Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Habazaj: Avduli dhe Grupi i Tragjasit i kanë kapur majat

| E diele, 23.07.2017, 10:48 AM |


Këngëtari Tartar Avduli dhe Grupi i Tragjasit i kanë kapur majat e Malit të Folkorit

TARTAR AVDULI I TRAGJASIT I KA ARRITUR MAJAT E KËNGËS LABE

Nga Albert HABAZAJ, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

Dy fjalë

Këngëtarë polifonë si Tartar AVDULI i Tragjasit s'vijnë dy herë. Por, janë disa shprehje të vjetra që përdoren në Jug, në Labëri e në Vlorë: “Larg detit, larg mbretit” apo “Larg syrit, larg zemrës”. E kam verifikuar këtë thënie edhe me një poet të talentuar nga Vlora, por që nuk banon këtu, ka rreth 20 vjet emigrant në Itali. Ne, të këtushmit i bëjmë qoka njëri-tjetrit. I qajmë ato. Si ne. Shokë veten kemi. Kur mblidhemi, sidomos për përurime, tek-tuk, vetëm nja dy miq (jo më tepër), miq të letrave të Poetit që jeton e punon në Savona, ia përmendin emrin, të tjerët s’e njohin… (P.s.: Diskutimet letrare janë harruar fare. Tento të kritikosh ndonjë me të drejtë për qulluficet e printuara në trajtë libri për nivel të ulët artistik, se të piu e zeza! (“Moj e drejtë, plaç të preftë!” - na kujton një tjetër fjalë e urtë.

Me këngëtarin tragjasiot Tartar Avduli, i cili, edhe ai ka mbi 20 vjet në emigracion, në Tortoreto (Teramo, Abruzzo Itali), shikojmë dy pamje: ndosh kështu si me Poetin, por edhe nuk ndodh kështu. Edhe ai larg është. Kënga ka një magji tjetër, ndryshe nga poezia e shkruar. Ajo, e bukura, e mira, e dobishmmja pëlqehet e përhapet gojë më gojë. Tartar Avduli, sa qe në Shqipëri bëri histori folkorike, i dha emër Grupit të Tragjasit, në nderim të të paharruarit Beqir Laçe, pa u ulur nga lartësitë ku e kishte ngritur Aranit Daupi marrësin - funksionin e parë të këngës labe, duke lënë gjurmë e marrë famë me vete. Kishte zot kënga labe në Tragjas, ustain e vërtetë të këngës Hamdi Pulo Paharrimin…

