| E merkure, 04.10.2017, 07:48 PM |
Myslimanët e pilafit
Katër episodet e riislamizimit të shqiptarëve pas vitit 1991
Nga Gani MEHMETAJ
1. Krishti i myslimanëve
- Pse lavdërohen kaurët me Krishtin, edhe ne e kemi Krishtin tonë, apo jo?- i drejtohet shoku shokut, ndërsa debatojnë në euforinë pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
- Si e pati ermin ai Krishti ynë, më ndihmo të lutem, Muha- Muha, Muhamad, e ka emrin apo jo?- E kërkon shpëtimin ke shoku, i çliruar që më në fund ia gjeti emrin Krishtit të myslimanëve, sikurse thoshte ai.
- Po Muhamad, ia tumir tjetri.
- E sheh që edhe ne e kemi Krishtin tonë, ia pret triumfalisht tjetri.
2. Pilafi dhe Kurani
Beduinët, me ndonjë shqipfolës, që ua përkthente fjalët, shpërndanin pilaf me nga një Kuran. Besimtarët e pilafit, Kuranin e hidhnin në rrugicën e parë a në kontejner plehrash, ndërsa përtypnin hurma Arabie, dhuratë nga shoqatat e beduinëve që mbinë si kërpudha pas shiut.
Fëmijët e kishin më vështirë, Kuran nuk u jepnin, por i vinin në siklet: pilafin a hurmat duhej t’i fitonin me ndonjë lutje arabisht si: thuaj një herë allahu ekber! Fëmija nuk e kapte si duhet, por përpiqej ta përsëriste: “llallahu ekber” pa e kuptuar çka i thoshte arabi, as çka thoshte ai. Arabi pas disa përsëritjeve të gabuara të vogëlushëve e humbiste durimin: “Kaur e bilah, nuk thuhet ashtu!”
Fëmijët nuk bëzanin, prisnin mëshirën e arabit. Por ia mbathnin si era e malit me të marrë hurmat e pilafin.
Gratë nuk dukeshin më, i dërgonin fëmijët, sepse arabi i zhvishte me sy.
3. Rroftë Zoti!
Në një xhami të ftohtë, gati rrënojë, hoxha u fliste për allahun, për ditën e kiametit dhe për zjarrin e xhehenemit. Ata që duan t’i shpëtojnë zjarrit të xhehenemit të falen pesë herë në ditë.
Turma e dëgjonte e shushatur, por edhe e frikësuar nga Zoti i ri që ishte edhe më i frikshëm se Zoti që i torturoi pesëdhjetë vjet.
-Po pse pesë herë në ditë, o hoxhë? pyeti njëri nga turma.- Do të na shkojë dita në xhami, kalamajtë duan bukë.
Hoxha i acaruar me mosdijen e turmës për fenë që donin ta përqafonin, ua ktheu:
-Myslimani i mirë duhet të falet pesë herë në ditë dhe pikë!
- O hoxhë, po pse të mos themi pesë herë: Rroftë Zoti! dhe shkojmë në shtëpi!
4. Kur Nikolla, Aleksandri e Mario u nisën për në Mekë
Aeroporti i Rinasit, viti 1991, muajt e parë pas rënies së komunizmit. Rrëmujë e britma. Policët shtynin, njerëzit mësynin përpara. Ishte përhapur lajmi se arabët dërgonin turistë në Mekë, madje ua jepnin edhe nga 500 dollarë secilit.
Aeroplani saudit ishte mbushur, njerëzi s’ kishin as ku të uleshin. Dy-tre beduinë jepnin e merrnin, por kurrsesi të merreshin vesh me udhëtarët. Të gjithë donin të shkonin në Mekë, në haxhillëk, të gjithë betoheshin se e duan allahun. Shtyheshin e bërtisnin. Aeroplani nuk nisej, s’kishte si me këtë ngarkesë të paparë. Dikur erdhi një arab me një shqiptar që përkthente:
-Dëgjoni këtu, ju të gjithë s'mund të shkoni në Mekë,- ua përktheu shqiptari.
-Pse s'mund të shkojmë, - u revoltuan ata.
- Në Mekë shkojnë vetëm myslimanët, - ia priti shqiptari, kaurët s'bën, është e ndaluar!
Duke e parë listën e udhëtarëve arabi ua tha përmes shqiptarit që përkthente: - Nikolla, Aleksandri, Mario e të tjerët me emra kaurësh duhet të dalin nga aeroplani!
-Si more të dalim nga avioni? Kjo është e paparë! Nuk pranojmë, duam të shkojmë në Mekë. Pse na diskriminoni? - u revoltua Aleksandri, ndërsa ia mbante ison Mario e Nikolla.
-Çfarë ka myslimani e nuk e paskëshim ne? Ku e di ti që nuk jemi myslimanë? - pyeste Aleksandri i zemëruar. - Unë jam i biri i Hysenit, Mario është i Mevlanit, kurse Nikolla i Zefit, iu hakërrye në fytyrë Aleksandri, që ishte më emocional, ndërsa të tjerët ishin shushatur.
Zhurma e protestat vazhdonin. Nikolla, Mario e Aleksandri nuk dolën nga avioni, nuk e pranonin diskriminimin, donin ta vizitonin Mekën.
Arabi pëshpëriste i skandalizuar: allah, allah, çfarë mileti!