| E merkure, 03.09.2008, 07:03 PM |
“S’kam kohë”, thirrje e sinqertë e shpirtit
Sulejman Mato
Nga Albert Zholi
Sulejman Mato është një ndër poetët dhe krijuesit më produktiv, që me pasionin, punën. kërkesat, ka lënë gjurmë në letërsinë shqiptare. Bashkëstudent me Elena Kadarenë, Sadije Agollin, Musa Vyshkën, ai bën pjesë në plejadën e krijuesve që sollën një frymë të re për kohën në letërsinë shqiptare. Ai ka lëvruar thuajse të gjitha gjinitë e letërsisë, por poezia ka trokitur më shpejt tek ai dhe u bë pjesa më e spikatur e krijimtarisë. Për poezinë e tij janë shprehur korifejtë e letrave shqipe si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, të cilët e rendisin atë ndër poetët më të mirë shqiptarë.
Z. Sulejman ditët e fundit në librari, është parë libri juaj i fundit me poezi “S’kam kohë”, përse është ky titull, mos vallë nuk keni kohë të shkruani, të punoni, apo të meditoni?
Shkrimtari, poeti, për të shkruar sidomos për poezinë, e gjen hapësirën në çdo kohë. Frymëzimi është një moment i vogël të cilët duhet ta vlerësosh, sepse, në qoftëse kalohet pa e derdhur në fletë ajo mund të iki. Titulli i librit “S’kam kohë” është rezultat i një titulli pak më të gjatë, por meqë kopertina nuk e zinte dot (titulli i vërtetë është “ S’kemi kohë për të thënë shumë gjëra” që është edhe poezia e parë e librit) u vendos titulli që diskutojmë. Ideja e kësaj poezie është se, nuk kemi kohë për të thënë shumë gjëra, por më të rëndësishmet duhet ti themi. Bile me çdo kusht. Njeriu në jetë duhet ti thotë ato gjërat më të rëndësishme.Për shumë gjëra të vogla në të vërtetë nuk kemi kohë. Po nuk u thanë gjërat më të rëndësishme, plagët thellohen, problemet mahisen, po ashtu dhe ne si pjesë e ndërgjejges kombëtare duhet të ndjejmë përgjegjësinë tonë në zbardhjen e problemeve të kohës.
Kur ka filluar për herë të parë për të shkruar Sulejman Mato?
Unë kam filluar të shkruaj kur kam qenë student. Ne kemi qenë një kërs me shumë talente të cilët ndikonim tek njëri tjetri. Ne që shkruanim jetonim në një dhomë konvikti. Dhoma 31 e studentëve të Universitetit të Histori Filologji. Në këtë dhomë ishim, unë, Ruzhdi Qatipi, Ruzhdi Pulaha, Musa Vyshka, Minush Shero. Tek ky i fundit dua të ndal. Ka qenë një dramaturg shumë i zoti (ndjesë pastë), ka qenë një njeri me shumë vlera dhe ishte edhe më i madh se ne mbi 10 vjet dhe ne e kishim si mësues brenda shoqërisë sonë.
Çfarë keni shkruar për herë të parë, poezi apo tregime dhe e mbani mend kush ka qenë krijmtaria juaj e parë dhe ku është publikuar?
Kam bërë një vjershë dhe e kam botuar në Zërin e Rinisë .Unë isha në një bankë me Musa Vyshkën dhe gjatë kohës së leksionit shkrova një vjershë dhe ia dhashë Musait. Musai e pëlqeu dhe e çoi vetë tek “Zërin i Rinisë”, sepse ishim shumë shokë. Por duhet të theksoj se kisha pasion aktrimin. Unë një vit e gjysëm kam studiuar për aktor dhe kalova në simestrin e dytë të vitit të dytë, në Histori Filologji dega Gjuhë-Letërsi. Isha piketuar, që pas studimeve të më çonin si regjisor estrade me destinacion Sarandën. Nuk doja të kthehesha në Sarandë. Pasi kushedi ku më çonin më vonë. Saranda dhe fshati im Fterra janë pika referimi dhe nostalgjie për mua.
