Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Plasi dhe në Katalonjë

| E merkure, 04.10.2017, 07:49 PM |


Plasi dhe në Katalonjë

Nga Elvi Sidheri

Një film shqiptar i qëmoti nga koha e regjimit monist, shquhet akoma sot e kësaj dite për një frazë lapidare “Plasi edhe në Kuçovë”, ku flitet për revoltën e naftëtarëve kuçovarë ndaj pushtuesit italian.

Ai film faktikisht ka edhe të tjera fraza që i janë dorëzuar tashmë të folurës së përditshme shqiptare, por ajo që na interesonte për këtë shkrim, është pikërisht fraza e mësipërme, me zëvendësimin e qytezës shqiptare të Kuçovës, me rajonin spanjoll të Katalonjës.

Në Katalonjë këto ditë po vlon zjarri mediatiko-publik i etheve të pavarësisë nga Spanja, dhe në trojet shqiptare duket se ky pasion katalan paskësh përfshirë edhe shumë bashkatdhetarë tanët që befas kanë zbuluar një mbështetje të sinqertë e të përflakur për katalanët pavarësi-dashës.

Jo më kot në fakt, edhe legjendat popullore e fëminore shqiptare janë të mbushura me tregime fantastike për “Katallanër” të frikshëm që kanosin ëndrrat natore të çiliminjve me bëmat e tyre lebetitëse, e ndër të tjera, edhe autori i këtyre rreshtave, në fëmijërinë e vet pat vizituar Teatrin e Kukullave në Tiranë për të ndjekur shfaqjen për të mitur “Qerosi dhe Katallani”, ku Qerosi ynë trim e shpatullgjerë, që domosdo duhej të ishte shqiptar për nga gjaku, arrinte mes shumë peripecish ta mposhtte Katallanin e lig.

Tani, përse ndodh që në këto tregime epiko-fëminore të përshkruhet arbërori mesjetar si Qeros, ec e merre vesh, por pak rëndësi ka për këtë shkrim ky detaj fiziko-estetiko-mesjetar shqiptar.

Puna është që në të vërtetë, Katallani nuk ish gjë tjetër, veçse një personifikim i ngritur në mit dhe i përçuar gjer në përrallat me lugat që vinte nga deti, përmes të cilave viheshin në gjumë çiliminjtë shqiptarë brez pas brezi (ose më mirë, trembeshin për vdekje), një mitizim pra i mercenarëve katalanë (domethënë nga Katalonja) të ftuar në Ballkan e në trojet shqiptare nga Bizanti.

Mercenarë katalanë që paskëtaj u kishin dalë duarsh paguesve të tyre dhe ia patën nisur plaçkitjeve anembanë rajonit duke u futur frikën gjer në palcë gjindjes së ngratë.

Gjë kjo  që nuk do të thotë kurrësesi se katalanët e sotëm apo të dikurshëm të jenë apo të kenë qenë njerëz të këqinj, apo tmerrues të rregullt me pagesë të popullsive të huaja.

Katalanët kanë një histori të lashtë e të bukur, plot art, qytetari e humanizëm të spikatur.

Rajoni i tyre brendapërbrenda Spanjës, është ndër më të zhvilluarit, Barcelona është një qytet fort i hijshëm, tejet kozmopolit, me një prani të theksuar turistësh e artistësh, gjindje mondane e gjenish të shkencës e artit, si edhe me një arkitekturë unike, të shenjuar fort nga krijimtaria e pangatërrueshme e Antoni Gaudi, arkitektit të kishës së mrekullueshme Sagrada Familia dhe disa nga monumenteve e ndërtesave të tjera karakteristike të kryeqytetit katalan.

Çfarë është Katalonja për shqiptarët ndërkohë?

Asgjë më tepër se FC. Barcelona, klubi i stërnjohur i futbollit, ekipi i Krujfit, Ronaldos, Mess-it e deri vonë edhe Nejmarit.

Skuadra ngaherë fituese (nga vitet 90-ë e këtej së paku...), ekipi i Pep Guardiolas, protagonistët e “Tiki-takas” së famshme si filozofi futbollistike, e lojës spektakël, e filozofisë sulmuese, e golave të shumtë dhe rivalitetit historik me Realin e Madridit, e ndeshjes legjendare “El Clasico”, etj.

