| E merkure, 13.09.2017, 09:22 PM |
Jo vetëm, det, blu, qiell dhe diell..!
-Ndryshe, Erseka-
Nga Drita Lushi
Udhëtimet janë pasioni im i kahershëm dhe i gjithhershëm..Ndërsa pushimet janë liri dhe të japin mundësinë të fluturosh jo vetem me fantazi por të shkelësh edhe me këmbë vende të largeta të Atdheut tënd me të cilat të lidhin kujtime ose do të lindin kujtime.
Pushimet nuk janë vetëm det, blu, qiell, diell...!
Pushimet janë edhe mall, kuriozitet, zhbirim, meditim, jetë, histori...
S’e privojmë dot veten nga të qenit me mendje në disa vende njëherësh, por kur arrin t’i prekësh, do të thotë, që i do vërtet!
Qyteti i Ersekës është larg, por një ose dy herë në vit e vizitoj atë, sepse atje ime bijë ka varret e gjyshërve nga babai dhe çdo njeri duhet të respektojë ata që dikur jetuan si ne, e kur ketë ua mëson dhe fëmijeve edhe ata do t’ua mësojnë fëmijëve të tyre.
Pedonalja e qytetit të lë një mbresë të dlirë ; Është e madhe e pa zënë nga ndertesa, që të marrin frymën, është e pastër dhe ndonëse është ditë pune në kalendarin zyrtar , sheh shumë pak njerez;
Është e vërtetë që migrimi dhe emigrimi e ka prekur shumë këtë qytet të vogël, por të madh për nga historia dhe njerezit e shquar që i ka dhënë ketij kombi!
Në shesh, mund të shohësh historinë e këtij vendi ;
Përshëndetesh me bustin e Fan S Nolit, të Petro Nini Luarasit, Papa Kristo Negovanit, Faik KonicësmJani Vretos, dhe përmes tyre të gjithë mund të kujtojnë veprat dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve në fusha të ndryshme si gjuhësore, intelektuale, atdhetare, etj
Këta bij të Kolonjës e bënë të njohur këtë trevë por edhe vendin tonë, edhe jashtë kufijve.
Risia e kësaj vizite është muzeu në qendër të qytetit ku bileta hyrëse është vetëm 100 lekë të reja.Ia vlen të shohësh por edhe të dëgjosh nga ciceroni jetën kolonjare në periudha të ndryshme të historisë, të njihesh me zakonet e trashëguara brez pas brezi, të shohësh kostumet e grave, të vizitosh dhomat e miqve të improvizuara bukur në muze, si dhe të njiheshe me fotot e Dhimitër Vangjelit, te cilat janë zbulime shumë të rëndësishme, sepse pasqyrojnë jetën e gjysmës së parë të shekullit të 20-të, që nga lindjet, dasmat, morti e shumë e shumë ngjarje të atyre fshatrave, duke qenë se ky ishte fotograf lëvizës.
Të marrësh në celuloid pamje, kujtime si nga historia, por edhe nga qyteti është më e pakta në krahasim me ndjesitë, që merr ti shohësh dhe prekësh nga afër të gjitha këto.
Kolonja ka endé shumë e shumë gjëra, që ia vlen të shkosh, t’i shohësh dhe vizitosh...!