| E hene, 27.11.2017, 09:22 AM |
Tahir Bezhani
Dy poezi për Tropoja Poetike
NË LEZHË
Atë ditë në Lezhë
Sytë e mi puthen kalanë
Drini gurgullonte këndshëm
Në heshtje ecte
Recitonte poezitë e kohëve të ikura..
Fletët e një shelgu dridheshin
Si valltaret e Tropojës, hareshëm
Puhia i miklonte fytyrat tona
Poetë të tubuar nga gjithë vendi
Buzëqeshnin përqafimeve të gjata
At Gjergj Fishta në bronz
Përkushtim i krenarisë së takimit
Aty afër,gjithmonë kokën lart
Një shatërvan derdhte ujin nga gurrat
Flladiste zemrën time gëzueshëm
Para se t’i dilte flaka...
Si hije pranë vërej një siluetë
Më shitoi bukuri e saj
I ngrirë mbeta para atij afshi
Tym më dilte para syve
Përqafoj shatërvanin statujë
E shtërngoja si i gurëzuar dyshimeve
Do të doja ta puthja,kisha frikë nga zjarri
T’ia puth sytë që shpojnë thellësive
Ato buzë shije mjalti
Në kullë dëshirash u ngujova
Kujtim i gjatë mbetët kallja
Gërvishtjet e shpirtit shprushin dhimbjeve
Shikimet më vijnë pas
Përcjellin psherëtimat e enjtura
Më shoqëron përmallshëm bukuria
Lezhë moj
Muza ime....
LEZHE, TETOR 2017
FTOFTËSI BRENDA VETES
I lodhur nga vajet e ditës
Shtrij trupin e lodhur
Në shtratin e dhimbjeve
Si në syprinën e akullt ,gjerë e gjatë
Fjalët dalin heshtazi
Krismave të dhëmbëve pa zë
Zhurmë helmuese fëshfërin
Vrapoj pas xixave që më lëbyrin sytë
Nuk vërej rreze dielli as sonte
Dridhje trishtuese deteve
Si vetmia ime humbur në erë...
Shumë gjatë ka që pres
Sa rrapëllimën e dëgjova sonte
Kullës sime po ia hiqnin trarët
Ata që punojnë vetëm netëve të zeza
Nuk desha të flë pa dëshmi terri
Pa dashje m’u kujtua djepi
Kur pushonte lodhja e fëmijës
Nëna përkund ëmbël
Në djepin e gëzimit
Rritur me ninulla e duhma amnore
Janë erë toke e lot nëne
Nuk harrohen kurrë....
Gjakovë, 2 Nëntor, 2017