| E marte, 12.12.2017, 07:41 PM |
Nga cikli “Koha e çudirave”
I VDEKUR DHE I GJALLË
Pjesa e dytë
Tregim nga Resmi Osmani
Pas ngjalljes nga ajo që u quajt vdekje klinike, Lakja po e merrte veten ngadalë.Ishte një lëngatë e çuditshme, kur asgjë s’të dhemb dhe gjithçka të ther e të sëmbon, e ajo këputja dhe shkrehja e gjithë kurmit, të bën të ndjehesh i lodhur, pa gjallëri, i tymtë , i havadantë dhe me mungesë dëshire për të gëzuar jetën.Sheqerja, e shoqja, i rrinte mbi kokë dhe e kujdesonte si të ishte një fëmijë i sapolindur. Mjeku që ajo thirri për ta vizituar, e gjeti atë mirë me shëndet, tha që ishte një gjendje apatike dhe që do të kalonte. I dha ca barna për fuqi.Për atë sëmundjen “apatike” Sheqerja, që të mos rrëfehej e paditur, nuk e pyeti doktorin, po me mëndje të saj, e mori për mërzitje. Lakja u bë ca kohë që nuk delte në qytet. Bezdisej kur e shihnin syshqyer e të çuditur, si një të ardhur nga bota tjetër. Shoku i ngushtë Cufe Zavalli, s’linte ditë t’i shkonte bosh pa i bërë një vizitë, sa për ta parë, rrëkëllyer një gotë të shkretë rakie dhe për të sjellë lajmet, të rejat dhe thashethemet.
Djali dhe vajza, që pinë atë kupë helmi të mynxyrshëm, dhe të çuditur e mahnitur kur e gjetën të atin të gjallë,pasi qëndruan disa ditë dhe u shmallën, ikën në punë të tyre, në Greqi dhe Gjermani. Të dy i thanë të atit që kur të bëhej për udhë, të shkonte mysafir te ata, të çlodhej por edhe të shihte botë me sy. Djali i la edhe lekët që do t’i duheshin për udhëtimin. Kur kaloi muaji dhe Lakja u bë mirë, e pleqëroi punën me sheqeren që të shkonin te djali në Athinë. “Çap ti, o baba. Unë se le dot vetëm shtëpi e katandi, pa kemi shpezurinat dhe dhinë. Desh Zoti, ishin mirë i pashë dhe më panë.”- i tha ajo dhe e mbylli atë muhabet. Lakja filloi përgatitjet. E para duhej nxjerrë pasaporta për jashtë për vete dhe Sheqeren. Dhe kjo donte një muaj kohë. S’ishin bërë mukajet më parë. Shkoi në gjendje civile.Pllakat e koridorit ishin të drangura dhe gjithandej të pështyra me ceflat e farërave të lulediellit.Gëlqerja e mureve e kishte humbur bardhësinë dhe vende-vende ishte ceflosur.Anës mureve në ca ndenjëse të drunjta ishin ulur dhe prisnin radhën nevojtarët.Tre sportelet, si ca sy të përgjumur,linin të dukeshin pas tyre nëpunëset të rrëgjuara e të bezdisura,që pyesnin, hapnin regjistrat e mëdhenj, shkruanin e vulosnin. Kur i erdhi radha, Lakja futi kokën te sporteli dhe përshëndeti. Nëpunësja,një lëneshë, fytyrë vrerosur, me rrudha që s’ja mbulonte dot kremi e pudra, hundë gremçe dhe sy të future thellë në zgavra. Në buzën e sipërme i dukej një nishan sa një bizele me një tufë qime. Lakja nuk e njihte.Nëpunëset ndërroheshin sa herë partitë vinin në pushtet. E ku e kanë psonisur? Kjo, mendoi ai, është si macja e zezë, që po e hase përpara ne mengjes po deshe që dita të mos shkojë ters, duhet të ndrrosh rrugën!
- Me se mund t’i shërbej zotërisë,kërkoni gjësendi? - zëri i saj vinte i ngjrrur si krrokamë dhe i zvargur, si e folura e një të përgjumure.
- Jo. Kalova këndej pari se më ra udha dhe u ktheva t’u shoh sesi ja kaloni.
