| E marte, 02.01.2018, 10:00 PM |
Përçartje (të qëllimshme?!) gjuhësore
Nga Elvi Sidheri
Pse u zgjodh kjo tematikë për ta nisur Vitin e Ri?
A nuk kish të tjera tematika më të nxehta aktualiteti shqiptar e të huaj? A mos vallë Kim, etj, etj i Koresë së Veriut nuk do ndezë të tjerë motorë raketash balistike bërthamore? Në Iran paskësh protesta popullore ndaj regjimit “demokratik” të Ajatollahëve luftënxitës anembanë Lindjes së Mesme, në Gjermani nuk ka qeveri prej muajsh e në Itali shkojnë në zgjedhje më 4 mars; por, neve na e dha truri prapëseprapë që t’ia kushtojmë shkrimin pikërisht gjuhës.
Sepse çështja është se gjuha është ajo që na bashkon si shqiptarë, është themeli thelbësor i përbashkimit ndërshqiptar, sepse quhemi shqiptarë ngaqë flasim të tërë shqip, dhe nëse ditë për ditë rrënohet pak nga pak ( e shumë nga shumë përgjithësisht) muri i kështjellës së Gjuhës Shqipe, atëherë nuk mund të vonojë edhe terri i vetë ekzistencës qenësore të shqiptarëve si popull i përbashkuar.
Ky është shpjegimi më i përmbledhur i arsyes, i motorit shtytës që shërben si nxitës i paepur për të trajtuar tematikat gjuhësore, qoftë edhe në kohë festash, pijesh, argëtimi e hareje siç është periudha e fundvitit të vjetër dhe fillimvitit të ri.
Më mirë ta shtrëngojmë demin nga brirët qysh në fillim sesa ta lemë atë të vërtitet i lirë nëpër arenën figurative të qenësisë së gjuhës shqipe, duke e goditur shqipen me brirët metaforikë të analfabetizmit funksional, injorancës dhe turkomanizmit gjuhësor pandemik.
Është koha të veprojmë, pa lejuar që dëmi të zmadhohet e një ditë të gjendemi para faktit të kryer dhe pasojave të parekuperueshme në të keqe të gjuhës shqipe.
Janë faktikisht dy, rrjedhat e llumit gjuhësor që po fundosin ngadalë, por rregullisht, shtratin e mirëfilltë të Gjuhës Shqipe, sot do të ndalemi kryesisht te njëra syresh:
Pikësëpari kemi të bëjmë me rikthimin nga dera kryesore (si pasojë e cektësisë gjuhësore, padijes apo në mënyrë të qëllimshme me porosi nga ish Porta e Lartë në Azi të vogël) të turqizmave pafund, kryesisht aty ku nuk kanë fare vend në shqipen e përditshme, veçanërisht në përkthimet televzive.
E nuk e kam fjalën këtu për fjalë fare normale me origjinë turke të pranishme në Shqip, nga ato të pashmangshmet (e të parrezikshmet), që nuk prishin fare punë, si “qejf”, “pilaf”, “bakllava”, “budalla”, “hajvan” e kështu me radhë.
Fundja, si do të shanim dikë me gojën plot, nëse nuk do të përdornim për këtë qëllim shpotitës një shprehje tejet përçmuese turke?!
-Ik ore budalla! More copa e hajvanit!
Kështu padyshim që tingëllon më bindëse sharja, sesa me fjalë plot finesë e me forcë më të zvogëluar fyese.
Por, ndërkohë, po t’ia nisësh bataresë së turqizmave të kota, të pranishme me shumicë veçanërisht në përkthimet televizive vitet e fundit, atëherë pikëpyetja tipike italiane “Ci è o ci fa?” (në Shkodër do të thoshin, “A është i marrë a shtihet?”), del bindshëm në pah.
Sepse ose kemi të bëjmë me një analfabetizëm funksional të shfrenuar, ose këtu një regji e qëllimshme po i lëviz fijet në mënyrën e duhur, duke mëtuar rikthimin e gjuhës së sotme shqipe të 2018-ës, në suazat turkomane të gjuhës kopile të Hasan Zyko Kamberit aty nga shekulli i XVIII.
Atëherë kur bejtexhiu i ngratë, ndoshta pavetëdijshëm po vinte në jetë turqizimin final të tijin personal, por (fatkeqësisht) edhe të gjuhës shqipe, duke e shndërruar shqipen në atë stad, thjesht në njëfarë dialekti bastard të turqishtes së pushtuesit, me ndoca gjurmë ende të pranishme shqipe, por të mbrujtur, pjekur e gatuar me një mori turqizmash pafund, duke ia humbur përfundimisht gjuhës mëmë, trajtat, strukturën dhe veçoritë e saj mëvetësuese.