Jetëshkrimi polifonik i këngëtarit

Tartar Avduli ka lindur më 7 prill 1963 në Tragjasin e bukur, me ballë te mali, me këmbë te deti i Vlorës. Pavarësisht, se të dy prindërit e tij kanë kënduar (nëpër dasma e gëzime, por jo cilësorë, që të dilnin si përfaqësues të grupit të fshatit). “Po kur mblidheshim me vëllezërit: me Vironin, mësues e drejtor shkolle në Tragjas e me Lilon, Ilirian Ali - aktor me emër i teatrit “Petro Marko”, me prindërit dhe të gjithë vëllezërit, kënga vente zile.”- kujton me mallëngjim Tarua. Nga dy fëmijët e tij, asnjë nuk këndon. Këndon baba sa për dy mijë  biblila… Bashkë me Sutën e urtë e gjeraqinë. Tartari e ka filluar “karrierën” e tij si këngëtar, qysh në shkollën 8 vjeçare në vendlindje, dhe më mbas, sigurisht me një grup pak më të rritur, që u finalizua me Grupin e Vjetër, siç quhej në atë kohë. Në vitin 1983, ishte ushtar dhe u angazhua me Grupin Lab të Shkollës së Lartë të Aviacionit, Vlorë me përgjegjës artistik Halil Bellon, një oficer i talentuar,  drejtues i zoti i Katedrës Teknike, por së pari njeri babaxhan dhe këngëtar i fuqishëm, një emër i njohur i polifonisë labe. Me lirimin nga ushtria, Tartari iu bashkua grupit dhe ka marrë pjesë nëpër koncerte të ndryshme në Vlorë e Tiranë, në festën që bëhej në Drashovicë, me udhëheqës artistik të madhin Haxhi Dalipi, etj. Angazhimi zyrtar i Taros me grupin është ai në Festivalin e Pestë Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1988, ku u shpall Laureat i Festivalit. Në vitin 1989 shkon në turne në Francë me Ansamblin “Labëria” të Vlorës, që drejtohej me kompentencë nga kompozitori Haxhi Dalipi, “Artist i Merituar”. Edhe ishte vetëm 25 vjeç Tartari, e nisi mbarë turneun e Francës, i cili u pasua me një turne të pashlyeshëm në Jug të Shqipërisë, prapë në Francë, më vonë në Spanjë, Greqi e gjetkë. Djali nga Tragjasi po krijonte një profil model të këngëtarit të duhur lab me ansamblin “Labëria ime” të Mjeshtrit H. Dalipi, dhe deri në vitin 1997 realizon rreth 30 këngë. Këngët e tij kanë patur kthyes të paarritshmin Nebi Xhaka të Tërbaçit e më vonë Golik Likën e Lapardhasë e Viron Lacin e Mavrovës. Hedhës - Yzedini e Meleqi. Këngëtari tragjasiot ndihet krenar, që, qysh në moshë të re, ka fare patur fatin të këndojë me gjigandë të labërishtes si Hysen Rukën e Smokthinës, Syrjat Hodon e Tërbaçit, me të paharruarit Arap Çeloleska i Vranishtit e Arap Meron e Bratit, me Nazif Çelën e Lapardhasë, me Rramën Nuredinin e Armenit, me Kalo Bregun e Vezhdanishtit, me treshen e famshme të Dukatit, Bego Vangjeli, Sulo Bozhani e Leko Gjoleka, me divën Ermioni Mërkuri të Pilurit, me nimfën Katina Beleri të Himarës, me të trëndelintën Fatbardha Hosi Brahimin e Bolenës e Lapardhasë. Tartari e mori stafetën e këngës së vendlindjes nga virtuozi Aranit Daupi dhe e çoi më tutje atë vijë melodike aq fuqidhënëse. Ai kujton me nderim e nostalgji kthyesin Ramis Gjoni dhe hedhësin Ali Meço, kur qe angazhuar me grupin e Tragjasit. Një vlerësim të veçantë ka Tarua për gjigandin e folkorit të Vranishtit dhe Labërisë, për fisnikun Muhamet Tartari, sepse Metua ka bërë edhe një këngë për babain e Tartarit dhe  këngëtari ia ka marrë vetë këngës për babain. Tartari i ka kënduar historisë, figurave të ndritura të saj, vendlindjes, bijve dhe bijave të fshatit, natyrës, dashurisë, ndjenjave e dufeve njerëzore, jetës, njerëzve të afërt dhe e ka derdhur shpirtin e bukur në këngë. Për këto vlera të kulturës jomateriale që bart e përcjell me njësitë folkorike aq të bukura që na ka dhuruar, i meriton këngëtari ynë dy vargje të thjeshta, që dalin vetë nga shpirti e unë vetëm sa i shkruaj: Det me të fala nga Vlora/ O Tartar Avdul i Këngës,/ Këngës, që ia bëre forra,/ Këngës, ilaçit të zemrës./ Tungjatjeta, Taro Kënga,/ Bilbil avazesh të ëmbla,/ Që çdo labi ia ka ënda,/ Kryezëri ynë në ëndrra...”

