| E diele, 29.10.2017, 10:42 AM |
SOT NË VARREZA SHKOVA
Nga Mhill Marku
Sot në varreza shkova
Të takoj të dashurit e mi
Një nja një varret i ledhatova
Një nga një i putha në fotografi.
Nënën, babanë, vëlla e motër
Tek i shikoja me mall në sy
Eh, u bënë vite s’u kemi në votër
U bënë vite që qajmë për ju.
E ndjeva thellë ledhatimin e nënës
Tek më shtrengonte kokën në gji
Në piskun e vapës a terrin e natës
Edhe sot nën peshën e dheut të zi.
Përqafimin e babait e ndjeva
Mu duk se më përqafoi dhe tani
Që fjalën e tij kurrë s’e theva
Siç dinte të mësonte e donte ai.
Dhe sot, o motër, këtu në mermer
Tek na shikon e heshtur në sy
Ngreu, na puth, siç bëje përherë
Të çmallemi ne, të çmallesh dhe ti.
Eh, vëlla i dashur ike aq shpejt
Jetën pa e gëzuar e le mu në mes
Ti për të gjithë ne ishe shumë i shtrenjt
Kujtimi e malli për ty kurrë s’do të vdesë.
Ndaj në varreza, sot shkuam
Të çmallemi me të dashurit e zemrës
Atyre peshën e dheut ua lehtësuam
E në lehtësuam sado pak peshën e dhimbjes.
-Per ZemraShqiptare, nga Shengjini, Tetor 2017-