.
Përrallat janë shënuar në nëndialektin çam të toskërishtes, me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit të përrallës së dëgjuar, mirëpo në fund të çdo faqeje fjalët e rralla dialektore janë sqaruar nga autori, për t’i bërë të kuptueshme për të gjithë lexuesit shqipfolës.
Dihet se përralla është një krijim i trilluar, nga i cili nuk kërkohet vërtetësia. Pos të tjerash rrëfimi i saj ka për qëllim argëtimin por edhe ndikimin estetik, etik dhe moral tek marrësi, përkatësisht lexuesi.
Hekuran Halili, në pjesën hyrëse, vë në pah gamën e botës së pasur të përrallës kur thotë se "përrallat që i ka dëgjuar nga nëna ishin librat e parë, filmat e parë, udhëtimet e para jashtë lagjes".
Nazu ishte nëna e ndjerë e autorit, e cila fëmijëve të saj përrallat ua kishte rrëfyer në periudhën kohore të pas eksodit, përkatësisht pas dëbimit të popullatës çame nga krahina Çamërisë dhe përndjekjes së tyre nga ushtria dhe andartët grekë. Pjesa e mbetur e anëtarëve të kësaj familjeje, të cilët i kishin shpëtuar vdekjes nga xhelatët grekë të gjeneralit Zerva ishin strehuar në shtëpinë gjysmë të rrënuar të një banori në Konispol, vend ky në zonën kufitare me Greqinë, në të cilën ëma e autorit Hekuran Halili ua rrëfen këto përralla, që fëmijët e kësaj familjeje çame t'i shmangin e harrojnë brengat e tyre socio-psikologjike. Nëna Nazu fëmijëve të saj u ka rrëfyer shumë përralla, disa nga të cilat Hekurani i ka mbajtur në mend, i ka sistemuar në këtë libër, për t'i ndarë me lexuesit e interesuar për këtë zhanër të prozës letrare gojore.
Shkrimtari Hekuran Halili, nis librin e tij me përrallen e titulluar "Vajza e mbretit dhe djali i Vërvës".
Si edhe në çdo përrallë, rrëfimi fillon pa përcaktim kohe dhe vendi, por edhe zhvillimi i ngjarjes apo përmbajtja e tregimit në të është pjellë e fantazisë së mendjes njerëzore që s'përkon fare me realitetin, sikurse me këtë rast ku bëhet fjalë për jetën në Botën dhe Mbretërinë e Nëndheshme dhe atë të Mbidheshme respektivisht, për peripecitë në Botën dhe Mbretërinë e Sipërme dhe atë të Poshtme që i ndodhin krye-protagonistit apo heroit të kësaj përralle, djalit të Vërvës.
Rrëfimin në këtë përrallë e fillon me fjalët: "Një herë e një kohë, në një mbretëri pa anë e pa fund, jetonte një mbret i mirë, i drejtë e i ditur, që kishte një vajzë të bukur e të zgjuar,...".
Si në shumë përralla tjera, syzheu zhvillohet rreth përzgjedhjes së dhëndrit më të mençur që do të martohej me vajzën e mbretit. Si zakonisht, siç ndodh në përrallat me tematikë të këtij lloji, vëllai më i vogël del fitimtar. Ai pas shumë sprovave martohet me vajzën e mbretit, e që pastaj ajo vendos të jetojë në vendlindjen e bashkëshortit, në Vërvë, larg botës, përkundër vullnetit të mbretit, i cili kishte kërkuar nga ta që të jetonin në kryeqendrën e mbretërisë.
Veçori e kësaj përralle është "ipa", simboli i shqiptarëve, emërtim ky në të folmen e shqipes çame për shqiponjën, e cila e nxjerr heroin e përrallës nga Bota e Nëndheshme, për ta kthyer në Botën e Mbidheshme, si dhe mesazhi në përfundim të përrallës, amaneti për fëmijët, që mos të largohen nga vendlindja, pa marrë parasysh salltanetet që ua afron bota.
