Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Honestera e një kënge (2)

| E shtune, 04.11.2017, 10:41 AM |


Honestera e këngës

Nga Timo Mërkuri

Vijim

4-Por krijimi i honesterës së kësaj kënge ka hershëmri në shekuj dhe si e tillë “rezerva ujore” që ka grumbulluar është tepër e madhe, për tu shteruar me një “curil të hollë uji”, siç ishte kjo këngë për  përplasjen e grave himarjote me xhandarmërinë..

Krijimi i honesterës të këngëve himarjote të rezistencës në fitim dhe mbrojtje të autonomisë (venomeve), nis qysh me vdekjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut në 17 Janar 1468 dhe fillimin e rrënies së rezistencës anti turke të popullit shqiptar.

Vdekja e Skënderbeut ishte një tërmet i fuqishëm që vithisi në themele  e çau “murin” e reziste-ncës shqiptare përballë furisë turke. Kështjellat shqiptare nisën të binin njera pas tjetrës ndërsa fisnikëria arbërore mori rrugën e emigrimit. Kështu kalendari i rënies së kështjellave shqiptare është shumë i dëndur. Në 16 Qershor 1478 bie Kruja, në 1 Shtator 1478 bie Drishti, në 5 Shtator 1478 bie Lezha dhe në 25 prill 1479 bie Shkodra. Të gjitha këto kështjella ranë pas i bënë një rezistencë të gjatë rrethimit turk ndërsa kështjellat e bregdetit si ajo e Himarës, e Borshit  dhe e Kastrovilës  ju dorzuan turqve  brenda vitit 1479  nga Venediku, i cili i kishte në administrim në atë periudhë.

Marshimi turk i ngjante përmbytjes që shkakton një lumë kur del nga shtrati. Në pranverë të vitit 1480 ushtria turke zbarkoi në në Pulje dhe pushtoi Otranton në tokën e Mbretërisë së Napolit.

Dukej se asgjë nuk do ti ndalte  turqit, të cilët synonin të vendosnin minaret e xhamive në ki-shën e Shën Pjetrit në Vatikan, ashtu siç bënë me kishën e Shën Sofisë në Stamboll.

Por ja që befasisht situata  ndryshoi  nga një ngjarje e  papritur. Në qershor të vitit 1481 vdes papritur Sulltan Mehmeti i II i quajtur Fatihu …Vdekja e Mehmetit II  rilindi shpresën për çlirim nga turqia kudo në Shqipëri. Kështu filloi rikthimi i fisnikëve shqiptarë të emigruar në Itali për të rimarë  zotërimet e tyre duke larguar pushtuesin turk edhe me luftë të armatosut popullore. U rikthye Nikoll Dukagjini, më pas edhe Lekë Dukagjini…

Por këta fisnikë nuk e kishin autoritetin e Skënderbeut për të mobilizuar popullin. Duhej një tjetër autoritet. Vëmëndja u përqëndrua te djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti. Atëherë…”u dër-guan lajmës në Pulje, pranë mbretit të Napolit me kërkesën për të rikthyer në Shqipëri djalin e Skënderbeut, Gjon Kastriotin për të “marë në dorë zotërimet e të atit”… (Himara në shekuj, Bo-tim i Akademisë së Shkencave . fq 106).

Populli këndon:

Trimi trimin kishte lerë

O Kastrioti me nderë

Nga Donika jon’ e mherë

Që qe bijë nga kjo derë

Të kemi nipçe përherë

Të kemi nipçe të lartë

Ndaj të presim të na vish

Të na vish e të na rish

T’i vësh dërmën osmanllis.

Fane Veizi: Bregu i detit në këngë fq 42

Gjon Kastrioti e pranoi ftesën për t’u kthyer në atdhe.. Në kronikat e kohës  ( Stefan Magnos) thuhet se: “Popujt e vendit të Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbej, …dërguan në Pulje njerëz për të kërkuar Gjonin, birin e tij, që të shkonte për të marrë në dorë zotërimin e të atit” . Aty mësojmë se  në atë kohë Gjon Kastrioti  ndodhej në ushtrinë e dukës së Kalabrisë, Alfonsit Aragonez, biri i Mbretit Ferdinand të Napolit, duke luftuar kundër turqve që mbanin të rrethuar Otranton... dhe se bashkë me atë  ndodhej edhe Kostandin Muzaka, një bujar shqiptar, kushëri i parë i Gjon Kastriotit, të cilin e kishin ftuar vetë himariotët për të luftuar në Himarë si kapedan i tyre.

