Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meri Lalaj: Varrezat greke

| E hene, 15.01.2018, 11:03 PM |


Varrezat greke

Nga Meri Lalaj

Në datën 13 janar 2018, në gazetën “Telegraf” u botua një shkrim për ushtarët e vrarë në vendlindjen time Pogradec gjatë luftës italo-greke. Nuk mendoj se kjo ishte tragjedia e ushtarëve grekë, ata nuk duhej të shkelnin pjesën juglindore të Shqipërisë për interesat e tyre. Vendlindja ime u bë sheshlufte për ato dy forca ndërluftuese. Qenkan vrarë aty ushtarë grekë nga urdhri i gabuar i kolonelit grek të artilerisë. Në atë ditë një predhë ka qëlluar shtëpinë e gjyshit tim Koli Gusho dhe kështu u vra dajua im 19 vjeçar Todi Gusho dhe u plagos nusja e dajos të madh Kostaqit, Vanga Gusho. Unë nuk kisha lindur dhe për këtë dajo kam dëgjuar nga gjyshja dhe mamaja, ai lexonte libra dhe i binte mandolinës, por iu ndërpre jeta befas sepse erdhën grekët tok me italianët dhe hodhën predhat e mallkuara. Nusen e dajos e shpunë për ta mjekuar në Ohër tërë jetën asaj i mbeti në fytyrën e bukur shenja e asaj predhe përveç një tjetrës në trup. Shtëpia e gjyshit ndodhej jo larg Kalasë ku kishin zënë pozicione italianët dhe njerëzit u larguan nëpër fshatra për të mbrojtur jetën e tyre. Kur u kthyen në njërën nga dhomat e shtëpisë së gjyshit që shihte në drejtim të Kalasë, e gjetën të mbushur plot me bomba të cilat gjyshi i hoqi me kujdes.

Nga gazeta mësova se këta ushtarë ndodhen të varrosur në Pogradec, në atë qytet ku prehet dajo Todi vrarë prej grekëve, nusja e dajos plagosur prej tyre, gjyshi im që futi në dhe të birin fare të ri, po aty janë edhe prindërit e mi. Aty do të ngrihet varrezë për ushtarët grekë? Përse duhet lejuar kjo e keqe gjëmë? Deri kur do lejojmë që vendin tonë ta pushtojnë të huajt e vdekur? Deri kur do të nëpërkëmbet dinjiteti ynë? A është ngritur ndonjë përkujtimore në Çamëri për të masakruarit e kombit tonë? Çfarë do bëjë Bashkia e qytetit Pogradec? Po pogradecarët? Nuk duhet harruar se pogradecarët janë pasardhësit e Mitrush Kutelit, Lasgush Poradecit, Jani Bashos, Gjergj Pekmezit, Kristo Sotirit, Reshit Çollakut, Muharrem Çollakut.