Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Fjalë imzot, vetëm fjalë

| E shtune, 26.08.2017, 09:29 AM |


Fjalë imzot, vetëm fjalë

Nga Reshat Kripa - Ish i dënuar politikë nga regjimi komunist

23 gusht 2017 -.  Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe  Komunizmit. Në Muzeun Historik Kombëtar zhvillohet simpoziumi i organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit dhe drejtoria e muzeut. Do të kisha dashur të isha i pranishëm në këtë aktivitet por nuk kisha ftesë dhe as më njoftoi njeri. Sidoqoftë boshllëkun e plotësova duke lexuar njoftimet e gazetave.

Mendoja se do të shihja aty ndonjë personalitet të lartë të vendit, kryeministër, ministër, dretues parlamenti, president, kryetar partie e të tjerë të këtij rangu por nuk m’i zuri syri. Mendoja se aty do të bëhej një pasqyrim i krimeve të kryera nga regjimi komunist në periudhën 46 vjeçare të sundimit të tij, se do të flisnin ata që i kishin kaluar vetë mbi shpatullat e tyre pasojat e atij genocidi duke e konkretizuar me shembuj konkretë por kjo nuk ndodhi. Në të  kundërt pashë “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”, siç shkruante shekuj më parë Shekspiri i madh.

Lexoj në gazetën “Panorama” kumtesën e mbajtur nga zonja Gentiana Sulaj, kryetare e autoritetit që organizonte simpoziumin. Prisja që të shihja në të të dhëna të nxjerra nga dosjet që shqyrton ky autoritet dhe që besoj se janë burimi më i mirë për të kuptuar se çfarë ishte diktatura komuniste. Por si dhe herë të tjera, një gjë e tillë mungonte.

Lexoj titullin e kumtesës: “Reflektim për memorien historike: bashkim jo përçarje”. Bashkim jo përçarje. Kush duhen të bashkohen, fajtorët me të pafajshmit, apo kriminelët me viktimat? Një gjë e tillë mund të bëhej po të ishin dënuar shkaktarët e katastrofës së madhe, po të ishte bërë një Nuremberg shqiptar. Por kjo nuk e bë. Nuk e di, mos ka pasur parasysh shprehjen e famshme të biblës që thotë “Kur të godet njerën faqe ktheji tjetrën”, domethënë “fitimtarët fitimtarë, të mundurit të mundur në përjetësi” siç shkruante poeti Bardhyl Londo në një poezi të viteve të para të pluralizmit.

Në atë kumtesë autorja deklaroi se do t’i propozonte Kuvendit të Shqipërisë që data 23 gusht të ishte dita përkujtimore e viktimave të komunizmit. Me sa di unë deri më sot janë caktuar edhe dy data të tjera për këtë ditë, ajo e 23 majit, dita e revoltës së madhe të Spaçit dhe 21 shkurtit, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit, por që asnjëherë nuk janë përkujtuar më. Mos vallë çdo qeveri shqiptare do të caktojë një datë që më vonë do ta lerë në harresë

Në atë çast më doli para syve séanca e parlamentit rumun ku shqyrtohej raporti perfundimtar i Komisionit Presidencial për Analizimin e Diktaturës Komuniste, më 18 dhjetor 2006, ku foli edhe presidenti i vendit, zoti Traian Basescu, i cili midis të tjerave tha:

“Për këto qrsye, si kryetar i shtetit rumun, unë e dënoj publikisht dhe në mënyrë kategorike sistemin komunist në Rumani, që nga themelimi i tij mbi bazën e imponimit gjatë viteve 1944-1947 e deri në shembjen e tij, në dhjetor 1989. Duke marrë në konsideratë realitetin e prezantuar ne raport, deklaroj me përgjegjësi të plotë: Regjimi komunist në Rumani ishte i palighshëm dhe kriminal”.

Ndërsa më poshtë vijoi:

“Në emër të shtetit rumun, shpreh keqardhjen dhe ngushëllimin tim për viktimat e diktaturës komuniste. Në emër të shtetit rumun, kërkoj zemërgjërësi nga ata që vuajtën, nga familjet e tyre dhe nga të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër, jeta iu shkatërua nga abuzimet e diktaturës”.

