| E premte, 22.12.2017, 12:02 PM |
Vepër e kulluar poetike
Nga Sejdi M. Gashi
Puna sistematike disavjeçare prej krijuesi, vrojtuesi dhe studiuesi të zellshëm të kulturës materiale e shpirtërore shqiptare përgjithësisht ka bërë që emri i studiuesit dhe krijuesit Kujtim Mateli të jetë i njohur për mjedisin krijues shqiptar. Kësaj radhe ky krijues i zellshëm paraqitet me vëllimin poetik: “Qetësojmë shpirtin e trazuar”. Siç mund të vihet re që në titullin e veprës, autori sikur paraqet një lloj paranteze, përmes së cilës na bëhet i njohur preokupimi kryesor i autorit, pra fati i atdheut dhe i kombit.
Në poezitë e këtij vëllimi ndihet shqetësimi se disa gjëra nuk po marrin zgjidhjen e duhur dhe se një dorë misterioze ka ndërlikuar çështjen shqiptare. Po edhe ne vetë shqiptarët, me paaftësinë e servilizmin e disa politikanëve, u kemi hapur oreksin fqinjëve tanë grabitqarë, që ende kërkojnë të na zhvatin troje e hapësira detare. Autori e qorton rëndë brezin e sotëm:
“ Gjërat e thjeshta i lidhim nyje/Dhe i hedhim udhëkryqeve ku do të kalojnë fëmijët tanë,/Gjithnjë e më shumë po e rrudhim rrethin e kujtesës”.
Në këtë vëllim gjen poezi që shprehin ndjenja të fuqishme për jetën e vdekjen, për dashurinë e ndarjen, ku përballen estetikisht e bukura dhe e shëmtuara. Në këtë përballje shquhet misioni i njeriut, që me qenien e tij i jep jetë e frymë planetit tonë. Në ciklin poetik “Në verilindje të Atdheut” autori me nota poetike shpreh dhembjen për ndarjen e padrejtë që u është bërë shqiptarëve përgjatë historisë. Aty gjen vargje të frymëzuara nga heroizmi dhe mençuria kosovare, që i sollën lirinë kësaj pjese verilindore të Atdheut.
Cikli “Brigjeve të Vardarit” është pjesa e fundit e librit, ku autori në poezinë “Fisnikëri shkupjane” shpreh ndjenjat e tij fisnike për botën shqiptare, për një hapësirë gjeografike që frymon dhe jeton shqip. Këtu, në Shkup, thotë autori: “Mendimi merr formë e bëhet yll,/ Bëhet erë gjethi dhe bleron lisin e shenjtë të Atdheut”.
Përmes kësaj përmbledhjeje poetike autori mëton të krijojë artistikisht biografinë e kombit tone.