| E merkure, 12.07.2017, 07:55 PM |
Podgorani
në penën e studiuesit Maliq Vrekaj
Nga Kujtim Mateli
Librat që shkruhen për vendlindjen
janë ngjarje jo vetëm për atë njësi banimi së cilës ata i drejtohen, por dhe
për ato njësi gjeografike të cilat e rrethojnë. Në këtë kuptim, libri i autorit
Maliq Vrekaj, është ngjarje jo vetëm për banorët e Podgoranit, por dhe për
fshatrat me të cilat ai kufizohet si Çorrogunji dhe Katundishta, Suka dhe
Gorica, por edhe me fshatrat e rrethit të Tepelenës: Mezhgoran dhe Arrëz e
Madhe, me të cilat Podgorani ka ndarë kreshtën e malit të Trebeshinës dhe
barinjtë e këtyre fshatrave ndajnë gati gjysmën e vitit midis tyre. Megjithëse
pjesa perëndimore e malit të Trebeshinës ku ndodhen fshatrat e Tepelenës dhe
ajo lindore ku ndodhen fshatrat e Dëshnicës i ndan një distancë e largët,
marrëdhëniet midis këtyre fshatrave ka qenë e ngushtë dhe martesa të shumta ka
patur midis tyre. Podgorani është pjesë e njësisë etnografike e krahinës së
Dëshnicës, e cila numëron në njësinë e saj 40 fshatra, të cilat i lidh midis
tyre jo vetëm territori, por tradita dhe zakone të përbashkëta, përpjekje të
përbashkëta përballë pushtuesve, të cilët përgjatë gjithë historisë e njësuan
këtë krahinë duke u dhënë banorëve të kësaj krahine një identitet të spikatur
siç është identiteti dëshnicar.
Edhe Maliq Vrekaj, nuk e ka marrë Podgoranin në një kontekst të ngushtë, vetëm
çfarë e lidh atë me Podgoranin, si territorr dhe histori, por e ka vendosur atë
në një kontekst më të gjerë, qoftë në hapësirë, qoftë dhe në kohë, duke u
lidhur me pushtimet e huaja dhe ndikimet që ato kanë patur në vendin tonë. Ky
libër është në vazhdën e asaj tradite të bukur që është krijuar në Dëshnicë, ku
janë disa dhjetëra libra monografikë që u kushtohen fshatrave, fiseve apo dhe
individëve të shquar të krahinës sonë.
Ia vlen të kujtojmë se krahas këtij libri që është shkruar për Podgoranin,
është dhe një monografi e realizuar mirë për njërin nga bijtë e Podgoranit, siç
është Duro Kopo, i cili la përtej Dëshnicës, në gjithë territorin e Përmetit,
emrin e bukur të dëshnicarit. Po Podgorani numëron edhe disa autorë të tjerë
si: Artur Vrekaj, Bujar Elmazi e Mystehak Kapo duke u renditur me krenari si
pjesë aktive e krahinës së Dëshnicës, e cila numëron sot më shumë se 40 autorë
dhe rreth160 libra. Krijuesit dhe studiuesit dëshnicarë, me librat e tyre i
janë drejtuar jo vetëm lexuesit dëshnicarë, por dhe atij shqiptar kudo që ai
ndodhet, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare.
Dëshnica ka krijuar në këtë mënyrë një vlerë të spikatur artistike, shkencore
dhe dokumentare. Po e konkretizojmë me një shembull nga Podgorani, ku Artur
Vrekaj, tashmë me banim në Amerikë u bë pjesë e një konkursi letrar që një
shoqatë amerikane e mjedisit organizon çdo vit për të sensibilizuar opinionin
në mbrojtje të mjedisit dhe poezia e Arturit zuri vendin e parë duke u bërë
poezia e Kalendarit Vjetor që kjo shoqatë nxjerr në prag të Vitit të Ri. Krijuesit dëshnicarë janë bërë pjesë e
konkurseve letrare që tashmë zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë, por dhe
në Kosovë e Maqedoni, jo vetëm duke u bërë me këto krijime si pjesë e këtyre
manifestimeve letrare, por dhe duke u nderuar dhe me çmime.