Duka Alfons e pranoi kërkesën e fisnikëve shqiptarë edhe sepse i interesonte krijimi i një fronti të dytë në shpinë të turqve,  ndaj e  ndihmoi Gjon Kastriotin duke i dhënë  katër galera që të kthehej në Shqipëri bashkë me Kostandin Muzakën “së bashku me shumë burra  që ai kishte me vete”.  Këtu mësojmë se bashkë me ta Alfonsi dërgoi “Kladën prej Korone i cili kishte ikur nga Krahu i Manit”  (Greqi).

Ekspedita zbarkoi fillimisht në afërsi të Durrësit në korrik 1481 dhe pas disa luftime nëpër  në Shqipërinë e Mesme, një pjesë e tyre udhëtoi nëpër det drejt Himarës.

Kronika e kohës  thekson:“Katër galere të flotës mbretërore, që e kishin sjellur atë në ato anë, me Kladën prej Korone, shkuan duke plaçkitur nëpër ato brigje në dëmin e turqve dhe që andej Klada kaloi nga Vlora dhe shkoi në malet e Himarës…, ata popuj të atij vendi malor, që janë më shumë se 50 fshatra, qenë ftuar t’i zbonin turqit dhe të rifitonin lirinë dhe me galeret e thëna shkoi në kështjellën Himarë, fortesë kryesore e atij vendi, dhe atë fortesë e sulmoi”.

Subashi turk i Himarës i kërkoi ndihmë bejlerbeut Sulejman Alibeut në Vlorë, i cili ndërkohë  përgatitej për të rifilluar veprimet ushtarake kundër Otrantos në Pulje. Kërkesa e subashit e detyron të nisej vetë  në ndihmë të tij me një repart ushtarak prej 3000 vetësh të armatosur. Por “Popujt e malit të përmendur (himariotët) …shkuan tek një qafë mali ( Qafën e Llogorasë ) e mundën dhe e kapën (bejlerbeun) me shumë turq, kurse shumë të tjerë i vranë.

Populli këndoi:

Sulejman Unuk jeziti

Bir osmëni Stambolliti

Sa mirë t’u bë tertipi

Llogara seç të thëthiti

Buftë të madhe të ngjiti…

Fane Veizi: Bregu i detit në këngë  fq 45

Subashi i Himarës u arratis me anije në Korfuz, kurse “Klada që kishte ardhur me galeret aty, hyri dhe mori edhe kështjellën e Sopotit që ishte në malet e përmendura” duke u çliruar në këtë mënyrë gjithë krahina e Himarës. Si datë e çlirimit të Himarës shënohet 31 gushti 1981.

Më 10 shtator 1481, dhjetë ditë pasi u çlirua Himara, ushtritë e dukës së Kalabrisë, duke përfituar nga telashet e turqve në Shqipëri, çliruan Otranton.

Viset shqiptare të çliruara e njohën si princ Gjon Kastriotin. Por principata e re shqiptare  ishte shumë e dobët. Vendi  nuk kishte burime për ta mbajtur në këmbë luftën e vazhdueshme, ndër-kohë që  Perandoria Otomane ishte shumë e fuqishme.

Më 1482 kryengritja në Shqipërinë e jugut duket se u shtyp.  Turqit ribënë edhe nje herë regjistrimin e tokave të sanxhakut të Vlorës, me përjashtim të krahinës së Himarës.

Në vitin 1483, Mbretëria e Napolit bëri paqë me turqit dhe populli shqiptar mbeti përsëri i izolu-ar pa një aleat të jashtëm.. Ushtritë turke i vazhduan operacionet gjatë viteve 1482-1485, dhe arritën të ripushtonin në verën e vitit 1484 kështjellën e Himarës, kurse sundimin në krejt Shqipërinë mundën ta rivendosnin vetëm në vitin 1485.

Kështu që dhe Gjon Kastrioti u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në Itali.

Megjithëse kryengritja u shtyp,  gjatë regjistrimit të tokave, turqit në rezistencën e armatosur të popullatës  himarjote... Për të thyer këtë rezistencë, , sundimtarët turq menduan të fusnin në lojë   fisnikët  shqiptarë renegatë. Një nga këta renegatë ishte  Komjan Arianiti, që ndërkohë ndodhej në oborrin e Sulltanit dhe pretendonte zotërimet e dikurëshme të Arianitëve. Sulltani e gradoi sanxhakbej  dhe e dërgoi këtë renegat në Himarë, por himariotët nuk e pranuan dhe në fillim të vitit 1486, pasi e kapën të gjallë, e vranë duke shpallur kështu fillimin e një kryengritjeje të re …

Populli këndon:

Ç’thotë Padishahu ç’thotë

Për Himar’ e himarjotë

“Djem të shkathët e të zotë

Bëj t’i vras e si vras dot.

