| E merkure, 03.09.2008, 06:00 PM |
Hysen KËQIKU:
SHTEGËTAR
I SHTEGUT TË SHTEGËTIMEVE
1.
O lumth
asnjëherë nuk bëre
udhëtim të shlirshëm
prore nëpër përplasje
me stërkala shkapërderdhur
i mbshtjellë
me freskinë
e mjegullës
së strukur
në perëndim të yjeve
nga vrojtimi
i përditshmërisë
do të ta fal
o lumth
me stërkala loti
2.
Rrugës
për në kalvar
tok me ofshamën
e renkimeve
të sofërzbraztëve
pëshpëritë pareshtur
për ngarkesën që bartë
me kërcëllimat e dhëmbëve
nga acari
dimërgjatë
bart
dhe vetëm bart
rënkimin e dhembjeve
eunë të kundroj
po e di
domosdonë e dhembjeve
3.
Ti o lumth
udhëtimin mos e ndal
se më nuk do të jesh lumë
e unë do të ta këndoj
apokalipsën
mua më ke bashkëudhëtar
me rënkime e stërkala
e di
vetëm ti
e kupton dhe e flet
gjuhën time
me përcëllimat
e acarit veror
në ty
shuajta etjen
në valëzat
e pushimeve
të rrafshta
të përkëdhela
dhe tok me ty
në fushë të bardhë
derdha stërkala
4.
Rënkimet të mbesin
prapa meje
prapa meje
o lumth
i rënkimeve të largimit
ti nuk lodhesh
për këtë po të lus
ec
dhe mos ke drojë
nga mundimet
për në golgotë
ti çan brigje
e unë i çalë
nuk mund të të ndjek
ti çanë brigje
e unë memec
nuk më del përshëndetja
ti çel rrugë
e unë kërkoj shtegun
të të ndjek
5.
Ti o lumth
]çel rrugë
i lagur fare
nga loti yt
ec deri në cakun
e pafundësisë
unë bashkëudhëtari yt
t’i dëgjoj
rënkimet
për idilën
lumthi
i kujtimeve
të bulëzuara
pranverave
6.
Thatësia
mos rëntë në ty
o lumth
në ty
Ylberat e njomin ngjyrën
pas shiut
në ty
e shuan etjen e dashurisë
shtegëtari i etur
në ty
bilbili miklon
me sqepin
pendë
për pentagram
në ty
dreri me drenushën
spërkatin
kurorën
deri në fund
të këngës
7.
E di dhe të ankoj
lagesh me lotin tënd
se nuk mund të kthehesh
për t’iu shtrirë
shtratit
me trupin tënd
e bëre
aq të përshtatshëm
të të mos dëgjohet
rënkima
e ndarjes
nga rrapët
pjekur e djegur
ti o lumth
ec
dhe pas
lë pastërti
bredh
edhe nëpër bukuri
të akullta
me vërshima
trotuareve pastron
gjurmë
8.
Këndellje
fushës
e sëmurë nga thatësia
ke kokëdhembje
prandaj
në ecje
trupi të avullon
ec o lumth
ec pash burimin
që nuk t’shterron
ec
dhe në ecje
bëhu një
me degët
që të ndjekin
futi thellë
mu në zemër
le t’i fshijnë
djersët e largimit
9.
T’i dëgjoj
pëshpëritjet
me dënesje
nga vaji i djeshëm
nën hijen e rëndë
të zezëresë
ec dhe pastroji
me kthjelltësinë tënde
mos i harro
grafitet ogure
të katër esistëve
bredharakë
as llavërimat
as skërmitjet
e dhembëve
brejtës
të brejtësve
që në brerje
brejtën
ditët tona
10.
Bëmirës
i bëmirësive
ec pash ofshamat
e baladave
të ruajtura
nga thellësia e mbamendjes
njomi
me freskinë
tënde
ngarendjet pas dritës
të humbur kaherë
mos e ndal atë hap
se m’ndalet ora në dorë
e rrapave të tretur
baladave
do t’u shuhet
romanca
e unë
o lumth
mbetem pa pasqyrë
se shoh dot veten
në vijat e ballit
as shtegun
nga hyra
as nga duhet dalur
11.
Po të pyes
o lumth
çka t’i bëj vetes
i mbetur
diku
vetëm
krejtësisht i vetëm
me pëshpëritjet e pafundme
të Velia Glauas
në bredhje amshimi
për një relikt
të përlotur
ti në shtratin tënd
unë pranë teje
kaprroz[1]
anemik
12.
Sa herë u futa
në ty
o lumth
dikush lëshoi
ushunjëza
dhe po të mos
pëlcitnin
nga gjaku im
i thithur
do t’kishte
ushunjëza
për tërë gjakun
e gjaqeve
të gjakut
13.
Nuk e di
o lumth
aortë e vendit tim
nga më vjen
një mendim
të të rrëfej
diçka
le të kalërojë
me rrjedhën tënde
se kush u la
në ty
në shi
njollat u mbetën
të pashlyera
në histori
barte me vete
deri në pafundësi
14.
Çka të të rrëfej
o lumth
me rrudha
në këtë pikë
të gjerë
të kësaj bote
të vogël
aq të vogël
e të ronitur
me lecka
këndëve shpërndarë
si fustani i (Sy)Monikës
nga trillimkeqët
ogurzi
mendjeprishur
nga një dashuri
e barabartë me urrejtjen
me helm nepërke
shtrirë mjerisht
në rrafshin mesmaleve
Mjellmat për t’i helmosur
Për syrin e (Sy) Monikës
15.
E gjora
bredharake
dorë më dorë
shtigjeve pa shteg
murale
syverbër
përballë altarit
me kryq orto....
ku u fsheh korbi
sqepgërryer
i syrit
me shikim të largët
përtej maleve
me ngricë
nga vapa përcëlluese
e ditëve
të bjerra
shtigjeve pa shteg
16.
Ku mbet brusha e piktorit
për një pikturë ferishte
me abcënë e pamësuar
të shpërndarë si stërkalat
e tretura në buzët e thara
nga thatësia
e verës në verig
pa asnjë lugë miell
në kusinë e përvëluar
nga vala
m’lejo lum lumthi
të pushoj
për pak frymë vendlindjeje
se m’duket
zbret nga maja
e Velia Glauas
Vata i Lekë Fanit
si Odiseja
për ta prekur me shpirt
ashtin e të parit
në Itakën e tij
pranë kishës së Kujarkës
në Dushkajën
shkëmb