| E marte, 10.10.2017, 08:37 PM |
POEZIA ËSHTË JETA E SHPIRTIT TONË
(Bashkim Golemi, Rizgjimi, Prishtinë 2017)
Nga Baki Ymeri
Violinat vallëzonin duke elektrizuar sallën
Zhanri lirik përfshin vepra letrare ku shprehen mendimet, idetë dhe ndjenjat e autorit në mënyrë të drejtëpërdrejtë nëpërmjet unit lirik. Në këtë gjini zotëron vizioni dhe transfigurimi artistik, autori duke apeluar te teknikat e aluzionit, duke krijuar një univers me forcë të madhe të sugjestionit që i drejtohet lexuesit. Kështusoj, ngy ky pikëshikim, zhanri letrar i diskursit subiektiv, shpreh sentimentet nëpërmjet figurave të stilit dhe të simboleve.
Poezia është jeta e shpirtit tonë, ndërsa Bashkim Golemi është poeti i zemrave tona. Autori jeton dhe krijon në atdheun e Dantes. Fjala e tij është magjike, kurse shpirti i tij i kristaltë. Ai na pajis me frymëzime adekuate dhe imagjinatë të bujshme: “Violinat vallëzonin duke elektrizuar sallën./ Dalëngadalë pista u mbush./ Më dukej sikur përjetoja liqenin e mjellmave./ Femrat si mjellmat fluturonin në krahët e kavaljerëve./ Imagjinata krijonte skena të papërsëritshme./ Qenia ime si dallgë deti/ Lëkundej duke ëndërruar”. (Shumë vite më parë). Dhe më tej: “Muzika përkëdhelte shpirtrat./ Ajo vallëzonte në krahët e një tjetri./ Sytë e saj të bukur shkëlqenin/ duke rrezatuar pushtet”.
Poeti flet për ekrane që heshtin, për dëshira të mohuara, për ëndrra që vdesin pa fluturuar, për zemra të braktisura: “Errësira po hidhte vellon e saj/ mbi dritat e qytetit.” Duke deshifruar lirikën e Bashkimit më kujtohen vargjet e një poeti të ri: “Matanë gjolit më pret Lasgush Poradeci/ një kafe në bedenat e Shën Naumit/ Mbretëresha Teuta/ hap hartën e Ilirisë.” (B. Selimi). Lirizmi është një tonalitet, një regjistër artistik, lira e Bashkimit duke qenë një instrument me kordha që konsiderohet atribut i Apollos, inventuesi i saj legjendar, por edhe i Orfeut apo Erato-s, muza antike e poezisë lirike dhe erotike: “Ajo më ndoqi pas.../ E trazuar në shpirt./ Duke më vështruar/ më përqafoi./ Shumë vite më parë./ Ajo natë mbeti e gjallë.” Siç duket, lira e artistit dhe shprehja poetike ndërlidhet me ndjenjat personale dhe jetën sentimentale të autorit.
Ritmi i ndjenjave nuk përbën një spekulim matematik por krijon metrikën e vargut që mbetet në kujtesë, autori duke u inkorporuar në spektrin e krijuesve më të spikatur të diasporës që krijon poezi të bukura dhe mbresëlënëse. Biografia e tij është e shkurtë, e bujshme dhe interesante. Autori u lind në vendlindjen e Gjergj Fishtës duke e përkujtuar rininë e jetës së përjetshme. Vargjet e para i krijoi në rini të hershme dhe pastaj e braktisi artin letrar si pasojë e cenzurimit të mendimit të lirë në kohën e diktaturës së proletariatit. Iu rikthye kësaj fushe magjike pas shtatë dekadave, duke na prurë një lirikë të bukur ku shpërthejnë ndjenjat e një krijuesi dhe ëndërrimtari të frymëzuar: “Çdo ditë bëj gjithçka që mundem./ Përpiqem të jem sa më afër emrit Njeri./ Ëndrrat t'i mbaj të ndezura në flakën e shpresës.” (Maskat bien)
Lira është shenja e Apollos, hyjnia e dritës, e muzikës dhe poezisë te grekët. Në Greqinë antike, këngëtimi me lirë joshte muzat që e nxisnin shpirtin krijues. Pikërisht në epokën moderne, poezia lirike arriti të kuptohet si krijim letrar që shpreh sentimente apo qëndrime. Gradualisht, lirizmi u identifikua me poezinë, duke iu nënshtruar disa rrethanave formale, siç janë vargu, strofa, ritmi apo rima. Për poetin e Shkodrës me banim në atdheun e Dantes këto nuk janë gjëra të panjohura. Lirika e tij e josh lexuesin që në lekturim të parë. Thjeshtësia, qartësia, sentimenti, përshkrimi, ironia dhe aluzioni e shoqërojnë vargun e tij: “Një botë e zhveshur pa ngjyra fals,/ ku e shëmtuara vrapon pas errësirës./ Duke u përpjekur të fsheh fytyrën e saj./ Thjeshtësia shkëlqen në ngjyra ylberi.” (Maskat bien). Arti lirik paraqet një shprehje subjektive që ndërlidhet me ndjenja individuale, në opozitë me poezinë epike apo dramatike që kanë përfshirë tragjedinë dhe komedinë.
Gjinia lirike përfshin vepra letrare ku shprehen në mënyrë direkte mendimet, idetë dhe sentimentet e autorit. Në gjininë lirike dominon vizioni dhe misioni artistik, autori duke apeluar në teknika aluzive dhe asociuese, duke krijuar kështusoj një univers me një forcë të madhe ndjeshmërie që i drejtohet lexuesit. Shkrimtari është qenja më e ndijshme dhe më e shenjtë e një populli. Bashkim Golemi shpreh sentimentet nëpërmjet figurave stilistike dhe simboleve. Diskursi i tij lirik nuk ka karakter anonim, por publik apo kolektiv, jo vetëm në vepra, por edhe në faqet e Facebokut. “Në shtatë shqisat e fytyrës, sinqeriteti si një copëz diell/ dhuron ngrohtësi./ Në botën lakuriqe/ Në botën pa maska.”
Pasojnë sintagma poetike që ta përkujtojnë Lasgushin: Buzë lumit ku ëndrrat thurrin çerdhen e tyre, tavolina, perëndimi i diellit, re të përgjakura, përqafime ëndrrash, „errësira zbret ngadalë, si një vello gjigande e mbushur me dritëza të vogla, të largëta, dhe hënën e plotë.” Bohema apo bohemia shqiptare, është një e drejtë qytetare e poetit që na mahnit me frymëzime magjike: „Eci, bëhem pjesë e gjallërisë së shëtitores,/ nën magjinë e hënës,/ me ty në zemër.” (I ulur). Ja edhe disa tituj poezishë të denja për lexim dhe rilexim: Buzë lumit, Vicine al Fiume, Unë dhe deti, Ëndërrat, Shqipëria e lodhur, Dhimbje dhe jetë, Një çast nga rinia, Përjetësisht...
BIOGRAFIA
Bashkim Golem u lind në Shkodër , më 17.04.1944. Kam filluar shkrimet në moshën 14 vjeçare dhe i kam ndërprerë në moshën 24 vjeçare, për mungesë të lirisë së fjalës. Gjatë kësaj kohe kam botuar 3 libra me autor të ndryshëm me poezi dhe tregime. Në moshën 71 vjeçare vendosa të shkruaj përsëri.