Një kërkim ndjese i vërtetë, i barabartë me atë të Gjon Palit të Dytë që kërkoi ndjesë për viktimat e shkaktuara nga krishterimi në mesjetë, me atë të kancelares Merkel që kërkoi ndjesë për krmet e kryera nga nazizmi gjerman, së fundi me atë të një qytetari gjerman që kërkoi falje për krimet që kishte kryer i ati në maskrën e Borovës në Luftën e Dytë Botërore.

Po në Shqipëri a keni dëgjuar të kërkohet ndjesë? Me përjashtim të ish Presidentit Nishani që e bëri një gjë të tillë, asnjë president tjetër, kryeministër, kryetar parlamenti, kryetar partia apo ndonjë tjetër i këtij rangu nuk e ka bërë këtë. Ndjesa është shprehja e parë që  një autoritet qeveritar duhet të kërkojë.

Lexoj po në gazetën panorama shkrimin e gazetares  Dr. Jonila Godole me titull “Europa dënon krimet e komunizmit, por rezoluta jonë fle”. Një shkrim i shkëlqyer  por në të njetën kohë një konstatim real. Kanë kaluar 11 vjet nga miratimi i saj dhe ende nuk është zbatuar asnjë pikë.  Përse? Përgjigjen le ta japin politikanë.

Rezoluta u miratua vetëm me votat e deputetëve demokratë. Deputetët socialistë dolën nga salla e parlamentit në kohën e miratimit ashtu siç nuk kishin denjuar të ngriheshin në këmbë në shenjë respekti kur në vitin 1992 u propozua një minutë zi për të rënët në luftën kundër komunizmit. Ajo u hartua në mbështetje të dy rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht asaj Nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrenjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, për të cilën shteti shqiptar as u prononcua zyrtarisht, megjithëse kishte votuar për të si anëtar i Këshiilit të Europës dhe atë Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.

Le të përqëndrohemi në disa prej pikave kryesore të saj dhe në reflektimin ndaj tyre në Shqipëri:

Pika 8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist.

Kush duhet t’ia heqë këto dekorata e tituj atij dhe të tjerëve? Unë mendoj se kjo i përket pikërisht Kuvendit të Shqipërisë që ka miratuar këtë rezolute.  Ku është zëri i tyre?

Pika 9. Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore.

Terma të tilla si “24 maji”, “11 janari”, “21 dhjetori”, “10 korriku”, “Komuna e Parisit” “Konferenca e Pezës” e të tjera i  gjen ende në emërtimet e rrugëve, lagjeve, shesheve, shkollave,  madje  në sheshin që dikur mbante emrin e datëlindjes së diktatorit Stalin është ngritur një memorial me numrin “11”. A e ka parë këtë memorial Kryetari i Bashkisë? Besoj se po. Atëherë përse nuk urdhëron të hiqet? Nuk mundet apo nuk do?

Pika 11. Kuvendi  i   Shqipërisë  kërkon  hapjen  e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

Njëzeteshtatë  vjet demokraci dhe Shqipëria është i vetmi vend i Europës Lindore që nuk janë hapur dosjet.  Është hartuar një ligj gjysmak sipas të cilit  ato mund të hapen nga autoriteti i krijuar por askush nuk mund të ndëshkohet për të kaluarën e tij kriminale. Dy muaj më parë u zhvilluan zgjedhjet        për në Kuvendin e Shqipërisë. Me përjashtim të dy partive të vogla, asnjë prej partive të tjera , të mëdha e të vogla, të djathta dhe të majta, nuk paraqiti listën e kandidatëve për deputet në autoritetin përkatës. Asnjë institucion kushtetues, i sistemit të drejtësisë, i administratës publike, apo mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruara, nuk ka paraqitur në autoritet listën e punonjësve të tyre.  Përse? Përgjigjen le ta japin vetë.