Porosia tekstuale e kësaj përralle është kultivimi i atdhedashurisë te fëmijët. Kjo porosi thuhet tekstualisht: "Punoni e jetoni të lumtur në këtë vend, që vërtet është i ashpër e larg botës, por është i dashur dhe i bukur si asnjë tjetër !".
Përralla "Amaneti i shokut", mund të themi se përmban elemente dhe karakteristika pothuajse të njëjta si çdo përrallë tjetër, por tematika dhe mesazhi i kësaj ndryshon nga ai i përrallës së mëparshme. Në këtë përrallë përçohet këshilla e bamirësisë për të gjithë ata të cilët i kanë mundësitë, që t'i ndihmojnë njerëzit nevojtarë. Pra mesazhi i kësaj përralle thënë shkurt është, siç thotë një fjalë e urtë "Ai që bën mirë, gjen mirë".
Në krijimin "Përralla e Bistricës", rrëfimi fillon me formulat hyrëse që janë tipike për përrallat e mirëfillta, pa përcaktim kohe dhe vendi, si "..Një herë e një kohë, që s'mbahet mend sa përpara, erdhi nga anët tona një gjarpër kuçedër. Nga erdhi, askush nuk e dinte. Ca thonin se kish' dalë nga Mali i Sopotit një ditë kur ai, pas një tërmeti, ishte çarë në dysh. Ca të tjerë thonin se kishte zbritur nga qielli, në një natë me vetëtima e bubullima,... Të tjerë thonin se gjarpri kuçedër ishte pjellë e detit dhe se...".
Veçori e kësaj përralle gojore është dimensioni mitik, lidhur me krijimin apo shfaqjen e burimeve të Bistricës, në kontekst të figurës mitologjike "gjarprit kuçedër", i cili: "Prej manastirit të Mesopotamit bërtiti: - Hapu, o mal i Sopotit, të burojë nga gjiri yt ujë, të shuaj zjarrin në bark ...".
Kjo përrallë ka të ndërthurura në vete elemente të gojëdhënës meqë është i përcaktuar vendi i zhvillimit të ngjarjes, në dallim prej përrallave tjerave të mirëfillta që nuk përcaktohet vendi dhe koha e zhvillimit të ndodhisë. Këtu përmenden toponimet siç janë: Mali i Sopotit, Butrinti, fusha e Vrinës, fusha e Vurgut, Manastiri i Mesopotamit që është afër Sarandës, pastaj Qafa e Muzinës nëpër të cilën kalon rruga nga Gjirokastra në Sarandë. Në rrëzën perëndimore të kësaj qafe dalin burimet e "Bistricës", e që një prej tyre është "Syrit të kaltër", i njohur me bukuri dhe pamjen madhështore.
Në përrallën "Njeriu i egër, nëna dhe tri vajzat e saj", syzheu ka të bëjë me zgjuarsinë e vajzës së tretë, e cila arrin t'i shpëtojë vdekjes pas pësimit të dy motrave të saja prej njeriut i cili transformohej në kanibal, ndërsa në përrallën "Tre vëllezërit dhe motra e tyre", trajtohet zgjuarsia e vëllait më të vogël, i cili arrin ta shpëtojë motrën nga zullumi i vjehrrës dhe vjehrrit, pas tentimeve të dështuara të dy vëllezërve të tij më të mëdhenj.
Përralla "Njeriu i arrirë dhe gabimi i tij", është një rrëfim i ngjashëm me mitin arab të përndjekjes së profetit Muhamed nga armiqtë, i cili fshihet në shpellë dhe shpëton, ngase hyrja e saj do të thuret me rrjetë merimangash, dhe gjarpri do të qëndrojë aty kutullaç me kokë të ngritur përpjetë.
Në këtë përrallë konsiderohet gabim plotësimi i dëshirës që "njeriu i arrirë" ia ofroi gjarprit, të cilin gabim ia ndreq dallëndyshja duke ia këputur gjuhën mushkonjës që mos të flasë, e cila e kishte marrë detyrën për ta provuar gjakun më të ëmbël të gjallesave si dëshirë e gjarprit. Meqë profeti nuk e kuptoi se çfarë i tha mushkonja, interpretimin ia shqiptoi dallëndyshja, e cila i tha se gjaku më i ëmbël ishte i bretkosës, për çfarë edhe tash gjarpri ushqehet me to, duke e shpëtuar njeriun prej kësaj dëshire, andaj si kundërshpërblim u lejohet dallëndysheve që çerdhet e tyre t'i ndërtojnë në strehët e shtëpive.
