| E hene, 18.12.2017, 09:40 PM |
Romani “Misioni” - një gjetje origjinale
Libri më i ri i shkrimtarit Vangjush Saro, parodi e përballjes me tatëpjetën ekologjike në natyrë dhe në jetën njerëzore (!)
Nga Elvi Sidheri
Besoj se meriton cilësimet më pozitive - si një gjetje origjinale, mbështetur mbi një teknikë bindëse - romani “Misioni”; libri më i ri në krijimtarinë e gjerë letrare të shkrimtarit Vangjush Saro. Rrëfimi i sotëm i këtij autori - një parodi e përpjekjeve për të përballuar tatëpjetën ekologjike, në natyrë dhe në jetën njerëzore, si dhe për të ndryshuar Shqipërinë, rajonin, por edhe fatet e gjithësisë e të njerëzimit - shërben pikërisht për të ngjallur më shumë besim në botën tonë letrare, ngërthyer në qerthullin e vaktësisë së krijueshmërisë aktuale, që rrallë e tek të ofron rast për t’iu gëzuar një botimi të ri, krejt origjinal, të mprehtë e fort cytës, si ky libër.
Po e them pa doreza, në letrat shqip, së fundi, mbizotëron synimi (shpesh megalloman) për të bërë të ashtuquajtura “kryevepra” të nivelit botëror; por duke harruar ndërkohë, në këto përçapje (të çartura) e sipër, thelbin e çështjes, atë që bota shqiptare e librit, në vogëlsinë e saj, ka nevojë pikësëpari që të përmbushet dhe shterohet me bindje sa i përket vlerave, spuntove dhe karakteristikave të saj burimore, ku do të ishte nevoja që të gjenin... gjetjet dhe frymëzimin e tyre edhe autorët shqiptarë; për të shkuar te lexuesi ynë me produkte “Bio”, të tematikave shqiptare, por me dimensione edhe më të spikatura se aq; (edhe pse, do pranuar që të pakta nuk janë në këtë vit të 17-të pas nisjes së mijëvjeçarit të tretë).
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të japë mend a të qaset si një ligjërim në katedër; por sakaq, sigurisht, synim i qindpërqindtë i këtij recensioni, është vlerësimi i këtij libri dhe thelbësisht i origjinalitetit të zemrës së zjarrtë të rruzullit njerëzor, ku frymojnë personazhet, ku gëlojnë ngjarjet dhe qarkullojnë pandalur situatat groteske në realizimin e tyre të padyshimtë, ku shohim si në një film episodet tërheqëse, edhe pse të dyzuara, që përbëjnë këtë botim. (Të dyzuara, sepse bota lëviz në drejtim të kundërt me “Mision”-in e heroit të romanit.)
Si edhe te libri tjetër, “Kurora e Ballkanit”, autori shtjellon dhe përqesh shtrembërimet e kohës: në jetën njerëzore dhe në natyrë, në krijimtari dhe në çdo aspekt tjetër të qenies. Duke dashur të shmang sa të jetë e mundur shpërfaqjen e përmbajtjes, e historisë qëndrore ku mbështetet libri, si dhe duke ruajtur kështu të ndezur kërshërinë e lexuesit për të mësuar zhvillimet e ngjarjeve, faqe pas faqeje, disa përfundime, gjithsesi, mund të nxirren lirisht lidhur me të. Heroi i çuditshëm i këtij romani, Ndrio Bedalla, do të kishte mundur aspak modestisht, të mishëronte një degëzim modern të një Shvejku ushtar të mirë Hashekian. Domethënë një personazh në pamje të parë mendjelehtë, por realisht fort i mençur e largpamës, që i arrin qëllimet e veta (edhe ato në dukje prej humbamenoje) përmes disa shtigjesh tërësisht të paeksplorueshme nga cilado qenie tjetër njerëzore që i përmbahet normave të gjykimit të shëndoshë. Sepse fundja, çfarë gjëje e bën diçka të cilësohet si realisht e shëndoshë në gjykimin e këtillë? Ta shpëtojmë gjithësinë nga deformimet në natyrë dhe në jetën shoqërore! Profesori në pension, Ndrio Bedalla, jo vetëm e ëndërron këtë, por edhe ndërmerr... misionin e tij (!)
Gjithçka ndoshta mbetet relative në këndvështrimin e secilit prej nesh. Dhe gjykimi i kryepersonazhit të kësaj drame sarkastiko-realiste, të këtij libri me gjurmë të qarta apo të mimetizuara mjeshtërisht neo-realizmi të përditësuar sipas vlerave të këtij fillim-mijëvjeçari, gjykimi i Ndrio Bedallës pra, është se bota kërcënohet nga rreziku klimatik dhe se jeta njerëzore, por edhe ditët e tij, përndryshe të cënuara rëndë nga limontia e pensionit në Tiranën gri të smogut e ndotjes njerëzore (më tepër se klimatike), do të bëheshin më të dëlira, do të ngjalleshin e jetësoheshin, nga një kauzë kaq fisnike e ndjekur këmba-këmbës me nuhatjen e mprehtë të një largpamësi kaq të veçantë, sa ky personazh, në kërkim të lavdisë personale apo shpëtimit të planetit; (atdheut po se po).
Më shumë, nga përmbajtja e romanit, nuk them dot, por doemos që ju mbetet juve, lexues e kolegë, të zbuloni më tepër nga aventurat argëtuese dhe të dëshpëruara njëherësh të rrëfimit, nga bota e personazheve dhe e dritëhijeve ekzistenciale të vetë kësaj Shqipërie kaq multidimensionale e nuancëplotë, që vjen krejt natyrshëm me tërë ngjyrat e saj kundërthënëse në faqet e këtij libri interesant.
“Misioni” është një botim që, për njohësit e kinemasë “D’Époque”, natyrshëm risjell ndërmend skenat gjeniale të filmave të paharrueshëm italianë, si “L’armata Brancaleone” apo “Meo Patacca”, filma ku absurdi i ideve të çartura dhe vizioneve kokëkrisura, krijon alkiminë e duhur për kryevepra të kinemasë klasike italiane, duke u futur edhe në jetën dhe zhargonin e përditshëm të italianëve, ku tanimë termi “Armata Brancaleone” nënkupton gjithnjë një sipërmarrje groteske, plot doza sarkazme inteligjente dhe humor të hollë, që vënë në lojë shtysat tona më intimisht tragjikomike njerëzore, në funksion të një qëllimi më të epërm artistik të ravijëzimit të tekave të mendjes dhe sjelljes humane.
Ndrio Bedalla mund të ishte fare mirë një Vittorio Gassman apo Gian Maria Volonté, aktorët madhështorë të Armata Brancaleone; por ai është thjesht shqiptar. Në një betejë për shumë më shumë se vetëm vendi i tij...
Lexojeni, pra.