Po ju ofrojmë edhe një shembull të bejteve turko-shqipe në fjalë:
PARAJA
Mbreti urdhëron dynjanë
Që ka vënë taraphanë
E i presënë paranë
Ja di kimenë parasë
Dhe Veziri, q’është veqil,
Zë sikur të bënet’ adil
E mos thotë dot kaly-kil
Ja di kimenë parasë
Sheh Islami, q’ep Fetanë
Që di qitapëtë ç’thanë
Nukë kaçirdisë paranë
Ja di kimenë parasë
Myfti edhe myderizë
Edhe kyrra e vaizë...
Etj, etj.
Kuptuat gjë nga ky lëmsh pseudo-shqip e fort turqisht, miq lëçitës?
Unë jo ndërkaq!
Pavarësisht se turqisht çoç kuptoj diçka, prapëseprapë këtë “çorbë” gjuhësore të ashtuquajtur shqipe, e në të vërtetë krejtësisht turke, nuk arrita ta zbërthej dot, jo në shqip së paku.
Ndër të tjera, në këto bejte (se poezi s’janë kurrën e kurrës), ajo që vërehet qartë, mënjanë frymës thellësisht osmane e askund shqiptare të vargjeve në fjalë, është se rimat, pra thelbi i bejteve - përveç përmbajtjes së pazbërthyeshme nga një mendje e shëndoshë e ditëve të sotme – janë të gjitha të mishëruara me fjalë turke.
E panevojshme të them më tepër për Zykon e ngratë, se s’kam asgjë me të personalisht, paçka se mund të duket kështu gabimisht.
Zykua ka shkruar, lexuar (turqisht nëpër qitapët, mejtepet dhe divanet e tillë, padyshim) në një ambient jetësor e mendor në veçanti, krejtësisht të turqizuar, ku tratjat e shqiptarësisë kanë qenë qartazi në zhdukje e sipër, e që për fat të madh, paskëtaj, falë punës e veprës së shenjtë të Rilindasve tanë, kjo furi turkomane arriti të ndalej në kohë, para se ta përpinte krejt qenësinë unike të Gjuhës Shqipe, në grahmat e fundit të zgjedhës Osmane në trojet shqiptare.
Kurse sot, Zykua do të kish qenë i detyruar, ose të shpallej minoritar turk në Shqipëri, ose shqipen letrare do ta mësonte në shkollë të paktën, e po të fliste e shkruante në jetën e përditshme ashtu 80% turqisht në një shtrat në erozion e sipër shqip, atëherë padyshim që do të kishte hasur i gjori probleme të theksuara në komunikim me bashkëkombasit e tij shqiptarë.
Por, Zykua do të kish mundur patjetër të gjente vend, të nderohej edhe me një alamet rroge gjithaq, e të shërbente si shembull pune të lëvdueshme novatore në përkthimet televizive të 2018-ës, dy shekuj pasi pat vdekur bejtexhiu në fjalë, që (ç’rastësi more miq!) janë po aq të turqizuara sa ç’patën qenë edhe bejtet e Hasan Zyko Kamberit.
Sepse, vërehet qartas që po përdoren pandalur shprehje tejet prapanike turkomane në 100% të përkthimeve televizive shqiptare:
Nga termi i pamungueshëm “rehat” për çdo situatë të mundshme (“Rehatohu”, për zër vend, urdhëro, mirë se vjen, rri si në shtëpinë tënde, etj) te “Bujrum” për mirë se keni ardhur, te termi “Surrat” që ka nxjerrë tërësisht nga përdorimi format gjuhësore shqiptare “Turi”, “Fytyrë” etj, te turqizma “Hiç” që praktikisht ka asgjësuar (nuk e përdora rastësisht këtë term) formën shqipe “Asgjë”, “Kurrgjë”, “Gjë prej gjëje”, te turqizmi tjetër i kudondodhur “Boll”, si në trajtën që në shqip domethënë “Mjaft”, apo edhe në funksionin e diçkaje të pasur, të plotë, një shumësie ushqimesh apo hapësire (ushqim i bollshëm, hapësirë e bollshme), gjithësesi pra, turqizmat pandemike tanimë janë bërë të panumërta.
Nuk ndodh që diçka të bjerë “përtokë” për shembull, sepse domosdo të ketë rënë në “dysheme”!
Nuk ndodh dot që të dalim për ajër të pastër në dritare, pasi sigurisht që do të kemi hapur “penxheren” turqisht për këtë qëllim.