Lënesha u kreshpërua dhe deshi të mbyllte sportelin, po Lakja e pengoi me dorë.
- Ngadalë moj pëllumbeshë. Kam një orë që pres në radhë. Njeriu s’vjen nga qefi këtu. Dua të bëj një pasaportë për të udhëtuar jashtë shtetit.Do të shkoj te djali.
- Ne s’jemi këtu për të bërë ju llogje. E sheh që jemi të mbytura në punë sa s’kemi kohë të marrim frymë! Letërnjoftimin!
Lakja ja dha. Ajo pasi e shqyrtoi, u ngrit dhe u drejtua te raftet ku mori një regjistër të madh me indekset e emrave dhe nisi ta shfletonte deri sa gjeti atë që kërkonte.Papritur ajo u step dhe e pa me një shikim zhbirues, u shfytyrua, pastaj ju shkreh:
- Me cilë tallesh ti?Pale,dukesh dhe goxha burrë!
Lakja s’po kuptonte gjë ngase asaj i erdhi ai mllef.
- Vjen të nxjerrësh pasaportë për një të vdekur!
- Jo, zonjë, për një të gjallë, që jam unë vetë, para teje, e që mund ta vertetosh me letërnjoftimin.
- Ç’na the! Iljaz Doko, figuron i vdekur dhe është çregjistruar nga libri i gjëndjes civile në bazë të akt-vdekjes, mbi bazën e të cilit është lëshuar leja e varrimit më datë….Ja shihe.
Në regjistrin familjar të gjendjes civile, emri i lakes ishte prishur me laps të kuq dhe anash ishte vënë shënimi me datën e vdekjes.
-Ashtu vërtet, po është punë e ngatërruar. Vdiqa dhe u ngjalla, dhe ja tek jam i tëri para teje.
- Kush je ti more, Jezu Krishti? Ti je kokrra e mashtruesit, një fallsifikator dokumentash. Ne punojmë me shkresa, u besojmë atyre dhe jo kujtdo, që ka vdekur e hiqet si i gjallë! Ti fizikisht mund të jesh i gjallë, por ligjërisht për ne je i vdekur dhe ne u bindemi ligjeve.Pikë!
I ndodhur para kësaj të papriture, Lakja u trondit dhe e humbi torruan. Mbeti si i ngrirë para sportelit dhe zëshuar pyeti:
-Po tani,zonjë, si i bëhet?
-Duhet të sjellësh një akt- ngjallje, të lëshuar nga ata që të shpallën të vdekur. Por më mirë ec e këshillohu me një avokat. Tashti shko në hall tënd, liroma sportelin se të tjerit po presin në radhë. Tjetri!
Lakja s’dinte nga të shkonte dhe i la këmbët kuturu, ta shpinin ku të donin. “Hall i gjallë e hall i vdekur. I gjallë për shtëpinë dhe njerëzinë, i vdekur për qeverinë!- mendoi ai- jeta dhe vdekja ishin pleksur ne nje lemsh të kokolepsur që si gjendej ana e zhduritjes”.Dhe hallet s’kanë të sosur. I shkoi mendja te Cufja. E gjeti para shkollës me tezgën hapur, mbushur me fara luledielli, kikirikë, molto, çmçakizë,patatina e çokollata dhe të tjera që u pëlqejnë fëmijëve. Priste që nxënësit të delnin në pushim. Kur e pa Laken të prishur në fytyrë, e pyeti:
-Mos të dhemb gje dhëmballa?
-Ku ma gjen, o miku im i mirë- dhëmballën e shkul, po vdekjen si ta shkul nga regjistri i gjendjes civile? Dhe i tregoi se ç’telash i ishte hapur. Si e sollën bisedën mbarë e prapë, i dhanë karar të shkonin në spital, të nesërmen, në orën e konsultave. Sheqeres që e pyeti, nuk i tha gjë, s’donte ta mërziste se menjëherë do t’i ngrihej tensioni.
