Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Patricia Lidia: Qëndresa shqiptare

| E hene, 27.11.2017, 11:39 AM |


Qëndresa shqiptare në kazematet e barbarisë

Nga poezia e Vezir Ukajt reflektohet mllefi ndaj kushteve të trajtimit çnjerëzor që ushtronin autoritetet serbe ndaj të ndëshkuarve shqiptarë në burgun e Nishit. Në një numër të konsideruar poezishë vërejmë horizontin e një motivi tjetër, të një bote të hijeve, të kujtimeve që faniten si do fantazma në muret e burgjeve, ngjashmërisht me hijet e shpellave të përshkruara nga Platoni në dialogun me republikën. Atdheu e përkrah të ndëshkuarin të harrojë për disa çaste regjimin barbar, por pastaj realiteti monstruoz rivjen me një fuqi më të madhe, këtë herë ankthi duke u shndërruar në një përjetim të vërtetë. Vëllimi „Dhoma numër katër” tubon mes kopertinave të tij poemat e një heroi shqiptar që i ka bërë ballë një bote më absurde se sa absurdi në botën kafkiane.

Nga Patricia Lidia

Vezir Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe të komunës së Lipjanit - Prishtinë (Kosovë). Është mësues i gjuhës shqipe. Ka mbaruar studimet e larta universitare (letërsinë dhe gjuhën shqipe) në Prishtinë. Si veprimtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye, ka qenë i dënuar politikisht dhe, për disa vjet, dënimin e ka vuajtur në burgun më famëkeq të Serbisë - në Nish. Edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, është arrestuar disa herë. Vezir Ukaj është shkrimtar dhe ka botuar tri përmbledhje me poezi. Jeton dhe punon gazetar e redaktor i kulturës në gazetën e mësuesit “Shkëndija” në Prishtinë. Në vitin 2010 ka qenë i përkthyer në gjuhën rumune nga luftëtari i pa lodhshëm për afirmimin e kulturës shqiptare, Baki Ymeri. Vjershat e këtij vëllimi („Dhoma numër katër”), janë shkruar në vitet 1965-1970, në një periudhë të vështirë të ekzistencës shqiptare në Kosovë.

Demostene Andronescu, i persekutuar politik, thekson se në burg njeriu vdes së pari shpirtërisht. Duke mos patur asnjë dritë për jetë shpirtërore, shembet në depresion, dëshprim, urrejtje, pastaj shuhet edhe fizikisht. Për të shpëtuar, shumica sosh janë drejtuar nga gjithfarë aktivitetesh shpirtërore, duke shpëtuar më parë ata që kishin vokacionin e lutjes, por jo të gjithë mund ta përjetojmë lutjen si një flakë e brendshme që ta jep fuqinë për të vajtur më tej. Ndër to dallohen edhe ata që zbresin një shkallë më poshtë, nga etika në estetikë, nga lutja në poezi. Poezia duke qenë më lehtë për ta mbajtur mend, krahas lutjeve u bë një nga format më të mira për jetën shpirtërore të të dënuarve. Siç duket pra, njësoj si në trojet rumune ku poezia ishte një formë e rezistencës personale për të persekutuarit politikë, për të ndëshkuarit shqiptarë ajo u bë një ushqim shpirtëror, një shkallë drejt qiellit, përforcim dhe gurrë e gjallërimit në gjirin e një regjimi barbar, një mbështetje shpirtërore dhe një shpresë në zgafellat e ditëve të skëterrës: “Unë shkruaj Poezi/ Letra e bardhë/ të gjithë këndojnë/ të gjithë dashurojnë/ të/ gjithë thurin fole/ Letra ime e bardhë/ skuqet me gjak vargjesh/ ç’bëj/ Unë shkruaj Poezi.// Ç’fat poezia/ më pret me thikë/ me baltën e saj/ mbaroj shtëpinë time/ Druri i saj në turrë/ të gjallë më vë.// Druri digjet yjet mbesin/ Dru i zi qe Hiri/ ç’bëj/ Unë shkruaj Poezi...” (Poezi. Ti je...)

Poezia përfaqëson për këta “dëshminë” dhe inkurajimin suprem se do t’i tejkalojnë të gjitha vështirësitë, duke vajtur me vertikalitet, qëndresë e krenari, rrugës së tyre, ashtu siç mundnin, por duke ndjekur një besim: “Për mua vetëm Nesër jo kjo/ është Ditë. Nata në Gjuhën Time/ flet për Kohën e humbur.../ Jo kjo Sot për mua vetëm Nesër/ është Ditë. As Nata që vjen Sonte/ nuk është Natë. Për mua krejt hapësira/ veç vendit ku rrinë Yjet/ është një Burg i errët...// Jo Sot jo Nesër vjen Dita Ime...” (Pranë krejt pranë agimi). Poezia e burgut komunist të Vezir Ukajt është një komponentë importante (e rëndësishme) e lirikës shqipe. Është një vjershërim i vuajtjeve njerëzore në kazematet serbe. “Vuajtja ime nuk ka Emër nuk ka Adresë/ nuk ka Shtëpi nuk ka Qytet as Atdhe/ Vuajtja ime më ka vetëm Mua të vetmin/ që më vjen e më ankohet përditë...// Vuajtja ime nuk ka Emër/ nuk mund ta gjurmosh/ t’i pyesësh njerëzit/ të shfletosh Adresar Kalendar/ t’i pyesësh fëmijët e rrugës/ si e ka emrin Vuajtja e huaj...” Dhe më tej: Mos më pyetni për vuajtjen time/ ajo nuk ka Amë Adresë as nuk është Fjalë/ si t’jua/ prezantoj si t’ia nxjerr Letërnjoftimin/ Çertifikatë lindjeje nuk ka Vuajtja ime/ nuk dihet as Dita e lindjes së saj/ as Dita kur do të Vdesë një herë të Vetme...” (Mos pyet). Dhe kjo vuajtje, e kuptuar konform krishtërimit, e afron njeriun pranë Zotit.