Dhe ata që me ne qenë

Si Komneni me të tjerë

Ç’i përzunë dhe çi prenë

Copa e çika i therë”.

Fane Veizi: Bregu i detit në këngë fq 49

Për të shtypur këtë kryengritje sulltani nisi atë vit për në Shqipëri ushtrinë turke, nën komandën e Sinan Pashës, dhëndërit të tij, por ky dështoi në tentativën e ndërmarë.

Më 1488 kryengritja u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme, ku u aritën disa fitore të rëndësi-shme dheu  çliruan disa krahina. Duke parë suksesin  e aritur, kryengritësit shqiptare dërguan përsëri një delegacion në Itali për të thirrur Gjon Kastriotin, ardhja e të cilit nuk konfirmohet nga dokumentat e kohës. Kryengritja vazhdoi deri më 1492, duke e ngushtuar autoritetin turk rreth kështjellave me garnizone pushtuesish. Situata e vështirë e ushtrisë turke kërkoi prezencën e vetë sulltanit.

Në verën e vitit 1492  sulltan Bajaziti i II, në krye të ushtrisë turke u nis nga Sofia në drejtim të Shqipërisë dhe u vendosën në krahinen e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Paralelisht flota turke doli në brigjet e Himares.

Me ardhjen e ushtrive turke, luftëtarët himariotë sistemuan  familjarët nëpër vendstrehimet e fshehta malore dhe vetë u pregatitën për luftë. Sulltan Bajaziti kishte planifikuar operacione ushtarake për nënshtrimin e  popullsisë kryeneçe himarjote. Këto operacione të planifikuara e të ndërmara janë evidentuar nga një sërë kronikanësh turq të kohës, të cilët interesimin e tyre për këtë ndërmarje të ushtrisë turke e lidhin me vetë praninë e Sulltan Bajazitit të II.

Kronikani Kemal Pashazade, shkruan se sulltani u nis në “vendin e shqiptareve”, “në nahijën e njohur në atë vend me emrin vilajeti i Juvanit”; Oruçi shënon se sulltani u nis në “vendin e Juvanit”, Bitlisiu, tregon se vendi i fushatës ishte “Shqipëria”, se sulltani urdhëroi Sinan Pashën, komandantin e flotës turke, që “të nisej nga ana e tij me 300 anije në drejtim të Shqipërisë dhe t´i nxirrte ato në Vlorë”. Bitlisiu shton se Vlora, ku duhej të ankoronte Sinan Pasha, ishte “fqinjë më viset shqiptare” (kryengritëse). Kronisti tjetër, Aliu, flet për vendosjen e sulltan Bajazitit II në Tepelenë. “Në kohën kur padishahu ishte nisur për pushtimin (e vendit) e shqiptarëve, padishahu ishte vendosur plot madhështi në Tepelenë”.

Stefan Magno,  kur bën fjalë për shtypjen e kryengritjes së vitit 1492 shkruan se “Turqit, pushtu-an malet e Himarës, nga Vlora deri në Sarandë. Më parë ata kishin marrë kështjellën e Himarës dhe të Sopotit, në disa maja të maleve kapën shumë shqiptarë….”

Sulmi i turqve filloi në korrik të vitit 1492, duke u pushtuar kështjellat e Himarës dhe Sopotit. Turqit tentuan të depërtonin në  viset e brendëshme, por himariotët u grumbulluan në malet e larta, duke organizuar mbrojtje natyrore.

Më në fund, pas luftimesh të ashpëra, himariotët u detyruar të përqëndroheshin në dy maja mali. Te mali i Çikës turqit depërtuan nëpër një shteg të fshehtë, si pasojë e një tradhëtie, duke I zënë në befasi luftëtarët dhe  banorët e strehuar të cilët,  si pasojë e numërit të lartë të të vrarëve dhe të plagosurve si dhe lemerisë së përjetuar nga vetësakrifikimi i nuseve të reja, të cilat u hodhën nga shkëmbinjtë me foshnjet në gji për të mos rënë robinja, u detyrua të dorëzohej, kundrejt marveshjes për tu lënë të lirë me kusht që të mos orvateshin për kryengritje të mëtejëshme..