Disa nga mjeket e urgjencës që e dinin rastin e tij, u trguan të përzemërt. E përshëndetën, e pyetën si ndjehesh. Pandehën se kishte vajtur për kontroll dhe konsultë,por kur ai u rrëfeu se i kërkonin një akt ngjallje, nga ata që e kishin shpallur të vdekur, u stepën dhe u iku buzëqeshja nga fytyra. Ishte rast i veçantë që atyre s’u kishte ngjarë herë tjetër. Doktor Kastrioti, që kishte konstatuar dhe vërtetuar akt-vdekjen, ishte transferuar në Tiranë. Kësilloj, atyre u vinte vërtet keq, por nuk mund t’ia plotësonin kërkesën. Ishte një rast i mjekësisë ligjore, u duhej të konsultoheshin dhe të pyesnin edhe në ministri, por bënte mirë të këshillohej edhe me një avokat.I thane dhe e përcollën.
Ndryshe nga sa e pandehte Lakja, sheqerja e priti pa gajle atë që i kishte ndodhur të shoqit. “Mos u qederos me gomarllëqet e atyre bibave të gjendjes civile. Shyqyr që t’i je mirë e me shendet, atyre varu teneqen. Mos e prish terezinë e të vesh merak, se gjërat do t’a gjejnë kararin! Sa për atë pasaportën, pret puna.”
Avokat Zaçe Seferin, ai e njihte qyshkur. Si prokuror ai e kishte thirrur dhe marrë në pyetje për shitblerjen e votave, por që ahere kishte rrjedhur shumë ujë. Zaçen, per ca dallavere që bënin “mu” e kishin shkarkuar si prokuror. Tani ai punonte si avokat. Studjua e tij ligjore gjendej ne bash të vendit. Lakja lexoi tabelën e madhe me shkronja blu: avokat Zaçe Seferi, studjo ligjore. Lakja trokiti dhe hyri. Avokati i njohur u ngrit më këmbë, hapi krahët si të donte ta rrokte n’grykë duke thënë:
- Pa shiko kush na erdhi! Lakja dora vetë. Miku im i shkretë, që s’të ndahen prapësirat. I kam marrë vesh gjithësa të kanë ndodhur, se qyteti ynë është i vogël de. Më bëhet qejfi që të shoh mire, pas atij sikleti të rëndë që hoqe. Ulu, ulu në kolltuk. Miku im i shkretë. Hele,hele, ç’e mirë apo hall të solli në kasollen time?
Lakja ja spjegoi për fije e për pe. Avokati bëri sikur ra në të thella.Por në sytë e tij si të skiles dhe fytren e kuqërremtë, u duk menjëhere hileja, lakmia dhe pangopësia. Gjahu i kishte ardhur në shteg. Po kur e pa më hollë davanë kuptoi se s’ishte aq e thjeshtë, përkundrazi. Në kursin e plepave, ku nga veteriner u dipllomua jurist, nuk u kishin spjeguar ndonjë rast të tillë. Më në fund ai foli:
- Miku im i shkretë, ky është një rast jo vetëm i rrallë, por edhe i veçantë, si ta them, i pangjarë. Për ‘të nuk ka një rast pararendës, ose si e quajmë ne në gjuhën juridike precedent, tek klauzolat e të cilit ne të mbështetemi dhe të gjejmë zgjidhjen. Më kupton? Duhet ta hapim të parët këtë rrugë, dhe të jesh i parë, de, s’është e kollajtë. Më kupton? E ke parasysh një pendë qe, mbrehur në parmendë, që hapin brazdën e parë në një tokë fang. Kështu është kjo punë, miku im i shkretë Lake.
- Ahere, Si i bëhet avokat?
Avokati,ngriti nga balli cullufen e thinjur, i dha flakë cigares, tymosi me ashk dy-tri herë, dhe i hodhi sytë në tavan si ta lexonte atje përgjigjen.
- Do t’ia gjejmë fillin.Vetëm mjekra e qoses nuk ka derman(këtë mjekrën e qoses ai ja thoshte çdo klienti).Së pari një dëshmi nga komisjoni mjeko-ligjor që ti u ngjalle së vdekurish, si Llazari i ungjillit. Pastaj do të hapim një çështje gjyqësore civile për vërtetim identiteti dhe shpalljen me vendim i ngjallur së vdekurish. Pas kësaj ti regjistrohesh i gjallë dhe bën edhe martesën me bashkëshorten, që tani zyrtarisht është e ve.
- Ç’janë këto që thua avokat?