Sakaq, pulat padyshim që i rrasim veç në “qymez” turqisht, sepse koteci apo furriku në shqip, dalin tepër në këtë këndvështrim analfabet turkoman.
Një ushqimi cazë të thartë duhet “mutlaka” (turqisht për “domosdo) t’i themi “majhosh”, ndërsa dikujt që e ka tepruar me pijet, i themi “sarhosh” e jo i dehur, kurse sa herë që bëhet fjalë për ndonjë valutë, nga ajo vendase shqiptare, e gjer te Dollarët amerikanë apo Eurot e BE-së, do t’i trajtojmë monedhat e ngrata veç si “Pará” me theksin te “a-ja” finale gjithashtu.
Ndërkohë që siç e dimë fort mirë, gjuha shqipe thekset i ka gjithmonë të nënkuptuara, qoftë edhe në theksin final të mbiemrit të shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare!
Por, te turqizmi “pará”, për habi aspak të habitshme, theksi materializohet menjëherë si me magji.
Paskëtaj, nuk harrohet që çdo qindarkë, qoftë e Lekut tonë, aq edhe centët e Euros apo penny të Pound-it britanik, t’i shndërrojmë turkomanisht veç në “Groshë”, duke patur sigurisht parasysh “kuru?” të Lirës turke.
Për të mos përmendur “byrazerin” në vend të kunatit, “adashin” për dikë me emër të njëjtë me ne, “ustain” në vend të mjeshtrit, “çirakun” apo “shegertin” në vend të ndihmësit apo nxënësit, stazhierit, etj.
Edhe elefantin e ngratë e detyrojnë tashmë që në vend të dhëmbëve të tij botërisht të njohur, të gjatë e të çmuar, të ketë veç ca “çatallë” sipas termit turk për pirunin faktikisht, aspak për tiparin më të njohur të kësaj kafshe ekzotike.
Nuk mungojnë gjithashtu, edhe përdorimet në kufijtë e blasfemisë gjuhësore (fetare po që po), kur gjërave të krishtera nëpër përkthime iu referohet me terma turq, duke ua ndërruar atyre karakterin fetar tërësisht.
Kështu, rruzareve tipike të të krishterëve, u gjehet termi turk “tespihe” (e thua ti se priftërinjtë, murgeshat apo besimtarët e krishterë, rrinë poshtë rrapit, apo turqisht “çinarit” mes vapës së gushtit, e dredhin tespihet si beu apo dembeli turk i radhës, që shtyn kohën e ha miza).
Njëkohësisht, nuk humbet rasti që rrasos së klerikëve ortodoksë apo veladonit katolik t’i thuhet “xhybe”, ndërsa turbanit të hinduve të gjorë, nuk harrohet t’i thuhet thjesht “çallmë” në turqisht.
Noe-n e Arkës biblike, e cilësojnë si Nuhu, dhe “avash-avash” (se ngadalë, “sakën”, mos guxoni t’i thoni ore arnavutër pis milet) do të bëhemi “pishman” (të pendohemi, kurrësesi) dhe “sëra” turkomane (rangu shoqëror, fisnikëria, ncuq, s’pranohen si shprehje) do ta shpjerë përpara “sojin” (racën, fisin, shtresën familjaro-shoqërore) të turkomanizmit që patëm uruar ndoshta gabim, se tashmë kish “rënë nga vakti” (i kish ikur koha).
Kjo e “vaktit” përbën një ndër mishërimet më të shpeshta të turkomanizmit gjuhësor në gjuhën shqipe, veçanërisht në përkthimet televizive.
Kështu “meal” (ushqim pra) e përkthejmë si “vakt”. Dikë e ftojnë për të ngrënë drekë dhe patjetër që ky do të jetë një “vakt”, një racion ushqimi i shijshëm do të na përshkruhet domosdo si “vakt”, e kudo kemi veç “vakte” pafund, duke mos mundur më të hamë thjesht “mëngjesin” ose “sillën”, “drekën”, “zemrën” (ushqimi i pasdites), apo “darkën”, qoftë edhe “hajën” siç i thuhet në shqip, por “vaktin” se s’bën!
-Kemi një vakt të bollshëm, bujrum, rehatohuni në sofër avash-avash këtu në dysheme, nuk do bëheni pishman o mysafirë të ngremë një dolli!”
Ia kalova padyshim Hasan Zyko Kamberit me këtë fjali 90% në turqisht, apo jo?
-Kemi ushqim me shumicë, të llojllojshëm, mirësevini, zini vend në tavolinë (sofrave sikur u ka ikur koha mendoj) me ngadalë këtu, nuk do të pendoheni ore miq, le ta ngremë një gotë për shëndetin tuaj!”