Pra, nëse pyet realisht ndonjë shqiptar të zakonshëm se çfarë domethënë Katalonja për të, nëqoftëse do të dijë ta orientojë mendjen si duhet - sepse padyshim që para poteres së madhe mediatike të “referendumit për pavarësi”, pakkush mes shqiptarëve, mund t’ia dilte që Barcelonën si ekip futbolli ta orientonte diku gjeografikisht, mënjanë të bërit pjesë territorialisht në Spanjë – shumica do të jepnin si përgjigje kuturu, vetëm skuadrën e Barcelonës dhe Messi-n.

Po ndodh sakaq që brenda ditës, nga njohuritë e përcipta futbollistike për një ekip të shquar futbolli si FC. Barcelona, të kalohet menjëherë sa hap e mbyll sytë, në një mani pandemike pathosi kolektiv në mbështetje të pakushtëzuar të referendumit, apo edhe pavarësisë së rajonit nga vjen edhe ky ekip.

Gjithçka më pas merr ngjyra edhe më patetike, kur cektësia e njohurive krejt të mangëta lidhur me Katalonjën si rajon, apo qoftë edhe Spanjën si shtet e realitet shoqëror - krahas tërë problematikave të gjera e të shumëllojshme që e kanë shpënë gjendjen deri në këtë ekstremizim të kushteve dhe të përplasjes lidhur me referendumin e datës 1 tetor 2017 - lartësohet gjer në shpallje publike të dashurisë së skajshme për këtë “komb” të vuajtur që mëton ethshëm e përvuajtshëm për pavarësi, nën zgjedhën dhe shtypjen e përgjakshme dhe dhunën e pashpirt të autoriteteve qendrore të Madridit.

Ja pra, kjo është pamja që të ofrojnë mediat dhe opinioni i përgjithshëm shqiptar në TV e rrjetet sociale ditët e fundit në lidhje me Katalonjën, Spanjën dhe referendumin për pavarësinë e hamendësuar të këtij rajoni.

Sa për një devijim të vockël, ndërkaq, nuk është se problemet e brendshme shqiptare janë të pakta apo në rrugë të sigurt zgjidhje, që të apasionohemi kaq përvëlueshëm për çështje kaq të largëta nga përditshmëria jonë.

Sidoqoftë, vëmendja ndaj problemeve e andrallave të botës, mund të konsiderohet qartësisht si një trashëgimi e pashmangshme e regjimit monist në Shqipëri që pandalur e konsideronte veten si përgjegjës për fatet e botës, duke u angazhuar në të mirë të Vietnamit, Palestinës, komunistëve të xhunglave të Brazilit a Burkina Fasos.

Kështu gjindja punëtore-fshatare i gdhinte mëngjeset në ara-fabrika-kantiere duke lexuar me zë të lartë ZP-në e duke dëgjuar e komentuar propagandën e regjimit, si dhe mendimet e Merhumit për luftën e Viet-Kongëve kundër amerikanëve anës Mekongut, apo trimëritë (terroriste) të OÇP-së në dëm të civilëve izraelitë apo qytetarëve të pafajshëm perëndimorë nëpër avionë që hidheshin në erë.

Kështu, barku i zbrazur, kurrizi i kërrusur, burgjet e stërmbushura me njerëz të ngratë që regjimi i shihte vëngër, mungesat e gjithanshme në ekonomi e përditshmëri të shqiptarëve, “kompensoheshin” me këtë kureshtje morboze dhe shitje dënglash lidhur me problemet e popujve të tjerë të botës.

Regjimi ynë (përmes shërbimit të jashtëm shumëgjuhësh të Radio Tiranës, botimeve të shumta në gjuhë të huaj të Shokut Enver, si dhe sponsorizimeve të grupeve marksiste enveriste anembanë botës) rrekej t’i jepte mend botës lidhur me gjithçka që ndodhte në planet, kurse Shqipërinë e zhyste në mjerim, izolim e diktaturë.