Të përralla "Trashëgimia", përmenden toponimet ekzistuese si: Konispoli dhe mali i Saraqindit që është afër kësaj qyteze, Gjiri i Ftelesë në bregdetin shqiptar të detit Jon, mali i Milesë në Qarkun e Vlorës, mandej Qafa e Kataetos, mali i Armiroit, Qafa e Sqepurit, Qafa e Soronesë, liqeni i Pelodit-Butrintit të sotëm, etj., si pasuri që një baba i pasur ua lë trashëgimi dy djemve të mëdhenj, ndërsa më të voglit ia la miqësinë e tij. Pas luftërave të përgjakshme që do të zhvillohen në këto anë, të dy vëllezërit e mëdhenj do t'i humbasin pasuritë, derisa vëllait të vogël do t'i mbetet miqësia, përmes të cilës ai do t'i shpëtojë vëllezërit e tij.
Edhe pse sipas parimit të përgjithshëm për ndërtimin e përrallës, nuk përcaktohet vendi apo territori i ngjarjes, megjithatë rrëfimtarja e ka ndryshuar këtë parim në këtë përrallë, me qëllim që t'i ngushëllojë dëgjuesit e saj, me faktin se edhe këto treva shqiptare që sot janë të lira, dikur ishin të pushtuara, me paramendim se vendet nga kishin ardhur çamët, një ditë edhe ato do t'i çlirojnë. Po ashtu, kjo përrallë lë të kuptohet se miqësia mes njerëzve është më e rëndësishme sesa pasuria të cilën ua kishin marrë grekët, ngase me ndihmën e tyre pronat do t'i kthejnë një ditë.
Krijimi "Xhindet", si duket është legjendë, ka të bëjë me ngjarje dhe figura imagjinative, të cilat e kanë prejardhjen nga lindja. Këto figura parafytyrohen si shpirtkëqij me fuqi mbinatyrore, ku një ditë, fshati gjeti kopenë e ngrirë në gurë të bardhë, ndërsa çobanin në gur të zi.
Përralla "Njeriu i lig e vajza e tij", ka për qëllim të tregojë se kur babai është njeri i ligë, atëherë kurrsesi nuk duhet jetuar me të, ndërsa përralla "Plaku, plaka e stihia", ka për tematikë zgjuarsinë e një vajze.
Si në shumë përralla, edhe në "Përrallat e Nazusë" gjatë përshkrimit të ndodhive shpeshherë janë përsëritur numri dyzet dhe numri tre, që janë dukuri e përrallës, si: dyzet bukë, dyzet fllaska (enë) me ujë, dyzet të rrufisura (të rrufitura), dyzet ditë, dyzet orë, dyzet merimanga, tre djem, tri vajza etj.
Përralla është njëri ndër zhanret e krijimtarisë letrare gojore që përmban një botë të pasur dhe unike. Personazhet e botës reale dhe figurat e shumta mitike ndikojnë në pasurimin e botës shpirtërore të fëmijës, në formimin e individualitetit dhe integritetit personal si dhe në pasurimin e botës shpirtërore artistike si dhe në formimin edukativ. Jo rastësisht në përrallë fitoret i kor vëllai i tretë apo motra e tretë më e vogla. Përralla sugjeron se një herë mund të gabohet, gabimi mund të ndodhë edhe herën e dytë, por herën e tretë nuk guxon të gabohet. Nga gabimi duhet të nxirret mësimi, prandaj edhe në përrallat e këtij vëllimi motra e vogël dhe vëllai i vogël janë ata që shquhen për zgjuarsi.
Me pasurinë e tyre tematike dhe motivore, me personazhet e botës reale dhe ireale me aventurat dhe tejkalimin e sprovave te personazheve do të ndikojnë pozitivisht në pasurimin e botës shpirtërore imagjinatave te lexuesit e tyre.