| E hene, 08.09.2008, 07:57 PM |
Emigracioni dhe Integracioni
Nga Qemal Sakajeva
Që të dy termat, apo të thëna shqip, të dy emërtimet, e dy prej proceseve sociale nga më të mëdhatë, pas rënies së “perdes së hekurt” mes Lindjes dhe Perëndimit, siç janë me tingëllim kakofonik, ato edhe përmbledhin një zhvillim të vetëm në dy gjysma, por, gjysma e parë nis diku kurse gjysma e dytë përmbyllet tjetërkund. Emigracioni përbën dukurinë botërore më tipike e të pandërprerë të këtyre gati 20 viteve. Miliona njerëz nga ish-vendet komuniste të Europës Lindore, Azia e largët, Lindja e Mesme e paqetë dhe Afrika e varfër, nuk pushojnë së vërshuari, edhe përmes rreziqeve të skajshme, as sot e kësaj dite, drejt viseve më të begata të botës: drejt Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kandasë. Shqipëria, njëra prej tyre, nuk është se, gjithë ato shtete, i ka përmbytur me emigrantë, sepse ata janë veç një milion të shpërndarë nëpër to, por me këtë numër të pazakontë për popullsinë e pakët që ka, më shumë ka krijuar zbrazëtinë njerëzore të vetvetes. Kjo e vërtetë, vetëm sa ka nisur të shqiptohet me zë të ulët, si njëra prej pasojave, jo aq e rrokshme, edhe pse mjaft e hetueshme: popullsia e Shqipërisë ka filluar të plaket. Kjo bëhet e kuptueshme, po t’i drejtohemi statistikës së disa viteve më parë që, 70 për qind e të emigruarve i përkasin moshës 17 - 51 vjeç, çka do të thotë, se është larguar grupmosha me e aftë për punë, me rendimentin më të lartë dhe baza e riprodhimit të popullsisë. Edhe pse, emigrimi në format e veta të vrazhdëta është ndalur në Shqipëri, nuk mund të thuhet se ikja përbën një dukuri në ndalje, ca më pak të ndërprerë. Emigrimi i shqiptarëve nëpër botë, vazhdon me dy rrugë të rëndësishme dhe ligjore: përmes bashkimeve familjare dhe numërit të madh të studentëve. Zbrazja nga këto dy kategori sociale dëmton cilësisht strukturën e popullsisë të mbetur në vend, nga që shumica e atyre që largohen përmes këtyre dy mënyrave, janë fëmijë, adoleshentë, të rinj e të reja. Ndërsa, kthimi i të emigruarve, për shtetin mbetet më shumë një thirrje e zëshme që nuk mbërrin në veshin e tyre të zhurmuar; për emigrantët është një dëshirë që rron në prushin e shpirtit të cilit flaka sa vjen e i venitet. Ardhja e tyre është thjeshtë ndjeshmëri ndaj familjes së ngushtë dhe pelegrinazh si në vendin e shenjtë: dërgim parash për të afërmit dhe shtegtim dy herë në vit, duke i dhënë jetës së atdheut dhe shoqërisë një gjallëri të veçantë sa, të krijohet përshtypja që, po të ktheheshin, përnjëherë, të gjithë sa kanë ikur, të duket sikur ky vend nuk e ka fuqinë për të përballuar atë numër popullsie që dikur e pati krejt të vetën. Sidoqoftë, nga emigracioni i shfrenuar, shoqëria jonë ka filluar të përballet me probleme të mëdha: plakja e saj, dalja në pah shumë shpejt e mungesës së fuqisë punëtore, krijimi i kontigjenteve të emigrimit të të shkolluarve nga që ata nuk gjejnë treg punë në vend dhe një mal thuajse të pakërcyeshëm me probleme sociale, sidomos atyre bashkëshortore dhe të rritjes së fëmijëve nga njëri prind. Ndërkohë që ne vuajmë Emigracionin, domethënë braktisjen, dhe gjithë problemet që krijohen prej tij, vendet e Bashkimit Europian vuajnë Integracionin, domethënë përthithjen dhe problemet që lindin për natyralizimin e të ardhurve në shoqëritë ku ata vendosen. Gjermania, procesin e