| E hene, 21.08.2017, 09:16 AM |
QAZIM D. SHEHU
GUR I ÇMUAR
Me pluhur shekujsh mbuluar
Gur i çmuar është lavdia,
Me onur egoje qëlluar
Ajo nxjerr shkëndija.
Me erë dështimi s`mund t`ia mbledhësh
Xixat për të bërë zjarr.
Kështu asaj si t`ia hedhësh?
Me magnet të mban në hall.
Për të mos qëlluar veten a të jerët
Me këtë gur, mbetesh batall,
E ia mbath drejt territ
Kur ngryset e kur zbardh.
Me gurin mund të godasësh
Ata, që mbi supet e të tjerëve
Rritën dy herë shtatin
E shkëlqejnë prej gënjeshtrës...
KUR VJEN MBRËMJA
Kur vjen mbrëmja, ftohet saçi,
Në mungesë rrezesh të ikura,
Atëhere vemë dorën strehë balli,
Të shohim zemrat e uritura...
Me verën e një qeshje të gramshkundur
Ta ngjërojnë bukën e mëngjesit,
Ky saç bukën na la të qullur,
Pa kavurdisur nga nge e pangeshme...
NDROJTJE.
Kur portë e mendjes nuk hapet
E mbyllur nga një spazmë idilike,
Dhe ndrojtja në bunkerë guacke,
Dështon daljen e një fjale afrimi,
E ndjej sa vuan ti:
Edhe një bukuri që më deh,
Në thellësi të vetes e ndry.
Kështu ndrojtja ime vret
Përmes refuzimesh,sa dashuri...
PAH...
Më është bërë vetja skuta- skuta,
Kthesa dhe bërrylë të fshehtash,
Aq sa humb adresat e shënuara
Prej një pahu helmesh,
Që më ferementojnë pamundësitë
Dhe kërkojnë një zjerje e shpërthim,
Dhe kur të fshehta s`u çoj përditë,
Në zemër hap një vrimë...
S`E BËJMË DOT NJERIUN
Ishe një perlë që nuk ta gjeta
Në kishe shkëlqim apo mashtrim.
Ti erdhe kur lundronte jeta
Pa asnjë hall e një pengim.
Dhe erdhe të më gjesh me nge.
Gënjyer nga një rrenë e çastit,
Si një rreze dielli që e shtyn një re
Të përqafojë malet.
Mbulesë e gabimeve të mia,
Zbuluese e tyre me takt e pa takt,
Gjëmon gjaku i dashurive
Në damarin si për parainfarkt.
Putrat goditëse të viteve
E sjellin nganjëherë te ne kafshën,
Sa më tepër jodashurisë i avitemi,
S`e bëjmë më njeriun ,po fantazmën.
SHOH SI IKIN RETË E PAMBUKTA...
Shoh si ikin retë e pambukta
Dhe në maja thepash lënurin,
veten nga brinjët që u kruhen
Prej rrezesh që përpushen...
Dhe zgjasin fijet nëpër kryet
E maleve dhe kreshtave,
Pastaj me to ngatërrojnë pyjet
Dhe mjekrat e thepave...
Nga to do marr ca fije
Të vë në kokën time të zbathur,
Ndoshta si shenjë djalërie
Që s`ka për të ardhur....
JO ÇDO ZJARR
Një shkëndijë zjarrin lind,
Ky zjarr nuk ndizet kot,
Një forcë e fshehtë e bind.
Jo çdo zjarr të bind sot.
Nuk të bind zjarr i pyjeve
Që në verë përpijnë
Sipërfaqe poshtë qiejve
Ku lëngu i joshës jep shpirt;
Nuk të bind zjarr i reklamave
Veshur me një cipë ari,
As zjarri i tam tameve
Në fjalë qeveritari.
Mirëpo zjarri duhet të bindë
Ai tërheq për ngrohtësi,
Sot zjarri u bë xhind
Shkrumbon me pabesi...
BRITMA
Britma e heshtur e agimit ngrin
Në rrezet e para të diellit,
Kur gjymtyrë e lëvizjes fillon e shkrin
Me kumbime të freskëta.
Në gji të ditës shuhet ngadalë
Sikur ajo nuk mbruhet,
Ajo britmë një çast të ndal
Kur shfaqet jeta e nuk shkruhet.
MONEDHA
Në prehër qiejsh të largët
Dhe kaq afër
Dielli rri.
Në duar të padukshme
Tepsi.
Lëmsh
Monedhë e artë
Me mërzinë e tij të ngeshme,
Prej së cliës
Dhe vetëm prej saj
Jeta është e bleshme...
PENG
E kam peng se fjalën nuk ta thashë
Sa emocione vrava?
Po që atëhere e gjer tani,vashë
M`u duk se qava.
Nëse çdo fjalë në çastin e duhur
Thënë do ish,
Bota s`do ish kaq e bukur
Po një rrumbullakësim bukurish.
Si gur na var mbi greminë
Ndërgjegjen përpushëse
Pengun që ngacmon dashurinë
Si një gjarpër rrëzë gëmushe...
SHIRA NDJESISH
Ranë sa shira ndjesish
Prej një qielli të njenjtë,
Dhe na krijuan në mish
Foleza indesh pa të drejtë.
Kujtuam se u fikën qiejt
Dhe u krijuan qiej të rinj,
Yj të tjerë në sofrën e tyre
U ndezën qirinj.