-Po,po, miku im. Në gjëndjen e tanishme ti bashkjeton me zonjën tënde. Asnjë të keqe, kjo tanimë është në modë. Pas regjistrimit si i gjallë, duhet të bëni martesën zyrtare në gjëndje civile ,dhe për të pritur urimet duhet ti ëmbëlsoni me ca kuti llokume nëpunëset e atyshme. Le të kthehemi te gjyqi.Do të bëjnë analizat e AND dhe marrin shenjat e gishtërinjve për të vërtetuar shkencërisht,që ti je ti dhe jo ndonjë tjetër.Ashtu de. Do të lipsen dëshmitarë,po ky s’është problem. Gjyqi, ti e di si janë gjyqet dhe gjykatësit, mund të zvarriset e të hajë shumë kohë, mbase edhe me vite. Davaja-dava, dëshmitarët-dëshmitarë, dokumentat - dokumenta dhe shpenzimet-shpenzime. Eh në ç’telash je futur, miku im i shkretë!
-Axheba,sa mund të dojë?
- Po e mora unë, që ta di hallin, të themi pesë mijë euro. Gjysmat për hakun tim të punës, gjysmat për gjykatësit. S’ke çbën, duhet lyer rrota! Ndonjë avokat tjetër mund të dojë edhe më shumë. Zgjidh e merr. Është në dorën tënde.
Lakes sa s’i ra pika. Ju prenë këmbë e duar, i ikën fjalët dhe shikimi ju trubullua. Ç’ishte kjo hata! Aq para ai s’kish patur gjithë jetën.
- Jo, në derexhenë që jam katandisur, nuk mundem.- qe përgjigja.
- Po ti, lumëmiku, ke djalin dhe vajzën në emigracion. Le të bëjnë edhe ata një sakrificë, se s’mund të jenë me baba gjallë dhe baba vdekur de!
- Ja u di gjendjen dhe kamjen. Nuk e bëjnë dot.
Avokati ngriti supet dhe bëri sikur i erdhi keq. Mendoi ta ulte vlerën në katër mijë, po u bind se me këtë varfanjak, që kishte namin edhe si pijetar e hokatar, që çdo lek e hidhte në gotë të rakisë, e kotë të bënte pazar.
- Lake more i shkretë, hem i gjallë e hem i vdekur, ç’tu desh të ngjalleshe?
Me atë që nxori nga goja, avokati e kishte hak një dackë në atë fytyrën e ngjallme dhe Lakes po i hante dora, por e mbajti veten se ja kishte nevojën.
- Se mos ishte në dorën time!
- Ishe për bukuri, pa halle e pa derte, erdhi të të përcillte gjithë qyteti, tashti do të ishe harruar e do të ishe tretur! Sido qoftë, mendohu. Mua këtu më ke! Mirë ardhç.
“Ardhça dhe mos të gjetsha!” I tha ai pa zë,me mëndje dhe mori rrugën për në shtëpi. Ecte si në tym, i dyzuar: një i gjallë, me mish e eshtra, i ngarkuar me një barrë halle dhe hija e një të vdekuri që ai s’e shihte, por e ndjente, që ecnin krahë njëri-tjetrit, si në atë baladën e qëmotshme: keni parë a s’keni parë, shkon i vdekuri me një të gjallë! Kur arriti te kthesa e rrugës që ngjitej përpjetë kodrës për në shtëpi, pa në shtyllën e elektrikut një nga ato shpalljet që lajmëronin vdekjen e tij. Mbajti këmbët. Nga lart e shihte portreti i tij i qeshur, si t’a përcillte i gëzuar veten në atë jetën tjetër. Ndën të me shkronja të mëdhaja të zeza shpallja:”Me hidhërim të thellë njoftojmë ikjen e paprtiur nga jeta të shumë të dashurit tonë….” Ai nuk e hoqi shpalljen.S’ishte punë e tij, po e atij tjetrit, të vdekurit. Le ta hiqte kur të donte! Për çudi fryu një erë. Shpallja u shqit nga vendi dhe u përfshi në një gjeratore që e pështolli e bashkë me pluhurin dhe gjethurinat e ngjiti lart drejt qiellit . Lakja e ndoqi me sy deri sa ajo s’u pa më.
