Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Limani: Metaforë e një force poetike

| E marte, 24.10.2017, 07:12 PM |


IMAGJINATA E ZHVILLUAR S`I METAFORË E NJË FORCE POETIKE

Nga Remzi Limani

Në mesin e poeteve të reja, Antigona Gashi na vjen me librin e saj të tretë të pagëzuar “Stërpikat e Qumështit” dhe, që në leximin e parë hasim në pjekurinë e vargut, i cili zbërthen poetikën erotike – jo s`i sajim por si shtysë e natyrshme për të nxjerr në pah lojën dhe imagjinatën e saj karshi botës dhe kërkesave fiziologjike si procese normale dhe individualisht të përjetuara nga të gjithë ne... pra, poetja, Gashi, nuk ngurron ta thotë atë të cilën e lakmon njeriu dhe imagjinata e tij... Mbi këtë bazë, poezia e saj ndërtohet mbi të natyrshmen duke e skalitur fjalën prej guri, e cila në poezinë moderne të zhanrit erotik është fjalë e munguar nga mosguximi i trajtimit të fjalës së bukur kushtuar të bukurës dhe jetës për ta kuptuar esencën e thelbit të fjalës dhe mallit, i cili na bëhet preokupim ditor, për ta veshur këmishën e vashës, e cila i këndon errësirës për ta nxjerr në pah dritën e gjokseve të natës lakmiçare...

Pra, duke u mbështetur në realen dhe poezinë e Antigona Gashit, mund të themi se:kur poetët ndalojnë së shkruari, atëherë, bota do ta kuptojë rëndësinë e fjalës së bukur kushtuar të bukurës. Toka do të shembet pa paralajmërim. Injorantët e poetikës do të vërshohen  nga lotët e tyre, të lemeritur nga frika e mëkatit, që nuk i bënë vend fjalës së shpirtit...! Për këtë poetja thotë: Qentë më kanë rrethuar fustanin,/keqbërësit janë  mbledhur/dhe më rrinë përqark kërthizës/si luanët më kafshojnë gjokseve/duart dhe këmbët e lodhura/ m'i lidhën me flokun tim/për petkun tim të bardhë/hedhin short të mjerët… Pra, këtu shohim dhe imagjinatën e zhvilluar si metafotrë të një force poetike, e cila zë vendin bosh dhe të merituar në këtë lloj poezie e cila frymon natyrshëm dhe natyrshëm duhet kuptuar, sepse kur flasim për poezinë, duhet të flasim me admirim, sepse admirohemi edhe ne...!