Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Është një vajzë

| E hene, 18.09.2017, 07:39 PM |


ËSHTË NJË VAJZË

 

QAZIM SHEHU

 

Agimi doli prej mesnate

Si gjoks i fshehur nën petka të zeza,

Dhe fluturojnë pa ushtangur,

Reflekse ngjyrash të shpejta.

 

Një vajzë i mori dhe i vuri në dantella.

 

Ajo e do agimin me shpirt,

Kjo vajzë e tejdukshme,

Bredh e mbi ngjyra shket,

Qetesive të ujshme.

 

Prej fëshfërimës së përcjellur,

Degës ,prej lules delikate,

Prej burimesh të dehura,

Luhatet gjuhëz flake.

 

Afrohet ajo ndaj ngjyrave,

Buzët zgjat,vesën pi,

Përthyhet,hepohet pasqyrave,

Që vetë i sheh dhe i di…

 

Me zjarr të ndezur në vetvete

Kërkon një krua,

Dhe krojet prej saj janë ndezur,

Dhe ajo s`lodhet duke i kërkuar…

 

 

PËR NJË FJALË

 

Për një fjalë që më këput në mes

E mbush përroin e ndjenjës me ngjyra,

Dhe mbeta sa i marrë e sa serbes,

Sikur ajo më do dhe sikur e dua.

 

Në shtegun kthyer nga dielli

Në shtegun dalë nga vetja,

Kjo fjalë gjëmon së thelli,

Vrullin ma shkelmon përpjekja.

 

Është një fjalë që s`e gjej

Ajo vjen afër meje,

Mbyll sytë dhe shkërbej

Sa e sa drithma në deje.

 

A e njeh rrjedhën e shtruar

Të rrëkezës mbi bar,

Po ata poetë të uruar

Që ma kapën pa faj?

Dhe unë i mallkuar

Që i turrem si një fluture

Që më lë nëpër duar

Pushin e krahëve të bukur…

 

Është një fjalë kaq e thjeshtë

Kaq e rëndë,një ton:

Dashuri rrëmet i kresë,

Që më fundos e më tundon.

 

 

FTOHTËSI

 

Në bardhësinë e dimrit

Ndjenja më trazonte gjoksin,

Prognozën e motit dija

Po të dashurisë prognozën?

 

Në oborrin me dëborë mbushur

Ndjenja më shkundte gjoksin,

Kur nën të kishin humbur,

Sa fektime të lodhura…

 

Tani shkoj gjithnjë drejt dimrit

Ti ecën drejt pranverës

Prandaj dashuria është e dhimbsur

Ajo ia ndal hovin erës…

 

Kur ti drejt dimrit të shkosh

Pranverën s`do ta gjej

Veç atëhere do më kuptosh

Si ulërin dhimbja nëpër erë…

 

 

UDHËTIMI NË DET

 

As e kishim menduar pulëbardhën

Në këtë det të urtësuar,

Ndërsa në port prêt radhën

Kjo anije e zgjuar.

Hipim në të me radhë

Mbi kurriz të detit shkasim,

Deti dallgë- dallgë

Befas çmendet si padashur.

Papritur shfaqet pulëbardha

Dy delfinë që përqafohen,

Dy shenja të jetës së zhdukur

Na kujtohen…

Kur u kthyem nga falja prej rrezikut

Së pari na u kujtua pulëbardha,

Ç`ti kujtosh këtij deti të tronditur,

Me dallgë hallka hallka,

Këputur nga një mëshirë e papritur…