| E diele, 23.07.2017, 12:56 PM |
Cikël
me epigrame nga Viron Kona
Mijëra herë Shqipërinë do t`zgjidhja
Sikur të më ofronin,
të zgjidhja tjetër atdhe,
mijëra herë Shqipërinë do t`zgjidhja,
më të bukurën mbi Dhe`.
Miqtë e mi
I kam zgjedhur n`dritë të diellit,
n`vështirësi, brenga, gëzime,
s`ka, or s`ka, them, si ata,
bashkë ndajmë edhe thërrime.
Heshtja
Qëndrimi në heshtje,
më shumë se çdo fjalim.
Në heshtje nderohet flamuri,
dëshmorët dhe himni i vendit tim.
Për shokët udhës
Merri këto kokrra mollë, o bir,
një nga një i kam këputur,
ke edhe për vete,
por edhe për shokët udhës...!
S`ishte dardhë por gorricë
E lëvduan, e ngritën në qiell,
“të zotë” si ai gjeje vetëm në Olimp,
kur erdhi koha të shiheshin frutat,
doli se dardha na qenkej gorricë!
Kur të zhveshën nga pushteti
Kur të zhveshën nga pushteti,
u shfaqe siç të kishte bërë nëna,
veprat me të cilat mburreshe,
qenë kallinj pa kokrra brenda.
Mjafton një kockë
Zagari që humbi të zotin,
gjeti tjetër zotëri,
ai që në hundë i tundi një kockë,
u bë menjëherë zoti i tij i ri.
Për vete s `gjen dot rrip
I thua barkboshit.
rripin të shtrëngojë,
për vete s`gjen dot rrip,
barkun e madh të ta rrethojë!
Sheh qimen te fukarai
Sheh qimen te fukarai,
por jo traun te zengjini,
fukarait i tregon Drakonin 1),
zengjinit i ofron mbretërimin.
1).Drakoni (Ligjet drakoniane): Në shekullin e VII para erës së re, në Greqi u bënë ligje që caktonin dënime të rënda edhe për faje të vogla. P.sh ai njëri që vidhte një vilë rrushi në një kopsht të huaj, dënohej me vdekje. Për këto ligje, thoshin se ishin shkruar me gjak dhe jo me bojë. Qeveritari që u mor me përgatitjen e këtyre ligjeve quhej Drakon, prandaj ato u quajtën drakoniane.
Pamja të gënjen
E shikon ajsbergun,
një pjesë të vetes tregon,
provo të zhytesh poshtë tij,
të fshehtën ia zbulon1).
Ajsbergu: copë emadhe akulli, që pjesën më të madhe të tij e fsheh nën ujë.
Provoje te vetja
Provoje te vetja,
të keqen që bëre,
atëherë do kuptosh,
çdo të thotë dhembje.