Pika 15. Kuvendi i Shqipërisë fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur  me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

Me përjashtim të detyrimit për arsimin që mendoj se është kryer  të tjerat janë ende larg. Të përndjekurit politikë janë të parët që pushohen nga puna sa herë ndërrohen qeveritë. Dëmshpërblimi  tyre ka hyrë në kalendat greke dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Përsa i përket caktimit të një fondi për gjetjen e  të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike dhe nuk janë pak por mbi 4000 persona, nuk ka asnjë fond të caktuar.  Familjarët duan një varr për të afërmit e tyre ku të derdhin dy pika lot dhe  të vendosin një tufë me lule.  Duan edhe një varrezë të veçantë për të rënët ku të mos kenë mbi krye yllin e kuq të komunizmit, atë yll që i vrau  dhe dënoi pasardhësit e tyre dhe që gjendet ende në varrezat e dëshmorëve të kombit..

Pika 16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Ka shumë vjet që flitet për rishikimin e librave shkollore por deri më  sot  nuk  është  bërë absolutisht asgjë. Të gjitha ngjarjet historike të vendit tonë, në këto tekste vështrohen nën prizmin komunist. Ende nuk është ngritur një komision i përbërë nga specialistë të fushës për rishikimin  e tyre. Me përjashtim të një pavioni të vogël në Muzeun Historik Kombëtar dhe njerit në Shkodër, nuk ka asnjë muzeum tjetër. Nuk është kthyer asnjë burg i tmerrshëm apo kamp në muze, megjithëse ka disa vite që është krijuar Shoqata e Hapjes së Kampit të Spaçit por që nuk po gjen përkrahje nga autoritetet shtetërore. Ndërsa përsa i përket ngritjes së memorialit përkujtimor, megjithëse ka vite që është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në të vërtetë nuk është bërë asgjë. Kur do të realizohen këto?

Pika 17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare.

Pothuajse për çdo ditë në vendin tonë organizohen konferenca për çështje të ndryshme të të gjitha fushave  të shoqërisë shqiptare, madje deri edhe ato për homoseksualët, vetëm për çështjen e krimeve të regjimit totalitar sundon heshtja. Kur do të organizohet një konferencë e tillë? Kush do ta organizojë? Akademia e Shkencave, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve apo  Instituti i Hetimit të Krimeve Komuniste? A do të realizohet kjo konferencë?? Do të presim dhe do të shohim. Mendoj se kjo është e domosdoshme dhe duhet thirrur sa më parë.

Lexova mesazhin e Kryetarit të Partsë Demokratike, zotit Lulzim Basha, në këtë ditë përkujtimore:.

“Dënimi i krimeve të komunizmit, mision i pambaruar për Partinë Demokratike”.

Ku veç të tjerave theksonte:

“Jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar, akuzë e rëndë për shoqërinë që s’i dënoi kriminelët komunistë”

E përshëndes zotin Basha për këtë mesazh por dua t’i them se nuk duhet të mbetet si një mesazh për një ditë përkujtimore. Ai duhet të fillojë që tani një  betejë të madhe kundër mentalitetit komunist që ekziston në Shqipëri. E them këtë pasi jo gjithmonë në kohën e qeverisjeve demokratike ka pasur  vullnet politik në drejtim të përndjekurve politikë. Më lejoni t’ju jap vetëm dy shembuj:

Në muajin mars 2010,  një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kish kërkuar Shqipërisë që të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkonte Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit, do të thotë se kjo çështje qëndronte në vendin toë. Për këtë fakt nuk u dha asnjë informacion, asnjë lajm nuk iu dërgua shtypit shqiptar. Çdo gjë u mësua nëpërmjet mediave online.                                                                                               Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm dhe pikërisht ata të  Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis, i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding,. një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Komisioni i BE-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Përsëri asnjë deklaratë apo lajm i botuar në shtyp. Përsëri lajmi merret vesh nga mediat online. Do të kishte qenë e moralshme që krahas firmave të gjashtë ministrave të  jashtëm, të cituar më sipër, të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, si vendi me terrorin më të egër komunist. Por ajo nuk ndodhi. Ministër i Jashtëm ishte Presidenti i sotëm i Republikës, zoti Ilir Meta, ish-aleati ynë.

Duke përfunduar dua të theksoj se në rast se do të vazhdohet si deri më sot, deri sa nuk do të dënohet krimi komunist, deri sa të ekzistojë mentaliteti komunist, Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë e qetë. Rruga e saj drejt Bashkimit Europian do të jetë e mbyllur.  

 Mjaf më me “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”