Disa “vese” nuk kalojnë lehtë, kuptohet, pavarësisht 27 viteve tranzicion demokratik.

Sot, problemi katalan, mënjanë që s’është as largësisht një problem shqiptar, gjithaq njëkohësisht s’ofron asnjë ngjashmëri me çështjen e Kosovës.

Autoritetet e Beogradit, padyshim që po e shfrytëzojnë këtë situatë për të bërë krahasime midis Kosovës e Katalonjës, gjë aspak e habitshme apo e paparashikueshme prej tyre.

Do të pohojnë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, ka shërbyer si spunto për ekstremistët katalanas dhe se Katalonjën do ta presë fati i Kosovës, mes shumë peripecish në shtetformim, etj.

Ka nga ata që menjëherë s’munguan të vënë në dukje reagimin e kryekëput të ndryshëm të Bashkimit Europian ndaj shpalljes së pavarësisë së njëanshme nga Kosova, dhe shurdhërinë ndaj jehonës së referendumit në Katalonjë tani.

Shumë spekulime.

Ku janë shqiptarët në këtë lëmsh?

Kush është tifoz i Barcelonës dhe Leo Messi-t, le të vijojë me pasionin e vet futbollistik, por mundësisht (çdokush gëzonin lirinë e mendimit), le të lexojë pak histori para se t’i lëshohet zjarrmisë pro-katalane e anti-spanjolle.

Ndërsa, kushdo tjetër që digjet nga ndjenjat e dëlira pro-pavarësisë së Katalonjës, i shtyrë “sic et sempliciter” (thjesht kështu) ngaqë gjen ndonjëfarë lidhje fantazmagorike midis dy realiteteve, atij katalanas dhe atij kosovar, atëherë do të ishte e udhës, që detyrimisht të merrnin leksione të gjata, të thella e shteruese historike.

Katalonja dhe Kosova nuk ngjajnë aspak.

Thënë më mirë, ngjajnë pakëz vetëm nga pasioni për futbollin dhe aftësia për të nxjerrë talente pafund në këtë sport.

Këtu mbarojnë ngjashmëritë dhe pikëtakimet midis këtyre dy realiteteve.

Kosova pikësëpari tashmë është shtet i njohur nga 114 vende të botës e i pranuar në dhjetëra organizma mbarëbotërore (ndryshe nga ç’pohon një “arkada?” gjasme i madh i shqiptarëve, që së fundi duke nëmur kërcënueshëm pavarësinë e dëshiruar të Kurdistanit iraken, deklaroi haptas se “Kosova nuk është bërë akoma dot shtet”).

Katalonja është thjesht një krahinë me autonomi të zgjeruar brenda Mbretërisë Spanjolle.

Status të ngjashëm me Katalonjën gëzojnë edhe baskët e lashtë në rajonin e tyre amëtar, rreth Bilbaos e San Sebastianit.

Autonomia katalane parashikon një qeveri autonome, parlament autonom, polici autonome (që edhe emëritimin e ka ndryshe, “Mossos d”Esquadra”) e shumë ingjerenca të tjera autonomike.

Katalonja kurrë nuk ka përbërë një entitet shtetëror të pavarur nga Spanja gjatë historisë dhe mënjanë dëshirës së një pjese të popullsisë së saj, nuk gjen pikëmbështetje reale për kërkesat e saj radikale për shkëputje nga Spanja.

Për më tepër, edhe brenda Katalonjës, ashtu si edhe në Barcelonë, gjuha spanjolle është gjuha e shumicës së banorëve (rreth 58%).

Katalanët, ndryshe nga shqiptarët e Kosovës, nuk janë shfarosur sistematikisht, nuk janë shtypur, nuk janë dhunuar e përdhunuar, nuk janë vrarë e prerë, nuk janë masakruar apo shtypur për shekuj të tërë nga Madridi apo Spanja, siç ka ndodhur me shqiptarët në Kosovë nga Beogradi dhe serbët.