Por turqit e shkelën marveshjen duke bërë masakër mbi himarjotët e dorzuar, burrave u prenë këmbët e duart dhe pastaj i hodhën në humnerat e Malit të Çikës, gratë e reja, vajzat dhe fëmijët, afro 8.000 vetë, i grumbulluan  në Vlorë, për ti  shitur si skllever në tregjet  aziatike.

Kjo tragjedi është gdhëndur në një sërë këngësh himarjote, njera prej të cilave  thotë:

O Moshor a gjeç belanë
mos gjeç dinë, mos gjeç imanë
se na vrave djeltë tanë.
O Moshor të rëntë pika
shpure asqerët tek Çika.
O Moshor, t’u shoftë fara
tu bëfshin gurë e gërmadha,
të mbeçin gërmadha e gurë
e u djegsh i gjallë në furrë…

dhe variant tjetër….

Mali i Çikës, mali i lartë legjendar

…………………………………………..
Gratë me foshnja në duar, ranë nga shkëmbi
Vdekja e zezë,hije rëndë, nuk i trëmbi.

Turqit, të gëzuar nga fitorja e aritur në malin e Çikës, tentuan  asgjësimin e rezistencës në malin tjetër, në Çipin e Tartar me sulme që vazhduan deri në  fund të gushtit, por pa asnjë rezultat.

Vjeshta po afronte dhe lufta rezultoi me një kosto shumë më të lartë se sa kishte parashikuar Porta e Lartë  dhe nuk dihej se sa do vazhdonte. Shtoi kësaj faktin se kjo rezzistencë mund të shërbente si shkëndi zjarri për kryengritje antiturke në krahina të tjera të vendit.Kjo prespektivë e zymtë e detyroi  Sulltan Bajazitin e II të kërkonte një marrëveshje me himariotët.

Në bazë të marrëveshjes kalaja e Himarës dhe e Sopotit u rrënuan, kurse himariotët pranuan,  t’i paguanin haraçin sulltanit. Pagesa e haraçit do të thoshte se sulltani hiqte dorë nga vendosja e regjimit feudal-ushtarak të timareve në krahinën e Himarës dhe krahina do të administrohej jo në bazë të ligjeve perandorake osmane, por sipas të drejtësv zakonore të bashkësisë së saj.

Në këtë mënyrë Himara fitonte një autonomi krahinore.

Pas debatesh, himariotët pranuan marveshjen vetëm kur sulltani u premtoi jo vetëm autonomi të krahinës së Himarës por dhe  një sërë privilegjesh ligjore të përmbledhura në tetë pika, të njohura nga tradita me emrin “Venome”.

Duhet të sqarojmë se fermani që përmbante venomet nuk është gjetur, madje nuk egziston asnjë document që të ketë të shkruar përmbajtjen e ligjeve të venomeve. Por ama egziston një fakt i pakundërshtueshëm. Korpusi ligjor prej tetë pikash ishtë gdhendur (apo derdhur) në një pllakë bakri në Turqi dhe në Himarë kishte ardhur në këtë formë dhe jo në ferman të zakonshëm letre apo pergamene. Një variant thotë se kjo pllakë u shkrua  në vitin 1518,  me ndërmjetësinë e palasiotit Iljaz Pasha, i marrë si jeniçer dhe që kishte arritur postin e Pashait dhe shpesh shoqëronte  ekspeditat ndëshkimore të sulltanit kundër himariotëve. Këtë pllakë bakri himariotët e ruanin me xhelozi në bodrumet e kishës së Mitropolisë së Himarës dhe e ekspozonin te porta e kishës vetëm në raste festash apo në rasste të vizitave të ndonjë personaliteti të huaj, siç ishte rasti i ekspozimit të saj me rastin e vizitës së Eduard Lir.

Ky fakt është gdhëndur në vargjet e këngës:

Në qish’ të Mitropolisë

Vartur pllaka e lirisë

Në bakër bukur ujdisë

Me ferman të osmanllisë

Këto gramë parë- parë

Gjithë gjakë janë larë

I kemi larë me gjak

Nga çdo fis e në çdo prag

Ç’do sokak edhe çdo derë

I kemi mbajtur me nderë

Shëmbëlltirë për të tjerë.