Për Maliqin ky është libri i tij i tretë. Ai vjen pas një vëllimi poetik dhe
për monografinë kushtuar brigadës së Himarës. Për hartimin e librit “Podgorani
në një shekull” autori ka punuar për disa vite rresht, është konsultuar për
shumë ngjarje dhe ndodhi me bashkëfshatarët e tij, por dhe ka shfletuar një
material të pasur mbështetur mbi autorë të tjerë dhe në arkiva. Po cilat janë
disa nga vlerat e këtij libri që ne po promovojmë sot.
1. Libri është një burim i pasur informacioni si për brezin e sotëm
dhe për brezat që vijnë. Si të gjitha monografitë që janë shkruar për fshatrat
e krahinës sonë, libri ndahet në tri pjesë të rëndësishme. Periudha e parë
është ajo historike nga lashtësia e
deri në periudhën, kur fshati dëshmohet nga burimet gojore. Periudha e dytë
është ajo e burimeve gojore deri në
momentin kur autori bëhet pjesë e historisë së vendlindjes së tij. Periudha e
tretë është ajo, kur autori e dëshmon
vetë historinë e familjeve, të fiseve, të lagjeve dhe të vetë fshatit të
Podgoranit.
Maliq Vrekaj e dëshmon historinë e fshatit Podgoran duke filluar aty nga viti
1965, kur autori ka mbaruar dhe ciklin tetëvjeçar dhe dëshmon ashtu siç i ka
parë dhe dëgjuar vetë ngjarjet më të rëndësishme dhe për fshatin e Podgoranit.
Vitin 1965 e deri në ditët e sotme mund ta konsiderojmë si periudhë e dëshmive
të pakontestueshme. Burimet e veta autori i ka bërë pjesë e një debati me
bashkëfshatarët e tij, sepse ky libër ka vite që është diskutuar nga
podgoranasit dhe në rrjetet sociale dhe me shumë ngjarje dhe ndodhi ne jemi
njohur nga pjesëmarrësit në diskutime disa vite më parë. Dëshmi të tilla mund
t`i grupojmë si dëshmi që shkojnë drejt së vërtetës absolute. Dëshmi të tilla
janë të domosdoshme dhe të dobishme për atë brez të sotëm që është i ri në
moshë, por dhe për brezat e ardhshëm. Në të ardhmen, mbase pas dy a tre
brezash, dëshmitë okulare do të jenë baza e analizave që pasardhësit tanë do të
bëjnë për historinë tonë.
Përtej dëshmive okulare të autorit, të një rëndësie të veçantë janë dhe ato që
Maliqi ka mbledhur nga brezat e mëparshëm, breza që ua kanë transmetuar
pasardhësve nga bisedat e ndryshme që bëheshin në mbrëmje në familje apo dhe në
gëzime familjare, me të cilat ata krenoheshin për fisin apo fshatin e tyre.
Burimet gojore dhe ato arkivore të shekullit të kaluar, e mundësuan Maliqin të
botojë këtë monografi që ka një titull kuptimplotë: “Podgorani në një shekull”.
Pra dëshmohet për historinë e Podgoranit për një periudhë një pjesë të së cilës
autori e ka njohur vetë dhe pjesën tjetër nga dukumentet arkivore dhe dëshmitë
e paraardhësve tanë.
2. Përshkrimet në këtë libër janë një tjetër vlerë që e bën librin
të dashur për lexuesin. Podgorani është pikturuar nga mjeshtëria e penës së
Maliqit. Hauzi dhe përroi i tij që zbret deri në lumë, pyjet që e shoqërojnë
atë, kafshët e egra dhe zogjtë në shumllojshmërinë e tyre, i japin krahut jugor
të Pogoranit atë bukuri që ai ka në realitet dhe që e bëjnë banorin që jeton në
Podgoran ta dojë më shumë vendlindjen e
tij dhe të mos largohet kurrë nga kjo vendlindje. Po ashtu dhe të larguarit i
lind dëshirën të rikthehet atje.