* * *
Ca kohë,Lakja u mbyll brenda. U zymtua dhe iu kthye rakisë, si një limani të sigurtë, ku i dukej se gjente prehje e ngushëllim.Por në qytetin e vogël që gjendej në luginë, midis dy maleve ,që e përshkonte një rrugë e vetme e cila e lidhte me juglindjen dhe veriperndimin e vendit,e që midis i rridhte lumi , mungesa e tij ra në sy. Por nëse qyteti i papunë s’prodhonte asgjë, thashethemet dhe lajmet e habitshme i prodhonte me shumicë, ishin ushqim dhe zbavitje e përditshëme.E pasi i shijonin, kur si treste më lukthi i villnin dhe i merrte lumi e i përcillte për në det. Harroheshin të vjetrat dhe buisnin të rejat që përtypeshin me nge. Ndaj mos u çudisni me ato që do të lexoni për personazhin e tregimit tonë:
Roja private e “Kredins Bank”,që ishte burrë i ndershëm e i besueshëm, tregoi se një natë pa hënë kur errësira kishte rënë mbi qytet dhe dritat s’arrinin ta çanin terrin, kishte parë që nga rruga e kodrës zbriti një siluetë burri, veshur me një pelerinë ushtrie nga ato të vjetrat, kokën të mbuluar me kapuç. Në shpinë kishte ngarkuar një send që dukej si qivur . Ecte me hapa të gjatë,si duke kërcyer si ta shtynte era.Prapa e ndiqte një mace e zezë. Roja ishte trembur dhe u fsheh pas një qoshe. Ai i kaloi pranë,por nuk e pa. Macja mjaulliu dhe e shikoi me ca sy si thëngjij të ndezur. Hija mori rrugën drejt varrezave.
Këtë të thënë e bëri më të besueshme roja i varrezës.”Më plaçin të dy sytë në ju gënjej. E pashë siç ju shoh juve: fantazma me pelerinë dhe qivur në shpinë, hyri në portën e varrezave dhe shkoi te varri i hapur.Çështë e drejta u tremba, por sido që errët, s’ia ndava sytë. Dëgjova vringëllimën e lopatës, pastaj s’u pa më gjë. Me frikë në zemër, në mëngjes shkova te varri i hapur, kishte gjurmë këmbësh, varri ishte pastruar nga dherat dhe ishte vendosur qivuri, i hapur pa kapak. Hija iku kur kënduan gjelat e parë. Lajmërova policinë. Natën tjetër dërguan një polic të armatosur, po fantazma nuk u duk prapë.”
Kishte dhe më. Nineta, lënesha, kunata e deputetit Topçiu, e gjëndjes civile, serioze dhe fort e besueshme, ishte pataksur dhe llahtarisur, kur në mesnatë, u ndez vetiu abazhuri i komodinës dhe pa u hapur as derë as dritare, në dhomën e gjumit, u faneps një hije. Ajo bërtiti dhe u ngrit shesh. Hija me duart e akullta e tërë eshtra, e kapi për gryke. Asaj ju meh fryma, pastaj zëri si një vërshëllimë gjarpri tha: “Nesër,pasaportën për jashtë, ndryshe je e vdekur!” Ajo klithi me sa zë që kish dhe ai u zhduk, pa hapur as derë as dritare. S’ia pa dot fytyrën se e kishte të mbuluar me kapuç…..Ishte e bindur se s’kishte qënë ëndërr.
Të tjerë thanë se në orët e vona të natës, kishin parë fantazmën here me pelerine, e here me atë veshjen ngjyrë portokalli të puntoreve te pastrim-gjelberimit, të endej rrugëve dhe të ndiqte pas avokat Zaçe Seferin dhe kalimtarët e vonuar që dukeshin si nëpunës shteti. Merret vesh, këto habere shkuan edhe në vesh të rajonit të policisë, çka u bë shkak, që për sigurinë e qytetarëve, të nxirnin patrulla të përforcuara. Por fantazma dinake ato net nuk delte!