Përse janë pika referimi, sepse janë vende bregdetare dhe malore njëkohësisht ?
Fterra është një fshat malor shumë piktoresk, po nga varfëria kjo quhet pikë referimi. Ai, vullneti për të ecur përpara, ka qenë rezultat i varfërisë. Jo vetëm i imi, por i të gjithë vëllezërve dhe i motrave të mia që kemi mbaruar universitetin. Për Fterrën kam shumë vjersha, por edhe për Sarandën. Unë kur kam zbritur për herë të parë në det, në Borsh, kam qenë 5 vjeç. Aty e kam parëë detin për herë të parë dhe më është dukur një gjë e madhe, një hapësirë e pamatë që të trembëte, por më ka dhënë shumë dimension.
Pak më parë folët për disa pika referimi. Mund ti vazhdojmë ?
Pikë tjetër referimi, ku fshati im ka qenë një fshat, ku asnjë shtëpi nuk mbante shtëpitë me çelës. Në fshat kemi pasur një xhami dhe ishte folur nga hoxha i fshatit që fëmijët në qoftëse hanë nga pemët e njëri tjetrit, po i patë mos i rrihni, u thoni vetëm mos thyeni degët. Ka pasur një solaridet midis familjeve, ka pasur një liri midis tyre, ka pasur një edukatë dhe kjo edukatë ka shërbyer për të qenë të sinqertë. Vlerat e këtyre pikave referimi pasurohen në letërsi.
Bregdeti ka nxjerrë gjithmonë poetë e shkrimtarë, është vendi piktoresk, apo deti që nxit ndjenjën e krijimtarisë ?
Unë detin nuk e shoh si mjet energjie për krijimtarinë, por si relaks. Por tek deti kupton pafundësinë, madhështinë, para detit njeriu duket si kokër e vogël. Dostojevski thotë “shkova 15 ditë në Zvicër që të shkruaja një roman dhe u ktheva sepse nuk i duroja dot malet”, sepse ai ishte mësuar me fusha dhe me hapësira. Por ka edhe shkrimtarët të tjerë si Kadareja që nuk e ka pasur qejf detin, dhe shumë nga shkrimtarët që kanë lindur anës detit. Ndoshta është një shtysë e vogël , por jo themeli në krijimtari.
Duke parë të problematikat e gjëra që keni përcjellë në letërsi, a ke ndonjë peng ?
Pengu im ishte që të kishim pavarësi ekonomike.Po të kisha një gjendje parash do të ndërtoja një forum timin të qytetarëve të lirë të cilët ti tundnin dhëmbët kujtdo, atyre që nëpërkëmbin intersat e popullit, besimin e tyre.Do të dënoja shumë njerëz që kanë lozur me fate njerëzish, me ëndrrat e një populli të shumvujatur. Të shumvujatur nga politika miope dhe interesaxhie që i ka drejtuar. Të duket e çuditëshme që një poet fut njerëz në burg. Këtë do ta bëja me një kënaqësi shumë të madhe.Në interes të gjithë atyre që kanë vrarë veten, më interes të drejtësisë, respektit ndaj djersës dhe mundit të madh të këtij populli.
Në qoftëse do ta ktheje veten në kohë, çfarë do të ndryshoje në karakterin tuaj, apo në krijimtarinë tuaj?
Asnjë gjë. Dhe pse ekonomikisht nuk jam në gjendje të bëj një jetë të rehatshme, mendoj se kam ecur në rrugën ku ndërgjegja është ndjerë e pastër, ku jam ndjerë vetvetja. Për këtë flet dhe poezia ime.
Ju dhe në poezi dhe në tregime keni trajtuar temën e familjes ….
Po. Eshtë baza dhe esenca e gjithshkaje. E jetës, zhvillimit, tarshëgimnisë. Unë mendoj se jam një prind shumë i mirë. Jam munduar të edukoj me shembullin tim. Unë i konsideroj djalin dhe vajzën si shokë, dhe jo si prind. Kjo është një kërkesë e kohës.