| E enjte, 02.11.2017, 08:59 AM |
POETIKA E NARRACIONIT FIGURATIV E MBËSHTJELLË ME FILOZOFINË E FJALËS SË SHKRUAR
Nga Remzi Limani
Vëllimi poetik “Mbreti im Dardan”, nga autori Bujar Tafa, i përkthyer në gjuhën rumune nga poeti dhe përkthyesi Baki Ymeri, na jep një pasqyrim të lakmueshëm të poezisë së sotme moderne. Poeti, merr me vete dimensionet e jetës së tij, që nga fëmijëria e deri më sot, për të shfletuar të kaluarën dhe të sotmen, s`i procese jete në formatin e tij poetik. Poezia e Bujar Tafëes është e kultivuar dhe e tërhequr në vijën e duhur të melodikës së një timbri të qartë, sepse metafora e përdorur në vargun e tij është e kapshme për çdo nivel të lexuesit për ta kuptuar porosinë e fjalës së shkruar, të vargëzuar në sistemin e vlerave poetike, që lexuesin e bëjnë të ndihet komod në leximin e kësaj vepre letrare.
Këtu pra, kemi të bëjmë me një narracion figurativ të mbështjellë me filozofinë e fjalës të sistemuar si produkt jo vetëm i imagjinatës, por edhe të përjetimeve nëpër kohë dhe hapësirë, ku poeti lundron me varkën e tij prej kallami... Mbi këtë bazë të ndërtimit të vargut, krijuesi na thotë: Një qyqe në krye më rri/Një qyqe/e fortë, e zezë/. Pra, këtu e gjejmë edhe metaforën simbolike për kohën kobzezë, ku vjershëtori nxjerr klithmat e kohës në vargun e tij, një varg i stisur mirë, për ta nxjerrë thelbin e asaj që e çokatë mbi kreshtë koke jo vetëm poetin...
Së këndejmi, siç lexojmë, autori nxjerr në pah edhe syrin e fshehur të një dashurie të mbushur mall, të cilën si çdo gjë tjetër, pra, edhe dashurinë, e merr me vete për ta vendosur në fronin e të merituarve, ku kuvendojnë të dashurit e tij. Kur shkruan për dashurinë, poetit i duket se i ka hyrë nëpër portat e frymëzimit një engjëll. Për ketë kemi shembuj të qartë e domethënës: Të shikoj/si çmendesh,/qesh, qan/përqafon/lëkurën qumësht të bardhë/E gjuha jote më e ëmbla në botë/asnjë fjalë s’e di/asnjë hiç/veç heshtje, shikim dhe dashuri/Qiellore je/gjithsesi/.
Këtu pra, vërejmë ëmbëlsitë dhe gjurmët e një shtegu të flokut të shprishur netëve pa gjumë, ku krijuesi vazhdon të rrëfehet: Kam me të kujtu/në një pleqëri të thellë/në një mbrëmje vere/kur të këndoj/, duke përfunduar vargun me gjuhën poetike - Monamour, monamour... Pra, pa e lënë anash fjalën e bukur dedikuar dashurisë, poeti na bën ta kuptojmë edhe një botë tjetër nga botët e tij të bollshme në kuptimin e një rruge ende të papërfunduar. Fjala është për figura stilistike të qëlluara, për trope e simbole, për imagjinatë dhe krahasime, dhe për rrugëtimin e tij të gjatë për gjetjet e reja në fushën e letërsisë shqipe. Duke u bazuar në këto, lexuesi do të ketë rast të lexojë edhe shumë fjalëformime të nxjerra nga sirtari i tij prej krijuesi të arrirë.