Janë dy dimensione absolutisht evidente: kuptimi human i shokut të përvuajtjes, dhe shpresa në përkrahjen e divinitetit (hyjnores). Në sfond, poezia e burgjeve komuniste është një ilustrim i porosisë evangjelike fundamentale mbi dashurinë ndaj Zotit dhe mbi dashurinë ndaj të afërmit. Kështusoj mund të flasim si për një poezi të “rastësishme”, kur vjen fjala për Qëndresën shqiptare në kazematet e huaja, e shkruar më 1964, kur autori i persekutuar nga autoritetet komuniste jugosllave, kuptoi për vdekjen e Fazli Greiçevcit në burgun e Prishtinës. Apo Nata, një turrë zjarri, e shkruar për një “shpifës”. Poezia e burgut është një ndjeshmëri e thellë vuajtjesh, dhe si e tillë duhet kuptuar në kontekstin e botimit të saj, kur komuniteti përmes kodit Morse bëhej pothuajse i përgjithshëm, ngase ekzistonte një nevojë e domosdoshme informacionesh, ndërsa poezia, madje, edhe ajo ishte e ndjekur. Për një fjalë të vetme, ndëshkimi ishte i ashpër. Shkruhej vetëm në mëndje, në memorje, letra dhe lapsi duke qenë rreptësisht të ndaluar, duke i transmetuar “lajmet”. Dhe “krijimet” përmes kodit respektiv (Morse), me trokitje në gypat e kaloriferit, motiv për të cilin fillimisht krijon përshtypjen se vargjet kanë mbetur të palatuara, në formën bruto, por pas rileximit të tyre e gjen artin poetik:

„Flas me vetveten/ ç’i thonë kësaj/ të mos shohin xhindet/ shikoni kudo në dhomën time/ muret janë bërë Pasqyrë/ ia kthej shpinën vetes sime/ të shoh ç’më pret Larg...// Si i thonë Njeriut/ që flet me vetveten/ po unë nuk kam Fjalë/ një shumnajë mendimesh/ pa Bisht pa Kokë...// E si t’i urtësoj Fjalët/ që ngrihen kundër Meje/ a jam Unë autor i atyre/ që me kuptime më të dhembshme/ më vrasin/ “për çdo ditë nga pak”... (Bisedë). Nga poezia e Ukajt nuk mungon as qëndrimi i revoltës, ashtu siç e shprehin vargjet kushtuar grevës së urisë në vitin 1966, si pasojë e kushteve të trajtimit çnjerëzor që ushtronin autoritetet serbe ndaj të ndëshkuarve shqiptarë në burgun e Nishit: Dita e revoltës mori Plagë/ shpirt pushton Kënga/ Burgu poezinë ma Arrestoi/ Shpresa ime Agim i bardhë/ me gozhda këngën ma gozhdon.// Kënga dallgë/ Deti pa Breg/ tinëzisht ma varros Dashurinë/ Pranga këngën stolis/ gojëlidhur këndoj/ Këngë më Agon Vetja Ime...// Vdekja bën Ekspertizë/ Njeri në Njeriun kërkon.// Shpresa ime Agim i Bardhë...” (Vdekja në ekspertizë).

Përfytyrimeve të frymëzuara nga realiteti

Përshkrimi i universit të burgut kalon nga realizmi bruto deri në ekspresionizëm, duke tentuar të na sjellë sa më afër përjetimet e tyre. Vërehet në poezitë e Vezir Ukajt, diçka që nuk mund të duket veçse në krijimet e atyre që i kanë përjetuar përvojat traumatizuese, të përsëritura sistematikisht për çdo ditë. Nëse në tekstet e shkruara nga ata që nuk kanë përjetuar mundime fizike, burgosje dhe krejt vuajtjet që pasojnë prej këtu, në lirikën e këtij shqiptari të persekutuar ballafaqohemi me përfytyrime të frymëzuara nga realiteti (ndryshku, forca e erozionit të ujit, barra e metaleve etj.), për të ridhënë sentimentin e degradimit, vuajtjes, shtypjes etj. Përndryshe, në këtë libër, poezitë janë të përshkuara nga realja dhe metaforat e tyre janë të „qëndisura” me ashpërsinë e realitetit. Në përfaqësimin e dhembjes, të acarit, të urisë, të mjerimit, të mosprehjes, të zvetënimit, të padrejtësisë etj., janë krijuar disa nga përfytyrimet më të ashpra: „Muret e lagështa dhe Terri/ Terri dhe lagështia gjithnjë/ M’i zbrumin/ Eshtrat e fjalëve.// Mes Murit Territ e Lagështisë/ Zbrazëtia e shenjave në Mur/ Hieroglifi emrat anonim/ Të të munduarve të Vdekur...// Muri me shenja me grafe të zeza/ Formula të Jetës e të Vdekjes/ Shenja të mbuluara me Kufomë/ Asnjëherë të varrosura...// Terri Lagështia Uria Vetmia / Ekip lojtarësh të Fatit të zi/ Bëjnë salto mortale të padukshme/ I rrëzon Shpresa që fiket shqim...” (Në shtëpinë e bardhë).