Dy këndvështrime për artin origjinal

Horizontaliteti shoqëror e do, e vlerëson këngën e Taros, sepse ai është një marrës e kryemarrës sa i ëmbël aq i fuqishëm, sa i freskët, aq i ngrohtë, sa i gjerë, aq i thellë, sa lartësi epike, aq dhe vërshim pranveror. Siç janë të mrekullueshme tekstet dhe meloditë e Hamdi Pulos, po aq mahnitëse bëhen në interpretimin e rrallë të Tartar Avdulit këngët e Tragjasit, të cilat ai i vesh natyrshëm me bukurinë, forcën, madhështinë e vet, mëkuar në vendlindje, për vendlindjen e shpirtin e pasur popullor të banorëve të këtij fshati me histori e këngë, me burime e gurra të pashtershme popullore. Tartari të sfidon në këngë dhe të kënaq si ai. Është një nga korifejtë e polifonisë labe. Asnjë këngë interpretuar prej tij nuk na ka besdisur; të gjitha na kanë dhënë kënaqësi dhe qetësi shpirtërore të veçantë. Tartari është larg, në mërgim, punon në Itali, mban familjen. Ai gjen kohë të mbajë dhe këngën. Po të klikojmë në YouTube “Sofra e Këngës labe, Tartar Avduli”, do të shijojmë aromën dehëse e frymëzuese të këngës labe tragjasiote në zërin e këtij bilbili, ku zërat sinkronizohen aq bukur midis marrësit, kthyesit, hedhësit dhe mbushjes (isos), sikur të jenë artistë profesionistë të nivelit artistik sipëror. Janë mbi 30 këngë, njëra më e bukur se tjetra. Albumet e “Sofrës së Këngës labe”, sikurse këngët e Fatosh Likës dhe Grupit të sotëm të Dukatit, janë ndër më të kërkuarat. Zëri Taros është bukurisht i magjishëm liriko-epik. Kujtojmë kryekëngën e tij epiko - historike “Plaku me mjekër të bardhë”, kushtuar Ismail Qemalit e Isa Boletinit në Londër, me tekst të Hamdi Pulos. Se mos të tjerat janë më poshtë nga niveli artistik i interpretimit!... Nuk kemi ndërmend të bëjmë listimin e repertorit të këngëve të Hamdiut, që ia merr Taro Avduli, por tregojmë nderim për polifoninë labe në tërësi dhe sidomos për këngën e Tragjasit kur përmendim këngë të tjera të bukura si: “Krenar karshi detit rri”, “Shqiponjë e vogël me halle”, “Kur doli nëna në shkallë”, “Plagë e vitit trembëdhjetë”, “Kur kreshnikët dëgjuan”, “Ranë kartërat në Vlorë”, “O Sherif Hasan brez vëna!”, “Bijë e Vlorës, moj Himarë!”, “Nënë e fshatit flokëthinjur”, “Jeta t’u ngarkua barrë, djalë o djalë!”, “Do t’u kujtoj dhe një herë”, “Që kur kam ikur…”, apo lirikat e ëmbla e të freskëta: “Sa kish mbyllur ylli synë”, “Më muar malli, më muar”, “Vogëlushja në mes detit”, “Me shikim nga mali tretur”, “Atje, te lisi në brinjë”, “E kur shkoje malit përpjetë!...”, “Meskëputur, yll karvani”, “Vetullhequra me pë”, “Fustaneverdha limua”, “Atje poshtë, në ato gjerdhe”, Ç’u nisa malit përpjetë,/ qani moj çobanka qani!”, “Më se ta hodha sevdanë?!...”, “Shaze, vetulla me gramë”, “Të prita, mike, të prita…”, etj., këngë të bukura që ndezën sheshet e gëzimeve e kuvendeve, skenat e koncerteve e festivaleve, në Vlorë, në Shqipëri, në Europë e kudo ku shkuan e i ftuan.  