Qyteti ziente. Nuk flitej për asgjë tjetër veç për fantazmën me pelerinë dhe kapuç. Pleqtë,që tymosnin çibukët paf- puf para filxhanëve me kafe turke, i ranë muhabetit degë më degë e shteg më shteg , pa zënë emër në gojë, thanë se nuk mund të ishte tjetër veç atij që vdiq e u ngjall! Kush isht i mençëm e kuptonte vetë. Si me hile, që të mos kuptohej, policia vuri një patrullë afër shtëpisë së Lakes, por më kot. Cufja i dëgjonte gjithë ç’fliteshin e thuheshin. Lakes nuk i tha gjë, po fije e për pe ja rrëfeu Sheqeres. Ajo lëshoi një lumë të sharash dhe i dhanë karar, që të dielën pasdite të delnin në qytet, të dukeshin dhe t’i shihnin. Ashtu e bënë. Sefte shkuan te kafja në lulishten anës lumit, ku më së shumti zinin fill e tirreshin thashethemet. Pastaj bënë një shëtitje allabraca në këmbësoren anës rrugës-bulevard. Lakja i hodhi krahun Sheqeres,si dikur në të rite e tyre dhe përshëndeste të njohurit majtas e djathtas. Ata shqyenin sytë kur e shihnin. Shkuan edhe në dy lokale të tjera,të mbushura plot, ku pinë çaj dhe gratë ca lënguriqe të shpifura. Por të dy burrat deshën ta lagin gurmazin dhe që të katër e mbajtën frymën te “Macja e Bardhë”. Zoica e Ndonit, që mënt pëllciste nga shëndeti, duke kujtuar historitë e shkuara, i priti pa qef dy pijetarët. Pas atyre që kishte dëgjuar i hodhi një vështrim rrëshqitas Lakes. Sesi ju duk: me faqe të rrufitura dhe me çehre të vrarë, ngjyrë dheu. Po fundja asaj s’kish ç’i duhej, ata ishin klientë si gjithë të tjerët, pale që shoqëroheshin edhe nga gratë dhe ishin kujdesur për veshjen, si të shkonin në ndonjë sebep. Zunë një tryezë në cep, pranë banakut, përballë derës, që të shihnin dhe t’i shihnin ata që do të hynin dhe do të delnin. Porosia: për burrat raki, nga ajo e mira, për gratë(zonjat)verë të bardhë. Meze të shumëllojshme. Porosia u vonua ca, por Zoica pruri shishet, dhe në një tabaka të madhe mezet që lëshonin avull.
Në atë tryezë rakia u derdh lumë, u ngritën dolli dhe u morën shëndete: për brënda prakut dhe për soj e sorollop gjer te stërnipër e stërmbesa. Burrat erdhën goxha në qef. Pasi trokitën gotat, Cufja i tha Lakes:
-O byrazer, e di që po më hanë këmbët, se mbaj mend që kur nuk kam hequr valle. Si thua, ngrihemi një herë?
-E kur ta kam prishur ty unë, o Cufe vëllai, por ama do ngrihen edhe gratë.
Të gjorat gra. E dinin që të dehurit dhe të marrit i duhet hapur udha. U ngritën. Vallen do ta hiqte Cufja, këngën do ta merrte Lakja dhe Cufja do t’ia kthente. Dhe kënga nisi: Moj kasolle ku na mblodhe/lart në stan në një lëndinë/atje ku bejkat e bardha rrinë/vinë rrurzat radhë radhë/dash përçori me këmborë…”Cufja dridhte shaminë, por këmbët i hidhte shatra -patra.
Zoica kishte mbështetur brrylat në banak. “Tok me rakinë ,mendoj ajo, të shkretët kanë pirë edhe mëndjen. Por nuk u tha gjë. Po bënin ca rrëmujë, po ashtu ua donte qefi, apo zemra e plasur, por tek e fundit ata paguanin për këtë,të tjerat s’i duheshin asaj. Sheqerja pagoi.Leket që kishte lënë djali per udhëtimin e të atit, u bënë tym!
Kur dolën, burrat si mbanin këmbët. Sheqerja thirri një taksi dhe të katër ikën në shtëpi.
Të tilla ngjarje e çudira ndodhin rrallë, por ja që ndodhin!
Si çdo çudi që tre dit e ka, edhe kjo u harrua, teksa njerëzia ishin në pritje të çudive të tjera. Ata nuk mund të bënin pa to.
Dhjetor 2017