E patë sa lehtë vinte edhe në shqip dëlirësisht kjo fjali?
Po në TV nuk mendojnë kështu, e patjetër që do të kishin përzgjedhur formën e parë turkomane për të përshkruar të njëjtën ngjarje. E bëjnë këtë nga padija apo dëshira, kjo “mbetet për t’u parë”!
Të mos flasim pastaj për çdo ushqim të botës, që do të përkthehet në shqip veç përmes shembujve të gjellëve turke.
Pra, në filmin apo emisionin e huaj (“jabanxhi”, se gabova) përkatës, flitet për “Paella” spanjolle, e do ta cilësojnë si “çorbë”, çdo gjellë me mish italiane, spanjolle, portugeze apo amerikane qoftë, vjen si “çomlek”, mund të qëllojë të jetë fjala për “Polenta” italiane, dhe do të na e përshkruajnë si “kaçamak” në turqisht, çdo gjellë që i ngjan “Qullit” do ta cilësojnë si “Qiriç”, çdo lloj buke, Baguette frënge do ta përkthejnë si “simite”, “gjevrek”, etj, “Pizza” napoletane si “byrek”, makaronat italiane si “Jufka”, etj.
E në këtë rrugë pa krye (“qorrsokaku” i dashur turkoman), padyshim që çdo gjellë do të hidhet në pjata me “qepshe” e jo me garuzhdën apo luharen shqipe!
Sallata është doemos “jeshile” e aspak e gjelbër, tavolina e hijshme plot ushqime, seç ka sigurisht një “nur” turqisht, por, habi e madhe që nëpër serialet pafund turke të transmetuara në TV tona, kur bëhet fjalë për Sulltanin, Shehzaden (trashëgimtarin e fronit) apo vezirë e sulltanesha, gjithmonë çoç përdoren terma europianë jo-turq si Perandor, Princ apo Kancelar!
Domethënë, që për vete dashkan të tingëllojnë e të shiten si europianë këta turq e turq-dashësit, ndërsa neve shqiptarëve duan patjetër të na e turqizojnë gjuhën gjer në palcë.
Këshillohet pra, që kësaj dukurie rrënuese për mirëqenien e Shqipes, t’i gjehet barna e nevojshme, kurrësesi jo “Hapja” në turqishten e përkthimeve televizive (nga “hap” në turqisht, pra, pilulë, tabletë mjekësore) dhe t’i vihet fre kësaj epidemie turkomane asgjësuese për të tashmen e të ardhmen e gjuhës sonë, që 105 vite pas pavarësisë, shikon t’i kanoset i njëjti rrezik asimilimi turkofon si edhe në vitet e errta të mesjetës osmane.
Është gjë e mirë që shpesh edhe interneti gëlon nga iniciativa amatore për pastrimin e shqipes nga latinizmat, italianizmat apo edhe anglicizmat gjuhësore, të futura në gjuhën tonë nga kontaktet e shpeshtuara me botën gjuhësore e kulturore perëndimore.
Por, tingëllon fort e habitshme, që nuk ngjallet asnjë nismë për ÇTURQIZIMIN e Gjuhës Shqipe, aq më tepër për qëmtimin dhe pastrimin e çlirimin nga turqizmat e panumërta e të panevojshme të përkthimeve televizive shqiptare.
Mos vallë qenkësh normale të ketë asimilim gjuhësor turkoman dhe gjithaq na u konsideruaka mëkat vdekatar të përdoren fjalë të huaja latine, duke e trajtuar turqishten si të Nënës, latinizimat si të Armikut (“dushmanit” more arkadashër), ndërsa shqipen thjesht e vetëm si të Njerkës?
Për ta mbyllur, të merremi përciptas me temën e dytë:
Njëkohësisht ju këshillojmë që “morrat” e kokës, mos i ngatërroni me diçka që keni marrë kur pastaj shkruani “e morra” në vend të “e mora”, dhe ngremë bindshëm edhe pikëpyetjen hamletiane, përse vallë i madhi Robert Shvarc e pati përkthyer “Tre shokët” kryeveprën e Remarkut, e jo “Tri shokët”, duke parë ndalimin me ligj që po i bëhet fjalës “Tre” së fundi?
Gjithashtu pyesim nëse për TV shqiptare, ka ndonjë peshk që nga gjuha e huaj nuk përkthehet si “shojzë”, ndonjë midhje a molusk deti që nuk përkthehet si “butak”, si i bëhet që vreshti i rrushit, pjergulla, hardhia e vilja e rrushit të përkthehen veç si “veshtulla”?
Por këto janë tematika të ndryshme që do t’i trajtojmë tjetërherë.