Ato ishin po ato,
Që nga kohë e Dantes më duket,
Veç dashuria që frymë u ço,
Ka frikë nën to të struket..
KUR…
Kur në këpuckë varke
Bredh këmba jote,
Rrjedhat varfajake
Bëhen hirplote.
Një puhizë që shkon gushës
Për të ndezur një zjarr
E trajtëson rrjedhën
Në Kristal…
TETOR
E dua këtë muaj
Muajin tetor,
Për një gjethe vuaj
Që venitet pa zor.
E dorëzueshme gjithçka
Me kënaqësi,
Drejt muajit që vërshon
Me ngjyrën gri.
Ngadalë kështu
Ikën jeta e çdonjërit,
Dhe ndrit papërtuar
Hija e tetorit…
E PRESIN DHJETORIN
E presin dhjetorin të zhvishen pyjet
Si natë e ciknës kur zhvesh yjet.
Poterë e qiejve nget retë
Si qe të rëndë me peshë të lehtë.
Ditët dridhen,qielli ulet e ulet,
Afër tyre,sikur u thotë:
Për të mbajtur rrobet prej gjethesh
Çdo tentim është i kotë.
Dhe ato zhvishen ngadalë si gruaja
Që epshin e burrit s`e do,
Të sigurtë, të drithshëm në zhveshje,sa ajo
Befas ndodh përpak çaste të përkora.
Turbullohet qielli ,loti i tij lëshohet
Mbi shtroje me tërsëllimë e fortësi,
Duke parë si sakrifikohet
Ai që ka më shumë hijeshi…
TEJ DRITARES
Tej dritares,gjithnjë tej
Është ajo,për të cilën dritarja
E hap një shteg.
Ja një re mbi unazë kodrash
Një gisht rruge mban peng.
Tej dritares tund e shkund,
Gërritjet hapësirë e tromaksur,
Nga gjaku i horizontit të therur.
Nga ethe të vjetra
Nga ethe të reja.
Dhe atje vidhet pagjumësia ime
Shprushitur në delir.
Tani do e mbyll atë, të mos ndjej,
Si dridhet nga dëshirat e mbuluar në re,
Hapësira…
Dritare e gjitha më bëhet shtëpia…
SAJIM I SAJIMIT
Në këtë botë që sajo
Manekinë në vend të njerëzve,
Edhe unë veproj si ajo
T`i solla lulet prej letre..
Lulet që përkund era
Në një lëndinë të largët historie,
As pamjen s`na bien tek dera,
Aromat i thith në gji të vet era.
Sajim i sajimit na shpëton
Rrjedhave të shpupluara,
jokëndellëse,
gjersa njeriu njeriun klonon,
kjo mbetet më e natyrshmja
letër sajese.
NDËRTESA
Burrat të bukurën murosin
Se nuk e ngrenë dot ndërtesën
Me themele në shpirtin të femrës.
Kur valë e rrugës u fsheh,
Në hijeshin e trupit tënd,
Muret hapën buzët
Të të hurbnin, moj valë.
S`di pse të prapsova tutje
Mos ktheheshe në Rozafë.
Ndërtesa ime qe ngritur
E bardhë…
LËKUNDJE
Në sizmikë të hollë fekton,
Me barrë vitesh mbi supe,
Mbi hone
Ku dot s`i lëshon,
Zemra.
Sizmiologët që na rrëfejnë
Për vatrat e ardhshme tërmetore
Veç dridhjet e saj nuk i gjejnë...
UJËNISË…
Ikën zjarr nëpër erë
Fisnikëri e dashurisë,
Ledhatim i mjerë,
Ujënisë.
Tërkuzë e lumit
I lidhi valët e shpirtit
Dhe i vuri gërshet
Të zbukurojë
Shpinën e flirtit.
Ujënisë së teptisur në masë
Të derdhur nën zgolla brigjesh,
Aty më duket, diku rashë
Dhe s`u ngrita
Prej vitesh…
PIKON KY SHI
Pikon ky shi
Lot në sy të qiellit,
Parfum për dashuri
Litar i dehur.
U desh të shfrynin disa re
Me që ne nuk shfryjmë,
Të rrëzojnë me sulm përdhe
Kaq pluhur e kaq drithërimë…
Dhe kaq çaste intime
Kaq dilema të pazgjidhura,
Rrëzon ky shi e nuk mundet
Të rrëzojë
Çastet e hidhura…
SHPIRT I TEPËRT
Migjenit
Njerëzit shpirtin e tepër hodhën në xhepat e grisur.
Ai qe shpirti i rrugës nga duhej nisur,
Rruga e nesërme për të parë njerëzit mirë,
Prova e dashurisë dhe dashuria si zjarr i arrirë,
Ai s`e afron të keqen, s`e afron ligësinë,
Shpirt i tepër ,larg shpirtit të ngopur,
Me të mirat e rrëmbyer nga të tjerët,
Shpirt i tepër,
në xhepat e grisur kur ranë monedhat që s`na duheshin,
Ku gjeti vend era dhe ngrica të hynte në trup,
Shpirt i tepërt, ardhë nga vetja jonë,
Shpirt i tepër i xhepave të grisur,
Para të cilit, cmira, inati, ndjehen të arratisur.
Shpirti i tepërt është forca,stërmundimi jonë,
Ai çast kur njeriu drejt Migjenit vrapon.