Realja në këtë kontekst është e llahtarshme, aq saqë shpesh herë përshkrimi prek të pabesueshmën. Acari i metaleve, i gurit, shpërbërja nga poezitë e Bacovia-s ndjehen edhe te ky poet i talentuar. Nën spektrin e përjetimit, të përmbajtjes së transmetuar, të jetës, të vdekjes dhe ringjalljes, pasi lexon dëshmi të këtilla, krijon përshtypjen se edhe atëherë kur lutesh, së bashku me Mbretin David, poezia kontemporane (e sotme), e atyre që janë të lirë, të zbeh dhe në këtë dritë ajo duket si një rrënqethje lëkure. Vlen ta japim të tërë, pa shkëputur asnjë pjesë të saj: „Miku im nuk u dorëzua u desh ta vrisnin/ në vend të huaj lumi trupin ia/ dërgoi// si në Përrallë u ringjall prapë i Ri/ ja ku më vjen për çdo natë në një Këngë/ e më lut edhe Unë t’i qëndroj pranë...// Po ku mundem Ti i vdekur Unë i gjallë/ Ty s’të dhemb Ti nuk digjesh plumbi s’të kap/ a nuk kam qenë dhe Unë si Ti prapë më thotë/ në këtë Botë dhe në atë Tokë njësoj Është.// Pse atje Jetë e vërtetë a më pret të shpresoj/ kot ëndërroj si Ti s’bëhem Moshë nuk kam/ të Ri të vranë e Unë në Pleqëri asgjë s’kam/ Vdekja ime s’e ka vlerën që pati kaherë/ në atë Pranverë të vdisja Unë kur të vranë/ do të mund të dilja nga kjo Jetë të hyja në Këngë.// Qëndro më the dhe Ti shkove asgjë nuk more/ çka më mbeti veç kjo Barrë që i thonë Robëri/ Ti atje në Liri në pafundësi në një Parajsë/ a jam më i Gjallë apo më i Vdekur sesa Ti...” (Qëndresë).

Në një numër të konsideruar poezishë vërejmë horizontin e një motivi tjetër, të një bote të hijeve, të kujtimeve që faniten si do fantazma në muret e burgjeve, ngjashmërisht me hijet e shpellave të përshkruara nga Platoni në dialogun me republikën. Fillimisht paraqiten kujtimet për fëmijërinë dhe familjen. Atdheu e përkrah të ndëshkuarin të harrojë për disa çaste regjimin barbar, por pastaj realiteti monstruoz rivjen me një fuqi më të madhe, këtë herë ankthi duke u shndërruar në një përjetim të vërtetë: “Në Dhomën “kaluese” tri mure/ Emra Shkronja lloj-lloj/ Data në pranga lidhur Emra/ Emra të njohur të panjohur/ Shkronjat gjak kullojnë Emrave/ si plagëve të Kosovës/ si plagëve të mia...// Tri mure heshtjeje/ Hije misterioze bredh vërdallë/ vazhdon të bëjë Hetime pas Dënimit.// Në Pellg nëntoke Ferr/ Shtëpia e bardhë burg Nishi/ (e gjeta Kosovën Lidhur në Pranga)/ banesë e Gjyshit e Babait e Nipit/ Emrin tim Numër ma vunë Etiketë/ i Burgosur Politikisht në moshën 22 vjeç/ Unë Banori më i vjetër i Evropës/ i bërë Skllav/ në fund të Shekullit Njëzet...” (Në dhomën „kaluese”).

Vëllimi „Dhoma numër katër” tubon mes kopertinave të tij poemat e një heroi shqiptar që i ka bërë ballë një bote më absurde se sa absurdi në botën kafkiane. Vezir Ukaj ka qenë i ndjekur, i torturuar, i trajtuar si një objekt i mirë për ta flakur për „fajin” pse kishte dinjitet. Ballina jep në mënyrë të gëzuar përmbajtjen e librit. Dera e hapur krijon lidhjen mes dhomave të zbrazëta, të mihura në shkrepa, që të shpie me mendimin te qelia e ftohtë e një burgu, sa për trupin, po aq edhe për mëndjen, purgatori i të ndëshkuarit politik ndërmjet jetës reale dhe vdekjes.