Tartar Avduli ka dhe një cilësi të duhur për një këngëtar virtuoz: ai i shqipton të plota, të sakta, të qarta dhe me muzikalitet të këndshëm të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e vargut në përbërje të strofës së tekstit poetik të kënduar. Kjo veti është për t’u përgëzuar dhe për t’u marrë shembull nga ata që e ndjejnë veten këngëtarë. Një gjë e di mirë. Tartari s’ka kënduar kurrë për t’u dukur, apo për dekorata. Ia ka thënë zemra të këndojë aq bukur me atë zë bilbili që i ka falur zoti. Jetojmë në një kohë ku për shoqërinë, vlerësimet janë në modë. Ndër të tjerë, janë vlerësuar shumë këngëtarë të labërishtes. Edhe Tartar Avduli e meriton. Biles, shumë më herët se ca të tjerë. Edhe Syrjat Hodo e meriton. Shumë e shumë më herët, se ca të tjerë, se ka kontribute të mëdha në këngën labe tërbaçiote, sikurse paraardhësi i tij i fushës Sinan I. Hoxha, si marrës i këngës së rëndë e gjëmimtare të Tërbaçit. Edhe Nebi Xhaka i pakapshëm si kthyes. E të tjerë. Jo shumë. Por ata, e përsëris, ata s’kënduan për medalje e tituj dhe nuk e kanë në moralin e tyre të zënë për xhakete të madhin apo atë që ka në dorë vlerësimet. Por të rikthehemi tek objekti i këtij shkrimi: Tartar Avduli dhe kënga e Tragjasit. Tarua e la të shtruar me gonxhe polifonike kopështin e bukur të këngës labe tragjasiote. Ka tridhjetë vjet e kusur. Asnjë gonxhe nuk iu vyshk. Ato e ruajnë shëndetin folkorik dhe freskinë si në çastet, kur artisti i mbolli me zërin e tij brilant për të mos u tharë kurrë. Vetëm magja e zërit që del nga shpirti i artistit krijon të tilla mrekullira. Dhe këngët e Taros janë përherë burbuqe në shpërthim. Gjykojmë se do të ishte e dobishme që edhe vertikaliteti shoqëror ta ndjejë e ta shijojë, ndër të tjera, edhe aromën e këngës labe të Taros, se ia zbukuron më hijshëm botën e brendshme. Por as marrësi, as kthyesi, as hedhësi, që janë balli i këngës, nuk mund të arrijnë atë mrekulli muzikore pa grupin, pa anëtarët e isos, që mbushin këngën, sipas parimeve specifike, atyre “ligjeve” të pashkruara, që ka kënga labe, por edhe folkori në tërësi, si një lloj i veçantë artistik që respekton parimet dhe zbaton normat e traditës së krijimtarisë folkorike.