Fane Veizi: Bregu i detit në këngë fq 59

Përmbajtja e korpusit ligjor të venomeve ishte mësuar përmëndësh gati nga të gjithë himarjotët. Kjo pllakë u zhduk vetëm kur zbarkoi në Himarë Ali Pashë Tepelena.

Përmbajtja e venomeve të vitit 1492  ishte si më poshtë:

a.     Mos shtrirja e sistemit të timarit në teritorin e Himarës. Ruajtja e pronës  private dhe ajo kolektive nga himarjotët mbi kullotat, pyjet, burimet ujore etj.

b.      Vetadministrimi i krahinës përmes organeve tradicionale të saj, që qenë pleqësitë, në dy nivele, të fshatit dhe të krahinës. Në mbledhje thërisnin përfaqsues nga çdo shtëpi dhe për çështje lufte, nga gjithë fshatrat.

c.      Importimi dhe eksportimi i mallrave pa paguar taksa doganore, një e drejtë që nuk ishte e drejtë eskluzive vetëm e Himarës.

ç.      E drejta e lundrimit të lirë, pa kufizime me anijet e tyre në tërë portet e Perandorisë Turke pa ju nënshtruar kontrollit doganor.

d.      E drejta për t’u paraqitur para organeve turke të armatosur në Vlorë, Delvinë, Gjirokastër. Kapedanët vizitonin të armatosur edhe Janinën.

e.     Himariotët kishin të drejtë të caktonin një përfaqësues të krahinës në Stamboll, i cili komu-nikonte direkt me Sadrazemin, kryeministrin turk, për çështje të krahinës.

f.     Himarotët duhej të paraqiteshin në luftë krahas Sulltanit, por ruanin të drejtën të paraqite-shin me formacionet dhe flamurin e tyre, si dhe nën  komandimin e Kapedanëve të tyre.

g.   Himara i paguante haraç Padishahut, por  himarjotët nuk pranuan të quheshin raja. Haraçi  i dorëzohej të dërguarit të Turqisë, në një qese të varur mbi majën e jataganit ose në grykën e pushkës, si gjest i mosnënshktrimit të tyre.

Në lidhje me flamurin e himarjotëve sqarojmë se ai kishte një shkabë të zezë dykrenore, me krahë të mëdha e të shtrira në gjithë fushën e flamurit. Pikërisht shtrirja e madhe e krahëve të shkabës ndryshonte nga shqiponja e Kastriotëve me krahë më të mbledhura, pasi elementët e tjerë ishin gati identikë…

Për këtë populli këndonte:

Shkab’ e madhe kasaba

Me dy krahë të mëdha

Shkab e madhe me dy kokë

Mbreti i zogjve në tokë

Shkab e madhe, zot i dheut

Krenari e Skënderbeut.

Fane Veizi: Bregi i detit në këngë fq 29

Marrëveshja e lidhur me Sulltanin ishte në favor të himariotëve. Me venomet që morën, ata larguan rrezikun e vendosjes së qeveritarëve turq dhe të sistemit të timareve në krahinën e tyre.

Venomet që u njohu himariotëve, sulltani nuk i respektoi gjithnjë.  Kështu, pas shtatë vjetësh, më 1499 Bajaziti II dërgoi dhëndërin e tij Mustafa Pashën me forca të shumta ushtarake të nënshtronte Himarën dhe të pranonte taksat e reja që aplikoi (xhizje-n). Mustafa Pasha zbarkoi në Skalome - Qeparo dhe sulmoi fillimisht Kudhësin, nga u tërhoq me turp.

Mustafa dhëndër Dovleti

Pruri damane nga deti,

Në Skalome asqerë qiti,

Gjithë bregut ja vërviti.

Qeni turk iku dhe shkoi,

Xhizje Himara s’pranoi

Fane Veizi: Bregu i detit në këngë

Por sa herë që turqit i cënonin ato, himariotët rrëmbenin armët dhe hidheshin në kryengritje, turqit detyroheshin përsëri t'u akordonin privilegje të cilat kishin gjithnjë si bazë kushtet e caktu-ara në marrëveshjen e vitit 1492. Nga ana e tyre edhe himariotët, pagesën e haraçit, megjithëse e premtuan shpesh herë nuk e paguan ose kur e paguan ua dhanë turqve në sheshin e jataganit, që do të thoshte se ata nuk ishin raja por kishin ruajtur të drejtën t'i mbanin armët në krahë. Këto venome himariotët i ruajtën për shekuj me radhë.

Vijon…