Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: 'Fitimtari i Beogradit' është shqiptar

| E shtune, 12.08.2017, 04:42 PM |


“Fitimtari i Beogradit” është shqiptar

Nga Ilir Muharremi

“Fitimitari i Beogradit”, i krijuar nga skulptori kroat Ivan Mestrovic, 14 metra i lartë i punuar në bronz nuk është serb, por shqiptar me plis në kokë, dhe u vendos më 7 tetor 1928 në një lartësi të caktuar në tarracën e Kalemegdanit. Skulptura në vete përmbante një qëllim si simbol i Beogradit dedikuar çlirimit përfundimtar të Serbisë nga Turqia.

A qe kjo një mashtrim me popullin serb? Natyrisht, masa gëlltit si delet dhe anashkalon pa e vërejtur skulpturën dhe ja një ditë kritikët e artit zgjohen nga gjumi i rrejshëm dhe vërejnë një shqiptar në mes të Beogradit me fizionomi të pabesueshme: ngjashmëri me hundën, tiparet e fytyrës derisa në kokë stoikisht i rri plisi shqiptar.

Gjesti, shprehja e fytyrës, qëndrimi i tij mashkullor, trupi muskuloz, plot forcë me muskulaturë sikurse skulpturat e Mikellanxhellos, me shpat të kthyer teposhtë, shpreh mbrojtjen dhe rezistimin ndaj armikut, i cili në të njëjtën kohë mbron vendin. Çfarë mbanë në dorën tjetër? Shqiponjën ngjyrë hiri derisa populli serb mendonte se ai mbante pëllumbin. Sqepin në maje e ka të kthyer, kurse qëndrimin  e ka të shqiponjës. Vetë në tekstet e skulptorit Mestrovic përmendet shqiponja dhe  luftëtari në kohë të paqes si simbol trimërisë.

Cili është qëllimi i skulpturës? Shprehja e gjestit, fytyrës, shikimit i cili arrin të rezymojë të gjitha gjestet dhe shikimet e botës. E fitimtari shqiptar këtë e ka në mimikë dhe pas syve. Ky luftëtar imiton (skulptori inspirohet nga shikimi, pjesët e fytyrës që janë shqiptare), pastaj pjesët e trupit, duart, gjoksi dhe këmbët, në fillim fytyra është imazh i renesancës ngjanë më Skënderbeun, ka edhe nga traditat shqiptare, që na kthen më shumë në kohë te ilirët. Gjoksin e ka të fryrë, patetik në raport me pjesën e qafës (skulptorët komunist i frynin figurat), pjesa e këmbëve duket si afshore (play boy modern.) Herë na jep imazh si dashnor i frutuar nga dashuria që na vërtit tek kohërat greke (skulptura me trup muskulor të realizuar në shkallë perfekt si simbol i estetikës, ngjashëm me shtatoren e cila anon një përqindje tek ky imazh.)

Pjesa proporcionale lidhet ngushtë me anën historike të kaluar nga antika,  renesanca, komunizmi dhe bashkëkohorja. Skulptori si duket gërshetoj historinë dhe estetikën.

Ky luftëtar  në fillim mendohet të shfaqej në qendër, ndërsa masa veçanërisht femrat reaguan për shkak se skulptura është nudo dhe vërehet mirë organi i vogël gjenital. Njëherë donin ta futnin në pishinë, por e panë të arsyeshme ta  çvendosin në Kalemegdan dhe poshtë tij qëndron një tub i gjatë me qëllim që të mos vëreheshin organet gjenitale.

Mendja ju shkonte te nudizmi derisa fitimtari në kokë mban plisin, ndoshta kjo qe një lojë e skulptorit i cili e parashihte që kjo pjesë do ngjiste debat derisa pjesa tjetër do vulos historinë. Kjo dëshmon qartë që Beogradin nga Turqit e çliruan Shqiptarët dhe çfarë do të ndodh më tutje me shtatoren? A do qëndrojë ende në Beograd, apo shqiptari do të kthehet në trojet shqiptare? Nëse serbet rrejshëm i përvetësojnë heronjtë, artistët më së miri shprehin realitetin, andaj edhe historia duhet të lihet në dorën e artit, sepse arti është arkeologji e së vërtetës. Andaj, shtatorja nuk duhet të quhet vetëm “Fitimtari i Beogradit”, por “Shqiptari fitimtar i Beogradit”.