Grupi Polifonik i Tragjasit (kolektiv). Grupi polifonik i Tragjasit, me të drejtë u vlerësua nga Presidenti i Republikës, SHZT Bujar Nishani me titullin “Naim Frashëri” më 19 qershor 2017 në mjediset e Presidencës, Tiranë. Grupi i Tragjasit është nga më të vjetrit, ndërkohë dhe më të spikaturit në Labëri, emërbërës në Folkor. Me trininë e lartë artistike dhe kronologjikisht të papërsëritshme me Beqir Laçen, Aranit Daupin dhe Tartar Avdulin, Tragjasi i Hamdi Pulos penëartë, i ka arritur majat e këngës labe. Kthyesi Ramis Gjoni dhe hedhësi Ali Meço i kanë dhënë këtij grupi ngjyrat më madhështore epike, më pranverore lirike, duke na falur imazhin e një ansambi bilbilash në trajtë njeriu. Si një vatër e ngrohtë folkorike, falë pozicionit gjeografik, lartësisisë folkorike dhe bujarisë së bijve të tij si Tonin Troqe, apo si djali I Labërisë dhe miku fisnik jo vetëm i labëve dhe vlonjatëve dr. Bujar Leskaj etj., Tragjasi është kthyer në Mekë të Polifonisë labe. Grupi i Tragjasit, riformatuar në vitet 1966-1967, mbështetur në traditën e të parëve, e zhvilloi dhe i dha një hov të dukshëm këngës labe të zonës së tij dhe më gjerë, nëpërmjet tregimit të kënduar recitativ, potent dhe melodioz të marrësit, me atë kthyerje të qartë e burrërore, me atë hedhje drithëruese, që edhe gjethet e barit kthenin fytyrën nga vinte ai zë, si dhe me atë mbushje harmonike të plotë, sikur vinte nga hyjnitë qiellore e jo nga burimet polifonike të Tragjasit. Të gjithë labët, dashamirësit e këngës labe dhe patjetër studiuesit e Folkorit e kanë ende në kujtesë jehonën e teksteve të përsosura letrarisht, melodive brilante mbi shtrat, interpretimeve cilësisht të arrira nga grupi i Tragjasit kohë pas kohe. Kur themi grupi i Tragjasit kemi thënë Hamdi Pulo, sepse është merita e këtij mjeshtri të kulturuar, që diti të pijë ujë të kulluar në burim për vete dhe të mbushë gotën e trëndafiltë folkorike për ta qëndisur me fije të arta shpirti, siç dinte ai, për t’ia dhuruar popullit, brezave, për të mos vdekur kurrë, për të mos u vënë re ikja fizike, sepse ai është në dhjetra e qindra këngë që ka thurur, realizuar e regjistruar si njësi folkorike me grupin e mirënjohur të Tragjasit. Për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë, në vitin 2012, Hamdi Pulo i Tragjasit, Vlorë, pas vdekjes, u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për evidentimin, zbulimin dhe zhvillimin cilësor të folklorit të Tragjasit, si krijues i shumë vargjeve dhe këngëve me nivel ideo-artistik dhe patriotik". Këngët e tij interpretohen me mjeshtëri dhe sot e kësaj dite nga grupi polifonik aktual i Tragjasit. Por tekstet e tij gëzojnë masivitet, janë bërë mbarëpopullore. Mbresëlënëse na vijnë këngët e grupit polifonik të Tragjasit, si ato me tematikë epike ashtu edhe ato me motive lirike, epiko - lirike apo liriko - epike, të kapshme, të ndërtuara dhe të interpretuara aq bukur nga djemtë e Tragjasit. Nga repertori i pasur i këtij grupi, që bën jetë të gjallë e aktive kujtojmë: “Leshverdha culën dëgjoi”, “Sot ka ardhur Komisari”, “Nata nxin, tufani pret,/ Qielli detin lëshon”, “Kënga e trimave”, “Korba, korba Sherif-o!”, “Sa kish mbyllur ylli synë”, “Qyqja”, “Shqiponj’ e vogël me halle”, “Vajzat e Sulit mes holla”, etj., apo lirika erotike dehëse si: “Ç’është dashuria?!” me vargjet e shpërthimit romantik: “Meskëputur, yll karvani/ Nga vapa po përvëlohem,/ N’ ata sy, si gji limani/ Do vij një her’ të freskohem…/ E, ç’tu them o shokë?/ Ç’është dashuria/ Ajo është mjalt/ Vetë Perëndia!...”. E perla të tilla dinë të na falin vetëm djemtë e mrekullueshëm të këngës tragjasiote. Tekstet e Hamdi Pulos nuk këndohen vetëm në Tragjas, por, kur pëlqehen, na vijnë sipas varianteve përkatëse, edhe në hapësirat folkorike të afërta gjeografike dhe etnokulturore si Dukati, Tërbaçi, Vranishti etj. Kështu ngjet me majat e melodive dhe penave folkorike të Labërisë së Vlorës si Kujtim Mici, Lefter Çipa, Hamdi Pulo, Pelivan Barjami, Llambro Hysi, Muhamet Tartari, Feti Brahimi, etj. Sigurisht ndodh kështu dhe në hapësirat e tjera folkorike të krahinës së madhe etnografike të Labërisë me krijues të lartë si Maliq Lila, Zaho Balili, etj., të cilët kanë marrë virtyte estetiko-morale  nga banorët me shpirt poetik të Labërisë dhe i kanë dhënë nder nga emri i tyre krahinës etnografike të Labërisë.

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, ALBANIA