| E shtune, 08.07.2017, 11:24 AM |
Poezi rumune
MARIUS CHELARU
Dashuri (Dragoste)
Dremit/ e çveshur si një lumturi e shtrirë/
në brendinë time
Duke e turbulluar britmën e parë të dheut
Ma dha Zoti
Kur shpresoja
Nga paradhembshuria
Në atë kishë ku vitet rriten mbi ne
Ku dy ikona/ të dy zotërve
Shikohen ballëpërballë/ si dy copëra jete
Më ke ndarë
Si një mollë
Në urrejtje dhe dashuri
Kishe sy si dy lot të skulptuar nga lutja ime kur
Ma shkëpute mishin nga shpirti
Babai im natën, me jetën e shakmisur në një të dielë
Mëma ime ditën, duke i numëruar vdekjet e babait tim
Më ruajtën derisa vdiqa
Në gjakun tënd
Ti më ndave
Si një mollë
Në dashuri dhe urrejtje
Duke m’i vjelur bërthamat e çveshura të zemrës
Të hedhura
Dirgjem tani me gjuhën e dashurisë
Në shputën e vëllaut tim hyj përgjithmonë – ...
Vdisem mbytem
Me ëndrrat me ty të rradhitura në shtatë ditët
Në shuplakën përjetë të zhuritur të këtij çasti
Duke u lutur që frymëmarrja jote
Të ma largojë sërish mishin nga shpirti
I ruajtur nga i ati im natën, mëma ime ditën
Krijim (Crea?ie)
Bota është ngritur nga pyje lotësh/ qerpikëve
Të Zotit të zhuritur/ nga secili lot kanë rrjedhur
Një nga një zemrat tona me kundërmim jete
Adami e kafshoi gjirin e Evës
duke e thithur helmin e klithmës së parë
Nga faqet e buzëve të Evës/ u shkëputën
Të mugulluara tashmë në hije urretjeje. Vuajtja/ Zoti
E mbëltoi buzëqeshjen e saj në çdo hije/
në çdo fytyrë të fryteve
Pranvera i pranoi njerëzit/
pyjet i pranuan kafshët e para
Agimet shpërthyen nga vetullat e qiellit
Qielli – lypës i përulur i engjëjve
Përfitoi dimensione të ngarkauara me hidhërim
Mrekullitë u bënë shënjestër/
perënditë u degdisën nëpër dritaret e shpirtit
Era rrjedh përmes damarëve të botës/
mbi të cilat notojnë lotët
Fillimet me petalet e shpërndara
përmbi flatrat e engjëjve
Të hapurapërlutje
Këndoj (Cânt)
Jam
Hap përmbi dimrin tënd të harruar
Derisa fëmijëria memzi që gjezdiste
Ai e që sheh
Tejmatanë brendisë sate
Erëtimën e faqeve tua në perëndimin e një buzëqeshjeje
Puth-më
Puthjet tua – lëndinë përmallimi – më mbështjellin
Gjethet e vërtitura nga era
Duke e ftuar dashurinë time – përrallë që pret
Të lulëzojë në ditën kur desha të dashuroj
Jam
Hap përmbi kujtimet tua
Që të flasin për vjeshtën
Dhe dimrin do të vijnë përgjithmonë
Ai e që ndjen
Frikën e zemrës sate
Siç po përkulen ditët kah mbrëmjet e vetmuara
Duke zgjuar fjalë nga periudha të perënduara
Nga trupi yt – i pa-skajshëm nga imi
Puth-më
Puthjet tua –sorkadhe të trembura –
Të fshehura në parfumin e harruar
Prej ftonjsh nga kopshti i fëmijërisë
Që kultivon përralla
Me prindër përherë prezentë
Më kërkojnë
Duke e ftuar burrërinë time në një përrallë
E lulëzuar në fillimin e përjetshëm
Ligj (Lege)
Jam i mbërthyer në një familje fjalësh
Të cilat të tjerët i kanë menduar
Përpara se të më shkurtohen duart sipas rregullës
Sy me rrugë të cilat nuk do t’i shoh kurrë
Nganjëherë do të doja të jetoj vetëm
në botën e shpirtit tim
Vërtitem përreth një bote në të cilën
Ligji është të harrosh
Stërgjyshërit – me kujtime me krejt –
shkunden nga krahët tonë
Si do fryte që janë ngopur të piqen më kot
Shikoj
Si rritet kullosa gjurmave të të hapave të mi
Duke e fshehur rrugën nga sytë e çunit tim
Gishtërinjtë me të cilët kam përkëdhelur
po gjethohem, o Zot!
Duke e mugulluar edhe ato harresën.
Në zemërn time
Vetëm atje
Do të mbetesh e fshehur ti
Pranë fjalëve mbi të cilat është ulur
Jeta jonë
(Shqipëroi: Albert Voka)