integrimit të miliona emigrantëve, e vlerëson një sfidë të jashtëzakonshme. Kjo edhe për shkak të numërit të madh të tyre. Kështu, kryetari i fraksionit të CDU , në landin e Saksonisë së Poshtëme, David McAllister, tha për Deutsche Welle, se, “Gjermania po ndryshon. Në qytete të mëdha, përshembull, në Hanovër, çdo i dyti fëmijë, është me origjinë emigranti”. Po kështu, numër të madh emigrantësh ka Italia e cila, po përballet me vërshim të shfrenuar afrikan përmes detit Mesdhe. SHBA, Anglia, Franca, Greqia e vende të tjera, të cilat, duke vërejtur se sfida e integracionit nuk është fituar, por mbetet mjaft problematike, kanë përcaktuar kritere të rrepta për legalizimin e tyre si punësimi, njohja gjuhës, historisë dhe kulturës e vendit ku janë vendosur. Gjermania vëren se njohja e gjuhës gjermane nga emigrantët e saj është katastrofike, apo, siç, në SHBA, spanjishtja e emigrantëve hispanikë përbën problem për anglishten. Presidenti Horst Keler, disa kohë në parë, me të shtuquajturin “Fjalim i Berlinit”, nga rezidenca presidenciale “Bellevue”, iu drejtua punëtorëve, sipërmarrësve dhe politikanëve, duke u kërkuar tri gjëra: “Punë, arsim, integrim”. Kësaj mase të madhe njerëzore, e larguar nga Shqipëria dhe vende të tjera, ndërsa çdo ditë, asaj i duket se tjetërsohet e zbehet së qeni pjesë e popullit nga është shkëputur, për shkak të ndarjes me atdheun e vërtetë dhe përshtatjes me atdheun e dytë, pranuesve të tyre u duket se ajo është një masë njerëzore larg të qenit amerikane, gjermane, italiane, angleze apo greke, sepse mbetet e huaj për nga gjuha, kultura, sjellja, problemet, një transplantim që nuk funksionon organikisht, sa për shkak të pamjftueshmërisë së përshtatjes nga emigranti aq dhe për shkak të pamjaftueshmërisë së pranuesve nga defektet e mosintegrimit e paragjykime deri racore. Këtij procesi të thellë, të njëkohshëm, që zhvillohet si në vendet e emigrimit dhe në ato të integrimit, nuk mund t’i shmanget asnjëra palë, thjeshtë nga të qenurit në përballje me të dhe domosdoshmëria e përballimit të tij. Shqipëria, për shkak të varfërisë, nuk mund të frenonte braktisjen. Vendet e Bashkimit Europian, për shkak të plakjes, nuk mund të prapsonin pranimin. Presidenti Horst Keler, më 18 prill 2008, në Deutsche Welle, tha se, “ Ne duhet të përballemi me atë që popullsia jonë po plaket… Më mirë të diskutojmë herët për këtë se sa vonë”. Ky është një proces unik dhe i njëkohshëm që zhvillohet mes vendeve: ne na mundon braktisja, ata i detyron plakja; nga ne ikën për shkak të varfërisë, ata i pranuan për mungesë të krahut të punës; te ne emigrimin e nxit ende gjendja e papunësisë, ata i pranojnë për të mos frenuar rritjen e prodhimit dhe të mos lejojnë cenimin e standardit të jetesës. Emigracioni dhe Integracioni janë probleme madhore për çdo shtet dhe gjithë botën: vendeve të varfëra u duhet të vuajnë emigracionin, vendet e pasura duhet të kryejnë integracionin, një sfidë ende e pafituar prej tyre. Kontradikta mbetet ende e fortë: emigrantët medojnë se e kanë kapërcyer pikën kritike të integrimit, pritësit i gjykojnë të huaj për shoqërinë e tyre. E vetmja gjë që mund të bëjnë emigrantët është të shfaqen të domosdoshëm, si fuqi punëtore e aftë dhe vlerë sociale e kulturore. Pjesa tjetër e procesit të integracionit i përket shtetit dhe shoqërisë në atdheun e dytë që kanë zgjedhur. ...