Nuk ka asnjë provë ende se në Katalonjë mbështetja për pavarësinë t’i kalojë dot shifrat e 50 përqindshit të mbështetjes popullore (referendumi i paligjshëm e antikushtetues i 1 tetorit mezi kapi një pjesëmarrje në nivelin e 42% të numrit të përgjithshëm të votuesve, mes mijëra parregullsish), ndërkohë që në Kosovë arrin gjithmonë 100% niveli i mbështetjes për pavarësinë.

Përtej arsyeve të kësaj rrjedhe ekstreme të ngjarjeve në Katalonjë - që vjen si pasojë e krizës së thellë ekonomike që Spanja mezi po e tejkalon pas kaq vitesh, ashtu si edhe për shkak të shtysave të çartura të forcave politike indipendentiste katalane, që thuajse të gjitha pozicionohen në ekstremin e majtë, të cilat, pasi i kanë zgjatur këmbët matanë jorganit, nuk mund të kthehen më mbrapsht, tashmë që kanë shkelur çdo rregull e ligj themelor të kushtetutës spanjolle ku përfshihet edhe statuti i autonomisë së këtij rajoni – shqiptarët veç një gjë nevojitet ta kenë të qartë, pikërisht faktin se Kosova dhe Katalonja, përveçse u fillon emri me “K”, nuk ngjajnë në asnjë aspekt.

Indipendentizmi katalan, ka arsyet dhe rrënjët e veta, krejtësisht të respektueshme për sa kohë mbeten brenda suazave të ligjit dhe bashkëjetesës civile brenda Spanjës.

Katalanët kanë një gjuhë të tyre, që flitet shumë përtej Katalonjës, edhe në Valencia apo në Majorka në ishujt Baleare (atypari nuk ndihet kush katalan sakaq, as kërkon pavarësi nga Spanja apo bashkim me Katalonjën e pavarur), ata kanë një histori, dikur të përbashkët me Mbretërinë e hershme të Aragonës, e cila pastaj do të bashkohej me Kastiljen duke i dhënë jetë Spanjës perandorake që do të zbulonte Amerikën dhe dominonte çerekun e botës nga Argjentina në Meksikë, Kubë, Florida, Flandër e gjer në Filipine, përmes gjuhës së Servantesit dhe kurajës së mbretërve të hekurt e konkuistadorëve si Hernan Kortes e Francisko Pizarro.

Gjatë Luftës Civile Spanjolle, pikërisht në Barcelonë (pak a shumë si sot) do të ndodhnin edhe përplasjet më të ashpra mes vetë forcave republikane, mes fraksioneve anarkiste e komuniste, duke e marrë në qafë Republikën dhe u hapur rrugën forcave frankiste nacionaliste.

Pikërisht në ato përvoja të përgjakshme, do të kishin gjenezën edhe shumë nga formacionet e sotme ekstremiste indipendentiste katalane, të formësuar e mbrujtur me atë sens anarkie të pavarur rrënuese.

E s’është e vërtetë se Barcelona pat luftuar më tepër për Republikën, sepse luftimet më të ashpra dhe rrethimi më i përgjakshëm ndodhën në Madrid, me një rezistencë heroike të popullatës ndaj forcave frankiste, të përshkruar gjerësisht nga Heminguej në librat e tij.

E mira është që imazhet televizive të propagandës (së kuptueshme) që bën secila palë në përfitim të vet (gra të përgjakura, civilë që përballen me policinë nëpër qendra të improvizuara votimi), t’i marrim me kthjelltësinë e rastit.

Jo se në Paris apo Romë e kudoqoftë, policia tregohet më e “butë” me sindikatat a protestuesit përkatës, aq më tepër nëse ndonjë rajon francez (Bretanja keltike, Alsasa gjermanike, Korsika italisht-folëse) apo italian e gjerman (Bavaria?!) do të rrekej të pavarësohej njëanshëm duke thyer ligje e kushtetutë demokratike.

Nëse synojmë që Spanjës t’i tregojmë se Katalonja nuk duhet të shërbejë si asyetim për mosnjohjen e Kosovës, ky naivitet në qëndrimin tonë ndaj gjendjes në këtë rajon spanjoll, padyshim që nuk na ndihmon.