Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


At Artur Liolin: Fotaq Andrea na befasoi

| E diele, 07.01.2018, 11:29 AM |


Letër përshëndetëse e At Artur Liolin, Katedralja Shen Gjergji, Boston, me rastin e botimit të librit “Skënderbeu, Album-Antologji – 1413-2017” nga Fotaq Andrea. Kjo letër çel këtë libër dhe po e botojmë të plotë me rastin e “Vitit Skënderbeu 2018”.

November 6, 2017

Të nderuar bashkë atdhetare dhe lexues,

U bë gati një vit që Fotaq Andrea na befasoi kur na dërgoi në Boston projektin e Antologjisë së

Skendërbeut, me dorëshkrimin e tij, fill pas simpoziumit të Faik Konicës në fund te nëndorit nga Vatra, New York.

Tani që projekti u kthye në vepër, me mirënjohje i percjell autorit përgëzimet e mia më të sinqerta për këtë punë serioze nga hulumtimi i letrave më të njohura botërore për figurën e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në libër figura e Heroit tonë Kombëtar shfaqet në përmasa të thella humane e shpirtërore, si luftëtar i lirisë dhe mbrojtës i Krishtërimit, që realizoi deri në fund bekimin e Kishës si “Ushtar e Atlet i Jezu Krishtit”, si mbrojtës i pavarësisë arbërore e europiane.

Historikisht, Kisha e parë Ortodokse Shqiptare në Boston jo pa qëllim u emërtua “Shën Gjergji”, duke perjetësuar emrin e heroit mbarëkombetar Gjergj Kastrioti këtu në diasporë nga Fan Noli e Faik Konica.

Me këtë rast, Fan S. Noli mbajti më 1908 në Kishën tonë ligjëratën e mirënjohur për Skënderbeun, e cila çel këtë libër nën titullin “Himn për Skënderbeun” : “O Mbreti ynë i dëgjuar, o trim mi trimat Gjergj Kastriot! Ti na e shkëlqeve Historinë me aq faqe të arta.”

Me idealin e Skënderbeut, Noli kreu studime e kërkime shkencore në Universitetin e Boston-it dhe më

1945 mbrojti disertacionin “George Castriot Scanderbeg, 1405-1468”, për gradën “Doktor në Filozofi”, një vepër e cila sot mban titullin “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë”.

Së fundi, “ritakimin” përkujtimor të “Nolit dhe Skënderbeut në Shën Gjergj” - 2018, vetë Zoti e donte. qëkurse 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastrioti- Skënderbeut mrekullisht përkon me 110 vjetorin e themelimit të Kishës ortodokse shqiptare në Amerikë nga Fan S. Noli.

Në këtë jubile të dyfishtë, është nder i veçantë për Katedralen tonë “Shën Gjergji – Boston” e për mua personalisht të përshëndesim mbarë kombin tonë dhe t’i falemi Zotit që ta bekojë e t’i ndrisë udhën drejt përparimit dhe integrimit europian.

Sinqerisht,

Juaji,

firma

At Artur Liolin.

Po botojmë po ashtu nga ky libër edhe dy epigrafet që shoqërojnë përmbajtjen e tij në dy pjesët kryesore që e përbëjnë si Antologji dhe si Album, epigrafe nga shkrimtari Ismail Kadare dhe Prof. Sami Repishti :

Skënderbeu është figura më imediate e sotme, më e nevojshme për Shqipërinë. Është figura të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamur kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndjerë europianë nëpër shekuj... Ata nuk e braktisën asnjëherë këtë figurë. Pra, nuk braktisën asnjëherë aspiratën europiane, dëshirën për të qenë në Europë. Skënderbeu është argumenti i parë, flamuri i parë që plotëson e hedh poshtë çdo etiketim kundëreuropian të shqiptarëve. Do ta kishin zili  shumë popuj në Ballkan po ta kishin këtë figurë.

Ismail KADARE.

Epoka e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës kundër agresionit osman, ka përmbajtë në vetvete edhe nji dëshirë, nji nxitje të brendshme, të papërmbajtur, logjike ose instinktive, me u orientue katërcipërisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah Bota Perëndimore – natyrisht, në ato kohë – kah Krishtënimi Perëndimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellë nga luftëtarët shqiptarë, që nga Skënderbeu deri tek ushtari ma i thjeshtë, që e ndoqi për 25 vjet me radhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipnisë, por edhe kundër orientimit kah shoqnia osmane, rivale e Perëndimit.

Prof. Sami REPISHTI, Washington DC.