Jashtë penës së Maliqit nuk ka mbetur as përroi i Soponicës, që përfaqëson
krahun verior të Podgoranit, i dëgjuar për burimet e tij në shpat të malit
Trebeshinë, për dërstilat që u siguronin barinjve të Trebeshinës gunat dhe
sharqet, apo dhe velënxat që shtroheshin në odat e shtëpive dëshnicare.
Ndërmjet këtyre dy burimeve autori ka pikturuar vetë Podgoranin, sipas
mëhallave dhe fiseve. Katër mëhallat e Podgoranit dhe nëntë fiset nga të cilët
ishte formuar fshati i Podgoranit, jepen në pozicionin e tyre gjeografik, çfarë
e bën dhe vizitorin ta përcaktojë lehtësisht vendndodhjen e këtyre lagjeve dhe
fiseve, bashkë me emrat e arave apo të lëndinave të cilat na japin kështu dhe
toponiminë e fshatit të Podgoranit. Aty mësojmë për zakonet e podgoranasit në
gëzime dhe hidhërime, zakone që kanë përbërë një lloj kodi civil për të mbajtur
gjallë organizimin e shoqërisë mbi baza fshati.
3. Një vlerë tjetër e këtij libri janë të dhënat demografike për
rritjen dhe lëvizjen e popullsisë. Mësojmë kështu që Podgorani në fund të vitit
1990 ka patur 364 familje dhe me 1260 banorë, duke e renditur në krye të
popullsisë së rrethit të Përmetit. Libri na jep lëvizjen e popullsisë së
fshatit Podgoran drejt qyteteve duke filluar që pas Luftës Naciona Çlirimtare
dhe autori ka mundur ta identifikojë këtë lëvizje në qytetet ku ata kanë shkuar
madje dhe shumë prej tyre të na i japë dhe me profesionet dhe detyrat e larta
që ata kanë kryer në shtetin shqiptar.
Autori na jep dhe periudhën pas vitit 1990 ku ndodhi dhe largimi masiv drejt
qyteteve brenda Shqipërisë, por dhe jashtë atdheut. I jep me emra disa nga këta
bij të Podgoranit që kanë kontribuar kudo që kanë shkuar.
4. Një vlerë të veçantë përbën dhe
pasqyrimi i fshatit Podgoran në ditët e sotme, ato familje që ende banojnë në
rrëzë të malit të Trebeshinës, pra në Podgoranin e vjetër dhe të atyre që kanë
krijuar një fshat të ri, në kushte më të favorshme dhe që kanë formuar
Podgoranin e Qafës së Sukës me rreth 34-36 familje, aq sa ka dhe Podgorani i
vjetër rrëzë Trebeshinës, 34 familje.
Dokumentimi i Podgoranit për gati një shekull, përbën dhe dokumentin bazë, për
cilindo që dëshiron qoftë sot, qoftë dhe në të ardhmen të thotë e të flasë për
Podgoranin.
Si të gjithë ata që kanë shkruar për historikun e fshatit të tyre, edhe Maliqi
është munduar të kërkojë rrënjët e fshatit të Podgoranit. Në të tilla raste, ne
zhytemi në hamendësime, në mungesë të dëshmive historike. Në të tilla raste, na
ndihmon dhe historiku i fshatrave përeth, por edhe emrat e vendeve, të cilat,
nëse do të studiohen me kujdes, na japin dhe historikun e njësisë që merret në
analizë. Nëse do të shohim emrat e vendeve që mbart mali i Trebeshinës, por dhe
vetë krahina e Dëshnicës, do të shohim se kjo krahinë dhe bashkë me të dhe
Podgorani, ka qenë e banuar dhe në mijëvjecarët para Krishtit.